Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Çfarë fitoi Kosova nga marrëveshja

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Çfarë fitoi Kosova nga marrëveshja

Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është një dokument i rëndësishëm në marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe atij serb në shekullin XXI dhe, parë kështu, ajo meritonte vëmendje e komente nga gjithë hapësira shqiptare e mendimit, jo vetëm prej faktorësh politikë. Nuk ndodhi kështu dhe kjo të krijon keqardhje, por kjo s’është hera e parë.

Gjithsesi, kjo marrëveshje nuk arriti të ishte një marrëveshje tipike kuadër, e ngjashme me një Traktat paqeje mes shtetesh, megjithëse jo e shpallur si e tillë. Imponimet kohore – shqyrtimi i progresit europian të dy shteteve brenda prillit 2013, urgjenca e zgjidhjes së problemeve në terren, e ardhmja politike e zonjës Ashton etj., vështirësitë reale të shqyrtimit, negocimit dhe miratimit të një teksti kompleks, e shtynë këtë Traktat në kohë. Por kjo marrëveshje përfaqëson marrëveshjen më të rëndësishme miratuar në Bruksel midis dy vendeve. Zaten, kjo është arsyeja pse dy palët u përfaqësuan me kryeministrat në negociata dhe me to u mor drejtpërdrejt Komisionerja e jashtme, baronesha Ashton.

Kjo marrëveshje ishte e rëndësishme, sepse u trajtuan në shkallën më të lartë cilësore dhe sasiore sovranitetet respektive të ushtruara padrejtësisht dhe ato të munguara. Kjo marrëveshje ama nuk ishte vetëm për veriun e Kosovës, siç u përfol gjerësisht, por veriu në të pati trajtim më të gjerë.

Si dolën palët në këtë marrëveshje?

Në një shikim përmbledhës të rezultateve, Kosova doli më e fituar sesa Serbia. Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova do vendosë autoritetin e vet (jo «rivendosi», sepse nuk e ka pasur kurrë), sovranitetin e vet në gjithë territorin e saj. Sovraniteti ushtrohet në mënyrë efektive nga gjykatat, policia, ligjet e një vendi dhe, në këtë kuptim, shuarja e strukturave paralele serbe, zgjidhjet “ad hoc” të ofruara për njësinë gjykatës së Apelit në Veri, riintegrimi i njerëzve të përfshirë në këto struktura paralele në institucionet e Kosovës etj., janë hapa tërësisht kushtetues dhe sipas modeleve perëndimore funksionale. Kosovës iu hap perspektiva europiane, e cila është perspektivë tipike e një shteti. Nuk njohim deri më tani ndonjë jo-shtet që t’i jetë përngjitur kësaj bashkësie dhe, megjithëse integrimi real i Kosovës në BE do jetë relativisht i largët, pranimi i subjektivitetit ndërkombëtar të saj nëpërmjet nenit përkatës të kësaj marrëveshjeje është shumë i rëndësishëm.

Ky nen do të thotë se 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë rënë dakord me këtë subjektivitet të ri të saj dhe njohja prej tyre e shtetësisë së Kosovës është shumë më e lehtë tani. Ndërkohë, kjo njohje cilësore prej gjithë anëtarëve të BE-së e bën shumë më të lehtë dhe rrugën e Kosovës drejt OKB-së, ashtu siç ishte formuluar më parë marrëveshja që serbët e poshtëruar nuk guxuan ta miratonin.

Për të kuptuar dhe pranuar këtë përfundim, do duhet të mbajmë parasysh raportin e forcave. Serbia hyri në këto negociata me subjektivitet ndërkombëtar shumë të cenuar. Ajo gjendet në krizë, në vështirësi ekonomike të mëdha, ka nevojë urgjente për borxhe perëndimore apo nga Klubi i vendeve të pasura. Klasa politike serbe në pushtet ka nevojë urgjente për pranim ndërkombëtar për shkak të së kaluarës së vet dhe, në këtë kuptim, ajo ishte më e prira për të bërë kompromise. Ndërkohë, Rusia, shteti që do të duhej të ishte aleati kryesor i saj, nuk u përfshi në këto negociata, ashtu siç ishte paraparë në Rezolutën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën, kur u tha se bisedimet do të zhvillohen nën udhëheqjen e BE-së. Kjo u konfirmua dhe në takimet e Daçiçit në Moskë para pak kohësh.

Ndërkohë, ka një interes të qartë perëndimor që Kosova të ecë përpara drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, respektivisht anëtarësimit në OKB, duke e shtrirë autoritetin e vet dhe në Veri. Ky vullnet perëndimor mbase nuk është motivuar tërësisht nga ndonjë armiqësi ndaj Serbisë, por Europa veçanërisht është e bindur se përsëritja e Bosnjës në Kosovë do ishte burim problemesh dhe destabilizimi për Kosovën. Një Kosovë e dobët si Bosnja me një Republika Srpska të dytë do t’i sillte BE-së shumë kokëçarje të të gjitha natyrave. Në këto kushte, Serbia do kishte pozitë negociale shumë më të dobët, siç u pranua nga udhëheqësia e vet: pa Rusinë në krah, me Perëndimin kompakt në krah të Kosovës, me reputacion të cenuar dhe me krizën jo para dyerve brenda mureve.

Më konkretisht çfarë fitoi Kosova?

Kosova fitoi edhe më tej subjektivitet ndërkombëtar. Nuk janë krejt pa lidhje me këto bisedime reagimet sllovake dhe rumune në favor të njohjes së Kosovës, ashtu siç nuk është krejt pa lidhje dhe zbutja e qëndrimit grek. Madje, dhe vetë zbutja e qëndrimit serb në favor të ulëses së Kosovës në OKB, por në këmbim të diçkaje të rëndësishme, është produkt i negociatave të Brukselit, pas të cilave me siguri «Daçiçin nuk e zë gjumi». Deri më sot nuk ka ndonjë koment rus të nivelit të lartë, por s’ka çudi se dhe Rusia duhet të jetë zbutur shumë.

Kosova fitoi dhe më subjektivitet të brendshëm. Ajo do të vendosë kontroll efektiv në gjithë territorin dhe, nëse shihet me vëmendje, në shumë nene të marrëveshjes përsëritet referimi te ligji dhe Kushtetuta e Kosovës. Kjo përsëritje nuk është thjesht dhe vetëm për shkak të insistimit të Kryeministrit Thaçi: ajo është për shkak të bindjes europiane se një Kosovë e fortë do të thotë një Kosovë me ligj unik në gjithë territorin. Një Kosovë e fortë sipas përfytyrimit cinik europian do të thotë më pak emigrantë ekonomikë, më pak krim, më pak trafiqe për t’u eksportuar nga Kosova drejt saj.

Parë kështu, Kosova lëshoi diçka tërësisht kushtetuese sa i takon të ashtuquajturit Asociacion të komunave serbe. Është e vërtetë që ky Asociacion e rrit subjektivitetin e serbëve brenda Kosovës, duke rritur mundësitë për njëjtësim të zërit të tyre, por ama brenda një kornize ligjore kosovare dhe jo jashtë saj. Ky subjekt nuk ka realisht kompetenca ekzekutive dhe papërcaktueshmëria e tij territoriale apo statusore e bën atë diçka të ndërmjetme: as Krahinë, por as Republikë.

Nëse bashkësia serbe do shihej si Krahinë, atëherë do kishte vijueshmëri territoriale dhe struktura të zgjedhura, jo të emëruara si Kosova në Jugosllavinë e dikurshme. Nëse do shihej si Republikë, do kishte kompetenca ekzekutive të parapara në Kushtetutë.  Edhe i ashtuquajturi Kuvend i Asociacionit, ngjan se do përbëhet nga të zgjedhur lokalë të drejtpërdrejtë, të emëruar në këtë Kuvend, dhe jo të zgjedhur drejtpërdrejt, diçka që do ta bënte Asociacionin si nivel artificial pushteti mes atij lokal dhe qendror.

Zbatimi në terren

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do jetë me të vërtetë diçka shumë e vështirë në terren. Bëhet fjalë për kalimin e një numri të caktuar njerëzish nga një sistem i caktuar politik, ekonomik, administrativ, shëndetësor, arsimor, relativisht i përparuar, siç është sistemi serb, në sistemin kosovar, një shtet më i varfër, me rroga më të ulëta dhe i kontrolluar nga shumicë shqiptare. Bëhet fjalë për shndërrim strukturash të sigurisë dhe eventualisht për ditë të vështira që e presin kriminalitetin thuajse zyrtar që kontrollon veriun e Kosovës. Por këto sfida, siç u duk dhe në negociata, siç u konfirmua dhe në pikën e fundit të kësaj marrëveshjeje, janë sfida dhe europiane (ndoshta duhej parparë një lloj arbitrazhi i përhershëm europian për problemet e interpretimit), ndaj i gjithë ky tranzicion ngjan pakëz më i lehtë.

Ndaj mbetet jetik formulimi i një oferte ekonomike të Kosovës për Veriun, siç është ai i zonës së lirë ekonomike që do të zëvendësonte interesat aktualë të përbashkët kriminalë mes shqiptarëve dhe serbëve me interesa të ligjshëm për begati mes tyre: ndërmarrje të përbashkëta, zgjidhje të problemit të Mitrovicës me protagonizëm ndërkombëtar brenda saj etj.

Këto ishin disa konsiderata të përgjithshme, për një tekst të rëndësishëm, i cili megjithatë nuk do të jetë i vetmi në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithsesi, kthim mbrapa nuk ka, as përafrim situatash të ngjashme si në Bosnjë. Kështu, Kosova do të ketë më shumë kohë të merret me sfidat e zhvillimit të saj ekonomik, sfidat e vetëmjaftueshmërisë. Vetëm, me gjithë Shqipërinë, apo sido që të jetë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama