Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Teatri' i politikës

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 15 vite më parë

Rexhep Meidani
'Teatri' i politikës

Në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, duke qenë për një kohë relativisht të gjatë në skenën e sallës së madhe të Pallatit të Kongreseve, vura re me çudi që në disa pika kryesore të sallës kishte disa “organizues” dhe “frymëzues” entuziazmi që, në varësi të tempit të fjalimit të kryetarit, me një “lëvizje dirigjenti” nxitnin e komandonin bërthama të caktuara për nxitje ovacionesh e thirrjesh. Nuk e kisha parë këtë as në kohën e “delirit” të Nanos pas  2003-it, sepse më parë apo edhe gjatë drejtimit nga ana ime të partisë, në mungesë të Nanos (gjatë qëndrimit të tij në burg), as mund të pranohej dhe as mund të imagjinohej një gjë e tillë.  Aq më tepër që përkushtimi militant, thirrjet e ovacionet në takime të ndryshme partiake ishin thjesht të brendshme e spontane, ishin reagime, shpërthime e ndjesi individuale, që duheshin shuar dhe jo më nxitur e dirigjuar në takimet kolektive... !

Ashtu i çuditur, me një zhgënjim të thellë, me pakënaqësi vibrante e ndjenjë të zymtë, kur u largova nga ky aktivitet politik dhe kur u ktheva në shtëpi, i pyetur për të, u përgjigja mjaft shkurt: “Aty mungonte shpirti! Gjithçka dukej si e stisur, si teatër... !”

E kisha harruar deri diku këtë leximin tim të dikurshëm e ndjesinë që më krijoi në atë kohë. Aq më shumë që ngjarjet pasuese, jo se e dëshmuan, por kishin dhe duket që vazhdojnë të kenë një rrjedhje të paqartë, si të stisur, si “imagjinative”, si jo reale. Pavarësisht nga media të orientuara ose të interesuara, të shkruara apo elektronike, që vazhdojnë të propagandojnë të kundërtën. Sidoqoftë, gjithçka m’u rikthye qartësisht në mendje kur, duke pirë një kafe para nisjes së një aktiviteti publik disa ditë më parë, njeri prej mikpritësve, si në konfidencë, më tha: “Kjo historia e protestave më shumë pa shpirt dhe me data fikse, të parashikuara 2-3 muaj më parë, më duket si shfaqje teatri kukullash!” U habita! E thënë kaq qartë, ishte vështirë për mua edhe për ta dëgjuar dhe jo më për ta gëlltitur një pohim të tillë. Aq më tepër, që nuk e paralizoi ecurinë e deritanishme disamujore jo me një teatër të të rriturve, por me atë të kukullave, ku çdo personazh kukull thjesht lëviz e zhvendos pjesët e pajeta të trupit me anë të telave të tërhequra nga folësi apo artisti i nënskenës. Disi më ndryshe nga teatri i pozitës, që funksion në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me një regjisor të vetëm!...

Vetëm nënqesha pa ndonjë dëshirë dhe nuk fola më. Por, ai kishte mjaft të drejtë. Opozita ka vazhduar e po vazhdon të harxhojë prej muajsh energji kolosale, fillimisht të dobishme, edhe pse tepër të vonuara, ndërsa aktualisht deri dhe jo produktive, krejt të paqarta, me orientime kaotike deri parazitare, me punë kutish e jo kutish, veprimtarish e aleancash të padobishme, kapardisjesh e përplasjesh kryeneçe të brendshme e të jashtme. Edhe sot, kur duket sikur prej saj po tentohet t’u afrohet shqetësimeve qytetare ose ajo, kur i kupton ato, nuk reagon në kohë, ose nuk e ka ndjesinë e duhur në të gjitha rastet për shqetësime të tilla. Mesa duket, e ndërtuar thjesht mbi skenarë, asaj i mungon fryma tërheqëse, shpirti i vërtetë, ndjesia solidare.

Këtë e kupton shumë më mirë qytetari i thjeshtë, jo fanatiku e militanti, apo i punësuari e i paguari i saj! Dhe për më tepër, kjo lloj opozite që është edhe pushtet, po ngatërrohet midis qartësisë e konfuzionit, midis pushtetit dhe jo pushtetit, pjesëmarrjes e largimit, përfshirjes e përjashtimit, kontributit e refuzimit të tij, konstruktivitetit e destruktivitetit, reales e imagjinares, e kështu me radhë. Aq sa në momente të caktuara vihet në pikëpyetje qëllimi e drejtimi i veprimit të saj! Po ashtu, mungon analiza e ngjarjeve dhe e manifestimeve të mëparshme, “kërcënimeve” e rezultateve të arritura, bojkotit parlamentar dhe teatrit të përfaqësimit në të, ndërkohë që pompohet e premtohet ndryshimi i supozuar me anë të protestës së ardhshme.

Madje, propagandohet se edhe zgjedhjet e ardhshme vendore do të kryhen paralelisht me zgjedhjet parlamentare! Por, pa sqaruar si dhe në ç’mënyrë! Pra, ç’do të thuhet më tej?! Sidomos me afrimin e sezonit të verës! Dhe, ndërkohë, shqetësimi kryesor statutor nuk është bashkëjetesa e mendimeve alternative, por është fuqizimi i pushtetit të kryetarit, bindja pa argument ndaj tij, duke mënjanuar e larguar “rebelët” që i duhen domosdoshmërish partisë, forumeve të saj, vetë demokratizimit e emancipimit të mendimit të saj politik e qytetar...

Hamendësohet, flitet e shkruhet nga analistë të politikës sikur në kryesinë e partisë, apo në mendjen e kryetarit ka edhe një “fole” tjetër bojkoti apo që parashikohet si reagim ndaj parregullsive të mëparshme e moshapjes së kutive, edhe një mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore. Kjo edhe sikur të skenohej si pjesë e ndonjë “teatri” të rriturish ose fëmijësh, as nuk do të mund të rezultonte si pozitivisht e vërtetë, as nuk do të jepte ndonjë sensibilizim më shumë se ky aktuali, që arriti të hapë jo pak sy kombëtarë e ndërkombëtarë. Por, me dashje apo pa dashje, me hyrjen e opozitës në Kuvend, një bojkot i tillë disamujor praktikisht e mbylli misionin e tij real. Madje, ai mund të bëhet krejtësisht shkatërrimtar për partinë, funksionimin e  mbështetjen e saj.

Pa harruar se po të projektohej gabimisht një pozicionim bojkotues në zgjedhjet e ardhshme, një gjë e tillë do të mundësonte të “pakënaqurit” në nivel vendor e qendror për t’u grupuar dhe për të kandiduar, qoftë si listën e përbashkët, qoftë thjesht si të pavarur. Natyrisht, pa pretenduar gjëra të mëdha në situata bojkoti, por duke marrë vota të mjaftueshme, ndoshta edhe një përqindje të mundshme me dy shifra. Do të mjaftonte vetëm kjo për ta konsideruar të përfaqësuar të majtën në organet e pushtetit vendor dhe për të mbyllur të gjithë “gojët e liga”! Prandaj, parë me këtë sy, nuk mund të imagjinohet ndonjë bojkot zgjedhjesh vendore, qoftë kjo edhe për trysni politike, ose lëvizje teatrale.

E thënë ndryshe, bojkoti i zgjedhjeve vendore, pavarësisht nga pretendimet e analizës, mund të konsiderohet thjesht një flluskë sapuni, një sajesë e pakuptimtë, probabilisht e pamundur. Atëherë, çfarë po pritet?! A vlen të humbet kohë si në raste të tjera? Aspak moment. Përkundrazi, ia vlen të mendohet e veprohet, të programohet e planëzohet gjithçka sa më parë, të punohet me kujdes nga ana strukturore e organizative, pse jo dhe ajo ligjore e administrativo-zgjedhore, në funksion të zgjedhjeve vendore, suksesit e fitimit të tyre...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama