Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tragjedia që u prodhua me ligj

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Kikia
Tragjedia që u prodhua me ligj

Media është vënë në ballë të këtij denoncimi, pasi politika është zbythur për shkak të implikimit të saj masiv në këtë superskandal, fundi i të cilit ishte një supertragjedi. Të dhënat që po publikohen dita-ditës, tregojnë për një angazhim tërësor të politikës për të themeluar ligjërisht Gërdecin, i cili do të prodhonte qindra milionë euro fitim në disa muaj dhe qindra viktima në disa sekonda.

Qeveria deri tani është mjaftuar të thotë se ndihet fajtore sepse nuk e kontrolloi punishten e Gërdecit ku ishin depozituar qindra mijëra predha. Por, për të mbërritur te fajtorët duhet të kthehemi pas në kohë, të paktën për një vit. Dokumentet tashmë janë bërë publike kudo. Ne po bëjmë më poshtë vetëm një renditje kronologjike, e cila do të na ndihmojë të ngremë një arsyetim e të mbërrijmë në disa konkluzione të përafërta.

Në datën 28.12.2006, Mihal Delijorgji, një biznesmen i ri, i talentuar, i suksesshëm, i përfolur e i akuzuar dhe që kishte pasur lidhje të afërta me qarqet më të larta të politikës, majtas e djathtas, e veçanërisht me Ministrinë e Mbrojtjes, regjistron në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, QKR, shoqërinë "Albademil", me objekt "çmontim, demilitarizim, eksport të armatimeve të të gjitha llojeve e kalibrave etj.". "Albademil" saktëson në aktin e regjistrimit se selinë e ka në Gërdec, Vorë. Bashkaksioner në këtë sipërmarrje të re ishte edhe Patrick Cornelious Henry III, përfaqësues i një shoqërie amerikane, e përfshirë në biznesin e çmontimit të municioneve me Ministrinë e Mbrojtjes. Deri në këtë kohë nuk kishte asnjë ligj në Shqipëri që lejonte një shoqëri private të merrej me tregti apo çmontim municionesh. Regjistrimi në QKR nuk është gjithsesi zyrtarizëm i biznesit, por Delijorgji e dinte çdo të ndodhte.

Në datën 14.03.2007, pra dy muaj e gjysmë më vonë, Këshilli i Ministrave vendos që kompania shtetërore MEICO (e themeluar me qëllim eksport-importin e armëve e municioneve për llogari të shtetit) mund të lidhë kontrata me "subjekte të ndryshme" për shitjen e municioneve për çmontim e demilitarizim. Deri në këtë moment, MEICO, pra shteti, kishte zyrtarisht monopolin e tregtimit të çdo arme dhe fisheku që tregtohet për llogari të shtetit. Deri në këtë moment, çmontimi i municioneve ishte bërë vetëm nga uzinat ushtarake nën mbikëqyrjen e Forcave të Armatosura, përmes projekteve të financuara nga donatorë ndërkombëtarë. Po ashtu, deri në këtë kohë tregtia e armëve nuk kishte një ligj specifik dhe ajo rregullohej mbi bazën e vendimeve të Këshillit të Ministrave (VKM-ve).

Në datën 05.04.2007, pasi kishte kaluar në qeveri dhe komisionet parlamentare përkatëse, Parlamenti miraton me unanimitet të votave ligjin për "Kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import -eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave të teknologjisë me përdorim të dyfishtë".

Pas VKM-së së datës 14.03.2007, ky ligj i heq përfundimisht monopolin e tregtisë së armëve kompanisë shtetërore MEICO dhe u hap rrugën e futjes në këtë treg shoqërive private.

Në datën 17.04.2007, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, dekreton ligjin për tregtinë e armëve. Në të njëjtën ditë, 17.04.2007 "Albademil" regjistrohet në Gjykatën e Tiranës si subjekt privat me aktivitet "Tregti, brenda dhe jashtë vendit, të mallrave ushtarake dhe demontimin e municioneve".

Në datën 24.05.2007, "Albademil" regjistrohet në Drejtorinë e Tatim-Taksave dhe në të njëjtën datë merr certifikatën e regjistrimit, duke iu hapur zyrtarisht rruga për të nisur biznesin e tregtisë së armëve dhe çmontimit të municioneve. Një ditë më pas, më 25.04.2007, Drejtoria e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, i dërgon për firmë ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, projektin "Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municionesh". Në të njëjtën ditë, 25.04.2007, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nxjerr një urdhër për Komandën e Bashkuar që të vërë në dispozicion të demontimit të municioneve ambientet e ish-repartit ushtarak në Gërdec, Vorë. Vendi i çmontimit ishte vendosur pikërisht aty ku e kishte caktuar "Albademil" që në datën 28 dhjetor 2006, kur u regjistrua në QKR. Ushtarakët e lartë pretendojnë se urdhri ka shmangur Forcat e Armatosura nga mbikëqyrja e këtij procesi, edhe pse deri në atë kohë çmontimi ishte bërë vetëm prej tyre.

Ndërkohë, në Gërdec ishte ndërtuar kantieri dhe brenda pak ditësh atje nisi puna për çmontimin e predhave, e cila do të përfundonte më 15.03.2008.

Më poshtë ne do të renditim disa pyetje:

- Përse vallë gjithë kjo ngutje për të nisur biznesi i çmontimit të predhave në Gërdec, ku rezulton që të jenë krye deri në tre procedura edhe brenda një dite?

A është vallë koincidencë që procedurat për themelimin e një shoqërie private për çmontimin e municioneve ecin paralelisht, madje i paraprijnë hartimit të kuadrit ligjor dhe VKM-ve që do t‘i japin asaj më vonë të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë në këtë fushë?
Përse ishte i sigurt themeluesi i shoqërisë, që në datën 28 dhjetor 2006, se biznesi i tij i çmontimit të predhave, për të cilin ende nuk kishte dalë ligji, do vendosej pikërisht në Gërdec, kur përcaktimi i vendit është kompetencë e Ministrisë së Mbrojtjes?
Përse iu besua "Albademil" ky biznes? Ligji kërkon që kontrata të lidhet me sipërmarrje me përvojë në këtë fushë, ndërsa ajo u zyrtarizua në gjykatë vetëm ditën që u dekretua ligji, pra në CV-në e saj nuk kishte çmontuar asnjë fishek?
Shoqëria "Albademil" e ushtroi këtë biznes, sepse këtë ia lejoi ligji, apo ligji u bë pikërisht për t‘i hapur rrugë biznesit të kësaj shoqërie?
Si është e mundur vallë që edhe opozita nuk e kundërshtoi një projektligj të tillë të qeverisë dhe e votoi atë unanimisht, edhe pse ia dinte pasoja dhe prapaskenat?
Këtyre pyetjeve ne nuk u japim dot përgjigje, pasi nëse u themi "po" të gjithave, duhet të pranojmë se shteti ynë është tashmë në greminë dhe ky vend ka nevojë emergjente për protektorat. Tani për tani ne do të mjaftohemi të themi se jemi përpara një skandali me përmasa të frikshme korruptive e politike. Por ajo që duam të theksojmë është se deri këtu biznesi i zotit Delijorgji ka qenë plotësisht i ligjshëm dhe firma MEICO nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, pasi gjithçka ishte bazuar në ligj dhe VKM. Por ne do të shtrojmë disa pyetje të tjera më poshtë, të cilave do të mundohemi t‘u japim përgjigje.

Përse Delijorgji zgjodhi Gërdecin?
Sepse paralelisht biznesit miliarder të çmontimit të predhave dhe shitjes së bronzit, barutit dhe plumbit, ai ishte përfshirë edhe në biznesin gjysmë të ndriçuar të tregtisë së fishekëve me destinacion Afganistanin. Disa gazeta dje shkruanin se fishekët që shiste në Afganistan ai i merrte gati falas nga Ministria e Mbrojtjes për t‘i çmontuar. Por ne do të pranojmë se ai po bënte tregti të ligjshme. Pasi i ripaketonte, ai i niste fishekët me avion drejt Kabulit. Ndërsa gëzhojat e bronzit dhe plumbin që dilte nga çmontimi i predhave ai i niste drejt tregjeve të huaja me anije nga Porti i Durrësit. Pra, atij i duhej një vend që të kishte afër edhe portin edhe aeroportin. Dhe Ministria e Mbrojtjes ia plotësoi, pa marrë fare parasysh rrezikun. "Albademil" mund t‘i çmontonte predhat edhe në Skrapar, por gëzhojat dhe materialin e plumbit deri në Durrës ai do ta transportonte vetë pastaj. Duke përfituar nga kontrata e favorshme se në "fabrikë" municionin duhet ta dërgonte vetë ushtria, ai zgjodhi një vend afër portit dhe kështu koston financiare të transportit e hiqte Ministria e Mbrojtjes. Dhe sërish Ministria e Mbrojtjes e mori përsipër riskun ekonomik.

- Përse në momentin e shpërthimit, në hangarin e "Albademil" kishte qindra mijëra predha, kur sipas kontratës ushtria shqiptare duhej t‘i dërgonte fabrikës vetëm sasinë që mund të çmontonte në një ditë?

Sepse, paralelisht me "Albademil", predha çmontonin edhe uzinat ushtarake në Mjekës, Gramsh e Poliçan. Edhe pse Shqipëria ka sasi të mëdha, një ditë ato predha do të mbaronin. Por ato janë një minierë ari në sipërfaqe dhe "Albademil" kërkonte të kishte sa më shumë rezerva. Ndaj Ministria e Mbrojtjes u bë palë me interesat e saj dhe çdo natë dhjetëra kamionë ushtarakë me predha mbërrinin në Gërdec e shkarkoheshin në hangarë të hapur.

Ndërsa në pjesën e parë, themelimin e aktivitetit dhe ligjërimin e këtij biznesi, kemi të bëjmë me dyshimet dhe hijet e një skandali të madh politik, në mënyrën se si ka funksionuar kjo sipërmarrje në Gërdec, kemi të bëjmë me një skandal korruptiv të përmasave të llahtarshme dhe të paktën, ish-ministri i Mbrojtjes, në bazë të dokumenteve të bëra deri tani publike, rezulton të jetë i implikuar këmbë e kokë.

Gërdeci zbuloi se si shteti nuk kishte funksionuar, se si shërbimet sekrete kishin lënë jashtë vëzhgimit një biznes të tillë ku lëviznin miliona fishekë e predha e qindra miliona euro. Autoritetet tani u kujtuan të cilësojnë trafikant, kriminel e gjithçka tjetër një nga biznesmenët më të mëdhenj të kapitalizmit shqiptar. Tani u kujtuan të zbulojnë se ai kishte depozituar llogaritë në një minishtet-ishull në fund të botës, mes Paqësorit perëndimor. Po të mos kishte ndodhur shpërthimi, kjo maskaradë do të vazhdonte dhe Delijorgji do të ishte sërish në marrëdhënie biznesi me Ministrinë e Mbrojtjes.

Të gjithë ne jemi të qartë tani se politika e prodhoi këtë skandal e këtë tragjedi, ndaj ne nuk duhet të presim nga ajo asnjë zgjidhje. Ajo e ka shndërruar Gërdecin në vend pelegrinazhi mediatik dhe qokash procedurale. Shpresa e madhe e ndëshkimit të përgjegjësve janë ushtarakët, ekspertët dhe specialistët që janë lënë jashtë këtij procesi e që tani duhet të flasin. Dhe shpresa e fundme është prokuroria. Nëse ajo do të çojë në gjyq vetëm Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin, atëherë ky do të jetë dështimi i shekullit dhe fundi zyrtar i shtetit. Ylli Pinari, sado trafikant e i inkriminuar të jetë, do të lirohet, pasi ai veproi mbi bazën e ligjit kur kontraktoi "Albademil" për këtë punë. Ndërsa Mihal Delijorgji, edhe pse përgjegjës këmbë e kokë, do të dënohet për punësimin e njerëzve në të zezë dhe shkelje të rregullave të sigurisë në punë, krim për të cilin duhet të dënohen 90% e sipërmarrësve shqiptarë. Gjykatësit nuk vendosin në mënyrë emocionale, duke u prekur nga lotët e njerëzve apo pamjet trishtuese të televizioneve, por mbi bazën e asaj që shkruhet në librat e shtetit, atyre që quhen ligje. Dhe thuajse të gjitha procedurat e shitjes dhe çmontimit kanë qenë të ligjshme.

Problemi është: KUSH E BEN LIGJIN

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama