Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipëria që nuk duam!

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 11 vite më parë

Artur Zheji
Shqipëria që nuk duam!

(Për vrasjen e paralajmëruar të Artan Santos)

 

Jemi tashmë një vend i specializuar tejmase në organizimin e ceremonive mortore për të përcjellë në botën tjetër, në botën e Heshtjes, njerëz të talentuar që dinë shumë gjëra që djegin e që për pasojë duhet të varrosen me çdo kusht.

 

Vrasja e Tan Santos, është një grusht i rëndë për qytetërimin tonë të brishtë dhe mediokër që po përpiqemi tash sa vite të ngremë në këtë truall moçalor ku dergjet shoqëria shqiptare.

 

Është një kthim tjetër mbrapa. I zymtë dhe çnjerëzor.

 

Kafshëror dhe në kufijtë e një diktature de facto.

 

Një diktaturë e kapitalizmit të egër. Të egër deri në vrasje. Vrasje për para, nga vrasës të parapaguar. Kur vritet një bankier, që nuk është dhe nuk duhet të jetë një shenjtor, është njësoj si të vrasësh arbitrin, regjisorin që rregullon tregun, duke u bazuar te kontrata.

 

Sepse një kapitalizëm që bazohet te kontrata dhe nenet e saj, është ajo formë organizimi që kapërcen xhunglën dhe disiplinon instinktet kafshërore të kapitalizmit primitiv, që mbështetet vetëm në fitimin pa kufi dhe me çdo kusht. Në kurriz të të gjithëve dhe kundër të gjithëve. Është pra një vrasje simbolike, që frymëzon anarkinë, shthurjen e rendit ekonomik dhe rrezikon të sotmen e sistemit bankar shqiptar.

 

Duke zëvendësuar kontratat, me pistoletat, vrasjen dhe gjakun. Një alarm pra, tejet më i madh se vrasja e një individi. I dashur apo i urryer qoftë ai.

 

Pistat e vrasjes së Santos janë sa të qarta dhe të dallueshme, aq edhe të fshehura, nga pothuajse pamundësia për të faktuar identitetin e vrasësve që tërhoqën këmbëzën dhe dërguesit e tyre. Sot në festë.

 

Se kush përfiton nga vdekja e bankierit, është padyshim e shkruar dhe e vulosur në kasafortat e Bankës Credins.

 

Por lidhja dhe sidomos provat, ndërmjet përfituesit apo përfituesve, me vrasjen e Santos, kalojnë tashmë nën tokë. Dhe duket se janë të mirëmaskuara dhe të mirëkopsitura.

 

Ekzekutimi në dyert e Bankës, e bën krimin me ngjyra të dallueshme pasionante dhe hakmarrëse gjithashtu. Sepse vrasja, e pra eliminimi fizik është një gjë që mund të kryhej kudo, poshtë shtëpisë, në një restorant, në një kafene. Santo nuk ruhej, ndonëse dëshmitarë të ndryshëm pohojnë se ai e perceptonte rrezikun.

 

Vrasësit pra, mund ta qëllonin kudo dhe në vendin më të përshtatshëm për ta. Për pasojë, ish-blloku ishte padyshim vendi më i rrezikshëm për vrasësit dhe vendi më i mbrojtur për bankierin.

 

Mirëpo me sa nënkuptohet, vrasja, për arkitektët dhe porositësit e saj, duhet të ishte spektakolare. Spektakolare dhe goditëse për sistemin financiar shqiptar. Për kredibilitetin e Republikës së Shqipërisë.

 

Pra porosia ka qenë e qartë: Të vritet aty ku mund ta shohë gjithkush! Dhe gjithkush të tmerrohet paskëtaj!

 

Të vritet pra, pikërisht përpara Bankës që ai vetë kishte themeluar, për të dhënë një mesazh politik, një mesazh force ogurzezë, një mesazh ekonomik, të maskuar me ngjyra të rrejshme mafioze.

 

Kështu pra, ky opinion publik i squllët dhe i gjunjëzuar, pjesë e të cilit ndjehemi, mori në këto orë edhe një poshtërim tjetër kombëtar dhe kafshëror.

 

Pa më të voglën habi, vura re se në qokën e gjatë mortore kishte një dyndje të mizërishme njerëzish. Kryesisht pa interesa. Pasiqë një bankier i vdekur, përveç të interesuarve që e vranë, nuk të ndihmon dot më.

 

Ishte pra, një protestë e heshtur e elitës së fyer shqiptare, që ishte vënë në rresht për t’i dhënë lamtumirën e fundit deles së therur, pjesë e së njëjtës kope.

 

E lexuat mirë. Pashë në ceremonial njerëz të veshur mirë e me sqimë. Të kamur dhe të kulturuar. Por pjesë e një kopeje të heshtur delesh kokë ulura, që dy banditë me atlete, në mes të tangërllëkut të pasanikëve të rinj shqiptarë, në ish-bllok, aktualisht Blloku i milionerëve, që dy banditë pra, e çnderuan me plumba dhe dhunë barbare.

 

Asnjë protestë. Por vetëm nënshtrim.

 

Asnjë akuzë. Por vetëm një katrahurë psikike. Dhe më pas, bashkimi në kopenë e mërmërimave nën zë. Që të rrënqethin për nga dimensioni i dyshimeve. Por mezi dëgjohen. Sepse kopeja e atyre që ngrenë supet dhe mërmërijnë është aleatja më e fortë e këtij krimi politiko-ekonomik, që zhbën çdo shpresë se mund të jetohet normalisht në këtë Shqipëri të copëtuar.

 

Në atë ceremonial pashë dhe perceptova kaq shumë frikë, sa mend më zuri frika edhe mua që t’i shkruaj këto radhë dhe që frikën e cilësoj pa komplekse, si pjesë të mençurisë.

 

Ceremoniali madhështor dhe zotnillëku i ngushëllonjësve të panumërt, aq sa impresionues është, po aq edhe të kall datën. Pasiqë këto varrimet madhështore, tanimë të përsëritura, sikur dëshmojnë për një mbyllje të ciklit. Një bindje e rrënjosur që vrasësit fizikë dhe arkitektët e vrasjes nuk do të kapen kurrë.

 

Sepse ndoshta janë të maskuar, si njeri prej nesh dhe midis nesh.

 

Sepse janë më të fortë se ligji ose e kanë kapur atë.

 

Dhe kjo joshpresë, e bën gati të pamundur jetën normale në këtë moçal social.

 

Sepse jetojmë në kufijtë e neverisë së thellë, ku Antishteti kapardiset dhe Shteti ndan para dhe pushtet me të.

 

Kalofsh sa më mirë në botën e shumëpopulluar të Heshtjes, Tan.

 

Vrasësit do të të mbërrijnë një ditë edhe aty. Jepu një dorë kur të vijnë. Do të kenë shumë nevojë për ngushëllimin dhe ndërmjetësinë tënde, që të lehtësohen disi nga pesha e ferrit.

 

Për këtë jam shumë i sigurt. Pavarësisht se jetojmë në një vend thelbësisht ateist, që thuajse ka vrarë veten, mbasi që ka vrarë Zotin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama