Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Me shkak tensionet e fundit në Shkup

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Besnik Mustafaj
Me shkak tensionet e fundit në Shkup

Mediat elektronike i kanë pasqyruar gjerësisht incidentet e ditëve të fundit midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Shkup dhe nuk më duket e nevojshme t’i përshkruaj sërish edhe unë këtu. Në këtë rast nuk është qëllimi im as të kujtoj edhe një herë gabimin e rëndë e me pasoja për të ardhmen e kësaj republike që po bëjnë shtetarët maqedonas duke mbyllur sytë para urrejtjes së shprehur nga bashkëkombësit e tyre ndaj shqiptarëve.

Shqetësimi im i parë e më kryesori ka të bëjë me sjelljen e partive politike shqiptare ndaj këtyre ngjarjeve. PDSH është hedhur në një ofensivë të zjarrtë mediatike dhe publike kundër BDI-së, duke e akuzuar mirëfilli si fajtore për dhunën barbare të ushtruar mbi qytetarët shqiptarë, midis të cilëve, për turpin e dhunuesve, ka edhe disa fëmijë e gra. Është natyrshëm në detyrën politike të opozitës, domethënë të PDSH-së në këtë rast, mospajtimi me sjellje të tilla të mbarsura me urrejtje nga ana e një grupi jo dhe aq të vogël huliganësh me përkatësi etnike maqedonas.

Është po ashtu në detyrën politike dhe morale të opozitës t’u kujtojë me zë të lartë institucioneve qeveritare e shtetërore të marrin përgjegjësitë që u takojnë në përputhje me Kushtetutën e vendit, në mbrojtje të shtetasve të tyre. Pikërisht analiza për ngjarje të tilla me domethënie të veçantë si këto dhe nxjerrja e përgjegjësisë me realizëm, pra me shqetësim të sinqertë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, ashtu si edhe ligjërimi publik me seriozitet i kësaj analize, nxjerrin në pah pjekurinë politike të opozitës dhe përgjegjshmërinë e saj qoftë ndaj bashkëkombësve të vet, qoftë ndaj institucioneve të shtetit.

Duke ndjekur me vëmendje mënyrën si po e kryen në këto rrethana misionin e vet PDSH, më bien në sy disa mangësi me pasoja të rënda për mbarë shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Republikën e Maqedonisë. Ligjërimi publik i udhëheqësisë së kësaj partie duket tërësisht i përqendruar për të prekur vetëm emocionet e shqiptarëve kudo qofshin ata, e posaçërisht në Maqedoni. Një ligjërim i tillë është në thelb parapolitik dhe, si i tillë, përmban rreziqe të mëdha, sepse në çdo çast mund ta nxjerrë turmën e zemëruar jashtë ndikimit të një udhëheqje politike. Ky ligjërim duket sikur nuk ka qëllim tjetër veç dekredibilizimit të BDI-së dhe posaçërisht të kryetarit të saj, Ali Ahmeti.

Nga ana e vet BDI shfaq një ngathtësi të pashpjegueshme në reagimin e vet publik. Dhe jo vetëm kaq. BDI dhe drejtuesit e saj shfaqen në publik me një frymë themelisht mbrojtëse, çka tregon se në një farë mënyre PDSH ia ka arritur qëllimit t’i kompleksojë. Në këtë mënyrë, errësohet e del në harresë krejt bilanci i punës së BDI në shërbim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit gjatë këtyre viteve që është në bashkëqeverisje. BDI është tashmë një forcë politike me përvojë të mjaftueshme për të kuptuar se detyra e vet në këto rrethana jo të zakonshme është e dyfishtë.

Ajo duhet të dënojë dhunën e ushtruar padrejtësisht mbi shqiptarët, gjë që e ka bërë, por edhe të tregojë para shqiptarëve, maqedonasve dhe mbarë opinionit botëror, çfarë po bën në emër të mandatit që ka, për t’i detyruar institucionet e Republikës të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, si dhe të gjithë ata që përhapin zjarrin e urrejtjes ndëretnike. PDSH, në ligjërimin e vet thelbësisht parapolitik, i jep vetes një mundësi të manipulojë një pjesë të opinionit publik, atë më të ndjeshmen, e që natyrshëm është rinia dhe madje ta tërheqë ku më shumë e ku më pak pas vetes. Por, në logjikë politike, kjo është një bombë me sahat në radhë të parë për vetë këtë parti.

Njerëzit e zemëruar dihet se janë edhe të padurueshëm, dhe ata, siç i marrin shumë seriozisht premtimet, pasi kanë nevojë emocionale t’i japin vetes të drejtë, ashtu edhe nuk e falin udhëheqësinë, pasi kanë po aq nevojë ta largojnë nga vetja arsyen e dështimit. PDSH është parti e vjetër tashmë dhe me kontribut të çmuar në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve të Maqedonisë për të realizuar të drejtat e tyre politike e kombëtare. Asaj nuk i lejohet demagogjia. BDI, nga ana e vet, duhet të gjejë doemos gjuhën për të folur edhe me të zemëruarit, të cilët, siç shkruante me të drejtë një vëzhgues i zhvillimeve në Maqedoni, “kësaj here nuk dolën në rrugë për të mbrojtur ministrin e Mbrojtjes Talat Xhaferi, por për t’u treguar forcën e vet huliganëve maqedonas”.

Në simptomë kjo është një përplasje mirëfilli ndëretnike, e cila, të paktën deri tani, nuk shfaq ndonjë objektiv me përmbajtje politike. Si e tillë, kjo simptomë është edhe më e rrezikshme. BDI është në provë për të gjetur gjuhën e përshtatshme, që do t’i ndihmonte bashkëkombësit e vet të shmangin kurthin. Dëgjoj një justifikim qoftë për sjelljen e eksituar të PDSH-së e qoftë për sjelljen ngurruese të BDI-së. Ky justifikim lidhet me fushatën zgjedhore për pushtetin vendor që po zhvillohet në Maqedoni. Në të vërtetë, të dyja këto sjellje i bëjnë dëm pikërisht kësaj fushate.

Tensionet, dihet, largojnë vëmendjen nga problematika reale me të cilën këto dy forca politike duhet të dialogojnë me qytetarët, në emër të interesave të përditshmërisë së komunitetit. Do të ishte shenjë e lartë pjekurie si për njërën, edhe për tjetrën nga këto dy parti, si edhe për partitë e tjera shqiptare, që të ndanin qartë problematikën që buron nga këto përplasje ndëretnike me paraqitjet e tyre elektorale. Te problematika e lidhur me përplasjet ndëretnike partitë shqiptare duhet të bashkohen në emër të shmangies së bashkëkombësve të vet nga tejkalimi.

Cilado nga partitë qoftë fituese pas 24 marsit, nuk mund të përmbushë nesër angazhimet e veta para zgjedhësve për një jetë më të mirë e më të lirë në qoftë se opinioni shoqëror do të jetë i trazuar e me dhimbje plagësh mbi trup. Unë, të paktën, kështu e shoh gjendjen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama