Partia Socialiste, partia kryesore e opozitës, ndodhet në një ngërç, i cili ka qenë i padëgjuar më parë në historinë e saj, edhe pse kjo e mbushur me një histori të pasur rivaliteti, ndeshjesh apo konfliktesh politike. Madje, as edhe një parti tjetër e madhe dhe serioze e tranzicionit ...shqiptar nuk është ndodhur në një gjendje të tillë: gjashtë deputetë të Partisë Socialiste kanë votuar në korrikun e këtij viti kandidatin e partisë kundërshtare për President të Republikës. Ky akt është marrë përsipër politikisht pak ditë më pas nga ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili ishte njëkohësisht kandidat për president dhe këta "të gjashtë" ishin po ashtu mbështetës të tij.
Votimi i gjashtë deputetëve i dha fund krizës së presidentit, duke sjellë në krye të shtetit Bamir Topin dhe bashkë me këtë i dha fund çdo shansi, që partia kryesore e opozitës dhe opozita në përgjithësi të ishte faktor vendimtar në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Këtë rol kyç ia jepte Kushtetuta, e cila kërkonte një shumicë të cilësuar për të zgjedhur presidentin prej 3/5, shumicë që e kalon qeverinë dhe që kërkon pjesëmarrjen e domosdoshme të opozitës. Ndoshta, por kjo mbetet për t'u verifikuar, këta gjashtë deputetë i hoqën mundësinë dhe sistemit tonë politik të ekuilibrohej me një president të pranuar nga të dyja palët, por me origjinë nga opozita, siç qe normalja të ndodhte.
Ndërsa Partia Socialiste e ka sot të qartë se çfarë do të bëjë formalisht me këta 6 deputetë, ajo nuk di se çfarë duhet të bëjë me shkaqet apo frymën dhe i "lejoi" këta gjashtë deputetë të kryenin një votim hapur faqe botës dhe mediave në favor të kundërshtarit politik. Këtu fillon problemi.
Në përgjithësi, mjedisi publik në Shqipëri gjatë këtyre viteve të demokracisë së re shqiptare, i ka inkurajuar "shizmat" politike, ka inkurajuar disidencën politike brenda partive të mëdha dhe në përgjithësi ka duartrokitur sfidimin e liderëve.
Por a është ky rasti i 6 deputetëve dhe asaj fryme, asaj infrastrukture politike në Partinë Socialiste, e cila u lejoi këtyre deputetëve konsumimin e "mëkatit kapital" në demokracinë parlamentare: votimin për kundërshtarin politik?
Duhet thënë shpejt e shpejt për të mos krijuar asnjë keqkuptim: rasti i gjashtë deputetëve të opozitës që votuan për qeverinë nuk mund të kualifikohet një disidencë politike ndaj drejtimit apo kryetarit të Partisë Socialiste. Ajo zhvillohet në frymën e rivalitetit politik me çdo mjet, që ka qenë zhvilluar tradicionalisht në Partinë Socialiste, i cili këtë herë kaloi në përdorimin e "më të fundit mjet" në demokracinë parlamentare: bashkimi i votove dhe fuqisë politike me kundërshtarin politik për të mundur rivalin politik.
Asnjë mëkat esencial nuk kanë kryer këta deputetë deri në çastin kur, ndryshe nga sa donte kryetari aktual i partisë, Edi Rama, apo ndryshe nga sa ishte vendimi me shumicë i grupit parlamentar, ata firmosën për kandidimin për president të ish-kryetarit të partisë së tyre. Nga ana tjetër, po ashtu ata mund të shkonin deri në fund të botës për të mbështetur ambiciet e një socialisti për t'u bërë president, që në këtë rast qëllon të ishte dhe ish- kryetari dhe kryetari historik i tyre, Fatos Nano. Por asesi nuk mund të kapërcenin më tej: të votonin për kandidatin e partisë kundërshtare.
Demokracia parlamentare, që është në radhë të parë demokraci përfaqësuese, ngrihet mbi disa presupozime bazë. Një prej të cilëve është ky: opozita voton si opozitë, shumica voton si shumicë, duke përfaqësuar vullnetin e atyre që i kanë zgjedhur dhe të atyre që nuk i kanë zgjedhur. Përveç rasteve kur qeveria dhe opozita bëjnë kompromise për çështje të mëdha dhe me interes për të gjitha palët.
Ndaj, në këtë frymë të demokracisë përfaqësuese mund të trajtohet dhe rasti i "të gjashtëve". Relativizmi i asaj që ndodhi në Parlament në korrik të këtij viti, edhe pse si rezultat pati një president dinjitoz për shtetin shqiptar, Presidentin Bamir Topi, është një nga "kërcënimet" serioze të demokracisë përfaqësuese, e cila mund të degradojë në një "xhuvelizim" të plotë të aulës së Parlamentit. Me gjithë pasojat që ka bart.