Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vizita e Fratinit dhe tragjedia e Butrintit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Nazarko
Vizita e Fratinit dhe tragjedia e Butrintit

A kanë lidhje vizita e Fratinit me tragjedinë e Butrintit? Sigurisht, janë dy ngjarje të shkëputura nga njëra-tjetra, por ama midis mesazheve të vizitës së Fratinit, dhe arsyeve pse 5 shqiptarë humbën jetën në një pellg me ujë afër kufirit, në përpjekje për të lënë vendin, ka disa lidhje të rëndësishme.

Po e nisim me tragjedinë e Butrintit. Ka dy shkaqe themelore pse shqiptarët përpiqen të largohen nga vendi, duke zgjedhur rrugë të rrezikshme.

E para, varfëria e papërballuar si duhet prej qeverisë që prodhon vdekjen e shpresës dhe;

E dyta, mungesa e lirisë së lëvizjes jashtë vendit, d.m.th. emigracioni i ligjshëm apo lëvizja e lirë. Duke pranuar që varfëria nuk mund të luftohet sakaq, lëvizja e lirë do të ishte një zgjidhje, por dhe ajo nuk ekziston. Dhe rrëfenjat që tregojnë zëdhënësit në vështirësi të qeverisë nuk janë të vërteta, posaçërisht ajo për marrëveshjen e fundit për lehtësimin e vizave.

Por le ta nisim me varfërinë dhe pastaj të shkojmë tek marrëveshja. Dhe të shikojmë pastaj ç‘hyn Fratini në këtë mes.

Varfëria

Thuajse të gjithë ata që humbën jetën apo që ishin brenda varkëzës fatale, vinin nga fshati, dhe fatkeqësisht nga zona me traditë të mirë bujqësore, mu në mes të hambarit të Shqipërisë, në Myzeqe. Ikja e tyre nga një zonë potencialisht e pasur, për të punuar fushat bujqësore të Greqisë, ilustron dështimin e të gjitha qeverive shqiptare për të prodhuar politika zhvillimi për një pjesë të rëndësishme të popullsisë, gati gjysmën e saj, edhe kur kjo popullsi zotëron toka të mira. Prapa të vdekurve, dhe të mbijetuarve qëndrojnë histori varfërie në disa nga fshatrat me tokën më pjellore të Shqipërisë, siç u duk nga kronikat e gazetarëve që kishin zbuluar prej nga vinin të mbyturit.

Jo më kot, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë rezulton se emigracioni, të ardhurat prej tij, përbëjnë burimin jetik për fshatin shqiptar, më shumë se për qytetin. Fshati, përfaqëson pjesën më të varfër të Shqipërisë, me të ardhura për frymë gati gjysmën e qytetit, me një numër të madh krahësh të lirë për punë që s‘kanë ku të punojnë. Fshati ka përbërë gjithnjë shtyllën kryesore të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, por jo sot mjerisht. Duket jo e çuditshme ama, që Fratini konsideroi si fushë të re bashkëpunimi të marrëveshjes së ardhshme midis dy vendeve, pikërisht bujqësinë. Ekspertët italianë i njohin mirë potencialet e bujqësisë shqiptare, madje i kanë studiuar ato që herët, dhe për shumë nga arsyet e përmendura më sipër, bujqësia është identifikuar prej tyre si sektor për t‘u mbështetur.

Një lajm i mirë!

Por varfëria nuk mund të luftohet sakaq, mund të thotë dikush. Ndërsa disa të tjerë thonë se shqiptarët preferojnë më mirë të punojnë tokat e të tjerëve sesa të vetat. Jo, shqiptarët nuk janë budallenj: Ata do të rrinin të punonin tokat e tyre, nëse do të ishte më ekonomike. Ndryshe, pse do të shkonin ta zemë të punonim tokat e fshatarëve të Jugut, siç ka filluar të ndodhë në verë? Individi zgjedh të bëjë atë që është më e volitshme për të. Dhe fshatari shqiptar sigurisht e di ç‘është më e mirë.

Lëvizja e lirë

Por dhe sikur të pranojmë se lufta ndaj varfërisë do shumë kohë për t‘u quajtur e përfunduar, lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë do të ishte njëlloj ilaçi për të shfryrë presionin emigrator. Ky presion ka njohur disa faza. Në fillim të tranzicionit kishim fluks të madh të shqiptarëve që tentonin të emigronin. Pastaj atyre iu bashkangjitën klandestinë nga Azia apo nga Kosova që zgjidhnin Shqipërinë si vend tranzit. Më vonë, me qeverinë ‘Nano‘ kemi bllokimin e tranzitit për të huajt. Sot duket sikur flukset e shqiptarëve janë rritur, siç e tregojnë bilancet zyrtare të shqiptarëve të kthyer nga Greqia apo kronikat për rrugët e reja të gjetura nga shqiptarët për të kaluar maleve. Marrëveshja e famshme për lehtësimin e vizave nuk ka ndikuar aspak në krijimin e iluzionit se në Perëndim mund të lëvizet pa viza. Dhe tragjedia e Butrintit ishte dëshmia më tragjike e dështimit të asaj marrëveshjeje.

Ja përse.

Gruaja që humbi jetën bashkë me fëmijën e vet disamuajshe, ishin të afërm të një qytetari shqiptar që jetonte me dokumente të ligjshëm në Greqi. Nëse marrëveshja do të ishte efektive, mbi bazën e klauzolave të saj, ajo ishte kontingjent përfitues prej marrëveshjes. Pra, bashkëshorti me dokumente të ligjshme kishte të drejtë të merrte vizë për të, gruan dhe foshnjën e vet, të paktën për të udhëtuar si turistë, dhe pse jo, wdhe për bashkim familjar, nëse demonstronte përpara autoriteteve greke se kishte mundësi të siguronte jetesën e të treve. Por marrëveshja dështoi në rastin e tyre. Duke sjellë dy viktima.

17-vjeçari tjetër që humbi jetën, gjithashtu ishte një kontingjent përfitues i marrëveshjes së Shqipërisë me Bashkimin Evropian për lehtësimin e vizave. Ai ishte një i sëmurë që mund të shkonte ligjërisht të kurohej në vendin fqinj, nëse trajtohej nga ministria e Shëndetësisë apo nëse të afërmit që ishin me dokumente të ligjshëm, do të ofronin garanci për të. Shumë shqiptarë të tjerë, kontingjentë të kësaj marrëveshjeje, të kësaj kategorie apo të tjerave, vazhdojnë të refuzohen në ambasadat italiane, greke apo të tjera misione të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Asnjë mekanizëm presioni i qeverisë shqiptare nuk funksionon sipas marrëveshjes.

Po Fratini ç‘hyn këtu?, do të pyesim përsëri.

Pasi rreshtoi plotësimin e një sërë kushtesh, Fratini premtoi se në qershor 2009, qytetarët shqiptarë mund të lëviznin pa viza në territorin e Bashkimit Evropian. Madje, ai bëri sikur besoi se pasaporta që i tregoi Berisha ishte një e vërtetë e sigurt. Ndërkohë, e vërteta e sigurt që Fratini e di, është që nga realizimi i atij dokumenti prej një shtypshkronje, deri në procesin e pajisjes së shqiptarëve me to, do të kalojë një farë kohe. Do të kalojë kohë, derisa të plotësohen kushtet e tjera, në të cilat na e ka kaluar Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, siç është kontrolli i integruar i kufijve etj.

Ndërkohë, premtimi tjetër për të cilin foli shtypi, për një korsi preferenciale të shqiptarëve me viza italiane, në këmbim të ndërtimit të gjeneratorëve të energjisë, këtu, rrëzon të parin. Nëse italianët do të na ofrojnë korsi të tillë, kjo do të thotë se Bashkimi Evropian nuk do të na e ofrojë liberalizimin deri në qershor 2009. Po dhe sikur të na e ofrojnë italianët një korsi të tillë, kjo do të thotë se deri më sot ne nuk kemi ditur t‘ia kërkojmë Italisë apo dhe Greqisë një privilegj të tillë. Megjithëse brenda ‘Shengen‘-it, vende të veçanta mund t‘u ofrojnë fqinjëve jo-anëtarë preferenca në trajtimin e shtetasve të tyre me viza. Italia e ka bërë deri më tani me Serbinë, pra mund ta bënte për Shqipërinë, nëse ne do të dinim ta impononim një gjë të tillë: Nëse autoritetet tona do të kishin pajisur shumë më parë shtetasit e vet me dokumente të sigurta, por që kufizojnë ama manipulimin e zgjedhjeve, apo dhe nëse do të bllokonin trafikun e hashashit ‘made in Albania‘.

Pra, vizita e Fratinit kishte indirekt lidhje me tragjedinë e Butrintit, jo thjesht pse erdhi pas asaj tragjedie. Paaftësia e qeverive shqiptare për të krijuar model zhvillimi dhe për fshatin shqiptar, për t‘u dhënë shtetasve të vet dokumente dinjitozë udhëtimi, parakusht për lëvizjen e lirë, dolën më në pah me kronikat e tragjedisë dhe u përmendën indirekt gjatë kësaj vizite, megjithëse u tentua të shitej e kundërta.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama