Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rama i kercenuar

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 11 vite më parë

Artur Zheji
Rama i kercenuar

Protesta e datës 22 nëntor ishte padyshim një protestë masive, përtej çdo parashikimi të atyre që e organizuan dhe atyre që nuk e besonin një masivitet të tillë. E pakrahasueshme pra, me protestat e dështuara disa herë rresht më parë nga ana e Opozitës.

 

Çfarë ka ndryshuar? Çfarë është lëkundur në besimin e shqiptarëve ndaj Kryeministrit? Çfarë ka ndryshuar në mosbesimin e deridjeshëm të opozitarëve të thjeshtë, në rëndësinë e protestave? Shoqëria po shpreh kështu dhimbje ndaj reformave apo frikë për radikalizimin e tyre, që shkon përherë e më thellë dhe pesha e të cilave bie në shpatullat e njeriut të vogël?

 

Le të marrim tri raste tip, në përpjekjen për të bërë të qartë për të arsyeshmit e këtij vendi që përdorin peshore dhe jo pisqolla në përfundimet e tyre.

 

Punësimi. Një fjalë apo koncept kyç, që ndeshet sot në të gjitha fjalimet apo programet e liderëve botërorë dhe në vendet 100 herë më të zhvilluara sesa i yni. Nga ish-Opozita, sot në pushtet, janë premtuar 300.000 vende të reja pune. Shumë. Ndoshta thelbësisht të pamundura në një periudhë krize, botërisht të pranuar.

 

Por çfarë do të thotë “Punë” në Shqipëri? Do të thotë të punosh në administratë, apo të punosh në një strukturë biznesi privat. Ndërsa pjesa më e madhe krijon një vetëpunësim të përditshëm, duke ofruar shërbime, trafiqe të vogla dhe apo të mëdha, në kurriz të ligjit dhe të të tjerëve. Në të tria këto raste ka diçka të rëndësishme që nuk shkon sot, në krahasim me dje.

 

Në administratë kemi një situatë të diskutueshme. Mbas spastrimeve apo zëvendësimeve fillestare, Qeveria bëri një tërheqje të ndjeshme. Sot në administratë bashkëpunojnë emërtesa të përziera, por sidoqoftë ende larg kritereve meritokratike të mirëfillta. Që do të thotë, në këtë pjesë të tortës së punësimit, simpatizantët e ish-qeverisë janë ende një shumicë dhe kjo është idealisht perfekte.

 

Por, a është e mundur në një shoqëri të tipit të ri, që të gjithë duam të kemi, “nëpunësia” e djathtë apo ajo e “majtë”, të mos “konspirojnë” dhe të mos “flirtojnë” me partitë e tyre, në dëm të punëve të përgjithshme të shtetit? Përderisa të mungojnë kontratat e forta dhe garantiste dhe përderisa Gjykatat të kenë pushtetin Sovran, për të zhbërë vendimet e drejtorëve politikë që kanë pushuar e pushojnë politikisht nga puna vartësit e tyre, në administratë paqe nuk do të ketë. Dhe përderisa do të kemi ca sindikata të kalbura moralisht, por të majmura ekonomikisht, mbrojtja e punës dhe e së drejtës meritokratike të punësimit do të jetë thjesht një përrallë.

 

Në atë që quhet sektori privat, masat e deritashme të qeverisë Rama kanë qenë më shumë shtrënguese sesa favorizuese. Një pjesën e vet dërmuese, bizneset shqiptare kanë lulëzuar në tri forma:

 

Si evazorë të mëdhenj fiskalë, e thënë popullorçe, si mospagues të rregullt taksash por pagues të përpiktë zarfash.

Si përvetësues tokash, banesash, trotuaresh dhe hapësirash të përbashkëta, mbi të cilat kanë ngritur shërbime ku gëlojnë punëtorët e krahut, apo kamerierët dhe banakierët.

Si të licencuar të favorizuar deri në vjedhje, në privatizime grabitqare dhe shumë e shumë herë nën vlerën e tregut. Duke bërë ortakë realë në biznese të tilla, aktorë të rëndësishëm të politikës. Këto biznese, të formës kërpudhë, pra pa rrënjë dhe të ushqyera nga trungu i shtetit dhe jo i tregut, jetojnë duke marrë dhe jo duke dhënë produkt real në treg.

Në të tria këto forma biznesi, që siguron njëfarëlloj punësimi masiv por të pakualifikuar, ka rënë rrufeja. Presioni fiskal është rritur në forcën e vet përthithëse, edhe taksat gjithashtu. Shkatërrimet masive të abuzivizmit, duke u nisur nga ana ligjore, por edhe qoftë nga kritere estetike, kanë prishur shumë vatra të tjera punësimi në mënyrë të tërthortë. Ndërsa bizneset kërpudha, shohin, me disa përjashtime, tharjen e limfës së shtetit si ushqim parësor të tyre. Bizneset e shëndetshme, të cilat mjerisht mbeten në minorancë dhe të persekutuara nga konkurrenca e pandershme e 3 kategorive të para, që mbështeten te tregu dhe janë ligjërisht korrekte në pothuajse të gjitha parametrat e tyre, vuajnë edhe ato klimën e ftohtë të krizës dhe pakësimin e parasë në qarkullim. Sepse pas reformave të tilla të ashpra dhe në front të gjerë, paraja “fshihet”. Dhe, nëse ishte e vërtetë që vetëm Lazarati xhironte minimalisht 500 milionë euro në vit, për një treg mjeran si tregu shqiptar, janë realisht shumë para të munguara dhe mijëra vende pune më pak.

 

A i bën këto llogari Kryeministri?! Ai thotë se po. Por ecim më tej.

 

Lufta kundër vjedhësve të energjisë elektrike është padyshim e duartrokitur, por ka tronditur realisht shumëkënd. Energjia elektrike sot, por edhe në pjesën më të madhe të këtyre 24 viteve kapitalizëm shqiptar, ka qenë dhe mbetet pronë shtetërore në trajtë monopoli. Pra, lehtësisht e vjedhshme në kurriz të shtetit, një plaçkë e lehtë për t’u përvetësuar dhe për të mos u blerë.

 

Në shpalljen paralele të luftës në dy fronte, kundër vjedhjes apo mospagimit nga njëra anë dhe ngritjes së çmimit nga ana tjetër, qeveria u ka “shpallur luftë” njëkohësisht shumë njerëzve. Dhe, ashtu siç edhe u pa në protestën e 22 nëntorit, fjalimet e Ramës, sado elokuente, ndonëse vetmitare, nuk janë edhe aq bindëse. Dhe mbi të gjitha nuk garantojnë qetësinë e shtresave të tilla, që kërkojnë kësisoj strehë te protesta.

 

Dhe shqiptarët, në bindjen dhe në instinktin e tyre kanë një të drejtë themelore. “Lufta” është vetëm një instrument që ndoshta të çon drejt zgjidhjes së problemit dhe jo Zgjidhja e problemit.

 

E pra, Kryeministri Rama duhet ta dijë edhe këtë.

 

Nëse do të shtrenjtohet energjia elektrike, çfarë alternative ka për shtresat që nuk kanë xhep të paguajnë? Të marrin të gjithë sopatën për dru? Po ja edhe pyjet, nën hundën e rojeve të korruptuara po shfarosen krejtësisht. Banesat shqiptare nuk kanë instalime gazi apo ngrohje qendrore me kaldaja moderne me naftë.

 

Në lejet e ndërtimit nuk parashikohet një gjë e tillë. As dje dhe as sot. E gjithë e përditshmja e shqiptarëve, për ngrohje dhe biznes të vogël apo të mesëm mbështetet tek energjia elektrike, e cila dihet, është më e shtrenjta në botë.

 

Në këtë udhëkryq strukturor pa Zgjidhje, shumë shqiptarë mund të Zgjedhin Protestën, për të bllokuar këto reforma që i shohin si kërcënuese, përderisa nuk ofrohen paralelisht zgjidhje alternative dhe më të leverdishme ekonomikisht.

 

Nëse Rama do realisht t’i çojë përpara këto Reforma, nuk mund t’i sendërtojë vetëm përmes karizmës së vet, apo besnikërisë dhe eficencës së Saimir Tahirit.

 

Sepse çdo gjë, qoftë kjo edhe Super-Ligjore, pushon së qeni e tillë nëse nuk është pozitivisht jetësore. Njeriu dhe Njerëzimi i ka ndërtuar apo ndërruar dialektikisht Ligjet, në përputhje me prurjen pozitive që ato sjellin në strukturën e shoqërisë.

 

Në këtë panoramë pra, me një Opozitë të hakërryer dhe aspak miqësore, si dhe është tradita shqiptare nga njëra anë, dhe me prirjet e vetëpëlqimit të tepruar të vetvetes nga ana e qeveritarëve të rinj, nga ana tjetër, Rama është politikisht i kërcënuar. Nuk mjafton aspak për këtë etiketimi demonizues i Opozitës. Pasiqë ajo është në përmbushje të misionit të saj politik dhe përfaqësues. Në 23 nëntor, më e fuqishme dhe më e mbështetur se asnjëherë më parë këto 17 muajt e fundit.

 

Rama pra, duhet të bëjë me qetësi disa përllogaritje.

 

Për kohën, mjetet, kuptueshmërinë dhe mbështetjen e Platformës së tij Reformatore. Të cilën shqiptarët e votuan bollshëm në vitin 2013, por po japin fare shpejt shenja lëkundjeje. Shenja lëkundjeje që duhen lexuar dhe jo të refuzohen me lehtësi. Me përkujdesjen e atij, që kërkon realisht ta vërë në jetë këtë Platformë, Progresive dhe të shëndetshme në thelbin e vet.

 

Por kjo nuk mjafton. Sepse pas çdo shembjeje duhet ndërtuar diçka më e mirë. Mbas çdo korrigjimi duhet krijuar një alternativë e re. Më e leverdishme dhe që jep Zgjidhje. Pa harruar kurrë se shqiptarët janë përgjithësisht të varfër, por edhe inatçinj të paparë kur u mbushet mendja se nuk kanë një shteg apo një shpresë të dukshme.

 

Dhe të afërt.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama