Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Servilizëm apo 'kopjim'?!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 15 vite më parë

Rexhep Meidani
Servilizëm apo 'kopjim'?!

Një "thyerje rekordi"

Këto ditë, në Vlorë, mësuam nga zyra e shtypit e Kryeministrisë lajmin për një "thyerje rekordi" në not të shefit të saj, madje me disa minuta më shumë se një vit më parë. Nuk e di pse një lajm i tillë sa "shëndetësor", po aq dhe "gazmor", hapi garën e barcaletave dhe të historive me punë noti, në çadrat e...

...plazhit dhe lokalet pranë detit. Nuk e di pse, por ndër historitë e dëgjuara më bënë mjaft përshtypje dy prej tyre, si shprehje kuptimplote dhe sinteza të urta të mendjes njerëzore...

 Mbi pushtetin absolut

Një ditë, kur Luigji i XIV-të apo "Mbreti Diell" i Francës, po shpjegonte e shtjellonte fuqinë absolute të mbretërve të mëdhenj, një nga aristokratët e oborrit të tij, disi më i veçantë për natyrën e tij liberale, shprehu dyshimin e tij në këtë lloj shtjellimi duke pretenduar se edhe në këto raste fuqia apo pushteti i mbretërve të tillë duhet të kishte limitet e veta. Por, Luigji i XIV-të, e ndërpreu menjëherë këtë "bredhje  liberale" duke e argumentuar shpjegimin e tij në një mënyrë fare konkrete: "P.sh., nëse unë të urdhëroj të hidhesh në ujë (në det), ti do të jesh i pari që do të bindesh". Sapo dëgjoi këto fjalë konti u ngrit dhe nisi të largohej i alarmuar. I çuditur nga kjo ngutje, mbreti e ndaloi duke e pyetur, por përgjigja e kontit ishte sa lakonike, po aq edhe e mprehtë: "Po iki të mësojë notin"...

Pasioni i Mao-s për notin

Mao Ce Duni e quante notin një sport sa çlodhës, po aq dhe kalitës. Ai e ushtronte atë ku që i shfaqej rasti. Mbi të gjitha, parapëlqente notin në det të trazuar. Kështu, p.sh., kur udhëheqja e partisë mblidhej në konferencat e veta vjetore, Mao shfrytëzonte rastin për të notuar në oqean, në zonën bregdetare të Kinës Veriore. Këtë pasion e ndeshim dhe në një artikull të hershëm të tij me titull "Studim mbi kulturën fizike", të shkruar më 1917. Aty, ai "himnizon" ushtrimet e rregullta fizike dhe sidomos notin në fuqizimin fizik të popullit. Po ashtu, që në rini, përveç të shkruarit të ndonjë poezie mbi notin (si ajo e vitit 1956 pas kalimit të lumit Jance) apo për gëzimin e zgjimit mbi valë, ai propagandonte kudo vlerat qetësuese e fizike-shëndetësore të notit. Mao e radhiste notin në betejat e ndryshme të njeriut me natyrën. Bile, më vonë, ai, duke iu drejtuar ushtarëve e kuadrove që kishin frikë prej ujit, theksonte: "Mos mendoni për ujin. Po të mos mendoni për të, nuk mbyteni; nëse po, do të mbyteni"…

Rekordi i dytë në lumin Jance

Në 16 korrik 1966, në 10-vjetorin e parë të kalimit me not të lumit Jance, mori pjesë dhe Mao Ce Duni. U raportua për një notim për afro 65 minuta, në një largësi të pretenduar rreth 15-16 km. Mesa duket, një ngjarje e tillë ishte organizuar për qëllime të caktuara propagandistike: për të shërbyer si një dëshmi e "freskisë" dhe e forcës së Kryetarit Mao edhe në moshë 73-vjeçare. Prandaj dhe ajo u mbulua me "pompë" dhe në mënyrë të gjerë nga media kineze e kohës! Madje, u filmuan gjatë notimit të "Udhëheqësit të Madh" edhe shaka të tij me njerëzit që e shoqëronin, nëpër këtë "çarje" rrjedhjeje të fuqishme. Vetë ideja kryesore e saj ishte për të bindur kinezët, partinë dhe rininë, që Kryetari ishte ende fizikisht e mendërisht i fortë në ushtrimin e plotë të pushtetit, në ecjen revolucionare dhe të shpejtë të Kinës Popullore. Bile, thuhet se kjo ngjarje ka luajtur për të një rol të rëndësishëm në "rimarrjen" e pushtetit gjatë Revolucionit Kulturor.

Një kërcim qartësisht prapa në vend të "kërcimit të madh përpara"

Në një artikull të Solomonit (Richard Solomon) me titull: "Notimi historik i Kryetarit. Mao dëshmon se ai është ende i parë, më 1966", analizohet situata politike-ekonomike e Kinës së viteve 60-të. Sipas autorit, Kina përjetonte në atë kohë spazmat e një kolapsi ekonomik dhe të një katastrofe ushqimore. Jo vetëm për arsye sa natyrore, por edhe si rezultat i eksperimenteve radikale politike dhe ekonomike të Mao Ce Dunit, në të ashtuquajturin "Kërcim i madh përpara" ("Great Leap Forëard"). Siç theksohej në atë shkrim, aty bëhej fjalë për një program ekonomik të komunistëve kinezë në periudhën: 1958-1961-62, me synimin e një shndërrimi të shpejtë të Kinës dhe kalimit të saj nga një vend me ekonomi agrare të prapambetur në një shoqëri moderne, nëpërmjet një procesi kolektivizimi e industrializimi.

Madje, si fokus kryesor ishte një industrializim masiv me shtim të fuqisë punëtore, me një përdorim minimal të makinerive të rënda dhe mundësi maksimale akumulimi kapitali. Më ka mbetur në kujtesë një artikull i asaj kohe, i botuar në një revistë gjermane të Berlinit Perëndimor me titull: "Milingonat punojnë" ("Ameisen arbeiten"), ku jo vetëm nga teksti i shkrimit, por dhe nga ilustrimet e shumta, shihej se, në ndërtimin e një dige madhështore me mbushje dheu, ishin të angazhuar disa dhjetëra mijëra njerëz, që po transportonin dheun me shporta nga distanca shumë të mëdha!... Pra, në të gjitha veprimtaritë ndërtuese apo prodhuese të kohës konstatohej një forcë tepër e madhe pune, as eficente, as e specializuar.

Kështu, p.sh., në vend të ndërtimit të uzinave të mëdha, nëpërmjet zhvillimit praktik të "teorisë maoiste të forcave prodhuese", u arrit të funksiononin deri furra të vogla shkrirje nëpër fshatra ku, veç të tjerave, mungonte përvoja e ekspertiza, pra dhe cilësia e rendimenti. Bile, për një kohë të gjatë prodhimet kineze të çelikut, me këtë lloj "metalurgjie", mbetën përgjithësisht të dobëta! Dhe nuk mund të mos ndodhte ndryshe në këtë lloj procesi për shtrirje e rimëkëmbje; me gjithë "zellin" e gjithanshëm për industrializim, ai praktikisht dështoi. Në të ndikoi edhe largimi i personelit teknik sovjetik. Po ashtu, krahas katastrofave natyrore, edhe bujqësia kineze, nën eksperimentin e kolektivizimit, pësoi dëme të mëdha, që çuan në urinë e viteve 1958-62 dhe vdekjen e miliona njerëzve. Duke parë këto rezultate negative, në fillim të viteve 60-të, u morën masa të shpejta në drejtim të kundërt, duke ua kthyer fshatarëve parcelat e vogla, por dhe duke iu rikthyer përvojës, ekspertizës dhe efektivitetit...

Në kushte pothuajse të një falimenti ekonomik, duke ndjerë rritjen e kundërshtimeve ndaj udhëheqjes së tij, në fund të vitit 1965, Mao la Pekinin dhe u zhvendos në Hanxhou e Shangai. Aty, ai planifikoi e nisi sulmin e tij kundër "revizionistëve" në udhëheqjen e partisë - nëpërmjet të ashtuquajturit Revolucion të Madh Kulturor Proletar. Pikërisht në atë periudhë kritike, ai luajti dhe aktin e tij të forcës në teatrin politik - notimin e 16 korrikut 1966 në lumin Jance, të vlerësuar si një "rekord" të ri me "përmasa botërore". Për vëzhguesit e huaj, e gjitha kjo ngjarje dukej si njëfarë shfaqje apo "çmendurie", por në të vërtetë, ajo mishëronte në vetvete sinjalin e mobilizimit të të rinjve revolucionarë ("gardistëve të kuq") kundër kritikëve e oponentëve të "Udhëheqësit të Madh". Ajo ishte kambana e kushtrimit për nisjen e kundërgoditjes ndaj burokratëve "kundërrevolucionarë" në parti...

Shfrytëzim fakti

Por, një pjesë e kësaj lëvizje doli jashtë kontrollit. Madje, përplasjet midis vetë rrymave të ndryshme brenda "gardistëve të kuq", tronditjet serioze të situatës politike, ekonomike e sociale e detyruan ushtrinë të ndërhyjë. Me kalimin e viteve, gradualisht, u shua kaosi politik i "frymëzuar" po nga vetë Mao Ce Duni, ndërsa me vdekjen e tij, më 1976, filluan të largoheshin dhe mënjanoheshin individët më radikalë nga partia dhe udhëheqja e saj, përfshirë edhe të shoqen e Mao-s (një nga drejtueset më me zë të Revolucionit Kulturor) dhe në vend të tyre fituan terren reformistët me në krye Ten-in e famshëm...

Kur filluan të përhapeshin fjalë rreth e rrotull për përkeqësimin e shëndetit të Kryetarit Mao në fillim të viteve 70-të (ai vdiq më 9 shtator 1976), me vendim të udhëheqjes së partisë (PKK) u botuan fotografi që tregonin Mao Ce Dun-in duke notuar në oqean. Megjithatë, për disa vëzhgues të kohës ndeshej qartë mosbesimi. Bile, disa prej tyre pretendonin se në pamje të veçanta dukej qartë që vetëm koka dilte mbi valë! "Gojë të liga" flisnin edhe për polumbarë që e mbanin trupin e tij nga poshtë!...

Këshillë plazhi

Natyrisht, për histori të tilla, por dhe paralele të ngjashme, nuk ka shumë nevojë lexuesi-pushues. Sidoqoftë, ndoshta, ia vlen që ato të tregohen sepse pushimet mbarojnë shpejt. Pas tyre rifillon jeta reale, përplasjet, hilet, gënjeshtrat, të vërtetat me telashet e panumërta të tyre. Me to lidhen ngushtë jo vetëm qytetarët, por edhe politika e lojtarët kryesorë të saj. Dhe këta të fundit, me ndonjë dallim të vogël, nuk duket se ndryshojnë aq shumë sa të mos "shkrihen" dot në shembujt apo rreshtat e mësipërm. Bile, ky është dhe problemi: jo vetëm i lajmit, por dhe i vetë emetuesve të tij! Megjithatë, në rastin konkret, mbetet për tu sqaruar nëse bëhet fjalë për një "shaka" plazhi, për një servilizëm mediatik apo për një "kopjim" politik. Dhe, akoma më keq, a bëhet fjalë për kënaqësi për tu rrethuar nga servilë përfitues dhe të paskrupullt apo për dëshirë për kopjim dhe imitim?! Më mirë se kushdo, mund të përgjigjet vetë lexuesi i këtyre radhëve...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama