Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipëria, kur dhe kush duhet ta bëjë?

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Shqipëria, kur dhe kush duhet ta bëjë?

Të pamëshirshëm me veten, ne shqiptarët shpesh nuk i kemi kursyer jo vetëm kritikat, por edhe konstatimet fataliste. Ne nuk ngurrojmë të quajmë shoqërinë tonë të pakulturë dhe të paedukatë, të padisiplinuar dhe që nuk respekton rregullat dhe ligjet. Nuk ngurrojmë të themi se ne nuk e meritojmë këtë vend, të cilin shpesh na pëlqen të themi se ka resurset natyrore më të çmuara në Europë. Në fund i referohemi sloganit fatalist se ky vend nuk ka për t’u bërë kurrë.

Duke e konsideruar Shqipërinë “të bërë” dhe për të marrë autorësinë e finalizimit të këtij procesi historik, qeveria komuniste e shfrytëzoi këtë argument në propagandën e saj. Që nga koha e çetave kryengritëse të Çerçiz Topullit e deri tek i rëni i fundit i luftës partizane, heronjtë mbyllnin sytë duke marrë premtimin e shokëve se Shqipëria do të bëhet. Por që nga premtimi i Çerçizit, bërja dhe zhbërja socialiste, tranzicioni i gjatë dhe pragu i lëvizjes pa viza në Europë, ne jemi sërish te dilema nëse do të bëhet apo jo ky vend.


Me shkas nga një trajtesë që i bëhej kësaj teme dje në faqet e gazetës “Shqip” dhe konstatimeve të drejta të autorit Kastriot Mahilaj, mbi barrierën e madhe të zhvillimit nga konfliktualiteti dhe lidershipi politik i mbrapshtë, do të donim ta shikonim këtë çështje pak më gjerë se përgjegjësia e politikës. Është e vërtetë se politika është ajo që prodhon vendimin e ligjin dhe që ka përgjegjësinë për zbatimin e tyre, është ajo që ndërton strukturat e shtetit dhe ka përgjegjësinë për t’i respektuar ato, pra është ajo që prodhon rregullin dhe kaosin, drejtësinë dhe padrejtësinë. Por donim të shtronim një pyetje. Po ne të tjerët, ne që jemi jashtë politikës aktive, ne që shkojmë thjesht të votojmë ose nuk shkojmë fare, ne që nuk marrim pjesë në mbledhjet e forumeve partiake dhe mitingje politike, çfarë bëjmë dhe çfarë përgjegjësie kemi?

Politika dhe politikanët tanë, në fakt, nuk janë dhurata të natyrës, që të themi se ky ishte fati ynë dhe tani nuk kemi ç’të bëjmë. Jo, politikanët janë produkt i kësaj shoqërie dhe janë atë që ne, me dhe pa kontestime, i zgjedhim të na drejtojnë duke i votuar. Nëse sot ka një lidership politik që grindet mes vetit në një luftë të ethshme për ta mbajtur dhe për ta marrë pushtetin, ne kemi në dorë për ta zhbërë atë dhe, nëse nuk e zhbëjmë, nuk është faji i lidershipit, por yni. Shoqëria jonë ka treguar se vuan nga guximi për t’i qarkulluar elitat, për t’i ngritur dhe rrëzuar njerëzit nga froni kur ta shikojmë se ata nuk janë të mbarë. Është e vërtetë që lufta politike e paprecedentë që zhvillohet në Shqipëri, është kaq e dhunshme, sa në shumë raste nuk mund të identifikosh se ku mbarojnë parimet e idealet dhe ku fillon beteja për sarajet personale. Është e vërtetë se udhëheqësit në një mjedis politik të degraduar si ky yni, bëhen si ajo bajga në diell, rreth së cilës mblidhen miza, brumbuj e gjithfarë insektesh që kërkojnë aty ushqim. Ata rrethohen nga batakçinj, interesaxhinj, njerëz të pasur që duan më shumë pasuri, hajdutë e kriminelë që kërkojnë aty mbrojtje. Por a janë këta e gjithë shoqëria? Padyshim që jo. Edhe në politikë ka shumë njerëz të ndershëm e idealistë. Dhe shumë më tepër se kaq ndodhen jashtë saj, por për fat të keq të ulur në karrigen e indiferentit dhe spektatorit që bën vetëm të pakënaqurin.

Në këtë mjedis, ne sërish mund të pyesim: Po ne që jemi jashtë kësaj vorbulle çfarë mund të bëjmë, a mundemi ne të ndikojmë, në mos në politikën e madhe, në ca gjëra më pak të vogla? 


Personi që ndodhet në këtë foto është një student. Nëse do ta shikonim në ndonjë prej lokaleve të Tiranës, do të mendonin aforfe që ai është një prej atyre mijëra të rinjve që i përkasin ushtrisë së njerëzve që vrasin kohën kafeneve dhe që s’mendojnë për asgjë. Në fakt ky i ri është duke mbajtur mbi shpinë një thes të mbushur me mbeturina, në një prej aksioneve të Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve për pastrimin e zonave turistike të vendit. Si ky, janë me qindra dhe mijëra të tjerë që janë bërë pjesë e një lëvizjeje, e cila padyshim që nuk mund ta pastrojë gjithë pisllëkun e këtij vendi, por ka bërë të mendojnë qindra mijëra njerëz të tjerë, e bashkë me ta edhe ata që u kemi dhënë pushtet e u kemi atribuuar të drejtën e vendimmarrjes.

Të qëndrosh indiferent është pozicioni më komod, ndërsa të përpiqesh të bësh diçka, është dhe duhet të jetë një detyrë për të gjithë, nëse vërtet duam të mos jemi skllevër dhe të mëshiruarit e një drejtuesi. Dhe të veprosh do të thotë që të reagosh ndaj gjithçkaje që nuk është e drejtë, ndaj pisllëkut që na mbulon, ndaj padrejtësisë që na ndëshkon, ndaj qeverive që tallen me ne, ndaj politikanëve që flasin në emrin tonë dhe pasurohen mbi kurrizin tonë. Shoqëria jonë është e mbarsur me njerëz të ndershëm, të aftë e të drejtë dhe ata që bëjnë zullumet, me të cilat etiketohemi anembanë Europës, nuk janë dhe nuk duhet të na përfaqësojnë. Por shumë prej këtyre njerëzve të zotë e të drejtë i janë nënshtruar realitetit, duke e konsideruar atë një fat të keq. Nëse të gjithë do të qëndrojmë në heshtje, duke parë se çfarë bëjnë mirë apo keq të tjerët, atëherë po që Shqipëri nuk ka për t’u bërë ashtu siç ne duam që të jetë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama