Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje gezuar shqiptare per Barak Obamen

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 17 vite më parë

Besnik Mustafaj
Nje gezuar shqiptare per Barak Obamen

Barak Obama fitoi zgjedhjet. Qysh dje, ai është burri më i fuqishëm i botës. Fati i secilit nga ne, njerëzit që duam paqe, stabilitet, demokraci dhe prosperitet për vete e familjet tona, kudo që ndodhemi anembanë planetit, do të jetë, në katër vitet e ardhshme, i lidhur në një mënyrë a në një tjetër me punën që ky burrë do të bëjë dhe vendimet që do të marrë. Ky është realiteti i kësaj bote globale, në të cilën jetojmë sot. Kjo është një arsye plotësisht e mjaftueshme për vëmendjen, me të cilën u ndoq kjo fushatë amerikane gjithandej nëpër botë.

Askush nuk u çudit pse fitoi Obama.

Mënyra se si u shpalos dhe u rrit figura e tij në sytë e amerikanëve dhe të mbarë opinionit publik botëror, na e kishte paralajmëruar qartazi rezultatin e votimeve të 4 nëntorit. Të gjitha prognozat dhe hamendjet e këqija ranë njëra pas tjetrës. Njëfarë çudie ndoshta ngjallën përmasat e kësaj fitoreje. Shumë e thellë. E jashtëzakonshme. E pashembullt në historinë elektorale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe është e sigurt se po të kishin votuar edhe jo amerikanët në Evropë, Kanada, Amerikën Latine, Australi, Lindjen e Mesme, Azi, kjo fitore do të kishte qenë edhe dukshëm më e thellë. Për Barak Obamën, votoi edhe gjyshja e tij, e cila ndërroi shpirt para se të dilte rezultati. Me një gjuhë simbolike, nuk teprohet po të thuhet se në festën e fitores së Obamës ishin të pranishëm me ëndrrën e tyre më të shenjt edhe të vdekurit. Pra, ka vend të thuhet me plot gojën se ishte një fitore historike. Tani del në dukje nevoja që edhe qeverisja e tij të jetë po kaq historike. Sot, asgjë nuk na pengon të besojmë se do të jetë historike edhe kjo qeverisje.

Mbështetja shumë e gjerë, e paparë, përfshirë këtu edhe mbështetjen e qartë të ish-rivalit të tij MekKein, është një liri e paçmueshme, që Presidenti i ri ka siguruar për të kryer atë aksion gjigant politik, për të cilin kanë nevojë në radhë të parë qytetarët e vendit të tij, por edhe të gjithë qytetarët e botës së lirë dhe madje edhe qytetarët e vendeve jo të lira. Barak Obama ka fituar kështu dje njëherësh edhe mbështetjen popullore, edhe mbështetjen e Dhomës së Përfaqësuesve. Me përtëritjen që iu bë në të njëjtën ditë një të tretës së Senatit, shumica demokrate mori energjitë e nevojshme për t‘i dhënë Presidentit të ri hapësirën e mjaftueshme për reforma të mëdha edhe të gjithanshme për ta bërë Amerikën më të fuqishme, më të hapur, më bashkëpunuese në emër të vlerave thelbësore të njerëzimit.

Është rasti, megjithatë, të kujtohet edhe një herë dhe sigurisht për herë të fundit, një farë frike e përhapur te shqiptarët në Ballkan dhe në diasporë diku nga fillimi i fushatës së Obamës. Kjo frikë buroi nga një deklaratë e papërshtatshme dhe jo realiste e kandidatit të atëhershëm Obama lidhur me Kosovën. U zgjua ndër ne paranoja e vjetër ballkanike për ndikimin serb në politikën e ardhshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por edhe kjo frikë ra shumë shpejt. U provua se nuk ishin ato mendimet e senatorit Obama. Përkundrazi, shqiptarët do të gjenin tek ai një mik të sigurt, jo thjesht për vazhdimësi të politikës së ndjekur nga dy paraardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Klinton dhe Presidenti Bush, i pari, siç dihet, demokrat dhe i dyti republikan, por sepse pavarësia e Kosovës, stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi i saj në familjen e kombeve, përputhej plotësisht me bindjet e tij. Doemos që këto bindje lidhur me rajonin tonë, e posaçërisht shqiptarët, vetëm do të përforcohen duke pasur në krah një personalitet të sprovuar e të vendosur si Xhozef Bajden. Të njëjtën siguri se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë garant i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit kanë tashmë edhe shqiptarët e Maqedonisë, ashtu siç kemi edhe ne, qytetarët e Republikës së Shqipërisë sigurinë se Uashingtoni do të vazhdojë ta udhëheqë përpjekjen ndërkombëtare për t‘i dhënë vendit tonë vendin që i takon në NATO, me kusht që ne të ndërtojmë këtu një shtet ligjor, me institucione të qëndrueshme demokratike.

Ne shqiptarëve kaq na takon të presim nga Presidenti i ri i SHBA-së. Dhe këtë shpresë e kemi marrë dje, të plotë, të bukur, thellësisht frymëzuese. Për të qenë pak egoistë në këtë ditë të shënuar, ne nuk kemi nevojë për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy kombeve tona. Ne kemi nevojë vetëm për një pasurim të mëtejshëm të kapitullit që shkruhet tashmë me dëshirë të madhe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama