Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Çdo vonese ne rotacion e ushqen autokracine

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 12 vite më parë

Rexhep Meidani
Çdo vonese ne rotacion e ushqen autokracine

Më kujtohet që mbi 10 vjet më parë kam pasur një bisedë interesante me z. Aznar (José María Alfredo Aznar López), që kryesoi qeverinë spanjolle në periudhën 1996-2004. Ai, në një moment sinqeriteti e afiniteti, pak a shumë, më tha: “Nuk kam ndër mend që të kandidoj për një mandat të tretë. Gjykoj se tetë vjet janë mjaft në krye të qeverisë.

Madje, në tetë vjet, ç’është për t’u bërë, është bërë. Edhe për idetë, ç’kishe për të dhënë, e ke dhënë. Çdo mandat tjetër, normalisht, i zhgënjen qytetarët”. Natyrisht, duke dëgjuar këto fjalë thjesht buzëqesha, por në atë moment, për të thënë të vërtetën, nuk i besova ato… Por, ngjarjet treguan se ashtu si dhe në raste të tjera, Aznari ishte po aq serioz. Me sa më kujtohet, në gusht 2003, Aznari deklaroi moskandidimin e tij për një mandat të tretë, deri tërheqjen nga politika në zgjedhjet e vitit 2004. Ai propozoi po aty Mariano Rajoy, një nga bashkëpunëtorët në parti e qeveri, si pasardhës të tij. Në janar 2004, Kryeministri Aznar shpalli zgjedhjet e reja, si dhe kandidatin e partisë së tij për Kryeministër…

Me sa duket, një sjellje e tillë, sa demokratike, po aq dhe njerëzore, ka qenë zhytur thellë në mendjen time, sepse sapo vendosa të shkruaja disa radhë mbi rotacionin politik, ajo më doli menjëherë e para. Nuk munda ta shmangia dot!…

Rotacioni i pushtetit dhe ekiteti

Rotacioni i lidhur ngushtë me mandatin e kufizuar në detyra kryesore politike publike, në pamjen e tij bashkëkohore, e ka origjinën e tij në Revolucionin Amerikan. Ai ishte një variant i përpunuar i formave fillestare të ndeshura në demokracitë dhe republikat e antikitetit. Kështu, Këshilli prej 500 anëtarësh në Athinën e Lashtë e ndryshonte tërësisht anëtarësinë për çdo vit, apo në Spartë rasti i eforatit me 5 veta me mandat njëvjeçar. Në Republikën Romake funksiononte një sistem zyrtarësh të zgjedhur: tribunët, aedilët, kuestorët, pretorët dhe konsujt, që shërbenin për një mandat njëvjeçar, me mundësi zgjedhje vetëm pas 10 vjetëve, pikërisht për të minimizuar korrupsionin në kryerjen e detyrës. Në të vërtetë, rotacioni në nivel politik lidhet me vetë thelbin e demokracisë, ndërkohë që në nivelin administrativ ai synon stabilitetin, meritokracinë e karrierën. Nëpërmjet tij, synohet të minimizohet nepotizmi e pushteti klanor, reduktimi i abuzimit në rekrutimin dhe avancimin e miqve e militantëve partiakë, largimi apo goditja e kundërshtarëve etj.

Në prag të fushatave elektorale, gjatë tyre dhe në përfundim të procesit, përdoren gjithnjë e më shpesh termat pushtet (fuqi) dhe rotacion. Ndryshe nga ekiteti, që është një term më teknik, sidomos në industrinë juridike, që nënkupton drejtësi e barazi. Por, edhe në rastin e një abuzimi fuqie, ekiteti nuk është inert; ai imponon një rotacion në qeverisje, favorizon unitetin kombëtar, kërkon shmangien e predominimit të disa grupeve mbi grupe të tjera, të shumicës mbi pakicën etj. Parë me këtë sy, mungesa e një opozite apo një opozitë që nuk dëgjohet nuk është çështje hipokrizie, por parim thelbësor në ushtrimin demokratik të pushtetit. Kjo mund të arrihet vetëm si rezultat i rotacionit politik, të konsideruar tashmë më se natyror.

Në një mënyrë apo tjetrën, një parti në opozitë reagon apo i kundërvihet një vendimmarrje apo një veprimi qeveritar. Kjo është edhe detyra e puna e saj. Ndryshe është kur ajo vjen në pushtet dhe duhet të qeverisë. Por, në qeverisje, retorika e zhurmshme, deri “kapardisja” për reforma të thella e “përmbysje” të mëdha lihen mënjanë, gati-gati harrohen fare. Trysnia e realitetit konkret bëhet e parezistueshme. Adoptohen, pa më të voglën dëshirë, politika që më parë ishin sulmuar e denoncuar deri në detaje. Madje, në kushte krize, në qeverisje, ajo që parapëlqehet është konsensusi kombëtar brenda partive politike, shoqërisë e vetë qytetarëve. Pra, i parë me këtë sy, rotacioni i pushtetit është instrumenti politik më fin, jo vetëm për të shpëtuar demokracinë, por dhe për të konsoliduar politika që më parë ishin thellësisht ndarëse apo të konsideruara radikalisht të anshme. Në këtë këndvështrim, Klinton (Bill Clinton), p.sh., konsolidoi Reganizmin, apo Bleri (Tony Blair) konsolidoi Thaçerizmin. Në të dyja rastet, qendra e majtë e moderuar e detyroi masën e partisë që të pranonin dhe ruanin shtyllat kryesore të reformave të suksesshme të republikanëve në rastin e parë, apo të konservatorëve në rastin e dytë. Dhe kjo ishte një pasojë e rëndësishme e vetë rotacionit politik.

Rotacioni politik ka pasur përgjithësisht ndikim pozitiv edhe në Shqipëri. I tillë ka qenë mandati i parë për qeverisjen socialiste, apo dhe ai për qeverisjen demokratike. Ndryshe nga mandati i dytë, që siç shihet sot, po rezulton tepër shqetësues nga ana politike-institucionale dhe social-ekonomike, me një korrupsion në rritje dhe një akumulim autokratik pushteti. Aq më problematik do të rezultonte një mandat i tretë qeverisës në kushtet shqiptare! Sidomos po të krahasohen dy modelet e mëposhtme, pse jo, dhe duke i krahasuar ato me rastin shqiptar…

Rotacioni amerikan

Për të futur një kulturë të re politike si kundërvënie ndaj pushtetit të mëparshëm monarkik, Uashingtoni (George Washington), Presidenti i parë i SHBA, më 1796-n, nuk pranoi një mandat të tretë në detyrën e Presidentit pikërisht për të demonstruar respekt dhe ndërtim të shëndetshëm të institucioneve demokratike të SHBA-ve. Po ashtu, sipas Kushtetutës së Pensilvanisë të vitit 1776, qëndrimi maksimal në Asamblenë e Përgjithshme u vendos 4 vjet në 7 vjet, përfshirë dhe rotacionin në degën ekzekutive (ky i fundit përbëhej nga 12 qytetarë të zgjedhur për mandat 3-vjeçar, pasuar me një ndërprerje të detyruar 4-vjeçare). Në vitin 1783, eksperimenti i rotacionit filloi të aplikohej dhe në nivel shteti. Kurse në vitin 1829, në mesazhin vjetor, Presidenti Xhekson (Andrew Jackson) shpalli politikën e tij të rotacionit. Midis të tjerash, aty ai argumentonte: “Zyra është konsideruar si njëfarë prone, kurse qeveria si mjet për të promovuar interesat individuale, dhe jo si një instrument i krijuar thjesht dhe vetëm për t’i shërbyer popullit. Korrupsioni te disa apo te disa të tjerë, si një perversitet i këtyre ndjenjave apo parimeve korrekte, e largon qeverinë nga qëllimet legjitime të saj duke e kthyer atë në makineri që u shërben pak njerëzve në kurriz të shumicës së tyre… Kufizimi i propozuar e hedh poshtë këtë ide pronësie kaq gjerësisht të lidhur me detyrën zyrtare… Ai, nëpërmjet zbatimit dhe mbështetjes së parimit të rotacionit dhe kthimit të tij në një parim udhëheqës në bindjen republikane, i jep sistemit një përmbajtje shumë më të shëndetshme…”.

Vendimi i Ruzveltit (Franklin Roosevelt), në vitin 1940, për të vazhduar detyrën si President në mandatin e tretë (dhe pastaj të katërt) e detyroi politikën dhe shoqërinë civile për të nisur një lëvizje demokratizuese për legalizimin nga ana kushtetuese të moralit politik të trashëguar prej Uashingtonit. Pra, Ruzvelti ishte Presidenti i vetëm që nuk respektoi traditën e krijuar nga Uashingtoni. (Ai vdiq në krye të detyrës disa muaj pas fillimit të mandatit të katërt). Pas ratifikimin më 1951-shin, Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-ve thekson se “asnjë person nuk mund të zgjidhet President më shumë se dy herë”. Ky amendament kushtetues përfundimisht e kufizoi në dy mandate ushtrimin e detyrës së Presidentit amerikan. Në vitet ‘90, një rezultat pozitiv dha edhe lëvizja për kufizimin e mandateve apo për rotacionin në zyrat me zgjedhje, në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në shumicën e rasteve kjo kohë nuk e kalon më afatin 8-vjeçar.

Stili rus i “rotacionit” politik

Pas dy mandatesh si President dhe mandatit të dytë si Kryeministër, Vladimir Putin, më 7 maj 2012, u zgjodh përsëri President i Rusisë, në përputhje me “marrëveshjen prej xhentëlmenësh – unë e ti” me Medvedevin. Në fakt, V. Putin, për herë të parë u bë Kryeministër i Rusisë në periudhën 1999-2000, më tej shërbeu për dy mandate radhazi si President (në periudhën 2000-2008), Kryeministër në periudhën 2008-2012. Kështu, Presidenti i radhës, D. Medvedev, propozoi V. Putin si kandidat për President, kurse ky i fundit i ofroi D. Medvedevit postin e Kryeministrit pas zgjedhjes së tij. Pra, brenda një skeme gjoja demokratike, marrëveshja ka funksionuar më së miri, u arrit konsensus i plotë, Kushtetuta u respektua, në zgjedhjet presidenciale u paraqitën disa kandidatura alternative, dhe, mbi të gjitha, u garantua stabiliteti politik! Por, nga ana kushtetuese, në “turin” e dytë presidencial, V. Putin mund të ushtrojë dy mandate të njëpasnjëshme, tani secili me afat 6-vjeçar (të ndryshuar me amendamentin e vitit 2008 në fillim të presidencës “Medvedev”). Pra, me sa shihet, pavarësisht pakënaqësive në rritje, V. Putin do të jetë dhe 12 vjet të tjera President i Rusisë. Ai vazhdon të gëzojë ende popullaritet të konsiderueshëm. Megjithatë, për opozitën ruse dhe bashkësinë demokratike ndërkombëtare sjellja e tij politike nuk është demokratike. Bile, sipas Indeksit të Demokracisë 2011, Rusia e Putinit, nga një regjim hibrid është shndërruar në një regjim autoritar. Kurse, sipas kabllogrameve të WikiLeaks-it, ajo është duke u shndërruar, në sajë korrupsionit sistematik qeverisës, në një shtet mafioz. Për disa kritikë, vetë Putini është shndërruar në një car, apo ndryshe, në një udhëheqës diktator.

Nuk mund të thuhet që Rusia nuk ka pësuar ndryshime gjatë viteve të fundit, sidomos e favorizuar nga çmimet në rritje të naftës. Ajo u bë një yll në ngritje midis vendeve të BRIC (Rusi, Brazil, Indi, Kinë). Edhe autoriteti i Putinit apo popullariteti i tij nuk ka pësuar ndonjë rënie të konsiderueshme. Mbështetja vazhdon të mbetet në favor të tij, ndërkohë që është përmirësuar standardi i jetës, krahas rritjes së sigurisë publike pas rënieve të dukshme në fillimet e proceseve demokratike. Me sa duket, V. Putini vazhdon të përfitojë nga impakti aktual social, por jo për kohë të gjatë. Kurse, në një kuptim strukturor, era e Putinit nuk ka një balancë pozitive (një kapitalizëm të monopolizuar nga shteti, institucione të akumuluara në duart e një individi, një drejtësi politikisht të komanduar, një korrupsion tërësor, një marrëdhënie gati feudale të udhëheqësit me popullin). Mbi të gjitha, goditës është korrupsioni qeveritar. Për ilustrim, vlen të përmendet konstatimi i një ekonomisti rus (Vladislav Inozemtsev), sipas të cilit, në Rusi, në mesatare, një kilometër rrugë e asfaltuar ka kushtuar 3 herë më shumë se ajo në Europën Perëndimore. Sidoqoftë, një nga sfidat e Putinit është përballimi i klasës së mesme në fuqizim e sipër, që po kërkon rrugën e saj për t’u përfaqësuar politikisht, për të shprehur preferencat e veta ekonomike-politike.

Mbi 20 vjet më parë, humbja e thellë e legjitimitetit, rënia ekonomike dhe stanjacioni i gjatë çoi në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Kurse sistemi politik aktual në Rusi thjesht propagandon me teprim disa thërrime të mbetura lirie. Praktikisht është përpunuar një kozmetikë politike, një inxhinieri pseudo-demokratike e parafabrikuar, e shoqëruar nga një pluralizëm fals, deri zgjedhje të trukuara, larg interesave të shoqërisë dhe zhvillimeve demokratike. Por, edhe në këto kushte, vendi është shumë larg atmosferës fillestare emocionuese të Pranverës Arabe, as pranë zgjimit demokratik në skenarin e fillimeve të tranzicionit rus…

Në fakt, çdo njeri dëshiron dhe lufton të trajtohet në mënyrë të njëjtë në pushtet apo jashtë tij. Çështja është se disa individë mendojnë se, në kuptimin njerëzor, ata nuk janë të barabartë me të tjerët, por mbi ta. Madje, është e “drejta e madhe” e tyre për të qenë vetëm në komandë, vetëm në pushtet, pse jo dhe me çdo çmim. Po ashtu, në funksion të kësaj ideje, futet në lojë dhe propaganda “fashistoide” e pazëvendësueshmërisë. Sipas saj, nuk mund të gjendet dot individ tjetër që të jetë po aq i zoti për ta zëvendësuar individin në pushtet, në drejtim ose komandë. Një pazëvendësueshmëri e tillë, e shfaqur shpesh në demokraci të brishta, të klasifikuara si regjime hibride, favorizon shndërrimin e tyre në regjime autokratike. Këtë duhet të ketë parasysh edhe votuesi shqiptar, para se të hedh votën e tij për qeverisjen e ardhshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama