Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të Kosovës prodhoi rezultate aq shumë interesante, sa në mënyrë virtuale mund t’i quash dhe zgjedhje të mençura. Kështu duket prej dikujt që e sheh Kosovën me sytë e Shqipërisë dhe përzgjedh prej tyre, i interpreton ato, sipas kësaj qasjeje për të prodhuar ndonjë përfundim.
Produkti i parë më i rëndësishëm i kësaj optike ishte se shqiptarët e Kosovës, qeveria e tyre, nën një presion të fortë ndërkombëtar, jetësuan një mekanizëm që siguroi zhvillim normal të të gjitha pjesëve të procesit zgjedhor. Jo thjesht votimi, por dhe numërimi apo ankesat po administrohen në mënyrë perfekte. Mobilizimi i një numri prokurorësh që valëvisnin prangat sipas 20 neneve të Kodit Penal për krime zgjedhore, prania strategjike e policisë vendore, qarkullimi i mençur i KFOR-it dhe izolimi i disa figurave të përmendura si ndikues në procesin e manipulimit, prodhoi zgjedhje korrekte, që një vëzhgues autoritativ i quajti me standarde ndërkombëtare. Brenda këtyre standardeve hyn dhe pranimi i rezultatit nga kandidatët në mënyrë shumë të qytetëruar, diçka që s’mund të imagjinohet në Shqipëri. E në një proces kaq korrekt, dhe fituesit politikë të zgjedhjeve ngjajnë të besueshëm.
Rënia e bastioneve
Produkti i dytë i këtyre zgjedhjeve ngjan se është lindja apo afirmimi i fuqishëm i një vetëdije të re, vetëdijes së kosovarit, të një komuniteti të ri politik, pasqyrë e shtetit të ri të Kosovës. Më konkretisht, përkundër parashikimeve që e konsiderojnë Kosovën si një realitet krahinash që kanë shumë ndarje mes vedi, që njësoj dhe përfaqësohen partiakisht, mbi bazën e logjikës regjionale, feudeve partiake, votuesit e Kosovës e thyen këtë paradigmë. Logjika e bastioneve partiake, ndërtuar sipas origjinës së liderëve të partive kryesore ra, për PDK-në, për AAK-në, për LDK-në. Kjo do të thotë se ngjashëm me kombet e stabilizuara dhe qytetarët e Kosovës i panë njëlloj dukuritë negative të qeverisjes, pavarësisht rajonit të prejardhjes. Nëse do të ishim mbështetës të teorisë së kombit kosovar, do mund të thoshim se me këto zgjedhje kombi kosovar po krijohet fuqishëm. Por pa shkuar kaq larg, mund të themi se po kemi shenja të një komuniteti politik me preferenca normale të shpërndara uniform në të gjithë territorin për sjelljen e politikanëve.
Zhbërja e miteve
Në mbështetje të përfundimit të mësipërm, produkt tjetër ishte dhe zhbërja e disa miteve, respektivisht disa prognozave të krijuara nga media apo opinionistë ende të pështjellur me partitë kryesore politike. U rrëzua miti i pathyeshmërisë së kryetarit të LDK-së, njëherazi kryetar i komunës së Prishtinës, pse ai u votuakësh nga brezi i vjetër dhe prishtinasit autoktonë. Votuesi i ri ngjau se ishte përcaktues në humbjen e Isa Mustafës, përkundër besimit se në Kosovë votohet sipas vullnetit të të parit të fisit. Kreut të LDK-së që humbi në Prishtinë, i ngjau njëfarë sindromi i PS-së në zgjedhjet lokale të majit 2012, kur kreu i saj Rama humbi në Tiranë ndërsa rikandidonte për herë të katërt, por ama LDK, njëlloj si PS, fitoi qendrat e tjera më të rëndësishme urbane.
Ky krahasim vlen normalisht duke iu referuar rezultateve zyrtare dhe jo manipulimit ose jo të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. U rrëzua ndërkaq një mit tjetër se AKR e drejtuar nga Behgjet Pacolli do zhdukej fare me këto zgjedhje, ndërsa kandidatët e saj fituan dy komuna nga më të industrializuarat dikur, si Gjakova dhe Mitrovica. Behgjet Pacolli do të ketë rastin të provojë kështu se ka vërtet një vizion realist të zhvillimit ekonomik që prodhon punësim dhe mirëqenie në këtë periudhë të historisë së Kosovës, kur janë provuar gjatë në pushtet sa njerëzit e luftës aq edhe rugovistët. Brenda këtij rezultati të AKR-së të ashtuquajtur surprizë, përveç fitores së Gjakovës nga e para kryetare femër, po komentohet shumë fitorja e Mitrovicës. Ajo u realizua nga një kandidat i panjohur deri dy muaj më parë, si Agim Bahtiri, i cili zhvilloi një fushatë të jashtëzakonshme populiste përqendruar te lufta ndaj varfërisë, tek investimet për krijimin e një numri të madh vendesh pune dhe sulmeve ndaj qeverisjes qendrore të PDK-së. Debati për Mitrovicën që fle mbi pasuritë më të mëdha të rajonit, por paradoksalisht është zona më e varfër e Kosovës, po luhatet midis disa miteve apo realiteteve. A ishte kjo fitore ndëshkim për disa figura të PDK-së, ish-kryeministra dhe ministra, në bastionin historikisht të tyre që karakterizohet nga varfëria e skajshme, emigracioni dramatik dhe përqafimi i një islamizmi të vijës së ashpër?
Apo është rezultat i besimit të ringjallur në vizionin ekonomik të kryetarit të AKR-së, Pacolli, me idetë e tij për rivitalizimin e Trepçës, për një zonë të lirë ekonomike që do të bashkonte Veriun me Jugun e Mitrovicës dhe platforma agroushqimore? Apo është besim te një kandidat populist që afirmon se menaxhon një pjesë të rëndësishme të tregut europian të kërpudhave, dhe që do të instalojë në Mitrovicë dhe në Kosovë investime mbi 100 milionë euro në këtë sektor? Se cila prej këtyre hipotezave është realiste, apo nëse janë të gjitha njëherësh të gjasishme, mbetet të vërtetohet duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2014-s. Ky fuqizim i papritur i AKR-së për shumicën e opinionistëve të induktuar politikisht në Kosovë, ndodhi ndërsa AAK po humb gjithmonë e më shumë terren, pavarësisht daljes së liderit të saj Ramush Haradinaj nga burgu.
Vetëvendosja – luftë për lidership?
Por mes shumë rezultateve të këtyre zgjedhjeve, ato që lidhen me Vetëvendosjen janë gjithashtu interesante. Kjo Lëvizje antisistem, me gjithë kandidatët përgjithësisht të mirë, programeve lokale të paketuara bukur në gjithë Kosovën, arriti të fitonte vetëm në Prishtinë, me rezultate të dobëta në pjesën tjetër. Prej kësaj fitoreje të vetmuar vijmë te vështirësitë e para të përplasjes së teorisë me praktikën ekzekutuese. Fituesi Shpend Ahmeti, i shkolluar shkëlqyeshëm në SHBA me idetë liberale, do ta ketë bukur të vështirë të realizojë premtimet e tij për qeverisjen brenda një konteksti partiak, shoqëror dhe ekonomik të shpallur si të papajtueshëm me vizionin majtist të partisë së tij. Ndërkohë, brenda vështirësive qeverisëse që ia ka prodhuar fitorja e Prishtinës, për Vetëvendosjen po lind një sfidë lidershipi. A do të jetë Shpendi, për të cilin thuhet gjerësisht se është votuar për cilësitë personale dhe jo si i Vetëvendosjes që ka humbur kudo gjetkë, rivali kryesor i Albin Kurtit, në kongresin e ardhshëm?
Gjasat janë reale për disa arsye. Me këtë të kaluar akademike, Shpendi që mori bekimin e ambasadores amerikane për fitoren e tij, rezulton në sytë e mbështetësve të Vetëvendosjes dikushi që e çon partinë në pushtet, duke krijuar shpresë dhe për vende pune, përballë Albin Kurtit, intelektualit të pakompromis edhe me SHBA-të, që e ka të vështirë ta bëjë këtë. Ky është vetëm një supozim, sa kohë që Shpendi nuk është distancuar asnjëherë nga Albini në vijën politike të Lëvizjes, apo në veprimet e ashpra të saj në vitet e fundit. Ama ngjan si e ujdisur me dorë që krejt si papritur për të hapur një valvul shpërthimi për pakënaqësinë popullore nga klasa politike ekzistuese, edhe një parti antisistem si Vetëvendosja do administrojë pushtet në komunën më të madhe të Kosovës nëpërmjet një figure si Shpendi. Ngjan sikur para Vetëvendosjes ekziston tashmë imponuese një dilemë e fortë ekzistenciale. Ose të rreshtohet qartësisht me Perëndimin, i cili etiketohet ashpër jo vetëm në nenin 17 të Statutit të Lëvizjes, duke zgjedhur sjelljet politike perëndimore siç tha ambasadorja amerikane dhe mundësuar ardhjen në pushtet si Shpendi, dhe me Shpendin! Ose do të mbetet e izoluar ndërkombëtarisht duke zhgënjyer përfundimisht votuesin e thjeshtë, që në kushtet e papunësisë masive nuk do votonte më një parti me shanse të vogla për të ardhur në pushtet, madje pa koalicion me askënd!