Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse kaq shumë njerëz dje në miting

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 16 vite më parë

Henri Çili
Pse kaq shumë njerëz dje në miting

Pavarësisht shifrës zyrtare apo kundërshtimit të saj nga shifra opozitare në mitingun e djeshëm të PD-së, më rastin e 8 dhjetorit kishte një numër të jashtëzakonshëm njerëzish. Më shumë ndoshta se çdo herë tjetër në atë shesh, madje edhe sikur ketë ta krahasojmë me mitingjet e përmbysjes së regjimit në fillimit të viteve 90-të. Po pse një pjesëmarrje e tillë, kur ishte thjesht përvjetori i 19 –të i ditës kur studentët nisën protestat e ndrojtura në qytetin Studenti që u ndoqën nga shpallja e pluralizmit, kur 8 dhjetori është një festë gjysmë zyrtare e gjysmë simbolike për një pjesë të popullsisë, një festë e re në morinë e shumë e shumë festive që ka Shqipëria në kalendar me te kuqe, madje as me të kuqe më duket se nuk shënohet në kalendar. Një pyetjeje të tillë qeveria do t’i përgjigjet me entuziazëm si mbështetje për qeverinë dhe dashurinë që populli ka për këtë qeveri, kurse opozita me siguri ka nisur të denoncojë e do të denoncojë vendosjen e aparatit shtetëror në shërbim të kësaj feste të thirrur nga qeveria. Të dyja janë përgjigje të pritshme, skematike me deklarata zëdhënësesh, gjysmë të gatshme për skeçin e radhës së Portokallisë.

Në fakt dje kishte kaq shumë njerëz në shesh, jo pse e donin shumë qeverinë, jo pse i kishin sjellë me detyrim, jo pse u kishin vënë në dispozicion sandviçë e autobusë, jo pse ishte 8 dhjetori-dita e rinisë dhe të tjera nga këto: në shesh kishte kaq shumë njerëz si një demonstrim i koshiencës demokratike të një pjese të madhe dhe transversale të shoqërisë shqiptare lidhur me momentin politik ku gjendet sot vendi, pasojë e një procesi tashmë të zgjatur ku e ka futur vendin qëndrimi i opozitës politike të Edi Ramës që pas 28 qershorit.

Demokratët dhe të tjerë shqiptarë iu përgjigjën thirrjes së hapur të kryeministrit Sali Berisha për të demonstruar fuqinë e tyre në një ditë simbolike, si një mënyrë për të thënë secili me pjesëmarrjen e vet se shoqëria shqiptare është në një tjetër gjendje dhe konsensus nga ajo që interpretohet si pasojë e bojkotit të opozitës apo qoftë edhe nga ajo që del nga protesta e 20 dhjetorit e opozitës.
Duke e marrë paksa me shaka pretendimin e Edi Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve dhe duke e përligjur ekzagjerimin dhe ngulmimin e tij lidhur me problemet teknike të zgjedhjeve të 28 qershorit me faktin që ai duhej të përligjte brenda partisë dhe të vetëve, qëndrimin në krye të PS-së edhe pas humbjes, edhe pas mosmbajtjes së pretendimit për tu larguar në rast se nuk do t’i sillte në pushtet socialistët, jeta jonë publike mbërriti deri tek protesta e opozitës më 20 nëntor paksa e shkujdesur.

Duke përligjur vetë-sugjestionin e Edi Ramës dhe të një grupi në partinë e tij se “i kanë vjedhur zgjedhjet” dhe se “fitorja ndodhej në kuti”, u rrezikua krejt papritur të krijohej një precedent tejet negativ, ai i legjitimimit të një  bojkoti të padrejtë parlamentar dhe i konsolidimit të një të padrejte: ai që humb zgjedhjet edhe mund të mos e pranojë rezultatin dhe me 10 mijë apo 100 mijë shqiptarë nga pas mund të hapë një konflikt politik mbështetur mbi një vjedhje të pretenduar të zgjedhjeve. Kjo kur vetë ai që ka humbur zgjedhjet ka bashkë-drejtuar dhe bashkë-bërë gjithë procesin zgjedhor nga fillimi e deri në firmën e fundit të komisionarit më të largët, apo të gjykatës më të fundit destinuar për këtë çështje.

Kaq shumë njerëz dje në shesh dolën pikërisht për këtë gjë: për të demonstruar se një normalitet politik sundon në shoqëri, se shqiptarët janë të përfaqësuar në shumicën e tyre në pushtetin e sotëm, sidomos kjo pas koalicionit pas zgjedhor PD-LSI dhe se kjo e vërtetë nuk mund të deformohet me taktikë politike jo e jo, por as me protestën e ndershme të 100 mijë socialistëve të lënduar apo të interesuar.

Dy turma të mëdha janë tashmë ne shesh. Aq sa demonstrim i normalitetit politik ato mund të kthehen shumë shpejt në një strukturë gjysmë – të gatshme për një konflikt shoqëror. Ndaj është rasti më i mirë për një dialog të hapur mes palesh, për thirrjen e arsyes në vend të vetë-sugjestionimit, për të vijuar luftën politike, atje ku asaj i takon normalisht, në Parlament dhe institucione ashtu sikurse qeveria duhet të demonstrojë në vullnet të hapur për të demokratizuar institucionet e për të krijuar kushte për një garë politike të drejtë dhe të ndershme, që tani, pa pritur thjesht reformën e ardhshme zgjedhore. Opozita ka rastin të kthehet në institucione duke pranuar realitetin e 28 qershorit. Ose mund të vijojë të qëndrojë, qoftë edhe në rrugë por duke i dhënë vetes një kauzë të re, të vërtetë që i takon si detyrë, pasi të lërë jashtë skenës kutitë dhe në përgjithësi zgjedhjet e 28 qershorit, duke u marrë me misionin e vërtetë të çdo opozite: luftën ndaj qeverisë, qoftë dhe për rrëzimin e saj me mjete demokratike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama