Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ku janë politikanët e marrëveshjes?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Ku janë politikanët e marrëveshjes?

Diskutimi për marrë-veshjen e ujërave midis Shqipërisë dhe Greqisë, po fiton atë që me vullnetin e nënshkruesve, i mungonte që në krye të herës. Njëlloj tejdukshmërie relative, apo transparencën, fjalën e huaj që kolonel Myslim Pashaj kërkon ta zëvendësojë në përpjekjen e tij davidiane për të shqipëruar gjithçka në kuadrin ligjor. Kjo tejdukshmëri është diçka absolutisht e nevojshme: një vend nuk miraton çdo vit apo disa herë në vit marrëveshje kufijsh dhe nëse sot kemi më shumë tejdukshmëri kjo është meritë e kolonel Pashajt.

Mirëpo në një përpjekje komprometuese nënshkruesit e marrëveshjes po tentojnë ta kryqëzojnë kolonel Pashajn, këtë racë zyrtarësh të vjetër patriotë të shtetit shqiptar, që është azhornuar me të rejat e shkencës në fushën e vet, s’ka harruar rusishten, por ka mësuar anglishten, jo thjesht të përdorimit të përditshëm. Njerëzit e qeverisë po e sulmojnë kolonelin nëpërmjet gazetës së partisë në pushtet, në një përpjekje që synon ta paraqesë si një njeri të lajthitur prej moshës. Në këtë përpjekje me të vërtetë ka diçka çnjerëzore që kjo parti e ka nxjerrë nga arkivi i lojës së hershme politike, ku sulmet personale synonin të rrëzonin kurajën e oponentëve të saj, personalitetin e tyre.

 Meqenëse Pashaj është praktikisht i vetmi ekspert i palës akuzuese që po shtohet në numër në përmasa shqetësuese për qeverinë, atëherë të gjitha bateritë janë përqendruar tek ai. Edhe kundëradmirali Gërveni, pjesë e një skenari të tillë u përpoq ta shantazhonte Pashajn në një emision televiziv, diçka që nuk pati sukses, falë nervave të forta të kolonelit. Pashaj duket se nuk i ka shpenzuar tërë municionet e veta: me gjithë njëlloj dobësie në aftësitë sintetizuese të koncepteve të së drejtës ndërkombëtare, ai rezulton të ketë diferencë nga ata që janë përballur me të, afër apo në distancë.

 Tezat e tij mund të jenë vërtet maksimaliste, por edhe sikur e vërteta të jetë në mes të pretendimeve të tij dhe të përfaqësuesve të shtetit, atëherë ajo mbetet gjithaq tronditëse.Ka dhe më në këtë debat që e pasuron skenën politike dhe shoqërore të vendit. Rezulton që ekipi negociator shqiptar ka pranuar pozicionin grek (Greqia është një vend detar dhe ekspertët e saj duhet ta njohin detin njëlloj apo më mirë se tokën) në pikat kryesore të tij.

Ky pozicion është i mbështetur në një parim të vetëm të Konventës së detit, që është ai i baraslargësisë, parim që i favorizonte grekët në ballafaqimin me palën tonë, favorizim i shtuar edhe më për shkak të leximit të pjesshëm të disa neneve të Konventës, dhe jo të të gjithë tekstit, pra frymës së saj. Për më shumë duket se janë injoruar jurisprudenca apo doktrina e së drejtës së detrave, përfaqësuar nga vendime të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës apo asaj të Detit, etj., që veç të tjerash, mëshojnë një parimi tjetër, atij të përpjesëtueshmërisë.

Detet janë hapësira të mbijetesës së kombeve, dhe nuk mund të trajtohen me të njëjtin dinjitet ishuj të vegjël, me shtete kontinentalë: sipas parimit të përpjesëtimit një ndarje kufijsh detarë rezulton e drejtë dhe e ndershme nëse sipërfaqja e detit për çdo kilometër breg është përafërsisht e njëjtë për dy shtetet kufitarë.

 Ky parim duhet të ishte gjithashtu i parashtruar që në nenin e parë të marrëveshjes, sepse nëse për një pjesë të çështjeve të diskutueshme vlente parimi i baraslargësisë, për çështje të tjera vlente parimi i përpjesëtueshmërisë, siç linte të kuptohej një ekspert tjetër i thirrur nga “Panorama”, zoti Anastas Goga. Ky parim duhet të ishte zbatuar në shumë momente të negociatave. Për më shumë Shqipëria ka bërë disa gabime të tjera që e bënin më vulnerabël, më të përthyeshëm pozicionin tonë.

Ajo ka shkuar në negociata pa disa pozicione fikse që vendosen nëpërmjet ligjeve të caktuara për vijën bazë, gjiret historike etj., pozicione prej të cilëve mund të tërhiqej, por vetëm pjesërisht. Ajo nuk ka qenë e armatosur me ekspertizë që përfitohet prej precedentëve në zgjidhjet e marrëveshjeve të ngjashme, apo prej ekspertëve ndërkombëtarë që dikush ia ka afruar, por nuk i ka pranuar.

Pala shqiptare ka pranuar me shpejtësi të madhe të gjithë imponimet greke, shpejtësi e cila duket nga fakti se midis palëve janë zhvilluar vetëm tre takime që kanë mbyllur gjithçka. Është e vërtetë se përdorimi i një sistemi gjeodezik të përbashkët, i realizimit të matjeve me forma më të përparuara se më parë, krijon premisa për shkurtimin e kohës së miratimit të marrëveshjeve të tilla, por ama fakti që kanë mjaftuar vetëm tre takime, dëften se palët nuk kanë debatuar aq shumë për ndarjen e një deti që të paktën midis Shqipërisë dhe Greqisë duket i komplikuar. Palët nuk kanë vendosur në marrëveshje veç koordinatave hartën (apo hartat) ku janë mbështetur, element i domosdoshëm në tekstin e një marrëveshje të tillë siç duket dhe në marrëveshjet shqiptaro-italiane, apo greko-italiane, ku referencat për hartat janë që në nenin e parë ose të dytë. Pra mungojnë hartat e referencës, por dhe harta produkt i marrëveshjes që do të rriste transparencën e saj.

Por duke u shkëputur nga konsideratat juridike që ndoshta janë të vështira për lexuesin e gjerë (konsiderata të një gazetari që ka studime diplomatike dhe juridike), le të hyjmë në disa konsiderata të tjera që janë politike.

Konsiderata politike

A janë këto gabime vetëm gabime të një grupi ekspertësh apolitikë? Jo, megjithëse shteti, qeveria duket sikur përpiqet të na mbushë mendjen për këtë. Edhe organizimi i debatit tek Fevziu ku mori pjesë një ushtarak përballë një ish-ushtaraku (diçka që tenton të vërë indirekt gishtin e fajit apo të përgjegjësisë vetëm tek ushtarakët) dhe përfshirja vetëm e pjesshme e diplomatit Ferit Hoxha, duket sikur japin idenë se marrëveshja është fryt i vendimeve të një grupi ekspertësh dhe politikanët s’kanë faj. Ministria e Jashtme thuajse nuk po paraqitet në debatin publik, (nuk dëshiron të mbajë në dorë pataten e nxehtë të titullarit të mëparshëm) dhe të mos ishte përpjekja e lavdërueshme e ministrit të Mbrojtjes, Imami, situata mund të ishte tjetër. Pra, qeveria duket se do të na mbushë mendjen se gjithçka e mirë apo e keqe është bërë prej ushtarakëve, apo ekspertëve. E vërteta është krejt ndryshe ose duhet të jetë krejt ndryshe nga ç’po na thonë. Qoftë në rastin që politikanët kanë miratuar pa asnjë kundërshtim pikat e diskutueshme të marrëveshjes, qoftë në rastin kur ata kanë monitoruar me vëmendje çdo moment të negociatave siç duhet të ndodhë në momente kaq delikate, qoftë në rastin kur ata as nuk e kanë patur mendjen në to, ata mbeten përgjegjësit kryesorë të cilësisë së marrëveshjes. A kemi humbur territor apo jo (me shumë gjasa kemi humbur shumë edhe nëse jo aq sa thotë Pashaj), në histori nuk do ta mbajnë përgjegjësinë ekspertët, por politikanët.

Edhe diçka tjetër që lidhet me reagimin e opozitës. Megjithëse i vonuar ai duket reagim i drejtë që e fut debatin në hulli institucionale, pavarësisht se mungon përmasa parlamentare e debatit. Opozita dëften megjithatë mungesë zërash të specializuar që do të mbështesnin Pashajn dhe s’do ta linin të vetëm përballë shtetit. Kjo duket e çuditshme, anipse në radhët e opozitës duken shumë individë të specializuar për ligjin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo dëften njëlloj frike përballë fqinjit, i cili nëse nuk po reagon drejtpërdrejt publikisht, por reagon ndryshe.

Reagimi distancues i Dules ndaj këtij pozicionimit kritik të opozitës, u pasua nga thyerja e bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme, një lëvizje që Dules nuk i jep asgjë, përveçse legjitimon këto zgjedhje që mund të rezultonin pa komisionerë dhe për pasojë do të ishin nul. Pra kjo lëvizje e Dules, lëvizje paralajmëruese në favor të Berishës ngjan si e nxitur nga reagimi i bllokut opozitar për ujërat. Ndërkaq ekzistojnë dyshime të arsyeshme se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nëse pranon kërkesën e partive opozitare (pra legjitimon ato si palë), mund të jetë i formës “nuk gjykojmë dot vullnetin politik”. Kjo e bën më delikate debatin në Gjykatë, ndaj do të duhej eventualisht dhe një ekspert i huaj veç Pashajt. Gjithsesi le të shohim si do të reagojë ky institucion përballë një testi si ky që nuk i bie shpesh në jetë gjyqtarëve të Kushtetueses.

Në fund të fundit, debati për ujërat është një nga debatet politikë dhe juridikë më seriozë të këtyre viteve tranzicion dhe për këtë merita i shkon një njeriu të vetëm që e tërhoqi me forcë brenda debatit gjithë opinionin publik.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama