Nuk jam aspak ekspert në çështjen e miellrave dhe as i çështjeve të ndërlikuara që lidhen me to. Por kur kqyra e gati u habita se çfarë mund të mbijë nga mielli, anipse nuk është më grurë, e pra sprovë e një pene të fortë si ajo e Batonit, u riktheva të kuptoj më thellë. Polemika nuk është e thjeshtë si gjini në vetvete, e aq më tepër që unë e praktikoj atë kaq rrallë. Aq më tepër me Batonin, koleg i ngrohtë dhe jetëgjatë në njohjen reciproke.
Sepse Batonin e kam më shumë se sa të njohur dhe hera-herës edhe mik të vyer. Pavarësisht mungesës së frekuentimeve konstante, Batoni mbetet padyshim për mua, edhe pa qenë nevoja që të më shkëmbehet, një debolesë njerëzore e kahershme. Kryesisht në kohërat e para të Rezistencës së Kosovës dhe më tej, pa ndërprerje përgjatë Luftës. Apo kur e gdhinim ndër depresione gati të pangushëllueshme klubeve të Tetovës. Apo mbas gëzimit të thellë që lajmi i rremë i vrasjes së tij të pavërtetë u përgënjeshtrua. Po i shkruaj këto, sepse u këshillova gjatë me veten përpara se të hedh ca mendime në lidhje me Luftën e saposhpallur të Miellit, që u shndërrua përmes letrës elokuente të Batonit, në një provokim të padobishëm Kosovë-Shqipëri. Provokime të cilat më sëmbojnë, sepse jam një nga ata që kam mbjellë qoftë edhe një pemë në pyllin e shkrumbuar, që dikur ish-Kosova, në moskulturën historike të më të shumtëve të shqiptarëve të Shqipërisë së para viteve ’90.
Pa dyshim të gjithë kemi mëkatet tona. Sa herë që shkruaj, mundohem të shkruaj edhe si mëkatar. Ose si pjesa më pak e keqe e të Këqijave të Mëdha, që në mënyrë ciklike pllakosin Kombin tonë. Nuk shkruaj dot si ca e ca, që ngjyejnë penën e tyre me arrogancë, në të vërtetën absolute, që kinse buron nga morali i tyre absolut. Sepse nuk besoj që mbi Tokë, ky pra, Morali Absolut, mundet të mbijë e të hedhë shtat, si t’i kishte rrënjët në Parajsë. Sepse rrënjët e çdo gjëje që mbin mbi tokë, janë nën tokë, dhe toka është ashtu si është. Pjellore dhe mëkatare. Si banorë të kësaj toke edhe ne pra, që shkruajmë e botojmë, jemi njësoj pjellorë dhe mëkatarë si toka që na mban. As më shumë e as më pak.
Si dhe e thashë në krye të herës, në çështje të miellit nuk jam ekspert, andaj nuk dua të hyj në polemikë me Batonin, në këtë segment të letrës së tij të hapur për Edin dhe Ilirin, respektivisht Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit.
Pjesa që më preku dhe që merr çuditërisht shkas nga mielli me proteina të varfra të kompanisë “X”, e cila ka meritën e thjeshtë, që blen grurë dhe e bluan në miell, e më pas e tregton në furrxhinjtë Shqiptarë, pjesa që më preku pra, është se mielli i bllokuar, nga ministri modest dhe fjalëpakë Panariti, ishte për Batonin, pika që derdhka një kupë plot e përplot me helm në marrëdhëniet midis dy shteteve. Apo si i mbiquaj unë në fjalorin tim: ndërmjet shqiptaroveriorëve dhe shqiptarojugorëve.
Dhe jo vetëm kaq, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet dy elitave shqiptarotironse dhe shqiptaroprishtinase.
Në këtë pikë pra, ajo pikë që u derdh nga kupa e tejmbushur me vrer, që nuk e kisha parë askund falë ndoshta verbërisë sime, ndërsa Batoni ia vuante ekzistencën, sikur më ra edhe mua në kokë.
E nxehtë, e helmuar dhe përvëluese.
Unë e kam jetuar Tiranën e para viteve ’90 më shumë se Batoni dhe me një ndjeshmëri të veçantë. Sepse jam rritur me një gjyshe gjakovare, që ishte, sabah e aksham në monologët e saj epikë, veç Kosovë e lot. Edhe nëna ime, Besa Imami, 100% gjakovare edhe ajo, më linte përshtypjen që në fëmijëri, se pengun apo mitin e Kosovës e mbartte si një mision të përjetshëm.
Im atë, Petro Zheji, toskë 100%, zagorito-gjirokastrit dhe një i krishterë i thekur dhe po aq shqiptarofil i pandreqshëm, ishte dhe është një flakërimë e gjallë e kultit të krenarisë veriore dhe i gegnishtes, si forma më arkaike dhe më e vjetër pra, e shqipes së thellë dhe të pacenuar në shekuj. Mbrujtur ndoshta me tepri në atë që sot, në sintaksën cinike bashkëkohore mund të mbiquhet si një mitizim primitiv, për nocionin e kombit dhe të atdheut dhe sidomos të Rrënjëve tona të stërlashta, jam nga ata, që edhe Batoni me fisnikëri e kujtoi para ca kohësh, që kam besuar deri në marrëzi se, Pavarësia e Kosovës do të ishte edhe çlirimi i vërtetë i Shqipërisë së Përkohshme të vitit 1912.
Një Shqipëri e përçudnuar dhe e dominuar nga influencat sllave dhe kukullat e tyre të shumta në Tiranë, me bosht nga Beogradi deri në Moskë, si një parakusht që të mbahej e burgosur përjetësisht Kosova. Dhe që Shqipëria të mos ishte, kësisoj asnjëherë prapavijë e Çlirimit të saj të dikurshëm.
Ndoshta Lufta e Miellit nuk duhej marrë kaq seriozisht, sa edhe po përkushtohem në këto radhë, porse, është pothuajse një jetë e jetuar me gati fanatizëm për ato çka Batoni shkruan në pjesën e dytë të letrës së tij, e cila merr ngjyra realisht dramatike nëse konstatimi është i vërtetë.
Por nga ana tjetër gjykoj se është pikërisht Batoni, në aktivitetin dhe në praninë e tij, si askush tjetër në mediat e Tiranës, që e përgënjeshtron refuzimin e madh, që simbas tij, është një Refuzim Burimor dhe Kulturor dhe që gurgullon nga Tirana, kundër Prishtinasve. Mirëpo askush nga Shqipëria nuk e ka gëzuar dot ende në Prishtinë atë status që Batoni ka në Tiranë.
Sigurisht për meritë të tij, por edhe për meritë të kulturës së pranimit, të cilën Tirana e “Shqipërisë Jugore” ka ndaj një intelektuali të cilësuar të “Shqipërisë Veriore”. Askush dhe askurrë nuk e ka demonizuar Batonin, kur dërrmonte Nanon, Berishën, Bashën, në editimet e tij në tv, apo kur së fundmi ngrinte piedestale konceptuale për Ramën dhe gëzonte politikisht për bashkimin e tij paraelektoral me Ilir Metën. Ishte mendimi i tij i lirë dhe si i tillë, askush dhe asnjëherë nuk e ka paragjykuar, e aq më tepër refuzuar, si shqiptaroprishtinas, të cilit i refuzohet kjo e drejtë.
Por Tirana e 1001 mëkateve dhe 1001 telasheve, i don Batonit dhe të tjerëve, Fjalën dhe jo Fyerjen!
Nëse ti mendon se Tirana qëndron në shumëçka, si edhe në çështjen e miellit të refuzuar, më poshtë se Prishtina, këtë mund ta rendisësh pa mllefin ndezës, që na ndan e na largon më shumë se ç’jemi ndarë në këto shekuj nga të tretët. Sepse në letrën tënde ke hedhur, me apo pa dashje, fillesat e një doktrine aspak të shëndetshme e që na kthen pas.
Ke hedhur pra, katin e parë të një argumenti që nxit bajraktarizmin shqiptaroverior për një pavarësi dhe një mëvetësi xheloze të Kosovës edhe ndaj Shqipërisë, sepse, ashtu si lexohet ndërmjet rreshtave, më mirë vetëm, sesa të poshtëruar nga shqiptarojugorët e Tiranës.
Doktrinë kjo që u leverdis partive politike, në të dy krahët e kufirit tonë artificial dhe antihistorik. Partive tona politike, Bashkimi, që të gjithë e dimë se është çështje kohe, do t’u prishë padyshim ekuilibrat e pushteteve.
Të shpresojmë Baton se kjo është një shije kalimtare dhe krejt emocionale. Dhe se kupa e helmuar ndërmjet dy Krahinave tona është një kupë e paqenë.
Për aq sa jam banor që nga lindja e këtij qyteti, për aq sa koleg i angazhuar, uroj që të lexosh më shumë dhimbje sesa sfidë në këto fjalë që po të shkruaj haptas.
Dhimbje për ca Pragje, që sido që të jetë, mendoj se është zymtake të kapërcehen dhe aq më tepër të përligjen në parashtresa logjike, si ajo që lexova në letrën tënde.
Sepse ti e di po aq mirë sa edhe unë, përtej cinizmit intelektual ose pseudo të tillë, të mjaft prej kolegëve tanë, këto Pragje janë ngritur mbi ëndrra romantike, naive dhe të pastërta. E më pas, kanë përfund mijëra varre. Që mbeten më të shenjta se bëmat e shokëve të tyre të mbijetuar.
Për Dashurinë ndërmjet nesh si shqiptarë. Një dashuri e ndaluar dhe e pushkatuar për shumë vite.
Konsideroje pra edhe këtë shkrim, si një bisedë të kohërave të vjetra tashmë te ish-Bari B52 i Tetovës, kur dëgjonim krismat e bombardimeve shpëtimtare të NATO-s dhe merrnim shënim lajmet e viktimave të panumërta.
Në emër të një Ure, që ti, ndoshta edhe unë, jemi përpjekur të ngremë, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
Sidomos për një Urë Shpirtërore, ende pa këmbët e duhura në themelet e veta. Gjë të cilën, pavarësisht qysh e tek, edhe ti e dëshmon, me ose pa dashje në letrën tënde.
Pavarësisht pikënisjes, tejet lëndore dhe le të themi burokratike dhe që nuk përputhet me stilin e mëtejshëm të konkluzioneve të tua, në lidhje me marrëdhëniet e shprishura tashmë, Shqipëri-Kosovë. Simbas meje, një panoramë kjo e pasaktë.
Pavarësisht përsosmërisë së munguar.