Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha dhe Rama luajne shkollash

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Kikia
Berisha dhe Rama luajne shkollash

Kryeministri Sali Berisha u ndal dje në Vorë, pak kilometra nga krateri i shpërthimit në Gërdec, për të folur pikërisht për këtë ngjarje. Siç ndodh rëndom, ai zgjodhi të vizitojë një shkollë të rikonstruktuar për të vazhduar t‘u përgjigjet kritikave të diplomacisë amerikane, që kanë pushtuar jetën politike prej një jave. Ndalesa e tij, padyshim që nuk ishte pjesë e ndonjë axhende të parashikuar më herët, por pjesë e një axhende të fabrikuar shpejt e shpejt, pas kritikave të forta të lëshuara nga diplomatë të lartë amerikanë në Tiranë. Pasi i ishte përgjigjur kritikë-akuzave për hapat prapa në standardet demokratike, lirinë e zgjedhjeve, OSBE-në, ligjit të ri për prokurorinë, Berishës i kishte mbetur kocka më e fortë, akuzat për pengim të hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Pikërisht për këtë arsye ai ishte dje në Vorë, por pa mundur t‘i afrohet Gërdecit, ndoshta jo aq shumë për arsyen se amerikanët thanë se atje është ende një zonë e rrezikshme.

Padyshim, ky takim, edhe pse nuk ishte i tillë, duhej të ishte edhe më i vështiri dhe më delikati, ndaj dhe Kryeministri preferoi t‘i qëndrojë paksa larg kraterit të shpërthimit, edhe pse iu desh të fliste pikërisht për atë. Duhej pak më shumë guxim, ose papërgjegjshmëri ndoshta, për të shkuar deri te fshatarët që po ngrenë shtëpitë, e për t‘u thënë "punë të mbarë". Kjo, pasi Kryeministri po u dilte përpara njerëzve të prekur nga një tragjedi e tmerrshme, autorësia e së cilës deri tani shkon të paktën deri tek ish-ministri i Mbrojtjes. Një tragjedi që nuk ishte produkt i ndonjë bande kriminale, për të cilën qeveria zotohet se do ta arrestojë e nxjerrë para gjyqit, as produkt i ndonjë fatkeqësie natyrore, përgjegjësia e qeverisë përballë së cilës qëndron vetëm tek pamundësia për ta parandaluar apo për të menaxhuar pasoja. Gërdeci, sikundër është thënë e stërthënë, ishte një krim shtetëror me përmasa të llahtarshme, një krim i përgatitur me ligjet dhe VKM-të e kësaj qeverie, një krim masiv para të cilit nuk është i larë (deri tani të paktën moralisht) as edhe vetë Kryeministri Berisha. Në kushtet kur në Gërdec nuk ka përfunduar ende rehabilitimi i zonës, kur fshatarët kanë nisur t‘i ndërtojnë shtëpitë edhe pse ekspertët e huaj thonë se ajo zonë është ende e rrezikshme, kur çështja nuk është zbardhur ende së hetuari nga prokuroria dhe kur mazhoranca voni për javë të tëra heqjen e imunitetit të të akuzuarit kryesor, ish-ministrit të Mbrojtjes, një Kryeministër do ta kishte tepër të vështirë t‘i afrohej asaj zone. Por Berisha ishte i shtrënguar ta bënte, për t‘iu përgjigjur kritikave të diplomatëve amerikanë dhe t‘i garantonte ata se qeveria nuk do t‘i pengojë hetimet për këtë ngjarje, të cilën ai e artikuloi disa herë si shumë të rëndë e të tmerrshme.

"Duhet të hetohet deri në qelizë", - tha Kryeministri. Në fakt, ata që njohin mirë gjuhën e Kryeministrit, do të shikojnë se ka një ndryshim në këtë premtim. Ne jemi mësuar ta dëgjojmë Berishën të thotë se: "Do ta hetojmë", "Do ta zbulojmë", "Do ta dënojmë", "Do t‘i çojmë në burg"… Dje ai foli ndryshe, jo në emër të tij, por duke kërkuar që tjetër kush ta bëjë këtë, madje deri në fund. Dhe tjetër kushi nuk është veçse prokuroria. Vora ishte ndalesa e tretë e Kryeministrit pas Velipojës dhe Vlorës, ku ai dha sqarime publike mbi kritikat amerikane. Në fakt këto shqetësime që u ngritën nga diplomatët e huaj duhej të ishin "artikujt" kryesorë në menynë politike të opozitës. Por, në kushtet kur ajo është bërë pjesë e një marrëveshjeje koncesionare me qeverinë, janë diplomatët e huaj që po bëjnë punën e opozitës. Ndoshta për këtë arsye, përtej shtrëngimit për t‘iu përgjigjur akuzave për hetimet e Gërdecit, edhe dje replikat mes Kryeministrit dhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare vazhduan të mbeten në nivel mjeran dhe aspak të denjë për një Kryeministër dhe një kandidat për kryeministër. Të dy dje kishin zënë nga një shkollë që ishte suvatuar e lyer me bojë, për të lëshuar deklaratat e radhës "cic-mic" ndaj njëri-tjetrit. Për disa ditë me radhë ata replikuan se kush kishte shtruar më shumë rrugica, kryetari i komunës së Xhafzotajt në Shijak, apo kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa dje nisën të bëjnë llogaritë se të kujt janë paratë me të cilat rikonstruktohen shkollat e Tiranës.

Nga shkolla e Vorës, Kryeministri fliste për miliardat e dhëna Bashkisë së Tiranës dhe se kush duhet ta presë shiritin e përurimit të landfilld-it të mbeturinave të Sharrës. Ndërsa Rama, nga Tirana, referuar gënjeshtrave të Kryeministrit, fliste se deri ku mund të shkonte gjatësia e hundës së tij, nëse, ai do të ishte Pinoku i xhaxhi Xhepetos. Kjo lojë me shifrat për paratë e shkollave, përveçse bajate për dy liderë, duket një zgjidhje kompromisi për të mos u marrë me "gjëra të mëdha". Nëse është e vërtetë se Berisha dhe Rama kanë zgjedhur të luajnë shkollash për të shmangur përballjen politike për probleme madhore (sikundër meritonte dje një qëndrim Kryeministri ndërsa iu afrua Gërdecit), atëherë ky është një ogur i keq për opozitën dhe për politikën e demokracinë në përgjithësi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama