Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A është GDP-ja një matëse e plotë e prosperitetit?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
A është GDP-ja një matëse e plotë e prosperitetit?

Këto ditë "zhurmat" (më saktë "shfaqjet teatrale") në ekrane apo faqe gazetash, me të dhëna rritjesh mbi 9-10% apo nën 6%, ishin dhe "përplasja" publike midis kryeministrit dhe ministrit të Financave, kundërvënia me "diplomaci" e përfaqësueses në ikje të misionit të FMN-së, pretendimi jo transparent i INSTAT-it në mbështetje të "dëshirave" të kryeministrit etj. Por, ama, për mjaft qytetarë të vëmendshëm të gjitha këto skena konsideroheshin ... thjesht "lojëra kungulleshash". Edhe vetë matjet e "performancës" ekonomike nuk duken të jenë manifestuar, ashtu siç propagandohen, tek xhepat e qytetarëve. Për më tepër që kur bëhet fjalë për matje ekonomike transparente nuk mund të lihen mënjanë të dhënat për inflacionin (sipas çmimeve të konsumit), mbi papunësinë, rritjen e GDP-së, balancën e pagesave, normat e interesit etj. Akoma më të ndjeshme na shfaqen matjet joekonomike si: cilësia apo standardi i jetës, mjedisi, shëndeti e edukimi...

* * *

 Një tregues i dorës së parë në rritjen ekonomike është GDP-ja (Gross Domestic Product) apo, në terminologjinë shqipe, PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Ajo përcaktohet si vlerë e output-it të mallrave dhe shërbimeve, gjatë një viti. Megjithatë, GDP-ja nuk arrin të na tregojë plotësisht nëse mallrat dhe shërbimet e krijuara gjatë një viti janë, p.sh., një pasqyrim i zgjerimit real të pasurisë kombëtare. Kështu, nëse qeveria (p.sh., duke ndjekur manitë e faraonëve, pse jo dhe të diktatorit) i futet ndërtimit të një piramide (që, në thelb, nuk i shton asgjë mirëqenies së qytetarit), ajo, megjithatë, në kuadër të GDP-së, e sheh këtë piramidë si pjesë të rritjes ekonomike. Ndërkohë, ndërtimi i kësaj piramide mund të zhvendosë fonde reale nga aktivitete bazë të gjenerimit të pasurisë, pra dhe duke prekur prodhimin e saj. E njëjta vlen dhe për mirëqenien e popullit (të matur nga të ardhurat kombëtare). Pra, duhet të konsiderohet ndryshimi midis sasisë e cilësisë së rritjes, midis kostove e kthimeve, midis ndryshimeve kohëshkurtër e atyre kohëgjatë, apo, në përgjithësi, midis ndryshimeve "hardware" e "software"...

Për ilustrim le të marrim shembullin e sugjeruar nga një ekonomist me emër. Ky i fundit merr në analizë rastin (më tepër "imagjinar") të një ishulli, në zonën e Karaibeve. Një ishull i tillë është një vend fantastik për të jetuar, ka një klimë tropikale, plazhe rëre dhe, mbi të gjitha, një GDP të vlerësuar me disa mijëra miliardë dollarë. Pra, apriori, ky ishull është ndër vendet e mira për t'u jetuar. Por, nga pikëpamja e të dhënave, situata vlerësohet ndryshe nëse në këtë ishull banojnë dy njerëz: njëri - ndër të pasurit në botë dhe tjetri - praktikisht një skllav. Me këto të "dhëna", në fakt, ky vend nuk duket më aq i mirë: shkalla e papunësisë është 50%, vdekshmëria 50% etj. Edhe pse shembulli i mësipërm është një rast ekstrem, ama, ai manifeston një nga "shqetësimet" e vetë GDP-ja, kur matet mirëqenia brenda një vendi.

* * *

A mund të thuhet, pra, se GDP-ja është një tregues i saktë i mirëqenies së një vendi? Apo, akoma, si mund të krahasohet një vend ekonomikisht aktiv (me GDP-në e tij) me ishullin me një person të pasur dhe skllavin e tij?!...

Në fakt, kur u "sajua" GDP-ja, ajo nënkuptonte thjesht matjen apo masën e prodhimit të brendshëm dhe asgjë më shumë. Por, sot ajo, përfshirë GDP-në për frymë, shfrytëzohet dhe si mënyrë për të përcaktuar se cili vend jeton më mirë. Ndërkohë, ka dhe një mori gjërash, që duhen marrë në konsideratë kur përcaktohet një standard jetese (apo dhe radhitja e një vendi). Parë në një dritë "sociologjike-filozofike" paraja nuk është, pra, gjithçka. Bile, vetë GDP-ja në njëfarë niveli mat rritjen ekonomike, por jo patjetër gjithçka të lidhur me të. Ndërkohë, që pranohet se sipas "metodës së shpenzimeve" kemi: GDP = konsum(C)+ investim(I)+ shpenzimet qeveritare(G) + [eksporte(X)- importe(M)]. Ajo, në shkurtimin simbolik, ka pamjen: GDP = C + I + G + (X-M)... Por pavarësisht përbërëseve të kësaj formule, shpjegimeve e komenteve ndaj tyre, nuk ka fare arsye të fyhen gazetarët kur bëhet fjalë për terma apo shifra GDP-je. Më e "çuditshme" ishte se, edhe kur po ndjeheshin "lapsuset" me numra (që në raste të tjera kishin prekur deri rendet e tyre), apo, më keq, kur nuk po mbaheshin mend as vetë përbërëset e GDP-së, e gjitha ajo u përpoq të mbulohej me "teknikën" e fyerjes së gazetarëve të pranishëm. Ndërkohë që ia vlente që ata të fundit të largoheshin menjëherë të indinjuar!...

* * *

Në shoqërinë e sotme, në sajë të globalizimit dhe zhvillimit të tregtisë ndërkombëtare, vendet e ndryshme shfrytëzojnë matjet e GDP-së në klasifikimin e tyre global. Teorikisht mund të thuhet se atje ku ka më shumë rritje ekonomike dhe një GDP të pranueshme, vendi është më i favorshëm për t'u banuar. Veçse, ama, atje ku një vend ka thjesht një rritje financiare, një tjetër mund të ketë standarde më të mira jetese, diku fokusimi lidhet me prodhimin, diku tjetër merren masa shtesë në ngritjen e nivelit kulturor, mbi uljen e taksave, përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore etj. Me fjalë të tjera, edhe kur ka një rritje ekonomike, përsëri mbeten mjaft pikëpyetje për mbështetjen e njerëzve nga kjo ekonomi, sa mbeten të pastrehë etj. Akoma, më problematike është kur rritet sasia e njerëzve që nuk mund ta përballojnë minimumin e jetesës, p.sh., të themi kur vendi mund të kalojë në depresion në sajë të rritjes së treguesit të inflacionit apo të normave të interesit. Gjëra të tilla nuk llogariten nga GDP-ja, madje, ata nuk mungojnë që të shfaqen edhe gjatë rritjes ekonomike. Pra, të pretendosh se papunësia, uria e depresioni e bën një vend më të mirë për të jetuar, nuk duket as reale, as optimiste!?...

* * *

 Në përgjithësi, ekonomia lëviz në cikle duke u përafruar nga ekuacione ndryshimi me shumë parametra, të cilët pasqyrojnë në vetvete aspekte të veçanta. Shumica e këtyre aspekteve ekonomike vëzhgohen e shqyrtohen edhe sipas perspektivave psikologjike-sociologjike. Por, parë në këto perspektiva, recesioni nuk është se njerëzit kanë arritur kufijtë e tyre të mundshëm? Apo që ata nuk po shpenzojnë më atë që prodhojnë? Sidoqoftë, arritja në një gjendje ekonomike pikiatë janë të shumta. Nuk përjashtohet se në këtë proces edhe vendi me GDP-në më të madhe mund të jetë shumë më afër recensionit, aq më tepër kur inflacioni bëhet aq i lartë saqë të kapërcejë dhe çmimet.

Por, krahas tyre, ka dhe diçka tjetër me GDP-në, që është jo e vogël. Konkretisht, nëse maten e krahasohen vende të ndryshme të botës duke u bazuar mbi GDP-në e tyre, përsëri do të mbeten mjaft çështje të pasaktësisë e shmangieve statistikore. Prandaj, përgjithësisht, vendoset një  standard global, duke ndjekur të njëjtat procedura, vëzhgime serioze e matje profesionale për të gjitha vendet. Dhe, për më tepër, nga struktura statistikore të pavarura, neutrale e profesionale (aspak politike, aq më keq partiake, si në rastin shqiptar!). Përndryshe, vlerësimi mbetet i dyshimtë, aspak mbushamendës, pse jo dhe i ngjashëm me atë rastin e atij ishullit të përmendur më sipër. Pikërisht, këtë gabim, si "manifestim" të euforisë, po synon ta imponojë sot qeverisja e sotme. E kjo, ndërkohë që kushtet tona të jetesës vazhdojnë të jenë të papranueshme për një pjesë të qytetarëve, bile edhe duke u rritur vendi nga ana ekonomike një përqindje e madhe e popullsisë vazhdon të mbetet tepër e varfër!

Pra, praktikisht, duhen marrë parasysh edhe gjëra të tjera që, duke i përfshirë në llogaritje, përcaktojnë radhitjen e një vendi në botë apo rritjen e tij në bazë të matjeve të GDP-së. E thënë ndryshe, nëpërmjet llogaritjes së GDP-së, matja e rritjes ekonomike rezulton jo e saktë, bile e palidhur si duhet me atë të shumë vendeve të tjera. Pra, ka probleme në shfrytëzimin e GDP-së. Një pjesë e tyre, bile e bëjnë këtë GDP që të humbasë pjesërisht "kredibilitetin" e saj, edhe pse vetë GDP-ja është një instrument shumë i dobishëm në matjen e prodhimit, pra dhe të planifikimit të veprimit financiar. Nga ana tjetër, kur kërkohet të bëhet krahasimi me vende të tjera apo kur shtrohet çështja e matjes së rritjes reale dhe e cilësisë së jetës, GDP-ja nuk mund të shfrytëzohet më për këtë.

Shumë më i përshtatshëm në terma të rritjes dhe cilësisë së jetës rezulton Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI - Human Development Index), që mat moshën mesatare, nivelin e analfabetizmit, shkallën e edukimit, standardet e jetesës, përkujdesjen shëndetësore e mjedisore etj., pra dhe kritere thelbësore krahasimi, që lidhen me mirëqenien e qytetarëve në një vend të dhënë. Pra, ka mjaft faktorë jashtë parasë të lidhura me jetën, që nuk përfshihen në kuadër të GDP-së. Megjithatë, sistemi i GDP-së, me gjithë vështirësitë e veta, vazhdon të klasifikohet si një sistem i "mençur"! Ndërkohë që është më mirë të dish në mesatare atë që ndjen qytetari dhe jo matjet e rregulluara (nën trysni politike) për të furnizuar me "pompozitet" statistikën e GDP-së.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama