Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse Serbia ndryshoi qëndrim?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse Serbia ndryshoi qëndrim?

Tani që dita e seancës së OKB-së për Kosovën po afron dhe kur parashikohet me gjasë një humbje e tekstit serb, një humbje e Serbisë në përplasjen e dytë me perëndimin, në terren po shihen zhvillime. Kur përdorim konvencionin "terren", i referohemi situatës së vendeve të interesuara drejtpërdrejt për të ashtuquajturën projektrezolutë - Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë. Faktorët institucionalë në Shqipëri po grinden se kush do të shkojë në New York dhe kush do ta drejtojë delegacionin, anipse falë maturisë së Presidentit Bamir Topi nuk po shihet gjë në publik.

Protagonizmi i tepruar i Sali Berishës, i cili dikur në opozitë qortonte Kryeministrin Majko pse nuk respektonte Presidentin në rastin e samitit të Sarajevës në 1999, mund të prodhojë vërtet efekte negative në imazhin tonë para të huajve. Ambasadori i Shqipërisë në OKB do të jetë në një trysni të paparë për të përgatitur axhendë vetëm për Berishën.

residenti mund ta ketë kësisoj të vështirë të ketë ndonjë rol në seancën e Kosovës, hiq kontaktet e drejtpërdrejta me homologët. Ndërkohë ka probleme protokolli, pasi në seancën për Kosovën vështirë se do të ketë presidentë apo kryeministra që fillojnë të popullojnë New Yorkun pas 18 shtatorit, por kryesisht ambasadorë. Kosova nga ana e vet nuk ka dëftyer ndonjë shkallë të lartë përgatitjeje, por vetëm një shkallë të lartë optimizmi që nevojitet për propagandë, ndërsa në veri po shtohen incidentet. Të dy shtetet shqiptare thjesht do vjelin fryte prej asaj që kishte shumë gjasa të shndërrohej në përplasje të Serbisë me perëndimin...

Ato do kenë mundësi të thërrasin për fitore, por pa merita reale në fitore, nëse mbajmë parasysh ndikimin thuajse të papërfillshëm ndërkombëtar të tyre veç e veç. Krerët e shteteve shqiptare shkojnë në Asamble më shumë për tu mburrur me rezultatin e siguruar nga perëndimi. Ata nuk arritën asnjëherë të improvizonin njëlloj Këshilli informal panshqiptar, që do të shpallte për herë të parë qëndrime të unifikuara të faktorit shqiptar në rajon me efekte pozitive.

Çfarë fiton Serbia?

Ajo që po lëviz aktivisht dhe cilësisht në lidhje me këtë rezolutë është Serbia. Ky vend me eksperiencë të gjatë shtetërore po mundohet të maksimizojë efektet politike nga kjo seancë. Kjo seancë, rezoluta që është preteksti formal i saj, kanë vlera posaçërisht politike. Ja përse.

Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk ka aftësi detyruese, por thjesht orientuese. Ajo ka edhe vlera të forta politike, nëse shumica që qëndron pas saj është e ndonjë madhësie të konsiderueshme, që mund ta verë në mendime Këshillin e Sigurimit. Në rastin e Kosovës votimi i një rezolute tamam sipas projektit serb, do të ishte njëlloj fitoreje politike e Serbisë, me efekte të konsiderueshme në planin e brendshëm, por edhe në planin ndërkombëtar. Një votim pozitiv i saj do ti shërbente administratës aktuale serbe për të rifituar moral pas mendimit këshillimor të GJND-së.

Ajo mund të krijonte njëlloj efekti shtesë mbi vende të pavendosura për njohjen e Kosovës. Por mbi të gjitha, ajo do të ishte edhe një fitore e përkohshme e Serbisë mbi perëndimin, i cili me shumë gjasa ka lobuar fort për një vendim të GJND-së, ashtu siç ishte. Për Serbinë një përplasje me perëndimin në një formë si kjo, edhe duke humbur do të ishte njëlloj fitoreje. Ndaj shtypi i kontrolluar serb për të ëmbëlsuar humbjen bombardon publikun vendor me lajme pesimiste mbi vendet pro, atyre kundër rezolutës dhe atyre që abstenojnë. Ky shtyp sidomos po kultivon idenë se në OKB Serbia po përplaset me perëndimin, një ide që i eksiton tradicionalisht serbët, në një betejë ku mund të humbet, por me trimëri.

Bash për këtë arsye, por jo me idenë për ta sfiduar realisht perëndimin, Serbia ka luajtur fort deri tani. Serbia është e njohur prej Milosheviqit për kësi loje - kërko maksimumin për të marrë minimumin. Ajo realisht ka bërë kokëfortën, për ta detyruar disa ditë para seancës perëndimin të ofrojë diçka në këmbim të modifikimit të rezolutës. Serbia realisht ka bërë politikë dhe ia ka arritur qëllimit: brenda pak ditësh Beogradin do ta vizitojë dhe Sekretari britanik i jashtëm për ti mbushur mendjen që të ndryshojë tekstin e projektit, apo eventualisht tërheqjen e tij. Dhe çfarë do të fitojë Serbia prej perëndimit?

Para se të trajtojmë përgjigjen duhet sqaruar diçka thelbësore: as shtetet perëndimore nuk duan që një seancë e zakonshme e fundit të sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të ngjante si përplasje e tyre me Serbinë. Nuk e zbavit shumë perëndimin një fitore e sigurt ndaj Serbisë në një shkallë të tillë, për të cilën nuk ka dyshim madje as Rusia, as Kina dhe as ndonjë shtet tjetër i madh, që ka mbështetur deri më tani Serbinë, shtete që nuk janë shprehur fare në publik në lidhje me projektrezolutën serbe. Perëndimi kërkon pra tia kursejë vetes një përplasje të pabarabartë dhe pikërisht për këtë arsye po tenton ta frenojë Serbinë që tani. Pa shkuar në New York. Nëse perëndimi do të donte përplasjen, do kishte qarkulluar ndonjë tekst rezolute alternative.

Tani le të trajtojmë çfarë do të fitonte Serbia nga kokëfortësia e saj. Ndonjë koncesion territorial? Jo, për këtë perëndimi duket absolutisht i vendosur. Jo dhe aq pse ka hallin e Kosovës, por për shkak të precedentit që mund të krijohet dhe që do të ndikonte edhe në Bosnjë, apo gjetiu. Mund të fitohet diçka vetëm në lidhje me statusin e veriut të Kosovës.

Në lidhje me ritmet e integrimit europian? Po, dhe këtu duket se perëndimi është i gatshëm për lëshime. BE me shumë gjasa do ti japë Serbisë statusin e shtetit kandidat bashkë me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Si e fundmja e Ballkanit, pas Shqipërisë, Serbia do poshtërohej dy herë prej shqiptarëve, në 1999 në Kosovë dhe në 2010 prej BE-së.

Për të gjithë këto arsye Serbia duket se do merret vesh me perëndimin. Marrëveshja mund të prodhojë një projektrezolutë me ndryshime thelbësore në raport me atë kur Serbia nisi luftën për të shëruar efektet e mendimit këshillimor të GJND. Do kemi p.sh referim me respekt mendimit këshillimor të GJND-së, heqje të referencave mbi secesionin e njëanshëm, etj. Në instancë të fundit Qeveria serbe me pak zor mund të mburret që ia arriti të detyrojë Asamblenë dy herë brenda një viti të fusë në diskutim çështjen e Kosovës dhe të miratojë një tekst rezolute për të cilën u bë sebep ajo. Madje, Qeveria serbe mund të mburret para publikut të vet, që skupton rifiniturat e teksteve juridike.

Mbi të gjitha Serbia, veç statusit të veçantë për serbët e veriut, do tia arrinte të shmangte mbetjen në klasë për integrimet europiane: ti afrohej Bashkimit Europian mbas Shqipërisë. Sa për Kosovën, Qeveria serbe do të mund ti thotë opinionit të vet publik se ne bëmë gjithçka, edhe duke u përplasur me perëndimin, fituam veriun, por tanimë skemi më asnjë hapësirë veprimi diplomatik.

Për të gjitha këto arsye, klasa politike shqiptare në të dyja anët e kufirit duhet të ishte e fortë. Në pamundësi, të sillet pak më dinjitetshëm. Nuk bën dot politikë si Serbia dhe në pamundësi të bashkërendimit midis vetes, midis dy shteteve shqiptare - duke folur me një zë, të koordinimit midis dy shteteve shqiptare dhe perëndimit, klasa jonë politike duhet të mbetet të paktën brenda kufijve të seriozitetit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama