Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sulmet e kota kundër Ilir Metës

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 12 vite më parë

Artur Zheji
Sulmet e kota kundër Ilir Metës

Që Ilir Meta nuk është një ekuacion i thjeshtë politik, kjo tash sa vite është një gjë e qartë, për ata që e duan dhe sidomos për ata që nuk e duan Ilir Metën. Se nga buron kjo, edhe kjo është e qartë. Ai hyn në kategorinë e njerëzve që mbiquhen “self made men”, e thënë shqip, një njeri që e ka ndërtuar vetë veten e tij, me të mirat dhe të këqijat e veta, me zakonet apo huqet e tija të personalizuara.

Shumëkush e ka sulmuar si një politikan ambicioz dhe kokëfortë, por njëkohësisht askush nuk mund të thotë se Meta ka një jetë të dytë përveç politikës. Askush nuk mund të thotë se ai nuk punon dhe se nuk di të punojë. Madje, më shumë se shumë të tjerë.

Politikisht ai ndihet njeri pa borxhe dhe reagon si një politikan pa borxhe, kjo përbën dhe thelbin e qëndrueshmërisë apo kokëfortësisë së tij. Vendosmëria pra, edhe përkundrejt rrezikut më maksimal, për t’u shkuar deri në fund objektivave të veta.

Sepse Meta, si pakkush në politikë, i paguan deri në këstin e fundit faturat dhe pasojat e akteve të tija politike, qofshin këto të nxituara apo qofshin të mirëmenduara, qofshin pro apo kundër rrymës.

Dhe, në këtë xhungël të ashpër dhe cinike të politikës shqiptare, ai, Ilir Meta pra, ka çarë pothuajse i vetëm shtegun e tij politik. Që nga viti 2004, me krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e pra, me ngritjen e shtëpisë së vet politike, që nga ajo ditë pra, Meta nuk përfiton asnjë grimë nga shtratet ujëplota dhe tradicionaliste të partive të mëdha.

Sepse të jesh kryetar apo ofiqar i lartë i Partisë Demokratike, apo i Partisë Socialiste, është sot ku e ku më e lehtë. Sepse nga pas ke rrymën shtytëse dhe ujë plotë, të partisë së madhe, që edhe kur gabon, nuk të ndëshkon me votë. Thjesht për inerci dhe traditë. Është njësoj pra, për këtë kategori, si të ngresh një digë, aty ku lumi i votave rrjedh i sigurt dhe, si dhe thamë, në trajtë zakonore, prej gati 70 vitesh, në të Majtën apo në të Djathtën shqiptare tradicionale.

Por të ndërtosh një shtrat të ri elektoral pra, një sigël të re, në mes të dy lumenjve elektoralë tradicionalë, është një sipërmarrje aq e vështirë dhe e rrethuar me aq kërcënime, luhatje e mosbesime, sa vetëm bindjet kokëforta mund ta marrin në sy rrezikun e një të tillë sipërmarrjeje.

I shkruaj këto, se tek rreshtohen ditë mbas dite, në këtë finale të garës elektorale, jo pak insinuata aspak dashamirëse rreth Metës dhe partisë së tij. Duke filluar nga ca mesazhe misterioze që zënë fill sipas mediave, nga kupola e selisë rozë, e deri te sulmet e personalizuara të Gjinushit dhe të tjerëve, me ftesë të hapur për mosvotim të LSI. Sulme që sa vijnë e intensifikohen dhe pasurohen edhe me goditje mediatike të porositura dhe të mirëndërtuara kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe strategjisë së saj elektorale apo post elektorale.

A e dëmtojnë këto sulme dhe “komplote” e “konspiracione” në terren Lëvizjen Socialiste për Integrim?!

Thuhet prej shumë kohe në traditën shqiptare, që një hebre, e pra një i mençur, kur do të blejë një shtëpi, pyet paraprakisht pronarin e asaj shtëpie nëse e ka vënë dhe ndërtuar vetë apo ia ka trashëguar babait apo familjes atë pronë. Nëse pronari i shtëpisë i thotë se e ka vënë dhe e ka ndërtuar vetë, atëherë hebreu, i mençuri pra, tërhiqet dhe nuk këmbëngul ta blejë atë shtëpi. Nëse pronari i përgjigjet se ia ka lënë babai, apo e ka trashëguar, atëherë, atëherë ai, mençurisht ulet dhe bën pazar, nënkupto biznes, për të blerë shtëpinë në fjalë. Sepse hebreu i mençur e di nga eksperienca që është shumë më e lehtë të blesh shtëpi me çmim shumë më të ulët nga trashëguesi dhe krejt i pamundur bëhet ky allishverish me atë që e ka ndërtuar vetë, nga guri i parë i themelit, strehën e tij ekzistenciale.

Në rastin e Metës pra, vetë ndërtues të shtëpisë së tij politike, çdo negociator ndeshet me rastin më të vështirë, se ai, Meta pra, tanimë në trajektoren e tij politike, nuk ka trashëguar asgjë nga dikush tjetër.

Sepse ai, Iliri, i krahasueshëm në këtë kontekst vetëm me Berishën, nuk lundron mbi një lumë elektoral të trashëguar, por është në shteg të vet, hapur me mund dhe përmes rreziqesh çdo lloji, në xhunglën politike shqiptare.

Ja pra sepse nuk është e lehtë ta trembësh apo ta sugjestionosh LSI, sepse në disa sprova elektorale, që nga viti 2005, u ka mbijetuar jo vetëm negociatave për blerje të lirë të kapitalit të vet politik, por edhe kurtheve, atentateve politike e ligjore, helmeve, shantazheve dhe intrigave.

Në këtë optikë, të shohësh shtrembër Metën sepse ai është maksimalist në kërkesat e veta politike, do të thotë të mos kesh kuptuar qenien e tij politike.

Sepse e vetmja pikë e dobët e Metës nuk janë fjalët mbarsur me kutërbime erëkëqija apo sulmet e drejtpërdrejta, me ose pa baza, e vetmja pikë e dobët e Metës, nëse ka një të tillë, janë numrat elektoralë në terren.

Por të gjithë, miqtë dhe armiqtë e tij e dinë se Meta, që i di vetë punët e veta, është një “kafshë” pune në terren dhe prek vetë me dorë pothuajse çdo votë.

Di pra ta ruajë, ta sigurojë dhe ta shtojë votën për partinë e vet. Pavarësisht kushteve, gjithmonë të vështira, me thika pas shpine apo shkopinj nën rrota.

Kush do ta shkatërrojë dhe nuk janë të pakët ata që e duan këtë, duhet t’i heqin votat. Dhe sprova më e vështirë ishte viti 2009.

E vërteta është se në mjaft skuta e njëjta gjë mund të tentohet sërish, por duke llogaritur që Meta është sot mjaft më i fortë dhe mjaft më i organizuar politikisht se në vitin 2009, kjo tentativë do të mbetet, sipas të gjitha gjasave, vetëm një utopi.

Për paradoks të atyre, të atyre jo të paktëve që do të donin ta zhbënin, ata, zhbërësit që shpesh dështojnë, rrezikojnë, si për ironi dhe për fat të keq të tyre, ta bëjnë edhe më të rëndësishëm faktorin politik Meta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama