Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptarët, një dekor i dhunshëm i politikës

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Shqiptarët, një dekor i dhunshëm i politikës

Në vjeshtën e vitit 1988, në sheshin qendror të Tiranës, përmendores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do t’i bënte karshillëk një tjetër përmendore, ajo e diktatorit Enver Hoxha. Ceremonia e përurimit të shtatores së Hoxhës, ashtu siç edhe pritej, u shndërrua në një festë të madhe politike. Asokohe student, mbaj mend sesi na nxorën nga mësimi dhe sipas fakulteteve na rreshtuan në rrugica të ndryshme të Tiranës, duke na mbajtur në këmbë për disa orë.

Studentët u porositën që askush të mos e prishë rreshtimin, ndërsa ata që do të mungonin, do të përjashtoheshin nga shkolla. Kështu kishte ndodhur edhe me nxënës të shkollave, punëtorë të uzinave, nëpunës të administratës e grupime të tjera qytetare. Në mënyrë të organizuar erdhën me trena e autobusë, punëtorë e nëpunës edhe nga qytete të tjera, duke u bërë pjesë e këtij dekori të madh politik. Më pas kuadratet u drejtuan, njëherësh, në vendqëndrimet e përcaktuara në sheshin “Skënderbej”, përpara një tribune, nga ku Ramiz Alia do të bënte edhe një herë betimin solemn para Enver Hoxhës, për të vazhduar rrugën e tij.


Kanë kaluar 22 vjet nga ajo kohë dhe shtatorja e Enver Hoxhës nuk është më në shesh, ndërsa në vendin ku ka qenë piedestali, ka mbetur vetëm një pirg dheu mbi të cilin ish të përndjekurit rreken të vendosin një pankartë, në shenjë kujtimi për viktimat e komunizmit. 22 vjet janë shumë dhe mjaftueshëm që një shoqëri, e dalë nga errësira, të pësojë një metamorfozë të plotë, ndryshim rrënjësor ekonomik, social e shoqëror, e mbi të gjitha, një ndryshim të madh politik e mental.

22 vjet më vonë ne konstatojmë se kemi bërë goxha ndryshime, jemi në NATO, do të lëvizim së shpejti pa viza, jemi zhvilluar ekonomikisht, kemi rrugë më të mira, pallate të larta e ndërtesa moderne, kushte jetese më të mira dhe standarde të tjera të lirisë së mendimit, shprehjes, medias, pronës etj.

Por, 22 vjet më pas, ne kemi sërish të njëjtin mentalitet në marrëdhëniet mes pushtetit e politikës në përgjithësi, me popullin. Edhe pas kaq vitesh, populli vazhdon të jetë ende në kuadrat, ashtu si në një paradë ushtarake, ku turmat vihen të parakalojnë përpara tribunave ku krekosen udhëheqësit. Në datën 12 nëntor qeveria organizoi një koncert të madh në sheshin “Nënë Tereza”, për të festuar heqjen e vizave. Nëpunësit e administratës shtetërore në kryeqytet u urdhëruan që të jenë të pranishëm në sheshin “Nënë Tereza”. Ndërsa në qytetet e tjera, nëpunës bashkish të drejtuara nga të djathtët, punëtorë ndërmarrjesh shtetërore, arsimtarë, mjekë, infermierë e qytetarë të angazhuar politikisht, u organizuan nga drejtuesit e institucioneve, u hipën nëpër autobusë dhe mbërritën në Tiranë. Sërish e njëjta frikë dhe i njëjti paralajmërim; kush nuk vjen  mund të humbasë vendin e punës. Kështu ndodhi edhe në koncertin e organizuar për ditën e punëtorëve, 1 Maj. Kështu ka ndodhur prej 20 vitesh në çdo miting, elektoral ose jo, me çdo parti, në pushtet apo në opozitë.

Ata që janë në marrëdhënie pune me shtetin janë të shtrënguar të marrin pjesë në ceremoni festive, përurime dhe fushatat e partisë në pushtet. Ndërsa ata që janë në marrëdhënie pune me pjesën e pushtetit të drejtuar nga opozita, janë të shtrënguar të marrin pjesë në protesta. Të gjithë mbajmë mend protestën maratonë të opozitës dhe autobusët që transportonin drejt Tiranës administratën e bashkive dhe komunave që drejtohen nga të majtët.

Është e vërtetë që ka njerëz të cilët, me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë marrin pjesë në tubime festive ose protesta. Është më se normale, që nëpunës apo qytetarë të thjeshtë, të angazhuar ose jo politikisht, të jenë pjesë e një aktiviteti politik, e një proteste apo e një feste. Por është tërësisht absurde, është e papranueshme dhe një dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, që nëpunësit e administratës të vihen në rresht e të dërgohen në sheshe e salla për të bërë dekorin e skenës, për të luajtur në mënyrë të dhunshme figurantin e një filmi ku do të interpretojnë liderët e politikës. Në çdo vend demokratik ka turma prej mijëra, dhjetëra mijëra e madje qindra mijëra njerëzish që mbështesin një parti apo lider të caktuar. Por kurrë dhe askund në një vend demokratik njerëzit nuk detyrohen të shkojnë në takimet politike, kurrë dhe askund në një vend demokratik ata nuk kërcënohen se do të humbasin vendin e punës nëse nuk shkojnë në një miting apo protestë. Politikanët janë të bindur se shumë prej pjesëmarrësve në këto tubime janë aty në mënyrë të dhunshme, janë pa dëshirë, janë nga frika. Por atyre u intereson vetëm turma, paçka se si është mbledhur ajo, atyre u intereson kopeja e njerëzve që përbën dekorin televiziv, vetëm e vetëm që një miting apo një protestë të quhet madhështore.

Edhe pse të shtrënguar ta bëjnë, kjo bindje kolektive e shumë shqiptarëve është një praktikë që duhet flakur tej, sa pa u bërë sërish “edukatë” shoqërore. Pasi është po ajo bindje e verbër që nga shoqëri 50 vjet në komunizëm ku ne, fillimisht me dhunë, u edukuam të brohorisnim, më pas para çdo tribune e çdo zyrtari.

Nuk është kjo një ftesë për të bojkotuar politikën, por një thirrje ndaj njerëzve që të ngrihen kundër dhunës politike që na bën pjesë të dekoreve në festa e protesta. Ne duhet të dimë të festojmë vetë, edhe pa politikën, ashtu siç duhet të dimë edhe të protestojmë vetë, sërish pa politikën. Ne duhet ta bëmjë këtë, pasi shenjat janë vërtet të frikshme. Politika i ka zhdukur sindikatat dhe organizimet shoqërore dhe me rotacion ajo bën sot herë qeverinë, herë opozitën dhe njëkohësisht edhe lëvizjen sindikale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama