Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mesi i Arte dhe frika nga mesi i arte

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 12 vite më parë

Artur Zheji
Mesi i Arte dhe frika nga mesi i arte

Tanimë është e qartë. Në  zgjedhjet e ardhshme të qershorit që afrohet me shpejtësi, me sa duket do të jetë “Boshti i Mesit” ose Qendra, që do të vendosë fitimtarin. Dy partitë e mëdha, PD dhe PS, sipas çdo sondazhi dhe sipas çdo parashikimi, do të ngelen ndjeshëm nën kuotën e 70 deputetëve. Dhe kësisoj pritet të dalin nevojtarë nga zgjedhjet e shumëpritura. Nevojtarë për numra dhe aleanca, që të mund të qeverisin. Përndryshe, i pret stoli i rezervave dhe kalvari i mundimeve dhe rraskapitjeve të padurueshme opozitare.

Dhe në Qendër, si një parti parlamentare me dy sprova elektorale, në vitin 2005 dhe në vitin 2009, në qendrën e majtë pra, qëndron Ilir Meta. Por jo e pakët është sfida Bamir Topi, sërish në qendër, më saktësisht në qendrën e djathtë. Parashikohet, pra, një fragmentarizim teorik i elektoratit si në të Djathtë, ashtu edhe në të Majtë, duke vënë në një vështirësi konkrete dy partë historike të këtij 20-vjeçari. Në qoftë se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Fryma e Re Demokratike, ashtu si edhe parashikohet nga të gjitha shenjat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, do të krijojnë së bashku një Pol elektoral të Qendrës, atëherë do të kemi një ndryshim të rëndësishëm në spektrin politik shqiptar. Sigurisht, ky Pol rrezikon jo pak të humbë dhe t’i masakrohen dhjetëra mijëra vota të çmueshme në mbarë Shqipërinë, vetëm falë këtij Kodi Elektoral pothuajse diktatorial, vendosur nga dy partitë e mëdha në prillin e vitit 2008.

Por Ilir Meta, pavarësisht shumë komenteve shpesh jodashamirëse, këtë paradiktaturë elektorale vendosur nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste përmes ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit të ri Elektoral, e theu njëherë e mirë në sprovën elektorale 2009. Aq e vërtetë është kjo, saqë të dyja forcat politike, tanimë dy dinozaurë të tranzicionit, të mbijetuarit politik të zgjedhjeve dramatike të vitit 2009, Ilir Metës pra, i bëjnë një “fresk” të paparë.

Sepse Ilir Meta ose të jep fitoren, ose të shkakton humbjen. Dhe kësaj radhe, më shumë se kurrë, as Berisha dhe as Rama nuk do të donin kurrsesi të humbnin. Me vetëdijen e qartë të kësaj situate, në Qendër afrohet rrezikshëm edhe një politikan i dytë, Bamir Topi. Forca e tij politike, FRD, e cila është e gabueshme të nënvleftësohet, e rrit edhe më tej peshën vendimtare të Qendrës dhe nuk e dublon aspak rolin e Metës, por përkundrazi, e përforcon atë. Tanimë jo vetëm votat e kolauduara të Ilir Metës, por edhe votues të djathtë apo votues të “segmentit” gri, që do të tërhiqen nga Bamir Topi, do të çojnë detyrimisht ujë në mullirin politik të Qendrës, që shndërrohet kësisoj në një Pol të Tretë.

Ky realitet paraelektoral është një ankth dhe një makth për të dyja partitë e mëdha, të cilat qartësisht ndihen të penguara që të kenë, ashtu si do të donin, një fitore absolute. Ky mosabsolutizëm i detyruar është edhe një hap, edhe një hop pozitiv në të ashtuquajturën klimë demokratike. Ose së paku do të ketë më shumë aktorë që detyrimisht do të duhet të pyeten në vendimmarrjen e nesërme qeverisëse.

Nga ana tjetër, nuk është edhe kaq gazmor dhe i lehtë refleksioni i forcave politike të Qendrës. Vërtet kemi të bëjmë me një Mes të Artë, porse edhe mesi i artë ndeshet me tri sfida kryesore:

Së pari, kush dhe si do t’i mbrojë votat e tyre?

Së dyti ka të bëjë me vendimmarrjen para dhe paselektorale. Nëse paraelektoralisht LSI dhe FRD do të garojnë së bashku, por gjithsesi vetëm dhe jashtë orbitave të partive të mëdha, do të humbasin mijëra vota dhe jo pak deputetë të sigurt nëse do të ishin të atashuar në koalicionet me partitë e mëdha.

Dhe së fundmi, me kë dhe me çfarë kushtesh, LSI apo FRD do t’i bashkonin forcat e tyre politike dhe mandatet e florinjta të King maker–it?

Deri më tash Meta është më i qartë në paqartësinë e tij të qëllimshme. Topi ka ende punë me sqarimin e numrave dhe sondazhet. Ndërkohë, Berisha duket se argëtohet ca si shumë duke dhënë e dukë marrë mesazhe, në zbulimin e tij më të fundit.

Facebook

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama