Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E drejta per kongruence dhe integrimi ne BE

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
E drejta per kongruence dhe integrimi ne BE

Kombi dhe shteti

Kombi nënkupton një bashkësi etnike e kulturore, kurse shteti është një entitet politik me një nivel të lartë sovraniteti edhe në kushtet e një ndërvarësie në rritje. Shumë shtete janë dhe kombe, por ka dhe mjaft kombe që nuk kanë arritur të organizohen si shtete sovrane. Në këtë kuptim, në rastin e bashkësisë së popullsisë shqiptare mund të bëhet fjalë për komb homogjen, por jo për një shtet unik. Një pjesë e kësaj bashkësie – ajo në Shqipëri, brenda ndërvarësisë, e gëzon autoritetin politik mbi çështje të brendshme dhe të jashtme. Aktualisht edhe pjesa tjetër e popullsisë shqiptare në Kosovë po e fuqizon në vazhdimësi këtë autoritet politik, ndryshe nga shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Çamërisë, që “lëvizin” nga statusi i shtet-formimit në atë të shpërngulurit me forcë nga tokat e veta. Pikërisht, me këtë copëzim e situatë konkrete lidhet dhe thelbi i çështjes të pazgjidhur kombëtare.

Por, avancimi i saj nuk mund të arrihet me retorikë dhe “folklor këngësh e vallesh”; aq më pak me improvizime politike, me emocione “mbretërore” dhe ëndërrime të momentit, apo me kalkulime elektorale. Dhe, ndërkohë, ka plot punë të thjeshta dhe të përbashkëta për t’u bërë, ka mjaft mundësi për të ndërvepruar me zhdërvjelltësi dhe në mënyrë të sinqertë, ka mjaft hapësira përafrimesh për t’u unifikuar më shpejt dhe më mirë. Edhe ato mund të mos “shihen me sy të mirë” nga jodashamirësit, por kundërvënia ndaj tyre nuk mund të jetë as zyrtare, as e pasqyruar në një “votë” fqinjësore negative në proceset integruese. Por, ndryshe mund të perceptohen deklarimet e kohëve të fundit me ngjyrosje nacionaliste, sidomos rezonanca e tyre dhe vetë gara e një protagonizmi të tillë, të shpërthyer kaq “papritur” në skenën politike shqiptare. Për çudi, edhe në prag të vendimmarrjes së statusit të vendit kandidat!…

Identiteti kulturor. Patriotizmi dhe nacionalizmi

Kolonë bazë e identitetit kombëtar është identiteti kulturor. Ky i fundit, d.m.th. kultura në një kuptim të përgjithësuar të saj mishëron ngjashmërinë (më saktë, ndjesinë e ngjashmërisë), njësimin brenda një bashkësie sipas zakoneve, traditave, ideve, veçorive të përbashkëta etj., ku një rol të veçantë luan gjuha e folur dhe e shkruar në vetë zhvillimin e këtij identiteti. Në këtë kuptim, identiteti kulturor është me vlera përcaktuese për aq kohë sa çdo individ, anëtar i grupit, është i ndikuar nga përkatësia e tij në këtë bashkësi apo kulturë. Sipas “klasifikimit progresiv” të grupit në fjalë mund të flasim për identitet kulturor, identitet etnik, identitet kombëtar, etj. Por, me vetë konceptin e identitetit në zinxhirin ngritës: kulturor-etnik-kombëtar lidhen ngushtë edhe konceptet dhe praktikat e patriotizmit dhe të nacionalizmit. Ngatërrimi i tyre, me qellim apo pa qellim, nuk i shërben jo vetëm procesit të integrimit, por edhe avancimit të çështjes kombëtare.

Por ç’ështe patriotizmi? Ai përcaktohet si qëndrim pozitiv, në konceptim e veprim, i individit ndaj grupit (kombit) të tij, njerëzve që e përbëjnë atë, interesave të tyre, kulturës së përbashkët etj. Në një shqyrtim historik, patriotizmi ka stigmatizuar sjellje e reagime, emocione e qëndrime, pikëpamje politike, simbolika e akte të veçantë, të lidhura ngushtë me këtë grup (komb) dhe me gjithçka karakteristike të tij. Në këtë kuptim, krahas elementeve (bashkëshoqërues në shumicën e rasteve) si territori, historia, kultura e gjuha, tradita e mitet, vlerat e simbolet etj., patriotizmi, në një kontekst historik, ka dhe “konotacionin” e vetësakrificës, sipas të cilit individi vë interesat e kombit mbi interesat e tij personale, përfshirë dhe jetën.

Madje, në kohë lufte patriotizmi kthehet në një forcë udhëheqëse – mobilizuese për angazhim e sakrificë. Por, patriotizmi ka dhe një konotacion etik, që nënkupton se vetë kombi në njëfarë mënyre përcakton një standard, një vlerë morale në raport me të dhe të tjerët. P.sh., një aplikim etik i drejtpërdrejtë i tij është fakti që një individ e ka si detyrim moral që të ndihmojë bashkëkombës të tjerë shumë më tepër se individë jashtë kësaj bashkësie. Pikërisht ky konotacion etik u shfaq fuqishëm gjatë luftës së Kosovës në përballimin e krizës humanitare, në mënyrë të veçantë me hapjen e dyerve të familjeve në Shqipëri.

Pra, patriotizmi, vetë ndjenjat patriotike kanë origjinë grupi. Fillimisht për mbijetesën e grupit kanë qenë të domosdoshme bashkëpunimi, besimi e lojaliteti midis pjesëtarëve të tij. Madje, një grup i kompozuar nga individë me shkallë të lartë ndërveprimi e simpatie, mishëron gatishmëri, solidaritet e respekt të ndërsjellë, sintetizon më tepër mobilizim, besim e sakrificë për të mirën e përgjithshme të grupit.

Një grup i tillë, me këto parametra mirëbesimi e mirëkuptimi, rezulton më superior e triumfues ndaj grupimeve më pak kohezive; dhe, në njëfarë mënyre, një gjë e tillë mund të interpretohet edhe si “seleksionim natyror” midis grupeve, në një kuptim darvinist. Besnikëria ndaj grupit, pavarësisht përmasës së tij, shfaqet dhe me veprime individuale që nuk mund të inkuadrohen brenda një interesi vetjak. Si të tillë, në fakt, ata rezultojnë në shërbim të grupit; në ndonjë rast edhe në dëm të interesit personal të individit, që i ndërmerr ato. Pikërisht, shfaqje të tilla lojaliteti, sakrifice e frymëzimi, me të gjithë simbolikën bashkëshoqëruese stigmatizohen në një koncept më përgjithësues – atë të patriotizmit. Vetë humbja e jetës në mbrojtje të atdheut dhe në shërbim të interesave të tij është një arketip i patriotizmit në variantin maksimal. Trajta më pak dramatike të tij përfshijnë kontribute, qëndrime, shprehje apo veprime të ndryshme në interes të vendit e qytetarëve të tij. Të tillë janë: 1. Patriotizmi individual, që është vullnetar e emocional, i aderuar “shpirtërisht” tek disa vlera, p.sh. te respekti e dashuria për flamurin. 2. Patriotizmi ideologjik, që kultivon e synon të “imponojë” një lloj ideologjie aderimi te disa vlera të caktuara. 3. Patriotizmi zyrtar, që ka një përmbajtje të lartë ceremoniale dhe simbolike.

Monumentet kombëtare, festat kombëtare, dita e shpalljes së pavarësisë, data e çlirimit, dita e dëshmorëve etj., janë disa shembuj tipikë. Po aq të rëndësishëm janë akte të tilla simbolike si: ngritja e flamurit, të kënduarit e himnit kombëtar, nderimi i heronjve në data të përcaktuara, pjesëmarrja në akademi përkujtimore, valëvitja e flamujve në festa apo ndeshje ndërkombëtare etj. Sidoqoftë, duke qenë nën një “përkujdesje shtetërore”, patriotizmi – si pasqyrim i legjitimitetit të kombit – është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë dhe logjike e konceptit të shtetit-komb. Edhe shkalla e patriotizmit është e ndryshme në kohë të ndryshme, madje dhe ushqimi dhe shpalosja e tij nga kombi në komb nuk janë të njëjtë. Veçanërisht i bëhet shumë jehonë patriotizmit, si virtyt e lojalitet për atdheun, kur vendi gjendet në situata të vështira apo nën një kërcënim të jashtëm.

Por, në raste të tillë shfaqet një përzierje e padobishme e patriotizmit me nacionalizmin, ndërkohë që vetë patriotizmi është më shumë një mbështetje emocionale se sa një ndërtim e bazament racional. Madje, nuk mungojnë rastet që për synime të qarta politike, patriotizmi, në variantin minimal, merr pamjen e një nacionalizmi të parrezikshëm me theks politik dhe, në variantin maksimal, ai shndërrohet në një nacionalizëm kërcënues. Në fakt, siç rezultoi kohët e fundit, patriotizmi po merr pamje të “zhurmshme”, deri duke u shoqëruar me “frymëzime” artificiale, me orkestrime populiste të ushqyera politikisht ose zyrtarisht.

Në këto raste, në thelb jo patriotike – në kuptimin e kohës, taktikë-strategjisë dhe rezultatit – ky lloj pseudo-patriotizmi ka krijuar e po krijon keqkuptime, edhe pse ai mund të gjenerojë përfundime në shenjë të kundërt me ato të propaganduarat. Kjo edhe pse patriotizmi nuk është sinonim i nacionalizmit, apo patrioti sinonim i nacionalistit. (Ndërkohë, i identifikuar apo barazuar me nacionalizmin, ai shndërrohet në shënjestër e subjekt sulmi). P.sh., burime të tërthorta diplomatike pohojnë se pjesë e nënkuptuar për shtyrjen e dhënies së statusit të vendit kandidat është dhe ajo e lidhur me këtë shpërthim të panevojshëm të kohëve të fundit të llojit nacionalist… Për fat të mirë, ndryshe nga “pompat politike-propagandistike” të kohëve të fundit, historia e vjetër dhe e re ka dëshmuar se kombi shqiptar edhe në momente realisht kritike të ekzistencës së tij e ka disponuar “ikonën” shpirtërore të patriotizmit, duke shmangur në gjirin e tij pamjet radikale të nacionalizmit. Dhe, kjo duhet kuptuar e vlerësuar!…

Por, ç’është nacionalizmi? Ka dy vështrime bazike të nacionalizmit, njëri që e përshkruan nacionalizmin si pasqyrim të prirjes evolucionare të qenieve njerëzore për t’u organizuar në grupe sipas gjakut apo afinitetit të lindjes, dhe tjetra si dukuri që lidhet me kushte konkrete strukturore të ndërtimit të shoqërisë moderne. Sipas tij, vihen re dhe pamje konkrete të nacionalizmit.

Ndërsa adoptimi i identitetit nacional gjatë zhvillimit historik ka qenë pasojë e ndikimit (fuqizimit) të një grupi ndaj të tjerëve. Kështu, në rrjedhje të kohës ruhen e zhvillohen elemente që lidhen me grupin kryesor dhe mënjanohen elementet e tjera në funksion të ndërtimit të një komuniteti më homogjen dhe më të unifikuar. Ky zhvillim mund të jetë pasojë e ndryshimeve etnike-strukturore të brendshme, trysnisë së një komuniteti ndaj të tjerëve apo imponimit prej një force të jashtme. Gjithashtu, nacionalizmi, në përpunimin historik, është konceptuar dhe si ideologji apo njëfarë “avokatie” e ndërtimit të shtetit- komb. Duke shformuar thelbin e patriotizmit, nëpërmjet “manipulimeve” të tij nga një pushtet i dhënë ose udhëheqës i veçantë “karizmatik” (brenda një kombi, grupimi etnik e fetar), u ndërtua dhe kultivua në kohë “doktrina e nacionalizmit”, në variantin e saj radikal apo atë të moderuar.

Në ushqimin e nacionalizmit (si ideologji) vihen në lëvizje ndjenjat individuale e kolektive të një bashkësie njerëzish që arrijnë të kuptohen midis tyre, të ndijojnë e ndajnë ide, praktika, sjellje e shqetësime të përbashkëta. Pikërisht, nëpërmjet manipulimit e frymëzimit të tyre vihet në veprim aspekti radikal i nacionalizmit, i cili ndryshe nga nacionalizmi i moderuar që e përmban elementin heroik dhe nxit gatishmërinë popullore, arrin të zgjojë ndjenja jonjerëzore me pasoja kriminale, të shoqëruara me krime kolektive si pastrimi etnik, gjenocidi, krime kundër njerëzimit, etj. Kulmin e vet sa agresiv, po aq dhe kriminal, ideologjia nacionaliste radikale e arriti gjatë regjimit nazist me Holokaustin e tmerrshëm, sidomos ndaj popullsisë çifute, mbështetur në pseudo-teorinë e “racës superiore” (“Herrenvolk”) dhe atë të “hapësirës jetësore” (“Lebensraum”).

Një variant i saj, në kohë të mëvonshme, ka qenë dhe plani neo-fashist, i pagëzuar “patkoi” (“potkova” apo “fer à cheval”), i ideuar nga Millosheviçi dhe regjimi i tij. Ishte ai që projektoi spastrimin etnik e gjenocidin e popullit shqiptar të Kosovës. Ky nacionalizëm politik – kriminal, por dhe ideologjia, kultivimi, strukturat e tij pothuajse janë gati harruar në Europë. Deri duke reaguar kundër patriotizmit të shëndetshëm shqiptar apo atij në gjirin e popullsisë shqiptare, të ngjyrosur kohët e fundit me “teprime” nacionaliste nën ethe politike në një situatë paraelektorale!

Nga kongruenca e mohuar tek e drejta ende e munguar       

Në fakt, gara e iniciativave politike-kombëtare të ditëve të fundit është bërë mjaft kompetitive. Kështu, një parti politike është deklaruar për mbledhje firmash mbi një referendum për bashkim kombëtar, ndërsa nga ana zyrtare është bërë e ditur dhënia e shtetësisë së Shqipërisë (por jo e Kosovës!) të gjithë individëve me origjinë (prejardhje) shqiptare, kurse po brenda këtyre ditëve është depozituar dhe një rezolutë për popullsinë çame në Kuvendin e Shqipërisë etj. Madje, kjo e fundit është shumë më e drejtpërdrejtë dhe nuk ka arsye të mos miratohet, qoftë dhe me retushimet e nevojshme.

Sidoqoftë, nisur nga “shpërthimet nacionaliste” të kohëve të fundit, po citojmë këtu pozicionimet e dy studiuesve me zë: Gelner dhe Gilbert, mbi kombin dhe çështjet e lidhura me të. Kështu, për Gelner, kombet janë ndërtime moderne të lindura pikërisht prej vetë nacionalizmit, i cili, nga ana e tij, është “në radhë të parë një parim politik që mbështetet në idenë që njësia politike dhe kombëtare duhet të jenë kongruente” (E. Gellner, Nations and Nationalism. Ithaca: Cornell University Press, 1983). Po ashtu, sipas Gelnerit, kombet, me një konceptim e strukturim bashkëkohor, u shfaqën në një moment të veçantë në histori.

Pra, për Gelner, “kombet, ashtu si shtetet, janë një rastësi, dhe jo një domosdoshmëri universale. As kombet, as shtetet nuk ekzistojnë në të gjitha kohërat e në të gjitha rrethanat. Për më tepër, kombet dhe shtetet nuk janë e njëjta rastësi. Ndërsa nacionalizmi bazohet tërësisht në idenë se ata janë të lidhur ngushtësisht me njeri-tjetrin apo që kanë të njëjtin fat; se secili organizim pa tjetrin është i paplotë, madje përbën në thelbin e tij një tragjedi. Por, përpara se ata të kushtëzonin njëri-tjetrin, secili prej tyre do të duhej të krijohej, të lindte, dhe kjo lindje apo ky gjenerim në shumicën e situatave ka qenë i pavarur dhe i rastit. Madje, shteti është krijuar edhe pa ndihmën e kombit, ndërsa disa kombe janë formësuar historikisht edhe pa e bekuar shtetin e tyre”. Pikërisht, një shikim i tillë nacionalist mbi kongruencën komb-shtet po rezonon “entuziazëm” brenda pjesës më emocionale të politikës shqiptare!…

Në ndryshim nga Gelneri, Gilbert, për të shmangur “grackën” e të parit (që “njësia politike dhe kombëtare duhet të jenë kongruente”), e konsideron “kombin si një grup të atij lloji që ka të drejtë për të ndërtuar shtet” (P. Gilbert, The Philosophy of Nationalism. Boulder, CO: Westview Press, 1998). Mbështetur në këtë pikëpamje, ai shqyrton disa variante “nacionalizmash” ose përgjigjesh të ndryshme ndaj pyetjes së famshme të Ernest Renan-it: “Ç’është kombi?”.

Kështu, lidhur me konceptin e kombit, ai veçon: pikëpamjen “nominaliste” (një komb është një grup çfarëdo njerëzish që e konsiderojnë apo e deklarojnë veten si një komb), pozicionin natyralist (një komb është një bashkësi njerëzish, grupimi i të cilëve është arritur apo bërë në mënyrë natyrore), pikëpamjen voluntariste (një komb është një grup njerëzish të lidhur me njeri-tjetrin nëpërmjet një bashkimi të vullnetshëm), pozicionin territorialist (një komb është një grup njerëzish të bashkëngjitur një territori të caktuar), pikëpamjen linguistike (një komb është një grup njerëzish që ndajnë një gjuhë të përbashkët), pikëpamjen “aksiologjike” (një komb është një grup njerëzish që ndajnë vlera specifike të përbashkëta) dhe pozicionin “destinarian” (një komb është një grup njerëzish që kanë një histori të përbashkët dhe një mision të përbashkët). Gjithashtu, Gilberti ekzaminon me kujdes dhe atë që ai e quan “nacionalizëm politik”, sipas të cilit një grupi nacional e ka të drejtën për një sistem politik (qeverisës), edhe pse në botë ndeshet jo rrallë dhe e kundërta.

Pra, Gelner flet për kongruencën njësi politike- njësi kombëtare, kurse Gilbert flet për të drejtën e kombit për të pasur (ndërtuar) shtetin e tij. Në kushtet aktuale, ndryshe nga popuj të tjerë, ne nuk e gëzojmë kongruencën “gelneriane”. Kjo kongruencë na u mohua pas Lidhjes së Prizrenit, në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës, por kjo nuk do të thotë që të mos luftohet për të drejtën “gilbertiane”. Ndoshta, me sa më pak zhurmë, me një vizion sa më plotë dhe të qartë, me programe të detajuar në një hapësirë kohore konkrete. Por, për një gjë të tillë kërkohet qetësi e forcë, angazhim e përkujdesje, dhe mbi të gjitha mençuri e mbështetje! Aq më tepër që integrimi europian do t’i shërbejë në një mënyrë apo tjetrën kësaj kongruence në kuadër të një varianti bashkëkohor e demokratik…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama