Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Disa mite rreth 21 janarit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Disa mite rreth 21 janarit

Gjatë dy vjetëve që kanë kaluar nga ngjarja tragjike e 21 janarit, të dyja palët politike, me makineritë respektive propagandistike, janë përpjekur të përlyejnë njëra-tjetrën sa më shumë të jetë e mundur, njëjtë sikur për ngjarje apo keqbërje të tjera më pak tragjike. Me këtë pretendim, brenda traditës së tyre ato përpiqen të shesin për opinionin publik gjykime mbi baza morale imagjinare, që nuk dihet se cilit standard i referohen.

Në këtë treg mitesh është normal që dikush që s’do t’i marrë as falas ato, të gjejë një metër gjykimi, një standard sa më të distancuar nga palët, për t’u ndjerë në paqe me veten dhe me opinionin publik. Në kërkimin e këtij metri, detyra kryesore është zhbërja e miteve që qarkullojnë rreth ngjarjes dhe protagonistëve të saj. Duket qartë se prodhuesja kryesore dhe më e fuqishme e miteve është makineria propagandistike qeveritare, e cila ka tentuar të krijojë bindjen se ishte opozita ajo që e dërgoi vetë popullin të vritej, duke provokuar forcat e rendit, në veçanti Gardën e Republikës, të cilat të frikësuara, të trysnuara kanë reaguar egërsisht.

Miti i parë: Opozita i dërgoi me vetëdije protestuesit drejt vdekjes

Në funksion të krijimit të kësaj bindjeje janë disa mite. Miti i parë është ai që ka shpërndarë opozita, se atë ditë populli e kapërceu opozitën dhe opozita nuk mund ta ndalte dot popullin në furinë e vet të zemërimit ndaj institucioneve pas transmetimit të videos së famshme. Kreu i opozitës gënjeu atëherë dhe sot, sepse siç mund të imagjinohet, opozita kishte rolin kryesor në organizimin e protestës, si ideatore, organizatore, realizuese e saj, me axhendë të përcaktuar, për të cilën do të flasim më poshtë.

Mjerisht ka ndodhur kështu, sepse do të ishte mirë që populli i vetëfrymëzuar, i nxjerrë në sheshe nga subjekte të shoqërisë civile, si sindikatat apo subjekte të tjera mobilizuese, qofshin me simpati të majta, qofshin me simpati të djathta, të jepte sa më shumë shfaqje rebelimi apo proteste. Në mungesë të tyre, nuk duket asgjë anormale në rrafsh historik (pra në tërësinë e protestave organizuar në pluralizëm) që organizatorja apo shtytësja e këtyre protestave të jetë opozita. Shoqëria jonë është në tranzicion edhe për shkak të mungesës së strukturimit të vet, mungesës së atyre subjekteve mobilizuese midis saj dhe shtetit, ndaj partitë janë njëherësh dhe sindikata, dhe zyra pune, dhe shtet, dhe opozitë.

Ndërkohë, sa më shumë të tentohet të gjendet faji te opozita si nxitëse e një proteste të dhunshme duke e konsideruar si të paprecedent sjelljen e saj në rrafsh europian, aq më shumë indirekt fajësohet qeveria. D.m.th., edhe duke pranuar se në asnjë vend të NATO-s opozita nuk organizon protesta të dhunshme, është po aq e vërtetë se as në këto vende nuk ka ndodhur që të vriten protestues, me përjashtime shumë, shumë të veçanta, dhe përgjithësisht në kushte vetëmbrojtjeje, ta zëmë në vitet e para të pasluftës. Emblematik ishte deklarimi i ish-presidentit Sarkozi, i pyetur rreth vrasjeve në protestën e 21 janarit, i cili, duke mos përmendur shtetësinë e ndonjë protestuesi, tha se “jetët e protestuesve vlejnë njëlloj, kudo në Europë dhe në botë”.

Absurdi i këtij miti shkon shumë larg nëse e ndjekim deri në fund zinxhirin shkakësor. Duke e marrë për të mirëqenë frymëzimin cinik të opozitës, sipas të cilit ajo i dërgoi protestuesit për t’u vrarë, kjo nuk shfajëson ata që kanë bërë krimet, me urdhër apo pa urdhër, por me përgjegjësi penale, sigurisht. Pse Garda, me urdhër apo pa urdhër nga lart, duhet t’ia plotësonte dëshirën opozitës?

 Opozita donte ta merrte pushtetin me dhunë

Miti tjetër është se opozita kishte ndër mend ta merrte pushtetin me dhunë apo me grusht shteti jo thjesht të kadifenjtë. Pra jo vetëm si pasojë e bashkëpunimit President-prokurore-shef i SHISH-it, por në bashkëpunim me një krah të armatosur të opozitës me axhendë tjetër”, siç i pëlqen të citojë ambasadorin Arvizu dikush që shpërndan këtë mit. Edhe sikur të pranojmë se liderët e saj janë tërësisht të çmendur, një pushtet i marrë me dhunë, nuk do të mund të legalizohej asnjëherë nga bashkësia ndërkombëtare, dhe kjo është diçka e paimagjinueshme në mes të Europës.

Shqipëria nuk përfaqëson kurrfarë realiteti gjeopolitik të veçantë që ky shndërrim pushteti të pranohej “kundër dëshirës”, siç mund të ndodhë diku në Afrikë. Por dhe sikur të respektohet ky mit për inteligjencën në formulim, qeveria, me gjithë kapacitetet e veta policore, survejuese, përgjuese, nuk ka mundur ta vërtetojë dot këtë skenar as minimalisht. Kjo duket nga fakti se qeveria, gjegjësisht Kryeministri, nuk e ka formuluar dot këtë hipotezë propagandistike në formë akuze procesuale duke e nxjerrë atë nga statusi aktual i foltoreve. Nuk u gjet asgjë prej armëve që fantazoi Kryeministri.

Ndërkohë, nëse Prokuroria për shkak të bllokadës që i bëri qeveria nuk i kapi dot në flagrancë njerëzit e Gardës duke mundësuar sigurimin e provave, as dhe Policia nuk mundi të sigurojë dot një armë të vetme te protestuesit. Opozita e frustruar nga zhgënjimi për pafuqinë e saj për të imponuar diçka në kaq vite, mund të ketë pasur ndër mend të detyrojë dorëheqjen e qeverisë nëpërmjet një proteste të dhunshme. Por dhe një skenar si ky nuk justifikon qeverinë për dorën e fortë që përdori, e cila rezultoi në shumë viktima të vrara jashtë rrethanash të parashikuara nga ligji.

Ekziston dhe një mit tjetër, i cili ngjan sikur është i frymëzuar nga nevoja e përhershme e tranzicionit shqiptar për të vendosur një prag reagimi për protestat e dhunshme që janë verifikuar në këto 22 vjet, kur dhe është tentuar pushtimi me forcë i zyrave të Kryeministrisë. Sipas këtij miti, 21 janari është produkt i nevojës për t’u dhënë fund njëherë e mirë këtyre protestave. Ngjan se ky mit është mbështetur edhe në realitetin aktual të dy vjetëve të fundit, kur jo vetëm nuk kemi protesta të dhunshme në Tiranë, por as dhe protesta normale.

Autorët e këtij miti i referohen 14 shtatorit 1998, kur protestuesit me braktisjen e zyrës prej Kryeministrit Nano, pa ndonjë rezistencë të madhe të forcave të rendit, hynë në godinën kryesore të shtetit. Pra, sipas autorëve të këtij miti, nëse nuk do kishte reagim të fortë, atëherë do kishim përsëritje të turpshme të këtij skenari të 1998-ës, megjithëse në kah tjetër politik. Por ky mit ngjan akoma më i rrezikshëm për ata që don të mbrojë: ai do vërtetonte pandehmën se vrasjet ishin tërësisht të paramenduara!!

 Institucionet e forta duhet t’u japin fund miteve

Në një atmosferë karakteristike si kjo e pluralizmit shqiptar të mbushur me kaq shumë mite propagandistike, që si gjithë gënjeshtrat e kanë jetën e shkurtër, ka ardhur koha që ato të marrin fund të paktën për këtë ngjarje. Pavarësisht se kush i përhap këto mite, qeveria, apo në mënyrë “të pavarur” prej saj njerëz me ndikim në media nga qeveria.

Do ishte sizifiane përpjekja për të çmontuar këto mite duke mbetur përsëri në mitologjinë e prodhuar nga secila prej palëve. Është utopike të gjesh përgjegjësi morale brenda miteve. Por ndërkohë, është shumë e drejtë të gjenden përgjegjësi penale duke iu mbetur atyre, megjithëse qeveria është përpjekur që të pengojë hetimet, veçanërisht ato të kryera në kushtet e flagrancës. Përgjegjësitë identifikohen brenda ligjit, dhe ato mund të identifikohen vetëm prej institucionesh të forta, të pavarura.

Nëse do kishte të tilla në 1998-n, as Kryeministri i asaj kohe, dhe as ky që është në pushtet, nuk do të ishin më në politikë. Njeri si organizator i një proteste të dhunshme kur arkivolet u përdorën si hapës dyersh të institucioneve, tjetri si braktisës i turpshëm i tyre. Nëse do kishim institucione të pavarura atëherë, masa të tilla të forta të zbatuara ndaj tyre, me siguri s’do të kishim as përsëritje tragjike të 21 janarit 2011. Nëse do kishim institucione të tilla dhe sot, mbase do kishim dënim të organizatorëve, por dhe të vrasësve të 2011, që të mos kishim përsëritje tragjedish të tilla nesër.  Dhe me siguri, edhe mite të tilla s’do kishin kuptim të ekzistonin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama