Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Epidemia e spoteve dhe degradimi i artit

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Kikia
Epidemia e spoteve dhe degradimi i artit

I xhelozuar, me sa duket, nga spoti i Kryeministrit Berisha për sukseset e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe reformat ekonomike, edhe ministri i Kulturës, Ylli Pango, prodhoi spotin e tij. Përmes një reklame televizive, Pango u bënte me dije shqiptarëve se ç‘punë të vyera kishte bërë Ministria e Kulturës nën drejtimin e tij. Aty, ai përmendte edhe rindërtimin e QNK-se, apo kthimin e kokës së Deas, një vepër arti e vjedhur nga Parku Arkeologjik i Butrintit në vitin 1997. Në fakt kthimi i kokës së Deas nga muzetë e Athinës, është një proces që ka nisur që kur Ministrinë e Kulturës e drejtonte Arta Dade, por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi në Shqipëri meritën e merr ai që pret shiritin dhe jo ai që hap themelet.

Ashtu si dhe në spotin e Kryeministrit, vazhdon të mbetet e pakuptimtë se përse një institucion duhet të bëjë reklamë për të treguar se ç‘punë ka bërë. Edhe në qofshin ato shumë të mira, sërish nuk ka pse, pasi ministrat pikërisht për këtë janë vënë në krye të institucioneve. E ndërsa kjo është vetëm një çështje morali, problemi është se përse një institucion, konkretisht Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, shpenzon para për të prodhuar një spot? Përveç kredencialeve politike të ministrit, të tilla spote nuk i shërbejnë askujt dhe për asgjë.

Për hir të së vërtetës, ardhja e kokës se Deas në Shqipëri është një lajm i mirë, ndaj mediat dhe kamerat e pritën atë më të gjithë interesin që meritonte, madje e shoqëruan edhe në Greqi ministrin Pango kur mori në dorëzim kokën e statujës së famshme. Por tashmë do të ishte mirë që ne të mësonim se sa njerëz kanë shkuar ta shikojnë kokën e Deas, që do të thotë se sa bileta janë shitur në atë muze ku është ekspozuar ajo, pasi kështu mësojmë se sa para janë arkëtuar në buxhetin e shtetit. Po ashtu, do të donim të dinim se sa të huaj kanë vizituar këtë vit kalanë e Rozafës, kalanë e Skënderbeut në Krujë apo "bar restorantin" e Mamica Kastriotit në Petrelë të Tiranës, për të mësuar gjithashtu se sa para ka fituar Shqipëria nga turizmi kulturor.

Eshtë mirë të dëgjojmë se si Qendra Ndërkombëtarë e Kulturës, e njohur si Piramida, do të bëhet një teatër i madh, edhe pse qeveria prishi në mënyrë të kundërligjshme kontratën më një kompani mediatike për disa ambiente të saj. Por, ky do të ishte një lajm i mirë kur teatri të bëhej, për të parë, në fund të fundit, edhe nëse e gjitha lufta e qeverisë me "Top Media" ishte vërtet një përpjekje për të bërë art apo ishte në armë e mirë për të sulmuar një media. Ndërsa shikojmë spotin e Ministrisë së Kulturës, na vijnë ndërmend të tjera probleme. Tirana, një qytet me rreth 800 mijë banorë, ka pasur në gjashtë muaj jo më shumë se 13 mijë spektatorë në teatër, shifër kjo e konsideruar gjithsesi si rezultat shumë pozitiv nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar. Dhe jo se qytetarët e Tiranës nuk e duan teatrin, por ata nuk kanë pasur shumë motiv për të shkuar atje. Kujtojmë se në Tiranë nuk ka estradë, që ka shumë më pak biblioteka dhe se numri i lexuesve vazhdon të bjerë. Të rinjtë, në Tiranë e qytete të tjera, gjithnjë e më shumë preferojnë të enden rrugëve e lokaleve, sesa të frekuentojnë një mjedis kulturor (ngaqë nuk ka mjedise të tilla). Kujtojmë se sa e varfër është jetë kulturore në kryeqytet e në mbarë qytetet e tjera, se sa pak mundësi dhe alternativa kanë qytetarët për ta thyer monotoninë e jetës së tyre të përditshme.

Jetojmë në një epokë stresi e pasigurie ekonomike dhe shoqëria bart probleme të shumta që reflektojnë edhe në gjendjen psikike e morale. Në një shoqëri të zhytur në drama emigrantësh dhe varfëri, në një shoqëri ku politika është aktiviteti më i madh publik dhe ku mediat transmetojnë pa pushim konferenca shtypi, njerëzit kanë nevojë të argëtohen. E thënë më troç, njerëzit kanë nevojë të qeshin. Po, po duhet të qeshin e të dëfrehen, por jo vetëm në pabe. Kemi nevojë të shkojnë në teatër, të shikojnë një dramë apo komedi të mirë, të shkojmë në estradë e të gajasemi së qeshuri. Ne kemi nevojë për një sallë ku njerëzit e talentuar, që quhen artistë, të na bëjnë të harrojë që jemi të varfër, të harrojmë se duhet plotësojmë kushtet për t‘u futur në BE apo që të bëhemi anëtarë të NATO-s, të harrojmë se kemi zgjedhje pas një viti dhe se ende nuk i kemi kartat e identitetit që na kërkon Brukseli. Fëmijët tanë kanë nevojë të argëtohen për të mos u bërë bartës të problemeve të prindërve. Po ku? Mbaj mend se si disa vite më pare, prindërit u përleshen mes tyre për ti futur fëmijët në një cirk italian që erdhi për disa ditë në Tiranë. Mungesa e argëtimit mund të jetë një arsye më shumë që shpjegon se përse shoqëria jonë është kaq agresive dhe e dhunshme. Përse njerëzit nuk kanë për gjë të qëllojnë me armë edhe kur grinden për parkimin e makinës.

Por, ndërsa shikojmë spotin e Ministrisë së Kulturës ne kujtojmë se nuk kemi një estradë në tërë Shqipërinë, kujtojmë se i vetmi humor që bëhet sot në këtë vend janë barsoletat idiote e të mbushura me banalitete që tregohen në ca ekrane televizivë periferikë. Ndërsa shikojmë spotin e sukseseve kulturore, kujtojmë se ende sot e kësaj dite komeditë më të shikuara në Shqipëri janë "Pallati 176", vënë në skenë 22 vjet më parë, "Prefekti", vënë në skenë nja 40 e ca vjet më parë (varianti para se ta interpretonte Robert Ndrenika) apo edhe "Kapedani" i Albert Verrisë, që ka po të njëjtën moshë. Duhet të kujtojmë gjithashtu se i vetmi institucion humori në Shqipëri, prej disa vitesh, është spektakli "Portokalli" që prodhon një kompani private mediatike si "Top Media". Ndërsa shikojmë spotin e arritjeve në kulturë kujtojmë se si është bastarduar muzika shqiptare në ca kanale televizive, ku disa këngëtarë mejhanesh këndojnë shqip me muzikë arabe, apo i kanë hyrë me themel përpunimit, apo më saktë shkatërrimit, edhe të muzikës së tabanit popullor, që është një pasuri edhe më e çmuar se kalatë e kështjellat. Ndërsa kërkojmë kokën e Deas në Greqi, ne lejojmë që me gurët e rrugës së famshme Egnatia, fshatarët në Peqin të ndërtojë shtëpitë dhe kasolle për bagëtitë. Trashëgimia kulturore është bërë biznes dhe gjithkush që ka në dorë përfiton duke shkatërruar ç‘të mundë.

Këto nuk janë probleme vetëm të ministrit Pango. Prej 17 vjetësh kultura është gërryer deri në shterpësi.. Problemi është se askush nuk po punon për të marrë kthesën dhe në vend që të shpenzohen ato pak para për të botuar një libër më shumë, një guidë kulturore e historike për turistët, apo për të stimuluar një krijues të shkruajë një vepër më të mirë, paratë shpenzohen për të meremetuar imazhin e një titullari.

Përtej kësaj, dalja e spotit të Pangos, duket se do të shkaktojë një reaksion zinxhir spotesh dhe nuk do të jetë çudi që edhe Xhuveli të prodhojë spotin e tij për të na bindur se ka bërë punë të mira për mjedisin, apo edhe Jemin Gjana për të na treguar se sa rendiment dha këtë vit misri pa kokrra.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama