Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fillimi i një procesi, apo procesesh?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Fillimi i një procesi, apo procesesh?

Sfera publike shqiptare është duke diskutuar pasojat e mundshme të një kallëzimi penal në emër të Arben Imamit, ish-ministër i Mbrojtjes dhe deputet i PD-së. Para se të bëjmë një prognozë të këtyre pasojave, jo thjesht në fatin personal të zotit Imami apo të sistemit tonë politik dhe institucional, ndoshta është me vend të kuptohet se çfarë po ndodh. Së pari të përkufizojmë kontekstin kohor dhe pastaj të hedhim bast mbi pasojat.


Ka një presion të fortë të bashkësisë ndërkombëtare, më konkretisht të Bashkimit Europian, në emër të përshtatjes së vendit për integrim për të hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Sesa lart duhet ngritur hetimi, nuk ka vetëm spekulime. Reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë, kroati Vuljaniç, vendi i të cilit ka arrestuar tashmë një ish- kryeministër, e vuri gishtin te kreu i qeverisjes, duke nënkuptuar Berishën. Në konfirmim të hipotezës konspirativiste se ka një presion ndërkombëtar të drejtuar kah arrestimi i Berishës, ka zëra se në kapitullin politik të negociatave të anëtarësimit në BE kjo gjë saktësohet njëlloj siç e tha Vuljaniçi, i cili për hir të së vërtetës nuk ka kurrfarë peshe në ngrehinën europiane. Duhet të shohim hetime, ndjekje penale për korrupsion të niveleve të larta të qeverisjes, nga Kryeministri e poshtë, thuhet se shkruhet në këtë kapitull, i cili konfirmohet deri diku dhe nga ambasadori Sekui, i cili përdor togfjalëshin “zyrtarë të lartë”. Në kushtet e këtij presioni, afërmendsh që qeverisja e sotme, nëpërmjet institucioneve përgjegjëse të hetimit, të auditimit, do të çojë në dyert e Prokurorisë njerëzit e qeverisjes së vjetër dhe jo të vetët që janë ende rioshë në detyrë. Qeveria e re në një caitnot të vërtetë, (vetëm pak ditë para mbledhjes së ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian që do të vendosë për pranimin e Shqipërisë si kandidate për anëtarësim) i duhet të japë prova të vërteta të këtij vullneti për luftë ndaj korrupsionit. Kështu shpjegohet dalja pikërisht në këtë kohë e lajmit se ministrja e Mbrojtjes ka bërë kallëzim penal ndaj paraardhësit të vet Arben Imami, për shpërdorim detyre në lidhje me pagesat e mediave për programe publicitare në emër të Ushtrisë. Ky lajm, së bashku me hetimin për korrupsion të kryebashkiakut të Vlorës, për të cilin gjithashtu BE ka kushtëzim nominal (procesin ndaj tij e ndjek gjithnjë një njeri i Delegacionit Europian), duket se krijon idenë se kjo qeveri ka vullnetin për ta luftuar korrupsionin majtas dhe djathtas.


Si mund të provohet korrupsioni


Po si mund të provohet korrupsioni me armët e qeverisjes apo të shtetit në përgjithësi? Është pa dyshim nga krimet më të vështira për t’u vërtetuar. Do duhet të provohet marrëveshja midis korruptuesit dhe të korruptuarit, do duhet të vërtetohet shkëmbimi fizik i parave me favorin konkret etj., etj., diçka që pas pilafit, ngjan e pamundur të vërtetohet, veçse nëpërmjet ndonjë dëshmitari të guximshëm, apo pendesës së protagonistëve.  Fillesa e çdo hetimi në kushte të tilla pamundësie është e lidhur kryesisht me punën e institucioneve përgjegjëse të qeverisë, enteve të pavarur dhe jo të Prokurorisë: me kontroll të KLSH-së, të Auditit të brendshëm të qeverisë, nëpërmjet Drejtorisë së Krimit Ekonomik, apo task-forcave që ngrihen në këtë funksion, indicieve që vijnë nga entet për deklarimin e pasurisë etj. Duket i gjetur dhe ndryshimi i pritshëm ligjor për t’ia lënë barrën e provës të provimit të origjinës së pasurisë të dyshuarit për korrupsion, apo konsiderimi i korrupsionit si krim i rëndë, duke e ndjekur penalisht nëpërmjet kësaj qasjeje. Ama gongu i Bashkimit Europian pritet të bjerë shpejt, dhe duhen rezultate. Do duhet kërkuar në veprimtarinë e shkuar të qeverisë, në malin me shkresa dhe vendime që ata kanë lënë, për të gjetur atje fillin e Arianës së korrupsionit. Ndërkaq, korrupsioni i nivelit të lartë është “legjitimuar” me vendime të Këshillit të Ministrave, të cilët janë të pacenueshëm penalisht, duke qenë vendime kolektive. Si të luftohet korrupsioni? Mund të hetohet procedura e ndjekur për këto vendime, mund të shikohen shkelje të ligjit, të cilat nuk janë kuptuar në kohën e duhur as nga opozita dhe as nga institucionet gjegjëse.


Pas këtij kontekstualizimi, kuptohet më mirë “fatkeqësia” e zotit Imami, që i ngjan pak, por vetëm pak ama, fabulës së kaut që zihet dhe do shijë lëmin. Nuk dihet nëse ka apo jo hetim për zotin Berisha, por zoti Imami ngjan se është i pari që ka ngecur në rrjetën e hetimeve që kanë nisur në thuajse të gjithë institucionet ekzekutive për korrupsionin e titullarëve të tyre në qeverinë demokrate të 8 vjetëve. Fakti se mund të ketë probleme personale midis tij dhe zotit Rama, që ka përcaktuar emrin e Imamit si të parin e rrjetës, apo të lëmit që duhet shirë nuk ka kurrfarë rëndësie as nga pikëpamja penale, as nga pikëpamja politike. Rëndësi ka që një proces apo disa procese kundër korrupsionit po vihen në lëvizje.


Problemet e procesit Imami dhe pasojat e tij


Por, ndërkohë, ka një pyetje të rëndësishme: A ka probleme ky proces hëpërhë politik, sepse ai penali s’ka lindur akoma, sa kohë që s’kemi hapin pranues të Prokurorisë?


Sigurisht është problematik nga pikëpamja formale dalja e ministres nga zyra e kreut të qeverisë, ndërsa shpalli lajmin e kallëzimit penal në dëm të zotit Imami pas hetimeve të një grupi ekspertësh. Ndoshta do ishte mirë që ky grup ekspertësh, nëse janë pjesë e Auditit të Brendshëm të qeverisë të shpallte në vetë të parë rezultatet e hetimit. Po ashtu, sipas standardeve perëndimore, ishte e tepruar dalja e kësaj ministreje në Parlament për të folur për rezultatet e hetimit.


Është jokorrekt një qëndrim në Facebook për këtë çështje prej Kryeministrit Rama, i cili duhet të lerë institucionet përgjegjëse të flasin dhe të veprojnë. Kjo do ishte realisht qasje e re e rilindëse, nëse duhet ta themi: kjo është qasja institucionale. Vetëpërmbajtja e tij për të mos folur me zë është korrekte, por për të mbyllur një kapitull të shëmtuar kur Kryeministri bënte dhe kryeprokurorin e kryeprokurorit, Kryeministri duhet të heshtë.


Është problematike dhe mungesa e qartësisë së përbërjes apo autorizimit të grupit të ekspertëve që kanë provuar shkeljen e procedurave prej zotit Imami.


Por, sigurisht këto cene të procesit që sapo ka nisur ndaj zotit Imami s’kanë kurrfarë ngjashmërie me shpalljet e dikurshme të fajësisë në aula politike apo mediatike prej vetë Berishës në rolin e Kryeministrit. Sot ai vazhdon ta bëjë një gjë të tillë, të shpërndajë akuza të tilla penale, madje së bashku me të afërm të vet, por këto shpallje s’janë prej rolit që ka aktualisht. S’janë as prej trimërisë së tij të vjetër, të re, apo koniunkturale. Epoka që ai i ka vënë emrin e vet po cenohet, po goditet me të drejtë apo pa të drejtë, duke kërcënuar dhe atë, njeriun më të fuqishëm të shtetit shqiptar në këto 23 vjet. A do mbetet Imami vetëm pa mbështetje politike, që të shpëtojë kush mund të shpëtojë, apo do promovohet politikisht brenda PD-së? A do të ketë procese më të mëdha sesa ai i Imamit për “dava një milion eurosh” që naivisht përçmohet prej segmentesh të caktuara të opinionit publik, apo kokoshi do katandiset një thelë, kjo mbetet të shihet. Ajo që është e sigurt është se vërtet sistemi politik duhet të ndryshojë rrënjësisht. Këtë s’e bën dot një njeri i vetëm si Kryeministri Rama, dhe s’mund të bëhet as vetëm në shpatullat e Arben Imamit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama