Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një kut, një masë për ndërkombëtarët

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 17 vite më parë

Henri Çili
Një kut, një masë për ndërkombëtarët

Qeveria është ndjerë triumfale pas raportit të fundit të Transparency International lidhur me treguesit e luftës ndaj Korrupsionit, ndërsa opozita është ndjerë në siklet. Deri këtu jemi brenda një lufte politike normale. E drejta e do që, ashtu siç kemi parë me lupë ato raporte, ato deklarata diplomatësh apo institucionesh ndërkombëtare, lidhur me problemet në ecurinë e qeverisjes në të djeshmen e largët dhe në të djeshmen e afërt, do të duhet me të njëjtën paanësi, të pranojnë kur disa arritje të qeverisë aktuale noterizohen apo “legjitimohen” nga të njëjtët aktorë ndërkombëtarë. E drejta e do po ashtu, që qeverisë aktuale t’i refuzohet në 2008 ajo që do të ishte e mirë në 2004. Katër vjet më vonë nuk mund t’i ofrojë kush shoqërisë si standarde, ato që do të kishin qenë të tilla për Shqipërinë e vitit 2001, 2003 apo qoftë edhe 2005. Ato nuk mund të shërbejnë si njësi matëse për vitin 2008. Por lidhur me raportet e ndërkombëtarëve, përfshi këtu dhe raportin e fundit të TI, çështja është gjetkë: Çështja është se si të mund t’i kuptojmë dhe përdorim në dobi të interesit publik raportet e ndërkombëtarëve, kur vjen fjala për median dhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, të cilët nuk kanë qëllim të parë interesin politik imediat.

Së pari: Raportet e ndërkombëtareve, organizmave dhe institucioneve të specializuara lidhur me çështje të caktuara ia vlen të shihen më në fund pas 18 vjetësh, me të njëjtin kut dhe me të njëjtën masë siç shihen raportet vendase, për shkak të faktit se ekspertiza, njohuritë dhe specialistët tanë të pavarur nuk janë hiç më mbrapa se kolegët ndërkombëtarë, sidomos ata që vijnë në Shqipëri. Kjo për të mos thënë që në fund të fundit këto raporte nuk janë veçse punë e nënkontraktorëve lokalë shqiptarë të këtyre organizmave. Kjo do të thotë që një tronditje apo një krenari të së njëjtës masë, duhet të krijojnë në politikë dhe në opinionin publik, veprimtaria, raportet apo punimet shumë prej organizmave të pavarura vendase, apo ekspertiza e shumë prej specialistëve tanë vërtet me reputacion. Ndërsa çuditemi, krenohemi se disa kritika apo vlerësime na i thotë ndonjë peruan, egjiptian apo holandez, nuk ka pse të mos kemi të njëjtat sentimente edhe kur këto na i thotë një shkodran, një beratas, një tiranas apo një kuksian.

Së dyti: Këto raporte apo qëndrime të ndërkombëtareve është e udhës të kontekstualizohen, të dekriptohen, të analizohen përtej një leximi horizontal apo maksimumi diagonal, siç bëjnë operatorët politikë apo media, të cilët e kanë në detyrën e tyre organike të veprojnë kështu. Një lexim integral dhe kontekstual i këtyre raporteve prej atyre aktorëve që nuk kanë “imediaten” si mënyrë të punës së tyre, është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet publikut shqiptar, i cili në një shoqëri të lirë me mesazhe që vijnë nga të gjitha anët, ka nevojë për “gjykatësin e gjykatësve”. Universitarët, studiuesit e politikave publike apo ato ekspertë të organizmave që merren vlerësimin, monitorimin e çështjeve publike përkatëse kanë rastin të jenë më në fund të dobishëm për shoqërinë e tyre. Kështu për shembull për raportin e fundit e Bankës Botërore lidhur me përmirësimin e klimës së biznesit, u desh sqarimi i kësaj të fundit për të thënë se ka “monitoruar legjislacionin dhe jo zbatimin e tij”, lidhur me klimën ndaj biznesit.

Së fundi: Raportet e ndërkombëtarëve nuk mund të kenë të njëjtin status që kanë pasur dhjetë, pesëmbëdhjetë apo edhe 5 vjet më parë. Shoqëria shqiptare është shumë më e organizuar dhe artikuluar sot se më parë në të gjithë segmentet e saj. Grupet e interesit, formacionit profesionale, korporatat e profesioneve të lira dhe shumë aktorë të tjerë të shoqërisë jopolitike, e njohin gjendjen shumë më mirë se sa raporte të tilla. Nuk ka fare nevojë për ndonjë raport të Transparency International për të treguar këtë apo atë. Mjaftojnë shoqatat e biznesit për të thënë se në dogana trau nuk ngrihet më si më parë. Ashtu sikurse nuk ka nevojë për ndonjë raport ndërkombëtar, për të parë se statusi i administratës publike dhe zënia e vendeve të punës në sektorin publik, në vend që të afrohen po i largohen konceptit të garës së shërbimit civil.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama