Ngjarja e Përmetit vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes të opinionit publik vendas. Po vërtetohet ajo që kishim thënë, se për nga implikimet ajo e kalon Përmetin si zonë urbane, derisa ajo po prek marrëdhëniet dypalëshe. Ndërsa po prek këto marrëdhënie, atëherë ajo s’është më ngjarje që tregon thjesht dhe vetëm një problem midis shtetit dhe Kishës Ortodokse që duhet të ishte autoqefale, pra marrëdhëniet e shtetit shqiptar me fetë. Në krye të herës duhet të përsërisim, megjithatë, konceptin tim personal për marrëdhëniet e shtetit me fetë. Shqipëria duhet që t’u garantojë komuniteteve fetare respektimin e të gjitha të drejtave, pra dhe atyre pronësore. Kjo do të thotë kthim automatik i të gjitha pasurive të tyre atje ku mundet dhe kompensim i plotë i të tjerave. Në këmbim shteti do duhet, sipas një marrëveshjeje-tip që e kanë vendet më të emancipuara në raportet shtet-bashkësi fetare, apo e kishte dhe mbretëria shqiptare, të kërkojë kontroll mbi financimet e këtyre komuniteteve.
Thelbi i këtij kontrolli do të ishte respektimi i interesit kombëtar nga ana e komuniteteve fetare, diçka jetike për vende të vogla si yni. Komunitetet fetare duhet të respektojnë interesin kombëtar të shtetit ku veprojnë, përndryshe ato shndërrohen në veprues të shteteve të tjera ndonjëherë me interesa të kundërt me të. Biem plotësisht dakord se prona është element kyç i pavarësisë së komuniteteve fetare, i ekzistencës së tyre. Dhe ndërsa komunitetet fetare kërkojnë pavarësi nga shteti ku veprojnë, atëherë ato aq më shumë duhet të jenë të pavarura nga shtete të tjera.
Por nuk është ky rasti i Kishës sonë autoqefale, dhe aq më shumë i kishës së Përmetit, apo i drejtuesve të saj.
Kisha ortodokse autoqefale nuk don ta njohë ligjin e shtetit shqiptar, Kushtetutën e tij dhe kërkon të hyjë në konflikt me shtetin, me shoqërinë kombëtare. Marrëveshja midis shtetit shqiptar dhe komunitetit ortodoks e 2009-s, që nuk është kurrfarë kontrate e plotë, e detajuar për këto marrëdhënie, nuk është tekst referimi pro kishës për Përmetin si bën kryepeshkopi Janullatos. Përkundrazi, neni 21 i saj i njeh të drejtën Përmbarimit të ndërhyjë në vendet e ashtuquajtura të shenjta në zbatim të një vendimi gjykate. Në rastin e Përmetit, Gjykata më e lartë e shtetit shqiptar nuk ia njeh pronën kishës në truallin ku gjendet Pallati i Kulturës, që pastaj asaj t’i lindë e drejta e rikthimit. Por kjo nuk e ka penguar Kishën, që në mungesë të fakteve, me të cilat do ta fitonte betejën në opinionin publik, të bëjë arroganten, të bëjë propagandë përçarëse, të fyejë intelektualët shqiptarë, të provokojë fetë e tjera dhe të pretendojë të vendosë në Shqipëri precedentë të rrezikshëm, që i ilustruam në shkrimin e fundit. Nuk është justifikim për arrogancën e Kishës, arroganca e policisë private apo e Përmbarimit të Përmetit, që është gjithashtu një shërbim privat.
Kreu i Kishës autoqefale pretendon pavarësinë e saj nga shteti shqiptar, por kjo s’e ka penguar të sinkronizohet, të përfaqësojë rregullisht interesat e Greqisë në truallin shqiptar. Për disa prej këtyre rasteve, me sens denoncues flasin indirekt, por qartësisht ama dhe intelektualë që s’janë me origjinë nga fetë e tjera, siç ka dëshirë të propagandojë sistematikisht në veprën e tij përçarëse hirësia e tij Janullatos. Sipas artikullit të një njohësi shumë të mirë të çështjeve greke, si Panajot Barka, në krah të Kishës Ortodokse Shqiptare në rastin e zhvarrimeve monstruoze të Kosinës, të shpronësimit të kishës së Përmetit etj., janë rreshtuar veprimtarë të dyshimtë, me petka fetarë ose jo, të cilët jo vetëm që janë shumë të pasur – sipas tij -, por dhe që janë të lidhur me qarqet jozyrtare greke (?). Kisha Ortodokse nuk ka reaguar publikisht për lidhjen e ngjarjeve të Përmetit apo të ngjarjeve të tjera me bllokimet e shqiptarëve në kufi, që sipas Barkës, janë produkt i këtyre qarqeve dhe jo prej shtetit grek. Këto qarqe jozyrtare greke mund të jenë segmente shoqërore, shërbime sekrete, qarqe ekonomike, kishtare etj. Përtej ndonjë fërkimi me karakter lokal të Barkës me Dulen, dhe pse jo, përplasjes mes dy ndjeshmërive greke që përfaqësojnë në truallin tonë, faktet që sjell Barka janë të pakundërshtueshme dhe ndihmojnë për të shtruar disa pyetje kundrejt Kishës sonë Ortodokse.
Pse Kisha Ortodokse nuk ka guxuar ta afirmojë pavarësinë e vet nga Greqia, por ka qenë vetë Greqia që e ka afirmuar paradoksalisht atë, ashtu siç bëri konsulli grek i Gjirokastrës para disa ditësh?
Nëse do të ishte e pavarur kjo Kishë, pse vallë do të përfshihej konsulli grek në negociata me kryebashkiakun e Përmetit për një zgjidhje të arsyeshme?
Ku i gjen paratë Kisha jonë, që i ofron në ndihmë të ndërtimit të Pallatit të Kulturës së Përmetit gjetkë dhe jo në qendër? Si shpjegohet mungesa e ndjeshmërisë për dy kishat e tjera të Përmetit, që janë gjithashtu me vlera historike, por përqendrim në një kishë qendrore që është tjetërsuar si ndërtim? Apo për të ngritur ndonjë kishë të modelit grek atje?
Si shpjegohet mungesa e ndjeshmërisë (ndaç kishtare, ndaç kulturore, ndaç kombëtare) për restaurime në kisha të vjetra me karakter autentik vendor si ajo e Fjetjes së Hyjëlindëses në Labovë të Kryqit, Voskopojë, kishën e Onufrit në Valsh etj.?
Si shpjegohet që deputetët grekë përdorin krahasimet e sjella nga vetë kryepeshkopi në apologjinë e vet në greqisht për kishën e Përmetit, “për Kuranin në kamion”?
Si ka mundësi që kur Kisha Ortodokse e di se në ngjarjet e Përmetit ka thjesht reagim të autoritetit lokal të atij qyteti, tentohen të përfshihen duke i fajësuar institucionet qendrore shqiptare, që s’kanë asnjë lidhje as me lokalet, as me shërbimet private të Policisë dhe Përmbarimit? Për ta shndërruar çështjen e Përmetit në çështje dypalëshe?
Po nëse Greqia don ta shndërrojë në problem dypalësh çështjen e Përmetit?
Sigurisht, Greqia ka shumë fuqi në arenën ndërkombëtare dhe në atë europiane, në veçanti. Por ka një shikim të ngjarjes së Përmetit në një prizëm ndërkombëtarizues, nga i cili Greqia do të dilte e humbur. Në përpjekjet për të justifikuar ndërhyrjen e vet, zyrtarë të lartë të saj thanë se reagojnë sepse respektimi i të drejtave fetare është një detyrim për integrimin europian të Shqipërisë, dhe jo sepse ata janë tutorë të Kishës sonë Ortodokse autoqefale. Po të dojë Greqia le të luajë rolin e tutorit, por ama ajo duhet të pranojë reciprocitetin në marrëdhëniet midis dy vendeve për pasuritë fetare. Në një rast të tillë midis Greqisë dhe Shqipërisë do të duhej të funksiononte Traktati i miqësisë mes dy vendeve. Sipas këtij traktati, do duheshin ngritur çështjet e mëposhtme.
A i ka kompensuar Greqia komunitetet fetare shqiptare që janë zotëruese pasurish të mëdha deri në vitet ‘60?
Për shembull, Komuniteti Bektashian Shqiptar ka disa teqe të mrekullueshme për të cilat kanë shkruar dhe studiues europianë, grekë, turq etj., mes të cilave ajo e Durballi Sulltanit në Farsala (me vlerë dhjetëra milionë euro), pa përmendur ato në Kavalla, Katerini etj. Për rikthimin e kësaj teqeje madje ka dhe një vendim të Aeropagos-it, Gjykata më e lartë administrative greke, në vitin 1976. Si e ka blerë heshtjen e Komunitetit Bektashian Shqiptar Greqia, dhe pse shteti shqiptar nuk reagon për të kërkuar rikthimin e këtyre pasurive, ku sot madje kryhen fshehtas rite fetare nga emigrantët shqiptarë?
Pse Kisha jonë Ortodokse, pse komuniteti i kishave tona të krishtera apo dhe Komuniteti Mysliman, pse vetë Komuniteti Bektashian nuk e ngrenë zërin publikisht për kthimin e këtyre pasurive që gjenden në territorin grek? Pse këto dy standarde për pasuritë fetare? Apo pse është në fuqi ende Ligji i Luftës? Greqia duhet ta zgjidhë përfundimisht këtë dilemë: nëse nuk është në fuqi Ligji i Luftës mes dy vendeve, atëherë këto prona duhet të kthehen së bashku me ato të qytetarëve shqiptarë, që vlerësohen në miliarda euro.
Pasuritë e komuniteteve fetare janë burimi kryesor i pavarësisë së komuniteteve fetare. Shteti shqiptar duhet t’ua kthejë urgjentisht këto pasuri të gjitha komuniteteve. Në lidhje me to ekzistojnë problematika që mund të majisen rëndë. Por në rast të rikthimit të drejtë të tyre, ama shteti shqiptar duhet të kontrollojë donacionet ndërkombëtare të komuniteteve fetare pa dallim, sepse rreziqet e ndikimit nga qarqe të caktuara jozyrtare nga vendet arabe, Greqia, Turqia, ekzistojnë. Duhet i njëjti standard për të gjitha komunitetet. Nëse shteti shqiptar do ta bënte një gjë të tillë brenda vendit, atëherë do ta kishte gojën e hapur që t’ia kërkonte Greqisë rikthimin e pasurive të këtyre komuniteteve në territorin grek. Dhe atëherë Greqia do matej mirë para se të pretendonte të merrej me çështje të tilla si ajo e Përmetit.
Dhe një shembull vërtet i mirë nga e shkuara për lidhjen midis komunitetit ortodoks dhe pronave të shqiptarëve në formën e një saktësimi dhe për mikun tim, profesor Xhufin. Administrata e Mbretit Zog në vitet ‘20-‘30, sipas një dokumenti të vitit 1941, nuk e la Greqinë ta emëronte kryepeshkopin e Kishës sonë, megjithëse Greqia në këmbim do të kompensonte pasuritë e klasës politike të kohës me vlerë tregu, pasuri që nuk ishin të vogla. Shembujt e mirë gjenden nëse kërkohen dhe në historinë e afërt.