Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Disa nyje të negociatave të Brukselit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Disa nyje të negociatave të Brukselit

Negociatat e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një moment delikat, siç duket nga informacionet që po vijnë prej tyre. Janë dy takime në nivel të lartë që kanë mbaruar pa rezultat dhe pritet një i tretë, ndërsa ekipet teknike do të përkthejnë në një  tekst më të hollësishëm marrëveshjen më të fundit të dy kryeministrave. Bëhet fjalë për statusin juridik të një të ashtuquajturi Asosacion të komunave veriore, në këmbim të premtimit serb për shkrirjen e strukturave paralele në Veri, që në fakt janë realisht zgjatim i institucioneve të Serbisë në territorin e një shteti tjetër.

Ende nuk ka detaje konkrete rreth marrëveshjes në fjalë, megjithëse diçka është kuptuar nga pozicionet e palëve në negociata. Pozicioni i palës kosovare është përcaktuar në bazë të planit “Ahtisari”. Serbia, për të dëftyer se do marrë diçka më shumë në raport me atë që Kosova ka ndër mend t’i japë, kërkon që ky asosacion të ketë dhe kompetenca legjislative dhe ekzekutive, duke u zgjedhur drejtpërdrejt nga banorët. Për fat të mirë, në favor të pozicionit kosovar janë vendosur fuqishëm publikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, të cilat shohin te plani i Ahtisarit tekstin e vetëm referues për statusin e këtij asosacioni.

Parë kështu, ngjan e tepërt të komentosh një marrëveshje që ende nuk është përkryer, që nuk ka marrë ende formë përfundimtare. Ama, mund të thuhen disa konsiderata për cilësinë e debatit që mbretëron në Kosovë, e pse jo dhe në Shqipëri më së shumti rreth këtij asosacioni, rreth këtyre negociatave në përgjithësi. Pse në Shqipëri? Sepse kjo çështje është dhe çështje kombëtare; sepse është sugjestive nga pikëpamje profesionale etj., etj.

Së pari, duhet thënë se me gjithë dozat e informacionit të dhëna nga kryenegociatori, Kryeministri Thaçi, për publikun rreth negociatave shitet mjegull e madhe. Qoftë në planin informativ, qoftë në planin konceptual, diçka që sjell si pasojë diskutime shpesh pa kompetencë, por jo vetëm. Për shembull, në disa media raportohet se asosacioni do jetë vetëm i komunave veriore, në disa të tjera i të gjitha komunave serbe, një ndryshim goxha i rëndësishëm. Ndërkohë, në lidhje me kompetencat e këtij asosacioni, në ligjërimin kosovar po vendoset si barrierë e pakapërcyeshme dhënia e fuqive legjislative dhe ekzekutive këtij asosacioni. Dikush nga palët politike paraqet si shkelje të madhe dhënien e autonomisë speciale kësaj pjese të territorit të Kosovës. Ndërsa dikush tjetër thotë se tashmë kjo autonomi është e dhënë nëpërmjet vetë planit “Ahtisari”, i cili edhe pa e shpallur si të tillë, u njeh komunave veriore jo vetëm autonomi arsimore, kulturore dhe fetare, por dhe autonomi në fusha të tjera.

Përballë një situate të tillë shtrohet si imperativ kërkesa që qarqet akademike kosovare, pse jo dhe me ndihmën e kolegëve të Shqipërisë apo të ekspertëve të huaj, shoqëria, dhe për pasojë dhe politika, të zhvillojnë diskutime me një frymë debati profesional dhe jo autoreferencial sikur kjo që po ndodh rreth Kosovës po ndodh për herë të parë në botë dhe duhet zgjidhur allashqiptarçe. Politika dhe shoqëria kosovare mund të kuptojë atë që diskutohet në Bruksel vetëm nëpërmjet përfshirjes në debat të ekspertëve të ndryshëm, të futjes së përbërëseve akademike në debatin e përgjithshëm, dhe jo nëpërmjet vendosjes së stekës së patriotizmit nga ndonjë media e veçantë, më e mira se të tjerat, apo nga ndonjë parti e caktuar politike. Nga ky debat do të merreshin vesh shumë sende, të cilat kur të bëheshin pronësi publike, do të çmagjepsnin diskutimin publik nga kultet e tradhtisë, nga mite të ndryshme, natyrale për një shtet të ri, apo për një popull që është nanurisur historikisht nën disa mite të tjera. Po rendisim vetëm disa, sepse vepra çmagjepsëse kërkon angazhim shumë më të thellë dhe cilësor sesa një artikull i vetëm gazetaresk.

Disa përfitime prej debatit të vërtetë rreth negociatave

Në planin konceptual do të merrej vesh ose do qartësohej më mirë akoma se serbët e Kosovës, nëpërmjet planit “Ahtisari”, kanë autonominë ndoshta më të avancuar në të gjithë botën. Për pasojë, pozicioni gjerman dhe ai amerikan në favor të planit “Ahtisari” nuk është vetëm në mbështetje të palës kosovare, por është pozicioni më i drejtë në lidhje me këto negociata. Mjafton të shikosh ose rishikosh me vëmendje Aneksin e tretë të këtij Plani për ta kuptuar një të vërtetë kaq të madhe sa kjo.
Do të merrej vesh akoma se në botë, ndërkaq, rajone të komuniteteve pakicë apo jo pakicë, por me një traditë të caktuar të vetëqeverisjes, kanë dhe kompetenca legjislative apo ekzekutive. Thënë më thjesht, mund të nxjerrin ligje rajonale dhe t’i zbatojnë ato, por vetëm në përputhje me ligjet dhe kushtetutën qendrore. Ama, asnjeri prej këtyre rajoneve nuk ka të drejtën e shkëputjes, nuk bllokon qeverisjen qendrore, dhe ashtu si në planin “Ahtisari” ekzistojnë instanca shfuqizuese të atyre akteve të këtyre rajoneve që bien në kundërshtim me ligjin qendror.

Në planin praktik do të merrej vesh se beteja më e rëndësishme për kompetencat e Veriut është bërë në Vjenë nën udhëheqjen e Ahtisarit, dhe ndoshta aty pala kosovare do duhej të kishte përqendrimin më të madh për të bërë apo mos bërë lëshime të caktuara, siç është ekstraterritorialiteti i Kishës serbe, mosnjohja e një statusi të njëjtë dhe për objektet shqiptare të kultit brenda komunave serbe etj.

Duke dalë jashtë Kosovës, do të merrej vesh gjithashtu se si përballohen dy shqetësime të mëdha në territore të tilla si ai i komunave të Veriut, që janë pasojë e njëri-tjetrit. E para si të kufizohet ndikimi politik i shtetit tjetër, që është faktori kryesor përcaktues i mosbindjes së një autoriteti lokal ndaj autoritetit qendror. Ajo që po ndodh apo mund të ndodhë në Kosovë, nuk do jetë për herë të parë. Ka shtete ku një komunë apo një territor i caktuar s’ka kurrfarë autonomie de jure, por de facto sillet si i tillë. Për shembull, në bashkinë e Himarës së Shqipërisë pa kompetenca legjislative dhe ekzekutive, ku nuk ka grekë etnikë por shqiptarë që flasin greqisht apo që duan të ndihen grekë, nën drejtimin e kryebashkiakut Bollano, asokohe aleat politik i qeverisë ekzistuese, nuk zbatoheshin shumë nga ligjet e shtetit shqiptar. Pse? Sepse Greqia, që bënte paternalizmin e jashtëm për Himarën, ishte një shtet që mund të kushtëzonte shumëçka për Shqipërinë, pushteti qendror i së cilës mbyllte sytë para realitetit bollanesk. Prej këtij shembulli kuptohet se nuk është niveli i kompetencave të një rajoni që përcakton posaçërisht mosbindjen e një territori ndaj pushtetit qendror, por destruktiviteti i shtetit që luan rol paternalist.

Prej këtij momenti mbërritëm te frika e dytë, pasojë e së parës. Nëse do të ketë konflikte institucionale midis pushtetit lokal dhe atij qendror në të ardhmen, si do të zgjidhen ato? A do ketë instanca ndërmjetësuese; a do ketë garanci dhe ndërkombëtare për zgjidhje të mira të këtyre konflikteve, pa përfshirjen e tepruar të Serbisë në to? A do parashikohen këto instanca dhe në Marrëveshjen e pritshme në fund të negociatave?
Lloji i marrëveshjes

kuadër – traktat, apo çfarë?

Mbërritëm këtu te një pikë tjetër me rëndësi e këtyre negociatave. Deri më tani ato janë zhvilluar në sferën e ashtuquajtur teknike dhe tash në atë politike. Për shkak të kundërshtisë serbe për ta pranuar dhe shprehimisht Kosovën si palë të barabartë, nuk ka pasur marrëveshje të shkruara të mirëfillta mes dy shteteve si traktate, të miratueshme dhe në parlamentet respektive. Nesër, kur produktet e këtyre negociatave të jenë më shumë dhe më cilësore, lind nevoja e një marrëveshjeje kuadër që t’i përfshijë ato, marrëveshje që duhet të miratohet në parlamentet respektive. Qoftë në emër të transparencës, të procedurës kushtetuese, qoftë në emër të ofrimit të garancive tipike për zbatueshmërinë e tyre. Zbatueshmëria e marrëveshjes kuadër (nëna e të gjitha marrëveshjeve arritur deri më tani në Bruksel), është problemi më serioz që kanë negociatat. Duhet parë si do zgjidhet nga ana e Bashkimit Europian, çfarë modeli do përdoret.

Edhe në lidhje me modelin e marrëveshjes përfundimtare, debati politik dhe mediatik në Kosovë ka dëftyer probleme, improvizime etj. Sapo me kurrfarë kompetence një politikan shqiptar tha se nuk na duhet një marrëveshje sipas modelit të dy Gjermanive, menjëherë faktori ndërkombëtar u tërhoq prej këtij togfjalëshi nga frika e reagimeve të pritshme në Kosovë. Nuk u bë kurrfarë debati rreth këtij modeli historik, i cili u përfol si i pranueshëm nga Presidenti Tadiç, u propozua nga negociatorët gjermanë dhe, që në fund të fundit, siç e ka treguar historia, rezultoi në pranim të dy Gjermanive në OKB. Modeli i dy Gjermanive është një çështje jashtë objektit të këtij shkrimi, por ama modeli i marrëveshjes kuadër, që do të përmbajë gjithë rezultatet e negociatave në Bruksel, është momenti përmbyllës. Është momenti ku Serbia në shkallën më të lartë të publicitetit do të pranonte Kosovën si shtet, megjithëse me gjethe fiku do ta fshihte këtë pranim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama