Rrugëve të qyteteve të mëdha, e aq më shumë në Tiranë, mund të hasësh gjithnjë e më shpesh njerëz të sëmurë mendërisht, por edhe hallexhinj e fukarenj, të cilëve kequshqyerja dhe veshja me zhele u jep një pamje prej të sëmuri. Këta njerëz, pjesa tjetër e shoqërisë i përgjithëson me një emër fyes, duke i quajtur të çmendur. Kohët e fundit kjo kategori njerëzish është shtuar, gjë e cila nuk ka aspak lidhje me pretendimin zyrtar për rritjen e mirëqenies dhe përmirësimit të nivelit të jetesës. Por, sipas një kolegut tonë, kësaj kategorie u janë bashkuar edhe të huaj, që jetojnë apo punojnë përkohësisht në Shqipëri, por që nuk dihet se për çfarë arsyeje janë budallallepsur. Episodi që argumentonte këtë konstatim ishte ky:
Pranë ndërtesës së Qendrës Europiane të Tregtisë në Tiranë, ETC, në një kryqëzim nuk ka semafor, por ka viza të bardha, të cilat në gjuhën e policisë rrugore tregojnë se aty është prioritet kalimi i këmbësorëve. E thënë më thjeshtë akoma, makinat aty duhet të ndalojnë dhe të lejojnë të kalojnë këmbësorët, edhe pse nuk as semafor e as polic që t‘i bjerë bilbilit. Një grua e huaj, në dukje një bionde e shpëlarë nordike, kishte pritur më kot për minuta me radhë që ndonjë makinë të ndalonte që ajo të kalonte. Ajo nuk kishte dashur të futej kuturu, përmes lumit të makinave, siç bëjnë shumë shqiptarë, por po priste respektimin e vijave të bardha. Dhe, pasi nuk po ndodhte ajo që duhej të ndodhte, në kulmin e nervozizmit, gruaja e huaj kishte dalë në mes të rrugës, kishte hapur krahët, duke bllokuar makinat e duke ulëritur: Stop, stop… Gruaja bërtiste në gjuhë të saj, duke thënë, mesa duket, se edhe njerëzit duhet të kenë të drejtë të ecin në rrugë, ndërsa drejtuesit e makinave kishin nisur në kor t‘u binin borive. Pasi ajo kishte zënë rrugën, kaluan të qetë edhe disa shtetas shqiptarë, mes të cilëve edhe një grua me karrocën e fëmijës. Pas këtij gjesti, gruaja kishte dalë në anën tjetër dhe makinat vërshuan sërish në rrugë.
Ndërsa flisnim për gruan e huaj që bllokoi rrugën, na erdhi ndërmend një përvojë, në një vend shumë larg nga këtu gjeografikisht e shumë më tepër larg për sa i përket edukatës qytetare dhe respektimit të ligjit e shtetit. Vite më parë, të ndodhur në një qytet të vogël në Florida të Shteteve të Bashkuara, një grup gazetarësh ecnim me nge përmes një rrugice. Pa e vënë re, një makinë ecte ngadalë pas nesh për disa qindra metra dhe dikush tha me shqetësim se ishin duke na ndjekur. Ardhur nga një vend ku konspiracioni dhe frika na kishin hyrë në gjak e në palcë, pëshpërimat filluan të flisnin për ndonjë agjent që na e kishin vënë pas, sepse menduam se në Amerikë duhet të dinë gjithmonë se ç‘bëjnë të huajt që e vizitojnë. Por shoqëruesi ynë na e hoqi këtë merak, duke na thënë se shoferi po ecën pas nesh, pasi në këtë rrugë kanë prioritet këmbësorët dhe ai do të kalojë vetëm nëse ne ia hapim rrugën. Ardhur nga një vend ku njerëzit e motorizuar përshëndeten nga njëra anë e rrugës në tjetrën me bori shurdhuese, ne shprehëm habinë që ai nuk i ra së paku një herë borisë, që ne ta lejonim të kalonte. Por për këtë gjë ai mund të gjobitej ndaj dhe kishte ndjekur rrugën më të thjeshtë, priti sa ne ia liruam rrugën.
Në vendin të cilin ne po e shtyjmë me gjithë forcë për të çuar në Europë, atje nga vinte dhe ajo gruaja e huaj, këto gjëra nuk ndodhin. Këtu fqinji nuk e respekton fqinjin, shoferi nuk e respekton kalimtarin, qytetari nuk e respekton ligjin, as shtetin, as mjedisin. Këtu mund ta thyesh pemën në trotuar e nuk gjobitesh, mund të hedhësh mbeturina në rrugë e nuk gjobitesh. Drejtuesi i makinës mund të gjobitet, po e pa polici, nëse kalon ndërsa semafori është i mbyllur, por nuk gjobitet po e rrëzoi krejt shtyllën e semaforit. Këtu nuk gjobitesh kur ndot dhe as kur prish qetësinë publike. Këtu nuk ndodh asgjë nga këto gjëra që ne mund t‘i konsiderojmë të vogla përballë problemeve të mëdha që kemi. Por ato janë në fakt njësia matëse e civilizimit dhe qytetërimit të një shoqërie. Ky vend mund të mbushet me grataçiela në çdo cep, por derisa të banohet nga një shoqëri që jeton në mënyrë kaotike, s‘ka për të qenë kurrë europian.
Drejtuesit e makinave, të cilave ajo gruaja e huaj u zuri rrugën, patjetër që kanë menduar se ajo është një e sëmurë, ose e çmendur siç themi ne. Edhe ata shqiptarë që s‘kanë frikë nga vdekja e u futen makinave përpara, kanë menduar po kështu. Por të jemi të sigurt se ajo gruaja me karrocën e fëmijës që priste të kalonte mbi vijat e bardha, nuk ka menduar fare ashtu. Ajo nuk ishte fare një e sëmurë, apo e çmendur, por një qytetare dhe grua e edukuar, së cilës puna apo jeta ia do të jetojë mes një turme njerëzish që nuk njeh as ligj, as edukatë e as rregulla. Dhe në një mjedis të tillë nuk është çudi që një ditë ajo të çmendet vërtet. Por, atëherë, ne që jetojmë këtu, s‘do mund ta dallojmë dot, pasi do të na duket një si shumë nga ne.