Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi Metën Kryeministër

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Mbi Metën Kryeministër

Me natyrshmëri, besnikë të së kaluarës së tyre, mediat e të gjithë vendit u përqendruan në një deklaratë të një deputeti të LSI-së, zotit Nasip Naço, se “Shqipëria do të ketë Kryeministër Ilir Metën” dhe çdo deklaratë që u nxit prej saj. Për këtë arsye, mediat thirrën në skenë vetë kreun e LSI-së, zotin Meta, i cili nuk bëri një mohim kategorik të këtij pohimi. Nuk tha as se s’kam ndër mend të bëhem Kryeministër dhe as se Kryeministër do të jetë zoti Rama. Por pohoi se marrëdhëniet me PS-në janë konstruktive, se ka sintoni, se këto marrëdhënie nesër zhvillohen e do të zhvillohen sipas Kartës së Parimeve të firmosur në Shkodër.  Në këto kushte, skifteri vigjilent i diversionit brenda së majtës, zoti Berisha, i cili pak kohë më parë kishte komentuar me shumë lehtësi jetën e dajkove të Edi Ramës 50 vjet më parë, me shumë të drejtë tha se Meta iku se “pas zgjedhjeve donte karrigen time ose atë të kreut të PS-së”.

Nuk ka dyshim se dy prononcimet e përfaqësuesve të LSI-së, Meta dhe Naço, kanë regji të njëjtë. Pra zoti Naço e ka lëshuar deklaratën e Skraparit për “malin e politikës”, sipas një sugjerimi të vetë shefit të tij. Konferenca e djeshme për mediat e zotit Meta u thirr prej vetë atij. Pra ngjan se ka pasur vullnet të qartë të kreut të LSI-së për të krijuar një ngjarje në lidhje me këtë pohim: që zoti Meta pas zgjedhjeve mund të jetë Kryeministër i vendit. A ka këtu diçka jo normale? A ka këtu hapësirë për të vënë në diskutim marrëdhëniet midis PS dhe LSI-së, që tani?

Për të kuptuar më mirë këtë marrëdhënie në dritën e kësaj ngjarjeje të re, marrin rëndësi dy momente.

Në gjithë administratën e vendit, në nivelin lokal, përfshi Bashkinë e Tiranës, ku rezistuan më gjatë, dhe në pushtetin qendror, me shumë gjasë me urdhër të Kryeministrit Berisha, po largohen pa përjashtim të gjithë të punësuarit e LSI-së. Kjo është një goditje e madhe për këtë parti, dhe ngjan tërësisht realiste që kjo ngjarje të imagjinohet se ka ndikime elektorale.
Ndërkohë, vetëm dje, siç e vuri në dukje vetë zoti Meta në konferencën për shtyp, u zhvillua në një atmosferë shumë të çlirët dhe mirëkuptuese takimi i krerëve të koalicionit të majtë. Simpatizantët e dy partive valëvitën flamuj afër njëri-tjetrit dhe pas një farë kohe që nga takimi i Shkodrës, dy kryetarët u panë bashkë në një skenë publike. Por, ama, Meta humbi një farë protagonizmi politik duke u vendosur së bashku me liderët e tjerë të partive të vogla.

Janë disa përfundime në lidhje me funksionimin e koalicionit të majtë që dalin më qartë në dritë nisur nga ngjarja e fundit e stimuluar nga vetë udhëheqësia e LSI-së.
Marrëdhëniet brenda koalicionit

Së pari, ky pohim i Metës apo i LSI-së,  rikonfirmon edhe një herë besimin e fortë të partive dhe popullit të majtë në fitore. Kështu duhet parë dhe shprehja optimiste nga Meta për fitoren e 80 mandateve për opozitën e bashkuar, ku LSI-ja do të fitojë mbi 10 mandate. Madje, në këtë besim popullor kontribuon paradoksalisht dhe fushata diversive e udhëhequr nga Berisha mbi sherrin se kush do jetë Kryeministër brenda së majtës. Pse njerëzit e së djathtës nuk komentojnë se sa mirë do jetë kur Berisha do jetë Kryeministër për herë të tretë, por komentojnë se kush do jetë Kryeministër kur të fitojë e majta?

Së dyti, duke u mbështetur te thëniet e Metës dhe vetëm të tij, marrëdhënia me PS-në në lidhje me kreun e Ekzekutivit dhe në përgjithësi për ndarjen e pushtetit, përcaktohet nga Karta e Parimeve, ku në pikën dy të saj saktësohet se këto do jenë marrëdhënie konstruktive të mbështetura mbi bazën e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Këtë gjë e tha dhe Rama dje, duke nënkuptuar se sipas Kushtetutës, partia më e madhe e formon qeverinë. Pra, nuk shihet kurrfarë kontradikte ligjore dhe kushtetuese mes palëve.

Së treti, edhe nën presionin e kritikëve, por dhe për të pasur hesape të qëruara pas zgjedhjeve, fushata e të dyja partive kryesore të së majtës po zhvillohet ndarazi. Në një fushatë të ndarë, premtimet aq më shumë janë të pakoordinuara. Kjo mund të japë idenë e mungesës së sintonisë mes aleatëve, por jo gjithmonë mungesa e sintonisë është diçka e gabuar, pavarësisht se çfarë thonë kritikët e të gjitha stinëve. Ta zëmë kjo mund të bëhet dhe për të shmangur efektin negativ psikologjik – atë të bashkimit politik që s’jep domosdoshmërisht bashkim matematik votash – që aq shumë e kanë evidentuar agjitatorët matematikanë të së djathtës. Ndaj dy krerët e PS dhe LSI s’kanë dalje të përbashkëta, s’kanë harmoni në tezat kryesore, dhe duhet supozuar se dhe lëvizjet në media, në territor, s’kanë ndonjë koordinim. Këtu s’ka diçka të qortueshme politikisht: të dyja partitë do peshohen në elektorat; s’do marrin koston e njëra-tjetrës në kurriz dhe pastaj, në varësi të rezultatit elektoral, do kërkojnë dhe përfaqësimin në Ekzekutiv.

Së katërti, edhe sipas kësaj qasjeje të fushatave të ndara, të peshimit veç e veç, ngjan plotësisht normale që me premtimin “Meta, kryeministër”, LSI të përpiqet të motivojë fort elektoratin e vet që po goditet, që po humbet vendet e punës për një kohë relativisht të gjatë, në pritje të ardhjes në pushtet. Për më shumë që e bëri këtë motivim në një bastion të fortë të LSI-së, dhe një ditë më pas së ashtuquajturës Konventë të PS-së, ku kreu i LSI-së doli së bashku me shumë liderë partish shumë-shumë të vogla. I nevojitej pak protagonizëm i kësaj natyre për ta thyer shijen barazuese të asaj shfaqjeje të konduktorëve të vagonëve të trenit socialist.
Së pesti, kjo ngjarje, ky truk taktik i konceptuar nga kreu i LSI-së, shërben për ta protagonizuar fuqishëm mediatikisht LSI-në, madje dhe me kontributin e PD-së, që e kafshoi sakaq karremin e lëshuar nga Nasip Naço në Berat. Tërë mediat po flasin për LSI-në. A ka reklamë më të mirë për një parti që supozohet se ka pasur kosto elektorale nga ndryshimi i trenit?

S’ka dyshim se ky truk taktik i Metës reflekton diçka që është në fakt dëshira apo ëndrra normale e tij për t’u bërë dhe një herë kreu i Ekzekutivit.  Mundet dhe që rrethanat gjatë 4-vjeçarit të ri ta afrojnë te kjo ëndërr. Por duket tërësisht irealiste që ai ta shpallë këtë objektiv sot, në këtë mënyrë, me gjysmë zëri, jo në vetë të parë, dhe për më shumë, të vazhdojë ta shpalosë publikisht deri në fund të fushatës. Një afirmim i tillë i vazhdueshëm i një ëndrre si kjo sot e deri më 23 qershor, me një skenë politike si kjo, do të thoshte se bashkimi midis PS dhe LSI-së s’ka qenë diçka e menduar gjatë, e diskutuar gjatë. I bie që Rama me Metën paskan bërë një marrëveshje që s’paskësh zgjidhur elementin më themelor të së nesërmes së të dyve: kush do ishte Kryeministër? A thua të kenë qenë kaq naivë dy liderët Rama dhe Meta, sa të mos e kenë diskutuar këtë pikë në negociatat e tyre të pafundme?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama