Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Meritat' e deshtimeve te perseritura

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
'Meritat' e deshtimeve te perseritura

Gjatë tranzicionit tonë të vështirë, vendi ynë ka pasur mbështetës dhe kritikë dashamirës. Këtu përfshihet edhe opinioni në gazetën kongresuale “The Hill”, me titull “Koha që Shqipëria të marrë statusin”.

Shqipëria dhe kombi shqiptar e meritojnë mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së për përfitimin e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në BE, për disa arsye historike, thelbësore. Por, në vende ku mbështetja për integrimin është mbi 85% dhe ku është dështuar për tri vite rresht, është shumë e vështirë të justifikohet apo fshihet dështimi i qeverisë dhe i Kryeministrit.

Shqipëria ishte ndoshta vendi i parë i Lindjes që shprehu edhe zyrtarisht kërkesën për të qenë vend anëtar i BE-së. Sipas “Gallup”-it dhe “Eurobarometer”-it, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi edhe sot pas 20 vitesh, kur Europa e Bashkuar është në një situatë krize ekonomike e sociale, mbeten vendi dhe kombi më mbështetës i integrimeve euroatlantike.

Por ky prioritet kombëtar, me një mbështetje publike kaq të madhe, u dëmtua nga cilësia e dobët e reformave shtetformuese dhe ekonomike. Aspirata europiane u dëmtua jo pak nga zgjedhjet e vitit 1996 dhe kriza e rëndë e 1997-s, për të cilat qeveria amerikane, qeveritë europiane dhe institucionet financiare ndërkombëtare nuk hezituan të identifikonin përgjegjësit konkretë të këtij dështimi
.
Kujtesa historike është e shkurtër, ndërsa arkiva historike është e përjetshme. Jo për të ushqyer grindjet, por duke na ndihmuar të njohim sa më mirë të shkuarën dhe të eliminojmë ripërsëritjen e dështimeve.

Shqipëria mori një mbështetje inspiruese nga SHBA-të dhe BE-ja për t’u anëtarësuar në NATO. Tetë nga dhjetë kushtet që vendi duhet të plotësonte për anëtarësimin në NATO u përmbushën nga qeveritë socialiste para vitit 2005. Shqiptarët janë sot të renditur përkrah SHBA-ve dhe BE-së në betejën kundër terrorizmit. Forcat tona komando ishin përkrah aleatëve në Irak që nga 14 prilli 2003. Ne kemi qenë të angazhuar me kontingjentin e parë paqeruajtës në Mosul si dhe në misionet paqeruajtëse të IFOR-it dhe SFOR-it në Bosnjë-Hercegovinë.

Shqipëria ishte i pari vend me një popullsi të konsiderueshme myslimane që deklaroi menjëherë, qartë dhe në mënyrë publike, aleancën me SHBA-të në luftën në Irak. Ky qëndrim që në thelb ka mirënjohjen tonë historike për mbështetjen historike të SHBA-ve për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk u prit pa skepticizëm nga disa vende.

Anëtarësimi i çdo vendi në aleancat e mëdha të sigurisë globale apo në BE nuk mund t’i njihen si meritë asnjë  individi, aq më pak e atyre që me defektet e rënda në lidershipin e tyre kanë prodhuar më shumë kriza sesa arritje. Ata kanë dëshmuar dhe vërtetuar publikisht prirjet e tyre për pushtet absolut, duke dëmtuar dhe vonuar jo pak integrimin real të vendit tonë. Dështimi i tij dhe i qeverisë së tij ka vonuar dhe reduktuar efektet pozitive të proceseve integruese.

Çdo vonesë në marrjen e statusit të vendit kandidat ka përgjegjësit e vet. Pushteti absolut dhe dominimi i të gjitha institucioneve kushtetuese nga e njëjta maxhorancë janë rrethimi që mban vendin jashtë BE-së. Parimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve është dëmtuar dhe po përkeqësohet.

Sipas tri prej indekseve ndërkombëtare më të rëndësishme, rritja e demokracisë funksionale dhe rritja e zhvillimit dhe mirëqenies pengohen nga shtypja e lirisë së pronës private, nga korrupsioni me pronat, nga kapja e shtetit në dhënien me koncesion privat të pasurive tona natyrore.

Pavarësia reale e Gjyqësorit është dëmtuar rëndë nga emërimet nepotike e korruptive. Korrupsioni në shërbimet bazë si shëndetësi dhe arsim është epidemik, duke dëmtuar rëndë kredibilitetin e qeverisë dhe të vendit.

Administrata publike ka humbur çdo detyrim për meritokraci dhe promovim në bazë të karrierës. Emërimet partiake, nepotike dhe korruptive e kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin dhe efikasitetin e saj.

Sipas indeksit të Bankës Botërore “Doing Business 2013”, vendi ka sistemin më të përkeqësuar të administrimit fiskal edhe pse pretendon se ka taksat më të ulëta në botë.(www.doingbusiness.org/data/exploreeconomies/albania/)

Dështimet në demokratizmin dhe modernizmin e politikës dhe qeverisjes së vendit janë pengesa reale për të ardhmen tonë europiane. Rritja ekonomike ka rënë ndjeshëm. Borxhi publik dhe kostoja e tij po rriten në nivele kritike. Qeveria fsheh dhe deformon treguesit realë të financave publike. Institucionet ndërkombëtare paralajmërojnë për kostot e rritura të dështimit të qeverisë në menaxhimin e financave publike (Banka Botërore: “Shqipëria, vendi me çekuilibër financiar dhe borxhin publik më të lartë në Ballkanin Perëndimor” – DW, 13 mars 2013).

Kërkesat e përsëritura drejtpërdrejt qeverisë nga institucionet financiare për të ndërmarrë reformat e nevojshme për mbështetjen e rritjes së ekonomisë, ku thelbësore është liria e pronës dhe lufta kundër korrupsionit, injorohen prej qeverisë.

Situata makroekonomike është në momente kritike. Vonesat për reformat dhe përgjegjësinë për masat mbi stabilitetin e financave publike kanë rritur ndjeshëm riskun e politikave populiste, inspirimeve nacionaliste; kanë rritur pasigurinë sociale dhe mund të rrezikojnë stabilitetin politik. Në vitet 1996-‘97 ne paguam një çmim shumë të rëndë nga dështimi i modelit të shtetit të ngritur mbi pushtetin absolut të Berishës.

Sot ne rrezikohemi sërish që pushteti absoluti i tij t’i kushtojë rëndë së ardhmes sonë europiane. Nevojitet një demokraci funksionale e fortë, dhe jo individ me pushtet absolut, i cili korrupton në mënyre absolute.

Jam i bindur që edhe kolegët e mi në SHBA dhe BE, të cilët i njoh dhe i respektoj, njohin shumë raste të vendeve ish-komuniste, të cilat janë vonuar në përmbushjen e aspiratave të popujve të tyre sepse kanë rënë viktima të sistemeve që vetë kanë ndërtuar. Të sistemeve me individë të plotfuqishëm, që kanë kufizuar liritë ekonomike dhe politike të popujve të tyre, që kanë përqendruar pafundësisht pushtetet politik dhe ekonomik në pak individë. Ky model prodhon më shumë dështime sesa arritje. Shqipëria ka dështuar tri herë për t’u bërë vendi kandidat i Bashkimit Europian.

Përqendrimi i pushtetit politik dhe ekonomik po e kërcënon të ardhmen tonë. Institucionet kushtetuese po humbasin kredibilitetin e tyre publik. Vendi është prekur rëndë nga pasiguria ekonomike dhe politike. Rritja e temperaturës politike përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013, është kërcënimi më i madh për qeverisjen e ardhshme të vendit, e cila ka jo pak sfida në luftën kundër korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë.

Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të inspirohen nga e ardhmja dhe të mos mbeten peng i së shkuarës, sidomos tani kur vërehen tendenca populiste dhe nacionaliste në zhvillimet politike brenda vendit dhe në ato rajonale.

Çdo politikan që nuk avancon dot vendin e tij në sfidat e tij historike, nuk mund ta fshehë dot dështimin. Më shumë se sforcimi i kushtueshëm për të blerë kredibilitet fals, duhet të mos pengojnë me të ardhmen e vendit duke lobuar për përjetësi personale në karriget politike

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama