Parisi i Modës, Parisi i Çmendurive erotike, Parisi i Barrikadave, dhe i Kafeneve revolucionare, poetike, e 1001 rrymave dhe ngjyrave, shpalosi Forcë dhe ngrohtësi në Sheshin “Republika”. Bota pra, ajo që njohim dhe ajo që nuk njohim, u derdh në Paris, në një Pelegrinazh dinjitoz.
Si në një Vend të Shenjtë. Ku asgjë nuk është më e shenjtë se Liria, që përmbledh të gjitha dhe nuk përzgjedh asnjërën, mbi tjetrën. As mashkullin mbi femrën, as të kuqen mbi të kaltrën, as të bardhin mbi zezakun, as kristianizmin mbi islamizmin dhe anasjelltas, as mbretin mbi gijotinën e Drejtësisë, as jetën sensuale të Presidentit që gënjen gruan dhe takon dashnoren fshehurazi, as dhe as…
Pamja e Kryeministrit shqiptar në këtë “As dhe as”, të Barazisë Reale dhe Iluzive Universale, me të 4 klerikët shqiptarë në Paris ishte trendy. E pra në rezonancë me vendin, ku algjeriani apo marokeni është edhe superstar, edhe hajdut xhepash, edhe producent filmash. Ku mund të hash “hallall” dhe të shohësh pak më tej night clube, masazh seksual tajlandez, Teatrin e madh të Operas Franceze, apo teatrot e streaptizës, me lakuriqësi dhe porno ekstreme.
Kartolina e bashkëjetesës shqiptare, që bëri shëtitjen e vet ceremoniale, është një kartolinë e shëndetshme, madje shndërrohet, me fare pak punë, edhe në një kartëvizitë pozitiviste, mbarëshqiptare. Ajo kartolinë që vinte nga Tirana, ishte pjesëz e një demonstrimi të madh dhe ndërkombëtar.
Si edhe ishte një demonstrim prania e presidentit të Republikës së Malit, pranë presidentit francez Hollande, Ibrahim Boubacar Keita, një produkt politik sa malez aq edhe francez, i mbijetuar nga lufta civile kundër popullsisë Tuareg, prej mjaft kohe nën influencën e Al-Kaedës. Ibrahimi, mysliman dhe filofrancez njëkohësisht, fitoi para pak kohe zgjedhjet në Republikën e Malit, një shtet gjigant në zemër të Afrikës, me një sipërfaqe 2 herë e ½ më të madhe se të Francës, por u deshën aviacioni, tanket dhe raketat e një forcë shumëkombëshe të koordinuara dhe të udhëhequra nga Franca, si edhe 18 muaj luftime, që të vinte dita e zgjedhjeve. Dhe e presidentit IBK, emir i shkurtuar i Ibrahim Boubacar Keitës.
Ishte aty edhe Mahmud Abaz, presidenti i Palestinës, pak metra më tutje edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Nuk mungonte as edhe mbreti i Jordanisë, por edhe ish-rivali politik i presidentit aktual francez Hollande, Nikolas Sarkozy, një pas tij.
E pra kishte jo vetëm një protokoll, por edhe një “Regji Gjeopolitike”, në këtë organizim të madh dhe të përsosur ndërkombëtar.
Shqipëria zgjodhi të përfaqësohet, si gjithkush e di, me larushinë tonë “harmonike” fetare. Sepse është e vërtetë, që fetë tona, në të mirë e në të keq, kanë kryer, krahas porosive të profetëve, edhe porosinë e rilindasit Pashko Vasa:
“Feja e shqiptarit, asht Shqiptaria!”
Mirëpo “shqiptaria” e shqiptarëve në Paris, përveç klerikëve, ishte e përfaqësuar vetëm nga Partia Socialiste, ose si thuhet në këto raste nga protokolli i nxituar i partisë më të madhe numerike të Qeverisë.
Në terrin e informacionit mbi përgatitjen protokollare të kësaj “Dërgate” simbolike në Paris, gjykuar nga sa u pa, në mediat tona përshkruese, asnjë parti tjetër shqiptare, apo ndonjë personalitet jashtë politik, përtej së majtës dhe së djathtës, nuk ishte në Paris.
Në terr mund të gjykohet me versione hipotetike.
Versioni i Parë. Është ftuar Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Partia Republikane, etj. Por ato parti “nuk ishin të gatshme të dërgonin përfaqësuesin e tyre në Paris”. Ky version do të rrëfente se, punët në “çështje të Parisit” nuk janë edhe aq mirë në Shqipëri. Në këtë vend të bekuar frankofon, për më tepër. Por, për një të “hedhur” në Paris, aq më tepër për një “mision” kaq të lartë, ku ekziston edhe shansi të fërkosh pallton tënde me pallton e Merkelit, Hollandit, Ibrahimit, apo Renzit e Camerun inglizit, vështirë të thotë kush “Jo!”.
Version i Dytë. Protokolli, pasi ka lexuar mendjen dhe instruksionet e kryeministrit, ka ftuar vetëm kryeministrin dhe klerikët e të gjitha komuniteteve fetare. Që, gjithmonë në terr gjykuar, askush tjetër nuk është gjykuar i denjë për Paris, për të krijuar një përfaqësim multifetar dhe multipolitik. Që domethënë, se tensioni politik për protagonizëm, ndër shqiptarë, është më i madh sesa tensioni, që vuri në një rresht të vetëm solidariteti kryeministrin izraelit Netanjahu me atë palestinez Mahmud Abaz. Dhe ky është një lajm aspak i mirë për klimën tonë të brendshme politike.
Version i Tretë. Protokolli, nën trysni të kohës, në harresë të faktit, që nuk duhen viza në pasaporta për të hyrë në Francë, tashmë sa vjet, në trysni të frikës së interpretimeve të tipit: “pse ai dhe jo unë, apo pse ata dhe jo ne?!”, për të shkurtuar kokëçarjet dhe harxhimet e kota buxhetore, për të qenë brenda, edhe duke qenë jashtë, prodhoi atë që pamë.
Pesë Musketierët shqiptarë në Francë, Kryeministër në mes dhe katër klerikë në krahë të tij. Pamje e hirshme për botën, por e diskutueshme për kasabanë tonë të 1001 hileve.
Apo po e bëjmë “qimen tra”?
Ndoshta.
Po më mirë “qimen tra”, se sa “traun qime”?!…
Apo jo?!