Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Heshtja e PS për Kushtetuesen

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Heshtja e PS për Kushtetuesen

Kanë kaluar disa ditë nga zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi ndarjen e kufijve detarë me Greqinë dhe më shumë se një muaj nga marrja e këtij vendimi. Prej atyre zërave që reaguan për këtë vendim, ai u konsiderua si historik dhe si i tillë do të shënjojë për shumë kohë veprimtarinë shtetërore në planin ndërkombëtar në përgjithësi, në përcaktimin e kufijve në veçanti, etj, etj. Në planin praktik, në mënyrë të përmbledhur duhet thënë se ai vendim shënon  biblën referuese të çdo grupi të ardhshëm negociator për ndarjen e kufijve detarë me Greqinë. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është reagimi i Partisë Socialiste për këtë vendim. Mund të quhet më saktë mosreagim, sesa reagim i dobët. Dhe ky mosreagim është gjithashtu, një gabim i madh historik. Janë disa arsye.

Partia Socialiste ishte subjekti që e atakoi në Gjykatën Kushtetuese Paktin për Ujërat në pikëpamje formale. Po të mos ishte iniciativa e saj ligjore, nuk do të kishim as vënie në lëvizje të kësaj gjykate dhe për pasojë, kufijtë ujorë me Greqinë do të ishin të mangët. Do të ishin ata kufij që u pranuan prej palës greke nga negociatorët e shpallur të paaftë nga gjykata, apo nga tutorët e tyre politikë, më i larti, Kryeministri. Pra, ata që ju kundërvunë si pjesëtarë të shoqërisë civile, do kishin harxhuar fjalë, bojë, por s’do të kishin asnjë rezultat konkret. Partia socialiste ishte i vetmi subjekt i legjitimuar për ankimim, siç u konfirmua edhe nga vendimi i gjykatës. Pra, Partia Socialiste duhej të thërriste “fitore”, më shumë se të tjerët. Për më shumë që është një parti në opozitë, e përfshirë në një veprimtari të fortë kontestuese të regjimit politik. Imagjinoni pak se ç’do të bënte PD-ja, nëse do të ishte në të njëjtën pozitë!

Mund të kishte çuar pse jo edhe në rënie të Qeverisë me kërkesa për dorëheqje të Kryeministrit, përgjegjësi politik kryesor për këtë lloj marrëveshje; mund të kishte kërkuar ndjekje penale për negociatorët, etj, etj. Por le të kthehemi pak tek PS-ja e sotme, e kaluara dhe e ardhmja e saj.

Partia Socialiste ka në përgjithësi një histori qëndrimesh kombëtare dhe ky i fundit shënon vijimësi në boshtin e politikës së saj të jashtme.

Partia Socialiste do të fitonte shumë kapital politik nga mbajtja e hapur e kësaj teme, jo në mënyrë artificiale, por thelbësore. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka shumë urdhërime, të cilat mund të shërbejnë si bazë për vijimin e aksionit politik të PS në lidhje me këtë çështje. PS mund dhe duhet të kërkojë transparencë në lidhje me krijimin e grupit të ri negociator. Ajo duhet të imponojë miratimin e kuadrit ligjor paraprak të nevojshëm për të rihyrë në negociata të tilla, siç urdhëron gjykata ndërsa përcakton metodologjinë që duhet ndjekur në të ardhmen.

Partia Socialiste është në opozitë dhe nuk mund të ketë të njëjtën ndjeshmëri për të ashtuquajturën politikë paqësore rajonale, siç mund ta ketë ekzekutivi. Ta sqarojmë pak këtë moment. Vërtet nëse PS-ja do ta mbante hapur këtë çështje, do të cenonte marrëdhëniet e mira me Greqinë, apo me partnerin politik të së majtës shqiptare, Kryeministrin Papandreu?

Ky realisht është një mistifikim i madh. Pala që duhet mbajtur nën akuzë për Paktin e Detit nuk është ajo greke, por pala shqiptare. Pra kjo Qeveri, e përfaqësuar nga grupi negociator, apo nga eprorët e tyre politikë. Pala greke nuk mund të fajësohet për asgjë. Ajo ishte në një negociatë, në një transaksion. Nëse pala tjetër vendosi t’i bënte dhuratë, pala greke s’kishte pse të mos e pranonte. Pala greke nuk e manipuloi palën tonë, që i kishte të gjitha instrumentet për të mos rënë në gabim, madje edhe sikur ta bënte, gjithçka do ishte brenda një kodi normal të zhvillimit të negociatave të tilla. Atëherë pse PS-ja duket kaq e tërhequr në mbrojtjen e një kauze si kjo, që realisht përfaqëson fitoren më të madhe politike të PS në shumë vite opozitë?

Janë dy shpjegime të mundshme. I pari lidhet me një presion eventual të palës greke, presion i padukshëm për sytë e publikut. Pala greke nuk është e interesuar nga mbajtja hapur e një teme që mund të rritë disponimin antigrek në vendin tonë, ashtu si edhe për arsye të tjera.

I dyti lidhet me të ashtuquajturën pretendim të kësaj PS-je, të drejtuar nga Edi Rama se ajo nuk do të bëjë opozitë të tipit të vjetër të Sali Berishës, i cili me siguri do të bënte thagma në një rast si ky. Në historinë e aksionit politik të PD-së ka me të vërtetë shumë veprime të forta në planin e politikës rajonale, ashtu si edhe kthesa të befta, që të lënë pa frymë qoftë ndaj grekëve, serbëve, italianëve, pse jo edhe ndaj amerikanëve, Kosovës, etj, etj. Por kjo është një çështje tjetër. E vërteta e përgjithshme është se politikanët e tranzicionit, pra të asaj që Rama e quan politikë e vjetër, Nano dhe Berisha, e kanë përdorur me shumë sukses politikën pasive rajonale si kartë për të siguruar legjitimitet ndërkombëtar për politikat e tyre të brendshme.

Por çështja nuk është kaq e thjeshtë siç duan të thonë këto dy hipoteza. Midis heshtjes aktuale të PS-së dhe reagimeve të forta alla berishiane të harruara tashmë, ka me dhjetëra versione sjelljeje politike. PS-ja, pra ka shumë mundësi që të ruajë dinjitetin e vet politik, të ruajë koherencën në sjelljen e saj politike dhe të garantojë që fitorja e arritur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të mos asgjësohet nga përsëritja e të njëjtave gabime prej grupit të ri negociator. Me pak fjalë, të ruajë kufijtë që ende mund të kërcënohen. Pa triumfalizëm të tepruar, por me pjekuri.

Dhe diçka për në fund. Një sjellje korrekte, patriotike deri në fund e PS-së në rastin e ujërave, do të ishte rast i mirë për Edi Ramën si kryetar i saj, për të treguar se ai ka një qasje të drejtë në çështjen kombëtare. Se do t’i përmbahet kësaj qasjeje tradicionale, por edhe të tipit të ri, edhe nesër kur të jetë në pushtet. Jo si paraardhësit që jo rrallë e kanë sakrifikuar atë në emër të sigurimit të një mbështetjeje personale, apo mbylljes së syve të partnerëve tanë perëndimorë për politikat e tyre të brendshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama