Ajo që po ndodh këto ditë në Maqedoni, është padyshim e paralajmëruar. Shqiptarët aty kanë një akumulim të përditshëm dhe shumë e shumëvjeçar për gjëra që nuk shkojnë dhe për betejat e barazisë që humben dita-ditës. Në radhë të parë për fajin tonë, si shqiptarë. Në Shkup, Tetovë, Prishtinë apo Tiranë. Vogëlsia ekstreme dhe egoizmi pa kufi që karakterizon përgjithësisht klasat politike që prodhojmë dhe mbajmë në këmbë. Sepse nuk di të kemi ndonjëherë vëmendjen e duhur për ndonjë interpelancë parlamentare që nuk lidhet me luftën politike mes palëve. Për situatën e shqiptarëve që kanë status konstituent në Maqedoni, për shembull, nuk mbaj mend të ketë patur ndonjë debat apo diskutim që të tërheqë vëmendjen, ndonëse një shtet serioz do të duhet ta bënte. Sepse jetojnë 600-800.000 shqiptarë autoktonë në këtë Republikë, të vogël dhe njëkohësisht fodulle dhe arrogante
Do të mjaftonte deklarata e Gruevskit që në replikë me Ramën, kërkon të krahasojë situatën e shqiptarëve me atë të dy-tre fshatrave bullgarë rreth Prespës në Shqipëri, për të kuptuar se sa ngushtë dhe me sa arrogancë nacionaliste është e përbërë optika politike e kësaj qeverie maqedonase.
Disa kohë më parë kam shkruar gjatë në lidhje me diktaturën arkitektonike të Gruevskit, mbi shfytyrimin artificial të Shkupit. Një provokacion real. Në radhë të parë ndaj shqiptarëve. Ajo që po ndodh këto orë dramatike në Maqedoni, nuk e ka rrënjën te vendimi i një gjykate, i cili mund të jetë edhe i arsyetuar, por te pabarazia e thellë ndër etnike.
Në këtë kontekst gjykova si të arsyeshme të rikthej në vëmendjen e lexuesit disa radhë në lidhje me një nga elementët e diktaturës shumëvjeçare ndaj shqiptarëve aty. Diktaturën arkitektonike.
+++++
Diktatura arkitektonike e Gruevskit – Janar 2014
Në të vërtetë, nuk di të ketë në Europë një projekt të këtyre përmasave dhe që ka si qëllim rindërtimin e historisë së një vendi përmes arkitekturës, monumenteve dhe objekteve masive të kultit.
Një vend i vogël, që duket se kërkon me të gjitha energjitë dhe burimet e veta natyrore e financiare, të bëjë një revolucion identitar të një tipi të ri dhe të pasprovuar kurrë më parë në këto 60 vitet e fundit.
Deri këtu, përpjekja ‘titanike’ e Gruevskit dhe e maqedonasve që e pasojnë me një zell të dukshëm, është padyshim mallëngjyese. Maqedonia e sotme duket se përjeton thellë e deri në themel psikozën e një konspiracioni ndërkombëtar të fqinjëve me dhëmbë të mprehtë, si Greqia, Bullgaria dhe Shqipëria…
Dhe kërkon shpëtim pikërisht aty, në pikën e saj më të dobët: Identitetin Historik.
Sepse gjuha maqedonase, për shembull (dhe ky nuk është ndonjë zbulim), është praktikisht një gjuhë krejt bullgare me disa ‘barbarizma’ periferike serbo-kroate. Është një e dhënë historike gjithashtu e njohur, se pikërisht për këtë veçori jo të rastësishme gjuhësore dhe jo vetëm, si edhe pretendimet historike të Mbretërisë së Bullgarisë për këto treva të konsideruara bullgare, u shndërruan edhe në një nga shkaqet e Luftës së Dytë Ballkanike. Ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë, e më pas, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë, të cilat shqyen territoret e atëhershme bullgare, në një luftë të shkurtër dhe të përgjakshme. Bashkëjetesa e Maqedonisë së sotme, me Mbretërinë Jugosllave e më pas me Republikën Federative të Jugosllavisë, të cilët kishin interes të shpiknin kombin sllavo-maqedonas, për të larguar sa më shumë asociacionet me identitetin bullgar të kësaj treve, krijoi farën e një shteti të ri, i cili mbas Kosovës, është shteti më i ri europian, me vetëm 23 vite pavarësi.
Pikërisht për këtë, shumë gjëra që ndodhin në këtë shtet të ri, i cili konsiderohet ende si një shtet me një ekuilibër sizmik ndërnacional të paqëndrueshëm, (mjaftojnë të kujtojmë se ky shtet u lëkund si ashkël nga operacionet ushtarake të viteve 2000-2001, të udhëhequra nga UÇK-ja e Ali Ahmetit), vlerësohen nga bashkësia ndërkombëtare, si gjestualitete foshnjore të një Republike fëminore.
Të një shteti pra, që dukshëm po vrapon drejt pubertetit dhe kësisoj mbetet i paorientuar sa duhet. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian duket se gjykon se integrimi në Europë është çelësi që do të zgjidhë brenda standardeve të shumtën e problemeve ndëretnike të kësaj Republike, kryesisht me shqiptarët dhe shumë marrëdhënie mbetur pezull me fqinjët, pikësëpari me Greqinë.
Por gjithashtu, përtej fjalëve dhe retorikës, askush nuk garanton dot që në ndërkohë Europa e Bashkuar t’u shtojë drynjve të tashëm, të tjerë drynj në dyert e saj të jashtme.
Dhe këto vende pra rrezikojnë të ngelen si dele të humbura në oborrin e prasmë të ‘Kështjellës së Madhe’ të Bashkimit Europian, për një kohë të papërcaktuar.
Me sa duket, Kryeministri aktual maqedonas, me një background politik të shkollës ‘patriotiko-nacionaliste’ nga më radikalet, VMRO-DPMNE, rithemeluar së fundmi në vitet ’90 nga Ljupco Georgevski, mbasi ka hequr dorë nga integrimi me Bullgarinë, doktrinë kjo fillestare e partisë së tij të origjinës, por jo më e partisë së tij të sotme, ka vendosur të themelojë një ‘dinasti’ të re politike, kulturore dhe etike.
Për një Maqedoni të pastër dhe të maqedonasve. Kështu lexohet në kodet semiologjike që përçojnë monumentet dhe apostrofimi i ri identitar që është sot e shprehur masivisht në këtë arkitekturë të re, ngritur mbi një histori të re, që kërkon të imponohet me gurë, mermer dhe harqe triumfi për beteja të panjohura nga historia klasike.
Ndonëse duket si një sipërmarrje donkishoteske dhe Gruevski është shumë i ironizuar për këtë, ai, në të vërtetë po realizon një provokim real dhe të paprecedent, duke përdorur masivisht monumentet, harqet e triumfit, skulpturat kolosale, muralet dhe panteonin e Etërve të Maqedonisë, jo thjesht si fasadë, por si themel të një Republike të Re.
E cila është simbas tij, nga A-ja te ZH-ja, vetëm maqedonase dhe vetëm sllave, përfshi këtu vetë Aleksandrin e Madh, i cili gjindet i rrethuar nga hajdukët apo komitët e shekullit të XVIII, me Metodin dhe Cirilin, të derdhur në qindra e qindra miliona euro që shpenzohen hareshëm nga taksat e Republikës maqedonase, me salltanete të thekshme mermeri monarkist.
Duhet thënë se në të vetën, e pra në qëllimin e tij politik dhe ‘historik’, Gruevski nuk është sharlatan në bëmat e tija, përkundrazi, është padyshim ‘gjenial’ në gjetjen e tij, në guximin e kushtueshëm që po merr formë dhe po hedh shtat përpara syve të të gjithëve.
Kur sheh, në Republikën e Shqipërisë, ngrehinat tona minore arkitektonike të këtyre 23 viteve të fundit dhe shkatërrimin e atyre pak gjërave thelbësisht autentike që trashëguam, kupton mjerimin që peshon këtej kufirit që na ndan. Por kjo është një çështje tjetër.
Shqiptarët në Maqedoni janë zyrtarisht mbi 25 % në regjistrimin e vitit 2002, në të vërtetë të gjithë e dimë që janë shumë më tepër. Ata janë njëkohësisht edhe taksapagues, e për pasojë edhe bashkëfinancues të drejtpërdrejtë të ‘diktaturës arkitektonike’ të Gruevskit, që u mohon atyre, shqiptarëve pra, qoftë edhe një tullë të vetme në ngrehinën e kësaj ‘ushtrie’ monumentesh. Të cilat janë ngritur të dëshmojnë për gjëra dhe fakte që kanë pak, apo aspak lidhje me të vërtetën historike maqedonase si të tillë.
De facto, Gruevski me këtë projekt e ka ndarë kryeqytetin, Shkupin, edhe më tej dhe edhe më thellë në dy pjesë:
Në pjesën osmane, të godinave osmane pra dhe të minareve të xhamive të vjetra dhe të reja, me gurë të gdhendur apo qerpiç dhe pa kurrfarë urbanistikë europiane.
Dhe në pjesën e Epërme, në anën tjetër të lumit Vardar, Shkupin Aleksandrin, perandorak dhe neoklasicist. Kuptohet, me urbanistikë dhe sistem oksidental deri në xhelozi dhe detaje të kushtueshme.
Kjo ndarje krijon një supremaci elokuente. Porse kjo elokuencë është njëkohësisht tejet e rrezikshme. Ka diçka të ngjashme në këtë ‘elokuencë’ të fabrikimit të monumenteve, që të kujton Kosovën, ku dhe dihet që shumë manastire ortodokse janë rindërtuar këto dy shekujt e fundit, mbi themele të kishave katolike, besim mjaft i përhapur nga shqiptarët, përpara islamizimit të tyre. Por edhe kjo është një histori tjetër.
Marrëveshja e Ohrit, sot me moshë 13-vjeçare, ka mbetur në pothuajse 2/3 e saj e paplotësuar dhe e parespektuar. Shumë pika apo nene që duheshin realizuar, i kanë tejkaluar afatet kohore, për të mos thënë që duken të harruara. Grindjet dhe ‘lufta’ ndërshqiptare për pushtet, është, mjerisht në Maqedoni si dhe kudo ndër ne, më së shumti grindje interesash politike për pushtet.
Interesat themelore kombëtare, si pasojë e kësaj grindjeje të ashpër, kanë mbetur në plan retorik, duke krijuar një terren të ‘mrekullueshëm’, për ‘doktrinën Gruevski’, që realisht i shndërron shqiptarët, në masën e tyre të gjerë dhe me pak përjashtime, në një dukuri më së shumti rurale sesa qytetare. Shqiptarët duken të vetizoluar në Tetovë, Gostivar apo Kërçovë dhe duket sikur ‘shkëlqimi’ europianist i Shkupit, sot më vezullues se kurrë, i komplekson. Mirëpo ky ‘kompleks’ është krejt në të kundërt të historisë reale të shqiptarëve. Të historisë së tyre të vjetër apo moderne.
Të përqendruar në betejën e votës, që bëhet një betejë gjithmonë e më e ashpër, për shkak të dasive gjithmonë e më të ashpra ndërmjet partisë së Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, liderët shqiptarë të atjeshëm pra, janë përqendruar më së shumti në terren. Në fshatrat dhe lagjet, ku prej dhjetëra ose qindra vitesh shqiptarët janë shtyrë dhe shtrënguar të jetojnë që në kohën e Mbretërisë Jugosllave. Duke zbrazur dhunshëm asokohe qendrat urbane të Shkupit, Ohrit apo Manastirit për shembull, si pasojë e disa programeve dhe spastrimeve etnike antishqiptare historikisht të dokumentuara.
Këto ‘zbrazje’ të dhunshme dhe të paraprogramuara të qendrave më të rëndësishme urbane, të cilat u rimbushën fill më pas me një logjikë të qëllimshme asimiluese, me sllavo-maqedonas të fshatrave më lindore të ish-provincës, së ish-Mbretërisë Jugosllave, mbeten sot të ngrira në të njëjtat pozicione.
Në një lloj kuptimi, kjo që po bën sot Gruevski, është vazhdim me mjete të tjera i ‘pushtimit historik’ të kryeqendrës urbane të kryeqytetit, me një histori të ‘Re’, por kësaj radhe, me ushtarë, gjeneralë, komitë, mbretër dhe perandorë të gurtë dhe monumentalë.
Dhe, edhe kësaj radhe, pa shqiptarët etnikë dhe historikë në themelet apo qoftë edhe në tullat e mureve të saja.
Një ‘spastrim de facto etnik’ kulturor, etnografik, gjuhësor dhe historik i mirëfilltë. Të paktën në tendencën e vet substanciale. Derisa edhe Nënë Terezën që nuk e shndërruan dot në maqedonase sllave, e kanë lënë thjesht një xhuxhe, ndonëse madhështia e saj, në qytetërimin e sotshëm perëndimor është shumë më e ndritshme, se kalorësit hajdukë bullgaro-maqedonas. Nënë Tereza, gjithkush e di në botë, ka një madhështi të pabujshme dhe njëkohësisht superiore në raport me ‘heronjtë’ ruralë kryengritjesh të panjohura. Kryengritje, apo bëma dhe gjëma, të rishkruara për qëllime të pastërta të retorikës politike të kohës sotme me qëllim krijimin jo pa sukses të frymës së etnisë superiore.
Sllave–maqedonase, kuptohet.
Ndërkohë që partitë shqiptare fyhen dhe përgjaken elektoralisht ndaj njëri-tjetrit, nuk kanë krijuar ende një gjykim apo qëndrim bindës për këtë falsifikim kolosal që konsumohet krejt pranë godinave të qeverisë apo parlamentit ku ata punojnë përditë.
Sepse besoj ia vlen të shqetësohesh në lidhje me atë që po ndodh me kryeqytetin e tyre, me qeverinë e tyre, me taksat e tyre dhe me historinë e tyre autoktone. Autoktone së paku 10 shekuj më të hershëm se të ardhurit sllavë në Ballkan, që ngrenë sot statuja ‘heronjsh historikë’ të adoptuar, por që datojnë së paku 1000 vite më parë se mbërritja e sllavëve në Ballkan.
Liderët shqiptarë që votohen në Maqedoni, është besoj koha që të lënë pas sharjet monstruoze ndërmjet tyre.
Sepse monstrat e një historie të falsifikuar u janë ndërtuar në mes të Kryeqytetit.
Të mermerta dhe të shtrenjta.
Dhe përgjithësisht të hirshme dhe absolutisht arrogante!
Nuk do të doja që një ditë të thuhet sërish për shqiptarët se:
Ata dinë të fitojnë Luftën, por si gjithmonë humbasin Paqen.