Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politika, mes neverisë dhe imoralitetit

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Politika, mes neverisë dhe imoralitetit

Prej vitesh ne i jemi adresuar politikës si përgjegjëse për shumë gjëra që nuk na kanë ecur mbarë si vend dhe si fajtorë për shumë gjëma që na kanë ndodhur si popull. Aktualisht, klasa jonë politike është duke interpretuar shfaqjen e radhës, fundin e së cilës nuk e dimë me saktësi se si do të jetë, pra komik, paqësor apo do të jetë katrahura e radhës. Por, ajo që ne po shikojmë sot, është skena më e shpifur që kemi parë ndonjëherë, madje më e shpifur edhe se ajo e vitit 1997, kur politikanët morën armët e dolën malit. Të paktën ajo kishte një fije burrërie, së cilës ne shqiptarëve na e ka ënda t‘i referohemi edhe në rastet kur të bën gjëmën.

Prej disa ditësh, qëkurse Kryeministri Sali Berisha nga foltorja e shenjtë e Parlamentit hapi thesin dhe akuzoi Edi Ramën për rrahjen e nënës, gruas së parë dhe të dytë, mikeshave dhe shoqeve, të bërit politikë ka hapur një kapitull i cila nuk ka qenë kurrë më i neveritshëm. Shpërthimi i Berishës nuk kishte qenë vetëm një reagim i çastit apo shfrim mllefi, pasi i kishte sosur durimi nga fyerjet që Rama i kishte bërë familjes së tij, por fillimi i një dallge të madhe e të shfrenuar deklaratash duke përfshirë gjithkënd e kudo, nga Malësia e Madhe në Devoll e nga Peshkopia në Sarandë. Çdo ditë, edhe në ditë feste apo ditë pushimi zyrtar, nga selia e PD-së mbërrijnë në redaksitë e gazetave e televizioneve njoftime për deklarata deputetësh, ministrash, zëvendësministrash dhe padyshim edhe zëdhënësish. Ende pa u fikur kamerat në selinë e demokratëve, fillon seria e njoftimeve nga selia rozë e socialistëve. Kundërdeklarata dhe kundërakuza pasojnë njëra-tjetrën. Deputetë e deputete, edhe pa betim, zëdhënës e titullarë partie dalin me radhë të mbrojnë nderin e kryetarit, pasi kundërshtarët s‘kanë lënë gjë pa thënë.

Deklarata që nisin me të drejtat e fëmijëve dhe te fjalia e dytë dalin te gratë që ka rrahur Edi Rama. Deklarata që nisin me arritjet që ka bërë Shqipëria në fushën e arsimit, dhe që sërish në mes dalin te fotot nudo të Edi Ramës me një grua. Deklarata që nisin me vizat që do të hiqen vitin tjetër dhe që në mes dalin sërish te vajza që Edi Rama rrahu në lokal. E njëjta deklaratë, e printuar në dhjetëra kopje, lexohet dhjetëra herë çdo ditë, në çdo qytet e fshat, kudo ku ka një aktivitet partiak apo qeveritar. Mes gjithë kësaj zallamahie deklaratash absurde, edhe absurdi nuk ka fund. Një prej grave demokrate që, edhe pse punon në qeveri, doli dje para mikrofonave në selinë blu dhe e akuzoi Edi Ramën jo vetëm se ka rrahur gratë dhe të dashurat, por tani ai po dhunon edhe gratë deputete, të cilat i detyron të dalin në konferenca shtypi dhe të lexojnë deklaratat që ua çon me sms. Kjo grua nuk sqaronte nëse ishte apo jo edhe vetë e dhunuar, pasi, ashtu si gratë e Partisë Socialiste, edhe ajo ishte urdhëruar të dilte aty e të lexonte një deklaratë të shkruar nga tjetër kush. Për të shmangur keqkuptimet gjinore, PS ndërroi taktikë duke nxjerrë dy deputetë e dy deputete për t‘iu kundërpërgjigjur akuzave të radhës. Edhe nga selia rozë deklaratat kanë të njëjtën strukturë. Fillojnë me familjet e varfra që nuk nxjerrin dot muajin me asistencën që marrin dhe vazhdojnë me Berishën që ka humbur ekuilibrin mendor. Deklarata që fillojnë me rritjen e çmimit të energjisë dhe vazhdojnë me kutitë që duhet të hapen me çdo kusht. Deklarata që fillojnë me shkollat që nuk kanë çati dhe vazhdojnë me sulme ndaj Berishës, që shkeli ligjin duke i mbushur bashkisë gropën në qendër të Tiranës.

Është një garë e shfrenuar deklaratash. Nuk bëhet fjalë për konferenca shtypi, pasi askush prej atyre që del para kamerave nuk pranon pyetje nga gazetarët. Të gjithë janë tellallë që lexojnë letrat e diktuara nga Berisha dhe Rama, të cilat po të transmetoheshin të gjitha në ekrane, do ta çonin popullin drejt dyerve të kinemasë nga neveria që do të ndjenin për televizionin.
Kjo klimë i paraprin futjes së politikës në një tjetër hulli, atë të mitingjeve dhe antimitingjeve që do të nisin bashkë me dhjetorin. Opozita do të nisë stinën dimërore të mitingjeve, për të kërkuar hapjen e kutive ose zgjedhjeve të reja, ndërsa mazhoranca stinën e mitingjeve festive për të demonstruar vendosmërinë për të mos i marrë në konsideratë kërkesat e opozitës. Nga lufta e deklaratave, partitë pritet të hidhen kështu në ringun e luftës me mitingje, një absurd edhe më i madh. Nga Parlamenti, arti i të bërit politikë zbret kështu në rrugë të madhe, duke dëshmuar se pavarësisht etiketës, e vjetër apo e re, politika mbetet një gjenerator i dhunës dhe tensionimit të mjedisit publik.

Në një vend demokratik, politika duhet të ndeshet në Parlament, ndërsa sheshet e mitingjeve duhet të jenë për sindikatat, të cilat duhet të protestojnë për rritjen e çmimit të energjisë, mungesën e vendeve të punës dhe të tjera probleme që shqetësojnë shoqërinë. Do të qëndronim natë e ditë, në çdo shesh proteste, nëse dikush do të inicionte një protestë për të shpëtuar parkun kombëtar të Lurës nga shkatërrimi që po i bëhet çdo ditë nga kontrabandistët me dhe pa pushtet. Do të qëndronim natë e ditë në një protestë para Ambasadës Italiane, pasi një kolegut tonë i vdiq djali 3 vjeç dhe nuk e dërgoi dot në Itali, pasi nuk i dhanë vizë. Ka shumë argumente për të cilat ia vlen të protestosh, por duket se partitë kanë vrarë çdo iniciativë tjetër në këtë vend, në të cilin tani mund të protestohet vetëm për politikë. Dhe gjithnjë e më shumë politika këtu po zhvishet nga morali, parimet dhe idealet dhe po i hyn një beteje ku luftohet vetëm për zonat e influencës ekonomike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama