Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mesazhi i perbashket i dy vizitave

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Mesazhi i perbashket i dy vizitave

Të premten, Shqipëria u vizitua nga dy zyrtarë të lartë perëndimorë, megjithëse të një rangu të ndryshëm: zëvendësndihmës sekretari Amerikan i Shtetit Riker (Philip Reeker) dhe ministri i Jashtëm gjerman, Westerwelle. Riker është rang më i ulët në pikëpamje protokollare sesa ministri gjerman, por është realisht diplomati më i lartë amerikan, që merret në bazë ditore me Shqipërinë. Dhe jo rastësisht, nëse sheh karrierën e tij të lidhur që herët me Ballkanin në kohën e ambasadorit Kris Hill në Maqedoni, në vitet ‘90.

Le të reflektojmë pak mbi vizitat, duke nisur që nga njëkohshmëria e ardhjes së dy diplomatëve të lartë perëndimorë. Ky moment në fakt nuk është pa rëndësi. Si rregull, diplomacia e një vendi kujdeset që rreth vizitës publike të një zyrtari të vet të ketë vëmendje maksimale mediatike. Kjo vëmendje do pjesëtohej nëse kjo vizitë do zhvillohej njëkohësisht me dikë tjetër. Shqipëria e vogël ndërkohë nuk është një vend me ecejake diplomatike aq të dendura, sa dy vizita të këtij rangu të planifikoheshin në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra dhe të koincidonin. Ministri gjerman duhet të kishte ardhur më herët, si pjesë e një turi në rajon, por e shtyu vizitën për shkak të vdekjes së të atit. Zoti Riker erdhi në Shqipëri nga Brukseli, ku i parapriu raundit të vështirë të negociatave të Kosovës me Serbinë. Në këto rrethana ngjan e pamundur që diplomacitë e të dyja vendeve të mos dinin për vizitat respektive, kështu që hipoteza e një koincidence të rastësishme nuk ngjan e besueshme. Pra, duhet besuar se të dy diplomatët e kanë zgjedhur qëllimisht njëkohshmërinë e vizitës së tyre. Por edhe nëse nuk e kanë zgjedhur këtë njëkohshmëri, ata janë kujdesur që mesazhet të koordinohen dhe të jenë të njëjta.

Mesazhet kryesore të këtyre vizitave ishin ato të lidhura me shtimin e retorikës nacionaliste në Shqipëri, kryesisht asaj institucionale, dhe nevojës që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. Zoti Riker kishte dhe mesazhe të tjera të një rëndësie jetike për Shqipërinë gjithashtu. Rikonfirmimin e besimit amerikan tek ambasadori Arvizu, rreth të cilit po krijohet acar i njëjtë si me paraardhësin e tij Uithers (ndoshta mund të ketë fluturuar njëlloj dhe ndonjë letër ankese) dhe në vijim të këtij rikonfirmimi, edhe kërkesën amerikane që për “21 janarin” dikush të japë llogari.

Po pse dy diplomaci si ajo amerikane dhe ajo gjermane vendosën të koordinonin mesazhet për Shqipërinë, edhe pse në nivele të ndryshme përfaqësimi? Le të përpiqemi të kuptojmë këto motive që duhet të kenë qenë të rëndësishme, posaçërisht për një mesazh: atë që lidhet me nacionalizmin e papritur retorik të Shqipërisë zyrtare, e cila kontraston me një njëkohshmëri tjetër: negociatat e Brukselit.

Motivet

Kosova ka hyrë në një proces të rëndësishëm të shtetësisë së saj, të sponsorizuar prej Perëndimit. Ky proces ka mbërritur në një fazë delikate: negociatat e Brukselit për marrëdhëniet e saj me Serbinë. Kush e ka ndjekur me vëmendje ecurinë e shtetit të Kosovës, nga këndvështrimi i të drejtës ndërkombëtare, duhet ta dijë se ka një fill lidhës midis rezolutës 1244, planit “Ahtisaari”, shpalljes së pavarësisë në 2008, vendimit pozitiv të GJND-së, rezolutës së OKB-së në 10 shtator 2010, që kërkonte bisedime mes palëve me ndërmjetësimin e BE-së. Ky fill lidhës dhe koherent i legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në planifikimin e sponsorëve ndërkombëtarë të Kosovës që kanë qenë të qartë se ku do të përfundojë procesi, të çon ose duhet të çojë te pranimi i saj në OKB.

Me marrëveshje të veçanta, midis Kosovës dhe Serbisë, apo me një marrëveshje unike sipas modelit të dy Gjermanive, kjo është vetëm çështje metode dhe jo çështje thelbi apo rezultati. Kush i ka ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në rastin e asaj rezolute, duhet ta mbajë mend se për herë të parë shtetet kundërshtare të pavarësisë, si Rusia, Kina, India, Brazili, u bënë thuajse bashkë rreth një pozicioni më të zbutur: ata do të pranonin për Kosovën, çka do të pranonte Serbia. Ja ku jemi në kushtet kur Serbia e gjendur në një krizë ekonomike të thellë, në nevojën për t’u integruar ndërkombëtarisht- jo në NATO, por në BE-, ngjan se mund ta pranojë këtë anëtarësim të Kosovës në OKB, megjithëse pa e njohur reciprokisht. Shenjë parathënëse e këtij pranimi ishin deklarimet e Kryeministrit Daçiç, i cili kërkoi prej Kosovës në shkëmbim diçka që Serbia ta pranonte këtë anëtarësim.

Megjithëse kjo deklaratë publike e Daçiçit ngjante si balonë prove, ajo reflektonte presionin e madh të BE-së për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës, territor në oborrin europian. Nëse ky territor është me status të papërcaktuar, nëse ai është i destabilizuar, prej tij Europës i vijnë vetëm telashe, siç janë emigrantët, trafiqet e ndryshme etj.

Integrimi përfundimtar i Kosovës në familjen ndërkombëtare është gjithashtu një interes amerikan, për arsyet që janë stërthënë. Dhe pranimi, megjithëse jo domosdoshmërisht eksplicit i Serbisë, është kusht i nevojshëm për pranimin e Kosovës në OKB, gjegjësisht në Këshillin e Sigurimit.

Pse nacionalizmi i Kryeministrit shqiptar është problem?

Po ç’lidhje ka nacionalizmi i Shqipërisë me këtë proces ? Më konkretisht pse janë shqetësuese deklarimet e kryeministrit për « bashkim kombëtar », « për ekzistencë të albanofobisë  në rajon », etj, etj ?

Retorika e Shqipërisë zyrtare interferon pikërisht me këtë proces të madh paqtimi ballkanik, europian. Kjo retorikë në ligjërimin e kryeministrit Sali Berisha, një njohje e vjetër e perëndimit në rajon për piruetat e tij të forta nga nacionalizmi ekstrem në pacifizmin gjithashtu ekstrem siç u duk me marrëveshjen e ujërave me Greqinë, s’mund të jetë pa ndikim. Kjo retorikë vë theksin tek një koncept i papërcaktuar mirë socioetnik si « albanofobia »,e cila sipas tij «  është në nivele aq të forta sa do ta detyrojë atë të  bashkojë shqiptarët ».

 Ndërkohë, në fakt sipas qasjes perëndimore sot kjo albanofobi, duke nënkuptuar me këtë urrejtjen, frikën apo kundërshtimin e paarsyeshëm ndaj shqiptarëve në rajon, duhet të jetë në nivele të ulta. Greqia dhe Serbia shtetet më të mëdha të këtij rajoni, s’kanë shkallë të lartë konfliktualiteti publik dhe shtetëror me shqiptarët. Greqia edhe prej krizës së vet, ngjan më e tërhequr se në kohë të tjera, ndërsa Serbia, megjithëse qeveriset nga ekstremistët e dikurshëm, bij politikë të Milosheviçit dhe Shesheljit, po bën kompromise të paimagjinueshëm më parë me Kosovën. Madje Perëndimi i zbuti njëherë palët, derisa i solli në negociata politike të nivelit të lartë si ato të Brukselit. Kush e shpreh atëherë në mënyrë kaq ekstreme albanofobinë, nëse do përdorim besnikërisht këtë koncept të papërcaktuar ? Maqedonia? Atje ka një parti politike shqiptare në qeverisje, e cila s’po ankohet aq shumë sa kryeministri ynë. 

Marrë në tërësi pra me sponsorimin euroamerikan, shqiptarët e Kosovës, gjegjësisht mbarë kombi shqiptar po përparojnë drejt përfaqsimit në OKB me dy shtete, falë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Nëse Shqipëria zyrtare ankohet për albanofobinë, ajo nuk kontribuon pozitivisht në klimën e përgjithshme rreth këtyre negociatave. Ky fjalor ekstrem, paternalist në gojën e kreut të qeverisë së Shqipërisë amë, megjithëse Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë përfaqsimin e tyre politik dhe shtetëror,  supozohet se ndikon në ekstremizimin e popullsive shqiptare, e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, duke sabotuar gjasisht negociatat. Edhe vetë ligjërimi i Berishës kontraston me negociatat, duke faktorizuar Shqipërinë si negociatore, etj. Ndërkohë në mesin e shteteve europiane, Gjermania është shteti më i investuar në suksesin e Kosovës në negociata, sepse qëndrimi i saj ka qenë më i avancuari : shkrirje e strukturave paralele, firmosje e një marrëveshje të madhe kuadër dhe pranim të Kosovës në OKB. Nuk po konsiderojmë faktin tjetër se në këto negociata, po luhet kredibiliteti i një politike të jashtme të bashkuar europiane dhe dështimi i tyre do të ishte katastrofik për Bashkimin në një periudhë krize historike.

Përfundim

Procesi i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës që me negociatat e Brukselit po njeh pikën më të lartë, e ku perëndimi është investuar fuqimisht në të gjithë kuptimet,  ngjan se ishte arsye e mjaftë për të shtyrë diplomatët e të dy vendeve mike, që t’i thoshin kryeministrit shqiptar : frenohu.  Një retorikë të ngjashme problematike, zoti Berisha e bëri dhe në negociatat e Rambujesë, por atëherë ai nuk ishte kryeministër dhe ishte i izoluar ndërkombëtarisht, pa ndikimin e sotëm panshqiptar. Edhe për shkak të statusit aktual të Shqipërisë si anëtar i NATO-s, por dhe me shpresë se mesazhet e tyre do zënë vend në mënyrë të pangatërrueshme, forma e komunikimit të këtij urdhërimi perëndimor në vizitën e së premtes ishte miqësor në publik dhe larg dënimit publik për të cilin flitet në memon e famshme. Se ç’ do të ndodhë nesër, do të shohim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama