Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A po futet ekonomia shqiptare në recension?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
A po futet ekonomia shqiptare në recension?

Këto ditë kam ndjekur me kujdes të dhëna të azhurnuara në nivel global në "Universal Currency Converter". Ajo që më ka bërë aty më shumë përshtypje, krahas marrjes së ngadalshme të vetes të dollarit kundrejt euros, ka qenë kursi i këmbimit i euros dhe dollarit me lekun.  Bile, ndërsa euroja me zigzaget e vogla është duke u luhatur në vlerën 126-127 lekë, dollari po arrin gradualisht në vlerën e 100 lekëve. Pyetja që shtrohet sot është: A janë këto kurse këmbimi të përkohshme apo aty po shfaqet një prirje sa e rrezikshme po aq dhe e pritshme e zhvlerësimit të monedhës sonë? Apo po pasqyrojnë ato një pamundësi së kësaj monedhe për të rezistuar, me një sforco e kosto të lartë, brenda një politike monetare vendore, në kuadër të krizës financiare globale? Le të shpresojmë se ky zhvlerësim i këtyre ditëve do të mbetet thjesht i rastit, i kapërcyeshëm dhe me kosto të vogla, pa ndikime e pasoja serioze. Përndryshe, mund të ekspozohen vështirësi të reja më të mëdha për konsumatorin shqiptar...

* * *

Përgjithësisht, cikli ekonomik, në një periudhë relativisht të gjatë kohe, mund të pasqyrojë fazat e njohura si recension ekonomik, si gropë ekonomike (ekonomi minimale), si rimëkëmbjeje e zgjerim ekonomik dhe, së fundi, si "boom" ekonomik. Pa ndalur në analizën "teorike" të këtyre etapave, në kushtet e Shqipërisë përkujdesja kryesore duhet përqendruar, në kuadër të politikë-bërjes (veçanërisht prej strukturës ekzekutive, institucioneve përgjegjëse të ushtrimit të politikës fiskale e monetare), mbi dukurinë e recensionit ekonomik. Kjo edhe pse, në thelbin e vet, ekonomia shqiptare, pavarësisht rritjeve të veta, "mbarset" e zhvillohet pothuajse në kushte krize! Një pamje e tillë e bën akoma më të prekshëm shqetësimin e sotëm. Aq më tepër, që situata më të keqësuara ndeshen kudo në botë, si në vendet ekonomikisht të zhvilluara, ashtu dhe në ato me ekonomi të dobëta. Sidomos, është fare i pritshëm, me një probabilitet të lartë, një proces gradual transformimi nga recensioni shumë i afërt në atë të minimumit ekonomik, të "gropës ekonomike"!...  

* * *

    Siç pranohet, recensioni ekonomik, nga pikëpamja teknike, është një rënie apo "zbythje" në dy tremujorë të njëpasnjëshëm të PBB-së. Gjatë recensionit konstatohen qartësisht disa tipare të përgjithshme, si: bie ritmi i rritjes i Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) apo ai bëhet negativ; firmat prodhuese ulin prodhimin apo reduktojnë rezervat; rritet papunësia; inflacioni bie; zvogëlohet niveli i investimeve; kompanitë vuajnë nga rënia e fitimeve, apo vlerat në rënie të rikthimit të planifikuar të investimit, kosto të tepërta (parazitare).

Në kushtet shqiptare, krahas problemeve të mësipërme, humbje të konsiderueshme po shfaqin mjaft aktivitete tregtare, të goditura nga luhatjet, deri "vaporizimet", e kurseve të këmbimit. Sidomos blerjet në dollarë kohë më parë dhe shitjet e mëvonshme të këtyre mallrave në tregun shqiptar (në lekë) janë bërë tepër shqetësuese, si për tregtinë e shumicës, ashtu dhe të pakicës. Përgjithësisht, parë me këtë sy, edhe pse shumë të dhëna të rritjes ekonomike në Shqipëri ende nuk duken të klasifikohen si tipike të një procesi recensioni, ato diçka flasin. Edhe shifra qeveritare e "deklaruar" për rritje të PBB-së prej 9.9% në tremujorin e tretë, e krahasuar me përqindjen prej 6% të deklaruar ditët e fundit, është një dëshmi e tillë. Bile, ajo flet për një mundësi teknike recensioni, pavarësisht që shifrat e "komanduara" për INSTAT-in mund të kalojnë pa ndonjë teklif shkresurinat e deritanishme të dërguara për FMN-në.

Situata bëhet më e lexueshme kur kuptohet se mjaft biznese private kanë falimentuar e po falimentojnë dita-ditës. Mjaft dyqane "preken" apo frekuentohen nga një numër në rënie blerësish. Tepër shkatërrimtare, bile të dyshimta, kanë qenë dhe mjaft zjarre të fuqishme të kohëve të fundit, që kanë tronditur në mënyrë të pakthyeshme disa biznese të mëdha. Po ashtu, kompani të shumta po vuajnë sot rënien e fitimeve, kanë ulur prodhimin, po reduktojnë rezervat dhe, për më tepër, pa tentuar të rrisin "as një milimetër" nivelin e investimeve. Përjashtim është sot ndërmarrja e prodhimit të energjisë elektrike (nga hidrocentralet), e palidhur me krizën financiare, por që është krejtësisht e kushtëzuar nga niveli shumë i lartë i reshjeve në muajt e fundit. Gjithashtu, fakte të tjera të dukshme, pavarësisht çfarë propagandohet, janë papunësia e lartë (edhe pse në dikastere, në këtë periudhë parazgjedhore, pretendohet një shtesë personeli e komanduar!) dhe një rënie e inflacionit (që në pasqyrim të politikës monetare vihet re dhe si detyrim në rritje për uljen e normave të interesit të depozitave), që janë tipare shoqëruese të recensionit. A nuk janë këto të dhëna të mjaftueshme për të ngritur apo mbajtur në alarm qeverinë apo Bankën e Shqipërisë?!...      

* * *

Në një gjendje depresioni të plotë apo arritjes së gropës ekonomike treguesit e recensionit të përmendura më sipër përkeqësohen më tej. Të tilla janë, p.sh.,: një nivel shumë i lartë papunësie; nivele tepër të ulëta investimesh; shpenzime të reduktuara të konsumatorëve (veçanërisht për mallra me përdorim me kohë më të gjatë, plus ulje të mëtejshme të harxhimeve të mëparshme për pushime, restorante etj.); një shkallë e lartë e kapacitetit të kursimit; një inflacion i ulët etj. Duke analizuar disa nga këto tregues, sidomos ata të lidhur me konsumin, shqetësimet e mësipërme bëhen akoma më serioze. Aq më keq, që në kushte të tilla të përkeqësuara të mbyllen sytë dhe të futet në funksion të plotë paraja e kriminalizuar! Po aq problematik pritet të rezultojë, në rrjedhje të këtij viti, dhe pakësimi i parasë së ardhur nga puna e ndershme prej emigracionit shqiptar apo, në përgjithësi, paraja shtesë prej eksportit kohë-shkurtër ose kohë-gjatë të krahut të punës në vendet fqinje. Gjithashtu, shpresat "ekzekutive" për investime teknologjike larg kushteve evropiane mjedisore janë pa perspektivë përkundrejt direktivave gjithnjë e më të rrepta të BE-së. Dhe, mbi të gjitha, ato as nuk e zgjidhin krizën, aq më shumë që na shfaqen si projekte investimesh të papërgjegjshme e larg interesave kombëtare afatgjata. Bile njëlloj, siç kanë dëshmuar edhe mjaft veprime e aksione të tjera, pavarësisht "shitjes" së skajshme të tyre me terma demagogjikë e populistë, pse jo dhe me gjoja "patos" nacionalist!

Ajo që kërkohet sot është përgatitja sa më e shpejtë e një pakete antikrizë, miratimi i saj parlamentar me konsensusin e plotë të forcave politike. Jo në funksion të flamujve partiakë për t'i valëvitur në zgjedhjet e ardhshme, por në shërbim të qytetarit, të kapërcimit më lehtë dhe me më pak vështirësi të pasojave të krizës globale...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama