Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Paradokset e post-Lazaratit

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 11 vite më parë

Artur Zheji
Paradokset e post-Lazaratit

Deri më tash ndërhyrja në Lazarat, shpërbërja e kësaj kështjelle imagjinare e vetëshpallur e papushtueshme, nuk mund të quhet ndryshe veçse një sukses.

 

Mund të kishte patur viktima, por ja që kjo gjëmë nuk ndodhi.

 

Mund të ishte ndërprerë operacioni në mes, por dyshja Tahiri dhe Didi nuk shfaqën asnjë tundim për tërheqje.

 

Madje tani që pothuajse mbaroi nënshtrimi i fshatit të pabindur e trim, duket se nuk ishte edhe aq e vështirë.

 

Duket. Tani që thuajse u mbyll, sepse vetëm orë më parë tingëllonte e pamundur. Ndoshta artificialisht, ndoshta realisht. Në pesë-gjashtë ditë mori zgjidhje një aferë që vijon dy dhjetëvjeçarë. Stafi i Ramës mund të zbërthejë me hak, edhe ndonjë shishe shampanjë me këtë rast, pasiqë kreu një aksion, realisht të suksesshëm. Dhe fill mbas një cikli sherrnajash parlamentare për drogën dhe trafikimin e saj. Të cilën opozita konsumoi pa sens mase dhe pa kufi për shumë javë me radhë.

 

Mbas shampanjës dhe mbas një jehone kryekëput pozitive nga Brukseli në Berlin dhe nga Vlora në Shkodër, në fund të muajit vjen edhe Barroso dhe ndoshta përpara tij vjen edhe statusi.

 

I bekuari dhe i përfoluri status. Që të shpëtojmë të gjithë nga ky status, mania kombëtare që na ka ngërthyer tash sa vite, si të ish një dashnore e kristaltë dhe e pambritshme.

 

Dhe tjetër shampanjë po pret në ftohje që të hapet.

 

Sepse muskujt e shtetit dhe muskujt e qeverisë u bënë njësh në Lazarat. Dhe kjo është një plus që do të kujtohet gjatë për qeverinë e re. Qeveri që pas disa pengimesh amatore në çështje të armëve kimike dhe të tjera, hodhi shtat për 7 ditë, sa për të gjithë muajt që ka në moshë të vet, nga shtatori e këtej.

 

Si të thuash, i dirsi mustaku për 7 ditë dhe për 7 net.

 

Në Lazarat. Pa gjakderdhje. Pa britma. Pa lot.

 

Mirëpo mbasi shampanja legjitime të pihet dhe lëvdatat të rreshtin, dikush me laps duhet të mbajë ngutshëm ca shënime.

 

Lazarati, ashtu siç qe, qendër mafiozësh dhe kështjellë e pacenueshme banditësh, ishte njëkohësisht një fabrikë kombëtare që prodhonte para.

 

Jo pak, sepse fuste në qarkullim të arterieve tona hollake financiare, disa qindra e qindra miliona euro. Përmes eksporteve të saja të paligjshme, por të pagueshme me para në dorë. Shumë para në dorë.

 

Që qarkullonin nga ministra e drejtorë, tek shoferë e korrierë, policë e doganierë, si dhe në mijërat e argatëve që punonin stinë mbas stine në atë ishull ku të korrat peshoheshin me ar. Të gjithë këta që përmenda dhe shumë të tjerë mbetur pa cekur, kishin dhe kanë mbrapa familje dhe shumë gojë për t’u ushqyer.

 

Dhe luga antiligjore e Lazaratit nuk do të jetë më e mundshme për t’u dhënë bukë dhe gjellë shumë qejflinjve, por edhe shumë e më shumë nevojtarëve.

 

Paskëtaj, të gjithë mund të mbiquhemi më të ndershëm, por më të varfër dhe më me pak para. Dhe kjo është reale.

 

Tani pa Lazaratin dhe ndoshta me një shfarosje të fushave të kultivimit klandestin të kanabisit, shumë shpejt, në qarkullimin monetar të shqiptarëve do të ndjehet një mungesë e madhe valute, të cilën, pavarësisht korridoreve pisanjose të trafikut nga ku e kish prejardhjen, e riciklonim të gjithë nga pak.

 

Me dije ose pa dije. Me dashje ose pa dashje.

 

Do të sjellë kjo më shumë meritokraci në raportin e deformuar shqiptar të individit me paranë? Sepse deri më tash: ‘kush punon, veten nderon. Por edhe kush rri, një gjë e di. Dhe ha dhe pi, më shumë se ti qyqar, që na nderon kur shumë e shumë punon!’ këndon bejtexhiu sot e kësaj dite.

 

Do të pakësohen kësisoj makinat luksoze me cilindrata të stërmëdha, që një gjermani të mesëm i duhet një jetë për ta planifikuar blerjen, ndërsa këtej nga ne e ngasin çunakë kokëkrisur, që nuk dihet se si i fitojnë kaq shumë të holla në kaq pak kohë?

 

Do të zbrazen shumë kafene, shumë bare dhe restorante, që nuk dihet se kush paguan dhe shpenzon kaq shumë në këtë kohë krize?

 

Do të ngrihet çmimi i marijuanës në Holandën e bukur, që mend çmendet nga turizmi i atyre që e konsumojnë lirisht tymin e bardhë të cigareve të dredhura me gjethe kanabisi? Do të lulëzojnë edhe më 40.000 serat holandeze, që aty prodhojnë bimën magjike, ndonëse kultivimi me ligj është i ndaluar?

 

Mbas fitores morale të shtetit dhe të policisë, sa do të gëzohet ministri i Financave, Shkëlqim Cani, kur të fillojë e të ndjehet efekti financiar i Lazaratit?

 

A do të ketë më shumë financime europiane për këtë sukses moral dhe ligjor që po merr formë në Shqipëri? Apo do të kemi vetëm rrahje entuziaste shpatullash dhe lavde të merituara për qeverinë që rrëfeu zell, vullnet dhe forcë?

 

Janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje.

 

Dhe që për paradoks, përgjigjet, ekonomikisht dhe financiarisht, nuk parashikohen të jenë të gëzueshme dhe optimiste.

 

Anipse shteti korri një fitore organizative, politike dhe morale në Lazarat.

 

Për të mos folur pastaj se ç’do të ndodhë me vetë Lazaratin më pas, si edhe me qindra fushat dhe arat mes pyjeve dhe buzë lumenjve, ku marijuana gëzon shëndet të plotë e që nuk janë prekur ende.

 

Por kjo është një çështje tjetër. Bimët e drogës kanë rrënjë të thella, thonë. E pret këtu dhe fap! Ngre krye në një vend tjetër.

 

Sepse Lazarati nuk është e keqja në vetvete. Është vetëm një nga metaforat e saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama