Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Siguria globale dhe kontributi i SHBA

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Siguria globale dhe kontributi i SHBA

Vrasja tragjike e ambasadorit amerikan dhe tre diplomatëve në Libi, protestat antiamerikane dhe situatat e trazuara në vendet e “Pranverës arabe”, tensionet e rritura në Paqësor, rikonfirmojnë faktin se bota gjendet përballë sfidave dhe përgjegjësive globale.

Inspirimi dhe mbështetja e demokracisë në vendet nën tirani apo diktatura, lufta kundër terrorizmit dhe rrjeteve kriminale të drogës dhe armëve, respektimi i lirive themelore të çdo qenieje njerëzore, zhvillimi i ekonomisë në vendet nën varfëri dhe rritja e mirëqenies në vendet në zhvillim, janë elemente të rëndësishme të sigurisë, paqes dhe prosperitetit global.  Për përballimin e këtyre risqeve dhe sfidave, ish-presidenti Klinton do të theksonte: “Strategjia më e mirë për të forcuar sigurinë tonë dhe për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, është mbështetja në avancimin e demokracisë në vendet e tjera. Demokracitë nuk e sulmojnë njëra-tjetrën”.

SHBA-të janë inspiruesi dhe kontribuuesi më i madh për rritjen e lirive politike dhe ekonomike, për rritjen e bashkëpunimit dhe integrimit midis vendeve, rajoneve dhe në nivel global.

SHBA-të kanë kontribute të jashtëzakonshme në krijimin e një rendi të ri ndërkombëtar, i cili, pas Luftës së Dytë Botërore ka mbështetur rritjen e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë globale. Plani “Marshall” për rindërtimin e Europës së sfilitur nga dy luftërat botërore është një histori suksesi në eliminimin e luftërave dhe promovimin e paqes dhe prosperitetit.

Në strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA-ve për shekullin 21, Presidenti Obama thekson disa momente të rëndësishme. http:www.defense.gov/news/DefenseStrategicGuidance.

Së pari, siguria kombëtare e SHBA-ve përfshin sigurinë e aleatëve dhe partnerëve të saj.

Së dyti, siguria globale duhet të bazohet në një sistem ekonomik ndërkombëtar të hapur, me sa më pak pengesa në politikat ekonomike dhe në lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Së treti, për SHBA-të siguria e çdo vendi dhe siguria globale garantohet më mirë nga një rend i qëndrueshëm ndërkombëtar, në themel të të cilit është demokratizimi i botës ku jetojmë, ku të drejtat themelore të çdo qenieje njerëzore i mbështesin më mirë të drejtat dhe përgjegjësitë e çdo populli dhe te çdo kombi.

Në një botë gjithnjë e më të ndërvarur, siguria e lëndëve strategjike, siguria e rrugëve ndërkombëtare të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, siguria e rrjeteve kibernetike dhe siguria ushqimore, janë elemente të rëndësishme të sigurisë globale nga e cila përfitojnë të gjithë.

Përdorimi i diplomacisë në funksion të zgjerimit të vlerave themelore të demokracisë është mbështetur edhe nga angazhimi ushtarak në rastet kur rendi ndërkombëtarë, kur siguria globale (jo vetëm siguria e SHBA) janë kërcënuar nga terrorizmi, janë kërcënuar nga krizat, konflikte dhe luftërat etnike apo fetare në vende apo rajone të ndryshme të botës.

Në një studim të Bankës Botërore, ku analizohej zhvillimi përgjatë 188 viteve i ekonomisë globale (1820-2008), kishte disa gjetje domethënëse.

Periudha më e mirë e rritjes ekonomike ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve 1953-1970. Arritja e paqes dhe sigurisë, promovimi i demokracisë, reduktimi i luftërave dhe konflikteve ka mbështetur për një periudhë relativisht të gjatë rritjen e lartë të ekonomisë dhe mirëqenies në botë.
Në këtë studim, dallimi thelbësor midis SHBA-ve dhe Europës del në pah duke krahasuar prioritetet buxhetore. Në vitin 2010, shpenzimet ushtarake të SHBA përfaqësonin rreth 42% të shpenzimeve globale, ndërsa Europa me 36 vende në periudhën 2004-2009 shpenzonte rreth 58% të shpenzimeve për mbrojtjen sociale në botë.

SHBA-të dallohen për përdorimin e hardhower-asistencë dhe ndërhyrjet ushtarake, ndërsa Europa për softpower, angazhim diplomatik dhe mbështetje me grante e ndihmë financiare për vendet e varfra apo në zhvillim.

Domosdoshmëria për të përdorur më mirë “smart-poëer” apo “smart – defence”, kërkon një lidership me vizion për sfidat globale dhe, që siguron bashkëpunim në nivel global (Joseph Nye “On Smart power. A smarter, more secure America”).

Siguria, paqja dhe prosperiteti janë të trinjakëzuara. Vendet që janë në konflikte, vendet që janë përfshirë në luftëra të brendshme apo me fqinjët, vendet ku sundojnë grupet terroriste apo të drogës, janë sot vendet me shkallën më të lartë të paqëndrueshmërisë dhe me shkallën më të lartë të varfërisë.

Ruajtja e paqes, prosperitetit dhe siguria globale kanë një çmim të lartë. Edhe aktualisht SHBA-të po paguajnë çmimin më të madh dhe më të rëndë se çdo komb tjetër për të promovuar demokracinë, sigurinë dhe paqen kudo në botë.

Nga angazhimi amerikan për sigurinë globale përfituese reale janë të gjitha vendet aleate dhe partnere. Përmirësimi i çdo bashkëpunimi në nivel global midis SHBA dhe Europës, bashkëpunimi sa më efektive midis të gjitha vendeve anëtare të NATO-s për të eliminuar vatrat e luftërave civile, spastrimeve etnike apo fetare, mbështetja për rrëzimin e tiranive dhe diktaturave, redukton rrënjët e krizave dhe lehtëson bilancin e kostove njerëzore dhe financiare.

Shtetet e Bashkuara janë inspirueset më të mëdha për demokratizmin e vendeve të shtypura dhe kontribuueset më të mëdha në luftën kundër terrorizmit, që sot është kërcënimi më i madh. Buxheti ushtarak i SHBA është rreth 42% të shpenzimeve ushtarake globale. Ky buxhet, edhe në vitin 2012 është më i madh se sa buxhetet ushtarake të 20 vendeve më të mëdha të marra së bashku.

Por kostoja më e rënde dhe sakrifica më e madhe e SHBA për paqe dhe prosperitet global, është humbja e jetëve të ushtarëve amerikanë në luftën kundër terrorizmit. Rreth 90% e të vrarëve në luftën kundër terrorizmit janë ushtarakë dhe personel amerikan. Vrasja më 11 shtator të 2012-s e ambasadorit të SHBA në Libi, Christopher Stevens, është rast i dhimbshëm dhe tragjik i kostove që SHBA po paguajnë në rindërtimin e rendit dhe të ekonomisë në vendet e “Pranverës arabe” dhe për një botë më të zhvilluar dhe më të sigurt.

Lufta kundër terrorizmit, lufta kundër tiranëve, lufta kundër spastrimeve etnike apo fetare do të jetë e vështirë dhe e mundimshme, ndaj duhet të mbështetet me një bashkëpunim të përbashkët të të gjitha vendeve që inspirojnë dhe mbështesin paqen, demokracinë dhe prosperitetit dhe, që drejtpërdrejt ose indirekt përfitojnë nga rritja e sigurisë globale.

Aleanca e Shqipërisë me SHBA ka rrënjë historike. Mbështetja e Presidentit Uillson më 1919-n për kombin shqiptar pengoi copëzimin e vendit tonë. SHBA ndalën spastrimin etnik në Kosovë dhe mbështetën pavarësinë e saj. Mbështetja e SHBA ishte përcaktuese edhe për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Mirënjohja e kombit shqiptar për kontributet historike të SHBA është e qartë dhe e plotë si në bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, edhe në promovimin e paqes dhe prosperitetit në Ballkan. Bashkëpunimi dhe integrimi midis vendeve të Ballkanit me destinacion të përbashkët Bashkimin Europian, mbetet prioriteti kryesor i vendeve tona dhe i partnerëve tanë strategjikë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama