Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rikthimi dhe prapaskenat

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Rikthimi dhe prapaskenat

Rikthehet Opozita në Kuvend. I shohim edhe drejtpërdrejt në Tv, me capin e tyre të rëndë dhe që pranojnë të hyjnë sërish në një kalvar të ri sakrificash parlamentare. Mosbesues dhe të menduar. Por ja, po i japin edhe një shans tjetër normalitetit të jetës politike të Shqipërisë. Kundërshtarët e tyre nuk e besojnë këtë, por të gjithë tundin kokën në mënyrë mirëkuptuese dhe rrëfejnë një respekt inkurajues për të rikthyerit.

Dhe Teatri merr një vrull të paparë. Sepse shumëkush e di se për pak ditë, të gjithë atij grupi kuvendor do t’i digjeshin mandatet. Me ligj. Djegie të cilën askush nuk e do. Jo për zemër e për shpirt. Por nga frika e konsekuencave. Në rrugë dhe në sheshe. Ja pra ç’do të thotë të jesh trim në politikë! Shpërblehesh dhe respektohesh!

Dhe do të dëgjojmë sesi të majtët e Kuvendit e kishin vuajtur mungesën e tyre të gjatë. Dhe do të dëgjojmë se si  të “mërguarit” e jetuan me një dhimbje të thellë, dhe u derdhën ndër Prada, Burberry e Vuitton, ndër week end – et e gjata në Oksident.  Pa kishte edhe një gëzim të madh trasversal të palëve. Gëzim i administruar mirë e bukur, shpesh përtej syzeve të shtrenjta, kur afrohen kamerat.

Kështu pra deputetët që hynë, nuk e fshihnin lumturinë që nuk u erdhi ndonjë urdhër, për bojkot total dhe politikisht vetëvrasës. Ata që ishin brenda Kuvendit, tanimë fërkonin duart se me të “mërguarit” e rikthyer, legaliteti kuvendor i rivendosur i shton bereqet, bereqetit politik.

Por, a thua kanë të drejtë për interesin e tyre? Shefat u kanë thënë se po, nëse kanë gjetur kohën t’i sqarojnë.

Mirëpo, tek e lexoj dhe e rilexoj “Rezolutën”, që e rifuti Opozitën në Kuvend, nuk shquaj dot aty asnjë gjë realisht të re dhe me vlerë reale politike kaq tronditëse dhe kaq bindëse, përveçse vlerës pretekstuale. Ose e thënë ndryshe, justifikimin politik formal që përligj sa për sy e faqe, rikthimin në Kuvend. Sepse “Bojkoti”, me sa duket dhe me sa komentohet nën zë te PD, ishte më shumë një “kërcënim” për efekte të brendshme të disidencës partiake.

Sepse, si edhe është vënë re, mjaft nga ish-kuadrot e larta pushtetare të PD, njëkohësisht edhe  parlamentarë, shprehnin tash ca kohë, pak si shumë autonomi dhe kriticizëm ndaj lidershipit të Partisë. Dhe hallka e tyre jetike që i lidh me Partinë, me Partinë dhe me të ardhmen e mbetur politike, është ai mandat deputeti, gjithnjë i shtrenjtë dhe i nevojshëm. Sot më shumë se kurrë.

Porse tërheq vëmendjen edhe një tendencë e mistershme, që shpesh mirëfunksionon në komunikimin ndërmjet rreshtave, midis Berishës dhe Ramës. Sidomos kur ua lyps nevoja.

Ja tri momente që mund të veçohen dhe nënvizohen dhe që lënë gjurmë të komunikimit të tyre, të ngjashëm me komunikimin në vitin emblematik 2008, që gatoi një mandat të dytë e të plotë të qeverisë Berisha2:

Momenti i Parë, ky votim masiv dhe trasversal i Rezolutës, ishte një bashkim tronditës votash, rreth 126 vota mos gaboj. Një bashkim kërcënues i përmasave të mëdha, e cila u përshëndet nga Berisha si një nga fitoret më të mëdha të parlamentarizmit shqiptar në këto 23 vjet. Përse ky entuziazëm kaq i madh i Doktorit? Sigurisht sepse fitorja ishte dhe është një Fitore kryesisht e tij dhe jo e kundërshtarit të tij politik. Një entuziazëm legjitim apo jo?

Një “fitore të tillë” e kam përjetuar në vitin 2008, bashkë me shumë miq gazetarë dhe politikanë të irrituar, në ndryshimet kushtetuese dhe në krijimin e një Kodi Zgjedhor, anti-LSI dhe anti çdo force të Tretë, në tregun politik. Dhe Doktori, nuk e fshehu dot në intervistën e ngrohtë që dha menjëherë pas votimit, shpalljen e triumfit të tij personal.

Sepse Doktori u rikthye politikisht, në skenë dhe në Vijën e Parë, më i fortë, më kërcënues dhe më i mbrojtur njëkohësisht, në krye të Grupit Parlamentar të Partisë së vet Demokratike.

Momenti i Dytë, ka si protagonist përsëri Berishën. Në intervistën e nxehtë e të sipërpërmendur, ai u mor gjatë dhe me inteligjencë të hidhur, me zotin Meta. Duke u vetëshpallur si mbrojtësi i tij, përmes deklaratave kundërshtuese dhe autoironike:

“Unë nuk e kam mbrojtur Metën nga arrestimet, por nuk kishte fakte dhe prova nga Dritan Prifti”.

Ky ishte një koment i deklaratës së Palokës, se Rama e kërcënon Metën, duke i tundur prangat, në të cilin koment, Berisha jo pa qëllim dhe jo rastësisht, apo për ndonjë eufori të pashpjegueshme, u zgjat në gati 2/3 e fjalës së vet. Duke qenë “miqësisht” kërcënues ndaj Metës, duke i dhënë të drejtë Ramës se në Bruksel dhe në Berlin i kishin kërkuar arrestimin e Metës, në bazë të dosjeve që ai vetë pra, Rama, tanimë kryeministër kish depozituar andej-këtej vite më parë.

Se çfarë lidhje kishte Rikthimi në Kuvend i PD, miratimi i Rezolutës, “Paqja” parlamentare dhe Ilir Meta, në optikën e një të kërcënuari, këtë vetëm Doktori e di.

Provokacion virtuoz dhe i pastër politik, padyshim. “Djallëzor” sa më s’ka! Një karrem i shijshëm, për përçarjen e së Majtës. Karrem tundues. I ngrënë njëherë, dramatikisht, në vitin 2008.

Mirëpo, a thua Edi Rama ta ketë harruar kaq shpejt këtë eksperiencë të pasuksesshme, që solli një mandat 4-vjeçar rraskapitës në Opozitë, për të dhe për Partinë Socialiste? Do të ishte shumë naive të besohej se po. Mirëpo Doktori, në njohjen e psikologjisë së kundërshtarit politik dhe në grumbullimin e të dhënave dytësore, por që krijojnë një panoramë parësore, nuk para gabon kollaj.

Atëherë?!

Momenti i Tretë, përfaqësuar sërish nga Doktori, që shfaqi, si edhe thamë më lart, këtë shkelje syri ndaj Ramës, në kërkim të një “marrëveshjeje”, me qëllim “heqjen qafe” të atyre partive që lëvizin numrat strategjikë në Kuvend, në këtë rast Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU e Shpëtim Idrizit, ndaj së cilës, Doktori derdhi, ose rrufe, ose sheqerka të helmatisura.

Një inkurajim i qartë për Ramën pra, drejt rikthimit në një bipartitizëm, sipas parimit: Kush fiton, mbretëron për 4 vjet!

Berisha dje, në komentin e tij të nxehtë, ishte më në formë politike dhe më kërcënues se asnjëherë.

Shenjë e gëzimit të madh që i dha kjo fitore, të cilën ai e qeverisi mirë. Me shkelje syri ndaj Ramës, provokime dhe kërcënime Metës, rrufe Idrizit dhe “disidentëve” të shtëpisë së tij politike.

Sepse ngazëllimi për ato 126 vota ishte me sa duket shumë i madh, shumë i mirëpritur dhe sidomos shumë garantues…

Ndoshta ka edhe ndonjë arsye të katërt apo të pestë për këtë gëzim të madh, që lidhet edhe me ndonjë “marrëveshje” të fshehtë për “mospersekutim” reciprok. Në të gjitha fushat. Një ftesë për një aleancë strategjike in “grande stile”. Kundër më të “vegjëlve”. Të gjithë më të “vegjëlve” dhe kushdo qofshin ata.

Sepse, si edhe rrëfejnë sondazhet, pesha e të ashtuquajturave “zona gri”, është në rritje dhe në kurriz, të bjerrjeve elektorale, të partive të “mëdha”, tradicionale PS e PD.

Në favor të LSI, të PDIU, ndoshta në favor të FRD, por edhe në favor të ndonjë shizme të re në horizont, nga e Djathta, që duket se po përvijohet. Sondazhet pra, japin sinjale të qarta, që bipartitizmi i tremb shqiptarët. Dhe në pikëpamjen time, mirë bëjnë që tremben.

Por është fakt, se vetëm Sali Berisha ka ditur të krijojë shumica politike, edhe kur është gjendur në pakica elektorale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama