Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza kushtetuese, si zgjidhet?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Kriza kushtetuese, si zgjidhet?

Kosova gjendet sot para një krize institucionale apo kushtetuese jo aq të zhurmshme, por gjithsesi, përpara një krize të vërtetë. Një pjesë e mirë e opozitës, LDK-ja, po sulmon Presidenten e Republikës duke i kërkuar dorëheqjen dhe në një farë mënyre nuk e respekton autoritetin e saj. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar amendamentet kushtetuese të Parlamentit, diçka e paprecedent kjo në ndonjë republikë demokratike. Nuk po respektohet një marrëveshje politike e tre liderëve partiakë me bekim amerikan e legjitimuar si vendim Parlamenti me thuajse dy të tretat. 

Ky vendim parashikonte, veç të tjerash, një Presidente të përkohshme, amendim të Kushtetutës për zgjedhjen e kryetarit të shtetit nga populli dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. E gjithë kjo përplasje politike po ndodh kur Kosova, pas fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, ka filluar bisedime me Serbinë, në të cilat, sipas baroneshës Ashton, do të duhet të bëhen kompromise të vështira. Me pak fjalë, pikërisht kur klasës politike kosovare i duhet uniteti më i madh, çështja e Presidentes së Republikës, e mënyrës së zgjedhjes së kreut të shtetit, po bëhet një çështje ndarëse e thellë midis palëve.
Po cilat janë pozicionet e palëve? Nevojitet një lloj rikapitullimi i pozicioneve të tyre edhe për lexuesin e Shqipërisë.

Pas vendimit të Kushtetueses, që shfuqizoi amendamentet kushtetuese për shkurtimin e parakohshëm të mandatit të Presidentes, LDK-ja e ka ashpërsuar pozicionin. Ajo kërkon dorëheqjen e Presidentes menjëherë, si rrugën e vetme për të shkuar te miratimi i marrëveshjes së hershme Mustafa-Thaçi-Pacolli. Në kushtet kur marrëveshja nuk ka shenja se do të respektohet as për zgjedhjet parlamentare, LDK-ja duket se mendon që nëse nuk do të tregojë forcë në çështjen e Presidentes, do ta humbë besueshmërinë në popull. Dhe ka njëfarë të drejte: ajo u përfshi në marrëveshjen e sipërcituar me besimin se në këmbim të sjelljes konstruktive do të fitonte zgjedhje të parakohshme. Por as ato nuk po i fiton, dhe as zgjedhjen e Presidentit nga populli. I kritikuar nga brenda partisë për dobësi përkundrejt PDK-së në pushtet, zoti Mustafa, kreu i LDK-së, ka nevojë për një akt force. Me këtë qëndrim të LDK-së, në mënyrë më të përmbajtur është dhe AKR-ja e zotit Pacolli.

Presidentja, nga ana e vet, e trimëruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me siguri nën bekimin amerikan, thotë se nuk mund të japë dorëheqjen. Sipas saj, dorëheqja nuk është parashikuar në Kushtetutë dhe se nëse ajo do ta bënte këtë, atëherë do ta fuste vendin në krizë kushtetuese. Ajo thotë se në kushtet kur vetëm dy palë të asaj marrëveshjeje (LDK-ja dhe AKR-ja) që e solli në pushtet janë për largimin e saj, ajo nuk mund të largohet. Duhet të bëhen të tria palët pro largimit të saj (pra dhe PDK-ja e zotit Thaçi), kërkon Presidentja, që ajo të marrë një vendim për të ndërprerë mandatin.

Po cili është qëndrimi i PDK-së? Pas një mbështetjeje pa kushte të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partia në pushtet e zotit Hashim Thaçi po has në këmbënguljen e LDK-së në kërkesën e vet, ndaj e ka ndryshuar pak pozicionin. Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për ndryshimet kushtetuese, ka folur për një zgjidhje inteligjente: të miratohet në Parlament një tekst i riformuluar i amendamentit të përkohshëm që i shkurton mandatin Presidentes, pa e çuar atë në Gjykatë Kushtetuese, duke shkuar kështu te zgjedhja e kreut të shtetit nga populli. “Fare nuk ka nevojë që të shqyrtohet”, thotë në një intervistë të paradokohshme profesor Bajrami.
Presidentja ka të drejtë

Nëse hyn në interpretime kushtetuese të qëndrimeve të palëve, mund të hartohej një tekst i gjatë, që s’është i përshtatshëm për një artikull gazete. Fare thjesht mund të thuhet, nisur nga Kushtetuta e Kosovës, se Presidentja ka të drejtë. Nëse ajo do të jepte dorëheqjen, atëherë automatikisht do të duhet të bëhej zgjedhja e pasuesit në Parlament, me Kushtetutën në fuqi. Po a mund të zgjidhet Presidenti i Kosovës sipas kësaj kushtetute me krizën e besimit mes palëve? Po t’i shtojmë këtu dhe interpretimet kushtëzuese irracionale që miratoi Gjykata Kushtetuese në rastin “Pacolli” – për dy kandidatë të detyrueshëm, për kuorumin etj., atëherë kriza ngjan e qartë që sot. Pikërisht këtij skenari i referohet Presidentja. Zgjedhja e skenarit tjetër, kur në vend të saj do të hyjë i ashtuquajturi ushtrues detyre, ose Presidenti dezhurn, – kryetari i Parlamentit, do të ishte shkelje e Kushtetutës.

Nëse e interpreton strikt dokumentin themeltar të Kosovës, kryeparlamentari mund të bëhet kryetar shteti vetëm nëse Presidenti është i sëmurë. Por dhe nëse do të ndiqnim precedentin e gabuar të angazhimit të tij, fundi i 2010-s dhe fillim i 2011-s, ka një problem të pakapërcyeshëm. Ai thuajse e ka kryer 6-mujorshin që parashikon Kushtetuta ekzistuese për ushtruesin e detyrës. Parë kështu, kërkesa e LDK-së, pra dhe e zotit Pacolli, për respektimin e marrëveshjes nga Presidentja, ngjan tërësisht e gabuar. Ose LDK-ja është këshilluar keq, ose ajo kërkon krizën parlamentare – zgjedhjet e parakohshme në rastin e moszgjedhjes së Presidentit nga Parlamenti. A është ky skenari i LDK-së? Me gjithë dëshirën për një skenar të tillë, LDK-ja është parti properëndimore dhe vështirë se mund të shpallë publikisht se e preferon këtë skenar. Bashkësia perëndimore e ka bërë të qartë se në kushtet e dialogut me Serbinë, i intereson një Kosovë e qëndrueshme, pa kriza parlamentare.

Po skenari tjetër? Ajo çka propozon profesor Barjami ngjan një zgjidhje e drejtë dhe pajtuese. A është kjo një iniciativë e tij, një përpjekje për të sfiduar kreun e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin kanë pasur debate në distancë për amendamentet? Apo është qëndrim i partisë së tij? Në një parti të centralizuar si PDK-ja, vështirë se kjo zgjidhje e propozuar nga zoti Bajrami nuk është konsultuar me kreun e saj.

Por, edhe nëse nuk është konsultuar, kjo mbetet e vetmja zgjidhje e drejtë për të pajtuar palët mes tyre dhe për të shkuar te pika e parë e marrëveshjes midis tre liderëve – zgjedhja e Presidentit nga populli. Pra, duke parë shenjat e fundit të një ndërmarrjeje të PDK-së për të afruar palët e asaj marrëveshjeje, kjo zgjidhje kushtetuese mbetet e vetmja. Presidentja nuk do të detyrohej me forcë të largohej, dhe ajo mund të hynte në zgjedhjet presidenciale me kostumin e kreut të shtetit në detyrë, diçka që mund ta favorizonte nëse ajo do të vendoste të kandidonte. Përndryshe, nëse janë të vërtetë zërat se asaj po i gjendet punë diku jashtë vendit, atëherë ajo do të rehatohej dinjitetshëm pas kësaj zhurme që shoqëron krizën kushtetuese të Kosovës.

Me shumë gjasë Kosova do ta zgjidhë këtë krizë me urtësi, krejt ndryshe nga mënyra si Shqipëria nënë i zgjidh krizat e veta. Palët do të ulen në tavolinë për të krijuar klimën e besimit mes tyre edhe në funksion të negociatave të ardhshme me Beogradin. Duhet zgjidhur si duhet kjo krizë që palët të mos u krijojnë telashe negociatave aq shumë të dëshiruara nga Perëndimi në përgjithësi dhe BE në veçanti, dhe formula e profesor Barjamit ngjan e arsyeshme. Gjithmonë nëse kryetari i Parlamentit është dakord dhe nuk vendos me kokën e vet të dërgojë amendamentet sërish në Kushtetuese.

Po nëse kryetari i Parlamentit nuk bindet?

Kushtetuta e Kosovës ka një nen (neni 144, paragrafi 3), i cili e imponon kontrollin paraprak të amendamenteve kushtetues nëse ata e shkelin kapitullin për të drejtat e njeriut. Kryetari i Parlamentit mund t’i referohet këtij neni. Por gjithmonë ka një zgjidhje për një situatë si kjo, nëse ekziston vullneti i tërë palëve apo i shumicës së Parlamentit. Mund të shfuqizohet ky nen si fillim dhe pastaj të miratohet dhe amendamenti për zgjedhjen e Presidentit nga populli, që do të sillte dhe shkurtimin e Presidentes në fuqi.

Ka shumë momente të jetës institucionale në të cilat nuk respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për më shumë nga parlamentet dhe Shqipëria ofron raste të ngjashme me shkarkimin e prokurorëve të Përgjithshëm. Për më shumë që neni i kontrollit paraprak të kushtetutshmërisë së amendamentit kushtetues është një shpikje kosovare vetëm për të mbrojtur të drejtat e pakicave, dhe jo për të mbrojtur presidentë. Në këto rrethana, shfuqizimi i këtij neni të Kushtetutës do të ishte zgjidhje për ta lënë Parlamentin të vendosë në mënyrë sovrane, duke shmangur një krizë të gjatë, që dobëson institucionet, ndërsa duhet që ato të jenë plotësisht legjitime.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama