Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shpresa prej Kushtetueses

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Shpresa prej Kushtetueses

Ka kaluar pa vëmendjen e duhur seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me çështjen e përkufizimit të kufijve detarë me Greqinë. Vetëm “Gazeta Shqiptare”, që kishte nisur betejën në fjalë, botoi njëlloj procesvervali të seancës me pyetje përgjigjet më kryesore që u konsumuan në 7 orë. Përtej shqetësimit për këtë mungesë vëmendje mbi një seancë unike në llojin e vet në historinë e Republikës, diçka që e bën mjaft të rëndësishme për të gjithë ne, për protagonistët, për gjykatësit, prej asaj seance ka diçka tjetër që meriton vëmendje. Është përkushtimi profesional i gjyqtarit Xhezair Zaganjori. Zaganjori ishte vendosur prej një kohe të gjatë nën presion, për shkak se në fazën e negociatave ishte thirrur për konsulent nga ekipi ynë përfaqësues në këto negociata. Nga gazetarët e Shqiptares, ky moment ishte konsideruar si i mjaftueshëm për ta bërë këtë presion mbi të dhe për ta detyruar të jepte dorëheqjen për konflikt interesi. Kjo nuk ndodhi, dhe bëri mirë që nuk ndodhi.

Prej procesverbalit në fjalë, çdokush mund të kuptojë fare mirë se Zaganjori ishte gjyqtari që shkëlqeu gjatë asaj seance me pyetjet dhe komentet e tij, të përfshira në mes të pyetjeve. Ato dëftyen jo thjesht një nivel të lartë profesional, përgatitje për rastin në fjalë që e dallonte atë mes anëtarëve të tjerë të trupit gjykues të nderuar të asaj Gjykate, por dhe një nivel të lartë përgjegjshmërie. Këtë shfaqje të shkëlqyer të tijën në rolin që i takon, që sot për shkak të pasojave të vendimit të Kushtetueses mund ta quajmë historike. Qëndrimet e Zaganjorit që përgënjeshtruan skeptikët dhe kritikët e tij, na bënë të qartë edhe më shumë elementë të lidhur me atë që kishte ndodhur gjatë negocimeve me palën greke. Ato vunë në pozitë më dekonspiruese gabime e një pjesë të negociatorëve, ku duhet shquar Admirali i flotës sonë Gerveni. Për shkak të ballafaqimeve me precedentët e Italisë me Greqinë për të njëjtin ishull, atë të Othonit, ne kuptuam shumë më shumë se ç’kishim kuptuar prej veprës së një njeriu tjetër të veçantë, si ish koloneli Myslim Pashaj. Ne kuptuam se në negocimin e një marrëveshje të tillë nuk mund të bazohesh vetëm në një parim të konventës, siç është ai i barazlargësisë, dhe për pasojë ta shpallësh se ke miratuar diçka në përputhje me ligjin ndërkombëtar. U përmendën dhe parime të tjera si ai i barazisë, përpjesëtueshmërisë, etj. Zaganjori ndriçoi dhe shumë elementë të tjerë të kësaj marrëveshjeje, duke ofruar që në këtë fazë, nëpërmjet pyetjeve, pozitën e “të tretit të paanshëm”. Edhe gjyqtarë të tjerë treguan vlerësim të asaj që po bëhej në atë gjykatë, siç ishte rasti i zotit Sokol Berberi, apo dhe kreut të gjykatës Vladimir Kristo.

Lajmi i mirë prej asaj seance është se vendit nuk i mungojnë figurat institucionale të përkushtuara ndaj interesit kombëtar, pavarësisht përkatësisë politike të mëparshme, apo dyshimeve të shprehura rreth tyre me ose pa të drejtë. Nga gjithçka ndodhur në këtë periudhë, veçanërisht pas disa vendimeve të Gjykatës së Lartë, në lidhje me imunitetin e disa ministrave të qeverisë Berisha, u krijua një frymë pesimizmi në drejtësinë e këtij vendi. U krijua përshtypja se presioni i egër ushtruar prej kryeministrit në të gjitha format, do të kishte lëkundur të gjithë institucionet e drejtësisë. Mbase gëzimi për performancën e Zaganjorit mund të jetë i parakohshëm, por ne dhe jo vetëm ne, madje dhe profesionistët e institucioneve tona, duhet të nxjerrim shumë mësime. Shteti, kombi është mbi të gjitha dhe ai nuk përfaqësohet në mënyrë ekskluzive nga kryeministri. Mu kujtua një rast i shkëlqyer disidence prej një diplomati të shquar amerikan, këshilltari politik i Ambasadës në Athinë, kur SHBA-të vendosën të sulmonin Irakun. Pavarësisht se si shqiptar më duhet të jem krahpërkrah SHBA-ve në operacione të tilla, më duhet të çmoj veprën e këtij diplomati disident ndaj sulmit. Në shenjë kundërshtimi ndaj këtij sulmi, ai dha dorëheqjen prej detyrës së tij, duke i bërë një letër të hapur sekretarit amerikan të shtetit Kolin Pauell, letër që u botua nga gazetat kryesore amerikane. John Bradley Kiesling, i njohur dhe për qëndrimet e tij realiste ndaj çështjes çame, thotë në fund të letrës së tij: “Unë po jap dorëheqjen sepse unë provova dhe dështova të pajtoj ndërgjegjen time me aftësinë time, për të përfaqësuar administratën aktuale të SHBA-ve. Unë kam besim se procesi ynë demokratik është në fund të fundit vetëkorrigjues, dhe shpresoj shumë se në një farë mase unë mund të kontribuoj së jashtmi, për të modeluar politikat që i shërbejnë më mirë sigurisë dhe begatisë së popullit amerikan dhe të botës.”

Mësime të tjera

Shembulli i seancës së fundit të Gjykatës Kushtetuese është pra një dëshmi shprese se sistemi ynë politik dhe institucional vazhdon të ruajë qëndrueshmërinë dhe deri diku besueshmërinë e tij. Gjykata Kushtetuese në veçanti ka treguar me hedhjen poshtë të shumë akteve ligjore të qeverisë, se i përmbahet ligjit në punën e vet dhe se ajo ndarje pushtetesh, që zuri fill me kushtetutën e miratuar më 28 nëntor 1998, ishte plotësisht e shëndetshme. Ky rol garanti i kësaj Gjykate na jep dhe një provë tjetër sesa të gabuara ishin vendimet e pozitës dhe opozitës me ndryshimet kushtetuese që atakuan pikërisht këtë ndarje pushtetesh, këtë ekuilibër mes tyre, duke fuqizuar pushtetin e kryeministrit. Vendi ka parë një model institucional ku të gjithë institucionet emëroheshin nga një njeri dhe i faleshin atij, zbatonin urdhrat e tij, Berishës. Kur ai ra prej dhunës popullore, bashkë me të ranë institucionet, ra shteti. Shteti i ngritur mbi bazën e Kushtetutës së 1998, me hapa timidë arriti të krijonte në vend disa qendra pushtetesh: pushtetin politik që lidhej me kryeministrin apo i referohej atij, dhe atë të institucioneve të pavarura që i referohej Presidentit të Republikës.

Kjo ndarje solli rotacione të buta kudo, madje edhe në pushtetin politik dhe vetë rotacionet siguruan pavarësinë e institucioneve, ekuilibrin e brendshëm të tyre që prodhon vendime të matura. Prova në të cilën janë thirrur të marrin vendime këto institucione, konflikti midis biznesit, botës mediatike dhe kryeministrit, çështja e Gërdecit apo ndarja e kufijve detarë janë raste historike për të provuar përfundimisht nëse në Shqipëri është instaluar shteti ligjor apo jo. Me yryshin që ka marrë kjo qeveri, pavarësia e institucioneve mund të goditet rëndë dhe ngjyrosja e tyre eventuale me blu mund të na sjellë në këmbë modelin e vjetër që e pamë si ra. Kujtimet e këqija të së shkuarës së këtij modeli, na bënë ta shijonim shfaqjen e fundit të Gjykatës Kushtetuese, diçka vërtet e gëzueshme brenda një krize politike që duket pa zgjidhje. Kjo shoqëri ka forcë të prodhojë njerëz si Pashai, këto institucione kanë brenda tyre njerëz si Zaganjori, që venë ndërgjegjen e tyre profesionale dhe kombëtare mbi politikën e shumicave që qeverisin shtetin politik.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama