Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse reagojnë grekët?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse reagojnë grekët?

Ngjarja e Himarës është padyshim një ngjarje e rëndë dhe një shoqëri e drejtë, e ekuilibruar si shoqëria shqiptare e dënon atë. Me siguri brenda shoqërisë sonë gjenden individë që nuk e durojnë dot dikë që i referohet një identiteti etnik tjetër në një zone të diskutueshme si Himara, nëse vrasja tragjike e të riut Aristotel Gumi ka ndodhur për arsyet që raporton media. Megjithatë, kjo shoqëri në tërësi, në shumicën më dërrmuese të mundshme ka treguar se kurrë nuk ka refuzuar dikë që është i ndryshëm, aq më tepër ta eliminojë atë fizikisht, qoftë si individ, qoftë si grup.

Për shumë arsye që lidhen pikërisht me këtë të kaluar tolerance, për këtë dënim, Shqipëria nuk merr leksion nga askush dhe aq më shumë nga Greqia. Në gjykimet e...

...mëposhtme, do të konsiderojmë si të mirëqenë opsionin që Greqia, një vend anëtar i Bashkimit Europian, në teori ka të drejtë të reagojë për një vrasje qoftë me sfond ordiner, qoftë me sfond etnik, të ndodhur në një vend tjetër.

Reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke në lidhje me ngjarjen e Himarës është tërësisht i shpërpjesëtuar, arrogant, i padobishëm, i pavend dhe me prapavijë politike. Le t i marrim me radhë.

Është i shpërpjesëtuar, sepse kemi të bëjmë me një incident kriminal të izoluar, që nuk ka rrezik degjenerimi, pasi nuk ka prehistori krimesh masive me këtë lloj sfondi siç e quajti zëdhënësi. Nuk ka precedentë të ngjashëm, ta zëmë si në Greqi, ku më i fundit është rasti i një fshati, ku pavarësisht se shkaktarët e parë të problemit janë ca të rinj shqiptarë, mbi gjithë komunitetin shqiptar atje ka një atmosferë presioni për tjua bërë jetën skëterrë. Nuk po përmendim as dhunën mesjetare, çnjerëzore, të ushtruar mbi një të ri në një fshat të Kretës, lloj dhune zhdukur nga katalogjet e dhunës moderne.

Reagimi i fundit është arrogant, pasi guxon ti japë urdhra të gjithë klasës politike shqiptare që dënojë sulmin, etj, etj. Nëse në rastin e krimeve të kryera në Greqi ndaj shqiptarëve, diplomacia jonë ka mbajtur profil të ulët ose me sugjerimin grek ka heshtur, është krejtësisht i shpërpjesëtuar reagimi grek ndaj një akti të veçantë, i cili është krejt i rrallë, në mos unik në tipologjinë e krimeve në Shqipëri.

Reagimi i fundit i diplomacisë greke është i padobishëm, pasi nuk zgjidh gjë dhe thjesht kontribuon seriozisht në ushqimin spiralor të një klime diskutimesh apo debatesh ndarëse në shoqërinë shqiptare. Futja në këtë debat e një faktori të huaj me qasje paternaliste nuk ka efekt qetësues, përkundrazi. Por jemi të bindur se vetëm do të ushqejë debatin dhe asgjë tjetër për të cilën mund të ketë frikë Greqia.

Ky reagim është dhe i pavend. Zëdhënësi i diplomacisë greke flet për krim me sfond etnik, ndërkohë kur të paktën nga shteti shqiptar nuk pranohet zyrtarisht se në Himarë ka minoritet grek. Asnjë shtet nuk mund ti përcaktojë një shteti tjetër ku ka minoritete, aq më shumë kur administratat e Greqisë së gjysmës së parë të shekullit të 20 i kanë përzënë me gjak të gjithë minoritetet më të rëndësishme në tokën e vet, si shqiptarët, sllavo-maqedonasit, hebrenjtë, duke ua shkulur edhe varret, kishat, xhamitë, teqetë dhe objektet e kultit. Një pakicë shqiptare ortodokse në Greqi ekziston, por nën presionin e vazhdueshëm të një shoqërie dhe shteti të njohur për politikat e hershme asimiluese, nuk e shpall identitetin e vet etnik.

Është akoma më i çuditshëm reagimi i kryepeshkopit Janullatos, i cili megjithëse nuk guxonte të përmendte cilësorin "etnik", në reagimin e vet, prapëseprapë paralajmëronte për rreziqe të mëdha që mund të vinin pas këtij akti kriminal dhe bënte thirrje për gjakftohtësi! Ishte ky një reagim që ngjante si dy pika uji me atë të Ministrisë së Jashtme greke, pa folur për sinkronizimin e tyre. Hirësia e tij, që po sulmohet nga njëri prej figurave më eminente të ortodoksisë shqiptare, si At Foti Cici, për ndryshimet e miratuara pa bujë në statutin e kishës sonë, ndryshime që godasin shqiptarësinë e saj, nuk është parë të reagojë në raste të ngjashme për vrasje emigrantësh në Greqi, dhunë etnike ndaj tyre, etj, etj.

Pse ky reagim grek? Pse kjo njëkohshmëri? Pse kjo çështje mund të "cenojë" marrëdhëniet midis dy vendeve dhe jo ngjarje të tjera të ngjashme që verifikohen në Greqi? Pikërisht, këtu qëndron prapavija politike e këtyre reagimeve. Greqia synon ta shndërrojë këtë çështje në kartë politike ndaj Shqipërisë. Kjo çështje nuk do të shërbejë thjesht për të mbushur me lëndë ankesat e sillogjeve vorioepirote, por është ende herët të supozojmë arsyet e vërteta.  Është për të ardhur keq, megjithatë që një administratë greke si kjo e së majtës së njohur për qëndrimet më realiste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, të përdorë kështu një ngjarje tragjike, për të cilën ne kemi aftësitë tona të dëshmuara ta dënojmë si duhet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama