Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një shikim mbi tekstin e rezolutës për Çamërinë

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Një shikim mbi tekstin e rezolutës për Çamërinë

Tërësisë së iniciativave me origjinë mirëfilli parlamentare, ditët e fundit i është shtuar rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame. Si e rrallë për nga karakteri- një e ngjashme në 2004-n përfundoi pa u votuar për shkak të fshehjes së deputetëve të majtë dhe të djathtë, përfshi dhe Kryeministrin aktual-ajo meriton të komentohet.

Pyetja normale është: nga çfarë këndvështrimi? Nga komentatorët rreth saj, dikush e ka parë për raportet që implikon ajo brenda maxhorancës. Një tjetër e ka parë jo duke u nisur nga teksti, por nga çfarë përfaqëson apo çfarë i duket se ka bërë partia që e solli projektrezolutën në Parlament. Në forume, kritikët e frymëzuar nga shumë burime, merren me kohën e propozimit dhe e gjejnë pak si shumë afër zgjedhjeve, dhe për pasojë e shikojnë si rezolutë elektorale.

Në këto tri qasje, mungon ajo çka është thelbësore, analiza mbi tekstin e rezolutës. Analiza kohore mund të jetë e drejtë, por nga një këndvështrim pak më optimist. Pse? Në vend ekziston një frymë e lartë patriotizmi. Kjo frymë është shtypëse për kozmopolitizmin apo pacifizmin rajonal të deritanishëm të partisë kryeministrore. Afrimi i zgjedhjeve bën që respekti i partive për preferencat e votuesve të jetë në shkallën më të lartë, diçka që e bën kohën e zgjedhur për rezolutën, një kohë optimale për miratimin e saj. Edhe fakti që u refuzua dhënia e një dite për negociatat për statusin e kandidatit në BE- fakt thuajse tërësisht negativ- ka një pasojë pozitive për kohën e zgjedhur për rezolutën.

Aftësia për presion e Greqisë me votën kundër ndaj nesh, kur kjo datë statusi nuk është imediate, është më e vogël sesa nëse kjo datë të ishte imediate. Pra, koha e zgjedhur s’duhet të na dekurajojë, pavarësisht se një parti e caktuar fiton apo nuk fiton pikë me ofrimin e rezolutës. Dikush duhet të fitonte pikë, dhe s’duhet të shqetësohemi për këtë. Nëse ndonjë parti shqetësohet, atëherë le ta votojnë të gjitha partitë me konsensus, kështu që të marrin pikë të gjitha.

Në një mënyrë të thjeshtë, dhe me paraqitjen e mësipërme, në këtë shkrim propozohet të vihet theksi kryesor te përmbajtja e rezolutës dhe jo tek elementë të tjerë, aq më pak tek analiza e partisë propozuese, apo çfarë ka bërë ajo. Edhe sikur ta marrim të vërtetë supozimin se PDIU është partia më e keqe e skenës shqiptare, kjo nuk e përjashton se ajo mund të propozojë një tekst të mirë.

Analiza e tekstit

Dhe vijmë kështu te teksti. Në një komunikim me profesor Sami Repishtin, ndoshta njërin nga pak njohësit e mirë të çështjes çame, ose të paktën njëri nga mbrojtësit më të mirë dhe më të kualifikuar të saj, vjen ky koment: “I përgëzoj sinqerisht (autorët) për nji punë të kryeme me inteligjencë dhe matuni. Materiali që mora ishte i kualitetit të naltë dhe ndoshta ai ma i plotësuemi që unë kam lexue nga Shqipëria për shumë kohë”. Kush do të kuptojë autoritetin e këtij studiuesi edhe në këtë fushë, autoritetin e një njeriu që ka shumë kapacitete në vete, si disident, si aktivist shoqëror dhe kombëtar, si profesor, si kërkues, le të lexojë studimin e tij organizuar në Universitetin e Fordhamit në SHBA, me titull “Hyrje në problemin e Çamërisë”.

Ky vlerësim mund të jetë një hyrje optimiste për disa elementë analitikë të tekstit. Por, vërtet teksti është i plotë dhe meriton mbështetje. Ja disa arsye:

Së pari, teksti inkuadron në mënyrën më koherente dhe më të plotë problematikën më të rëndësishme që ka Shqipëria me Greqinë. E bën këtë duke nisur që nga roli respektiv antifashist i dy vendeve në Luftën e Dytë Botërore, duke vijuar me Ligjin e Luftës mes tyre, përfundimin e veprës gjenocidale ndaj shqiptarëve myslimanë dhe çamë në veçanti, kuadrin ligjor që i shpronësoi ata, duke mbaruar te zgjidhjet që mund të ofrohen, përfshi dhe ankimimin në Gjykatën e Hagës. Si e plotë dhe koherente, kjo rezolutë kapërcen cilësisht atë të vitit 2004, që kishte referenca legale në akte të miratuara ndërkombëtare pas gjenocidit, dhe më në fund që i kërkonte shtetit shqiptar heqjen e shtetësisë shqiptare të çamëve, diçka absurde.

Së dyti, ky tekst ofron referenca të qarta te ligjet greke, që mund të ofrojnë zgjidhje për çështjen çame. Në vitin 1985, Greqia miratoi një ligj për refugjatët e luftës, duke i dhënë atyre të drejtën e riatdhesimit, të rifitimit të pronës, me kusht « që të kishin kombësi greke ». Nga ky ligj u përjashtuan kështu shqiptarët, maqedonasit dhe hebrenjtë. Greqia praktikisht përzuri thuajse gjithë të huajt nga toka e vet, pra jo vetëm shqiptarët me mënyra të përgjakshme, siç i quajti ushtaraku britanik Wodhouse, që mbase ka dhënë dhe lejen për spastrimin. Ky fakt, pra spastrimi i gjithë të huajve, demaskon alibinë greke se çamët ikën vetë, apo se ata ishin bashkëpunëtorë të fashizmit, si dhe Shqipëria.

Po hebrenjtë? Po maqedonasit? Ky ligj grek është kundër Konventës Europiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, që nuk pranon diskriminimin mbi bazë kombësie, apo dhe shumë dokumenteve ndërkombëtare. Është ky ligj “thembra  e Akilit” e kuadrit ligjor grek dhe alibisë greke për të bllokuar çamët. Çfarë ka bërë Greqia për të zbatuar Traktatin e Miqësisë? A ka përshtatur ndonjë ligj të vetin, duke filluar nga ky që përmendëm, apo thjesht ofroi një gjethe fiku për pretendimet shqiptare të viteve ‘90-‘96? Nëse s’ka bërë asgjë, atëherë Traktati i Miqësisë mbetet një letër pa vlerë.

Së treti, kjo rezolutë tregon se çështja çame ekziston, në të gjitha planet, juridik, politik dhe diplomatik. Pse vallë nuk ekziston kjo çështje, si çështje e një komuniteti, kur ekzistonte vetëm pak vite më parë, në vitet ’90, siç duket nga procesverbalet e takimeve diplomatike në vitet ‘91-‘95? Apo pse Shqipëria ngjan sot më e dobët? Si mund të quhet çështje individësh për t’u zgjidhur në rrugë gjyqësore, një çështje që prek dhjetëra apo qindra mijë individë?

Krejt në fund, por jo pa rëndësi, rezoluta vendos në pozita barabartësie dy shtetet. Ajo i kërkon Greqisë atë që Greqia i kërkon Shqipërisë. Zgjidhjen e çështjes së shtetësisë, ashtu si Greqia pretendonte që ne të mos abrogonim ligjin e dyshtetësisë. Zgjidhjen e çështjes së pronave- megjithëse ne e kemi zgjidhur më mirë për grekët, sesa për shqiptarët. Nderimin për të vdekurit e pafajshëm të njëri-tjetrit, që ne e kemi bërë, dhe ata jo. Korrigjimin e teksteve shkollore që ne e kemi bërë dhe ata jo.

Ka dhe plot aspekte të tjera, por që do ta bënin këtë artikull një trajtesë akademike. Parë në këtë optikë, rezoluta vetëm duhet mbështetur. Nëse dy deputetët që e propozuan ngjajnë pak, dhe dikujt nuk i pëlqejnë, le të krijohet një front shoqëror, kombëtar rreth rezolutës, dhe jo rreth një partie. Kështu deputetët që ia mbathën në 2004-n, përfshi Kryeministrin, do të ndihen më trima duke e votuar atë. Dhe ne do ndihemi më të barabartë me Greqinë, duke i kërkuar asaj ato që ajo na ka marrë pa na dhënë asgjë.

Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama