Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gabimi i Berishës me Tribunalin e Hagës

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Gabimi i Berishës me Tribunalin e Hagës

Nga reagimet e deritanishme të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj raportit të senatorit zviceran Dik Marti, ajo që mund të duket si emërues i përbashkët i tyre, është mungesa e koherencës, uniteti i qëndrimeve. Vetëm dje, zëvendësministrja e jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, në përpjekje për të shkuar kah koordinimi. Gjuha që përdorën Çitaku, ministri i Jashtëm, Haxhinasto, dhe kryeministri Berisha, dukej më e koordinuar: Na hetoni! Por kjo s’do të thotë se ky pozicion është më i drejti. Në themel të këtij pozicioni të ri, të unifikuar, qëndron qasja mbrojtëse e faktorit shqiptar në Ballkan. Pavarësisht retorikës sulmuese ndaj individit Marti,  kjo pozitë vuan nga mungesa e një qasjeje më globale; e një qasjeje që e sheh faktorin shqiptar, ashtu siç ka qenë këto vitet e fundit krah perëndimit.

Pra, çdo pozicion i ri duhet të synojë krahas unifikimit të faktorit shqiptar brenda për brenda vetes dhe kah harmonizimi i qëndrimeve të faktorit shqiptar me atë perëndimor. Nëse Marti, apo Jeremiç komunikojnë me Moskën në pritje të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Europës, pse faktori shqiptar nuk komunikon me Perëndimin?

Ka një arsye thelbësore pse duhet të ndodhë ky riunifikim. Kush e ka lexuar mirë raportin, e ka vënë re se veçanërisht në pjesën e projektrezolutës së Martit, serbëve dhe rusëve, ka sulme të forta ndaj Perëndimit. Pra, jo vetëm ndaj shqiptarëve- UCK-së, plus Shqipërisë, po ndaj Perëndimit. Nuk ka asnjë dyshim se Perëndimi do ta hedhë poshtë rezolutën, në mos plotësisht, në pjesën më thelbësore të saj. Askush nuk e ka vënë re deri më tani, se mungon një qëndrim zyrtar i Bashkimit Europian, të akuzuarit tjetër kryesor në raportin  Dik Martit, madje duhet të thuhet se heshtja e BE-së ndaj raportit duhet të konsiderohet si refuzim i tij. Komisionerja e BE-së për punët e brendshme, Malstrom, refuzoi të komentonte të ashtuquajturin raport, duke thënë se “nuk ka takuar as Dik Martin, as Hashim Thaçin, ndaj nuk kishte asnjë koment për raportin”.

Nuk kemi reagim të Baroneshës Ashton, me përjashtim të ministrit të Jashtëm hungarez, vend i cili megjithëse do të drejtojë Bashkimin, së afërmi nuk mendohet se përfaqëson qëndrimin unik europian. Parë kështu, duhet të mendohet se Bashkimi Europian, i cili udhëheq EULEX-in, vendet e mëdha që e përbëjnë atë, nuk janë dakord me raportin, i cili i akuzon ata si të dështuar në Kosovë. EULEX-, lexo BE-ja, plus SHBA-në nuk merr urdhra nga Këshilli i Europës, as nëpërmjet një rezolute. EULEX-i po heton, është në krye të punëve dhe nëse Marti ka prova “ai duhet t’ia japë EULEX-it,”, ky është qëndrimi europian. Për të marrë këto prova, për të çuar hetimet më tej, EULEX-, nuk ka nevojë për rezolutë të Këshillit të Europës, ku është dhe Rusia. Por qëllimi strategjik i shqiptarëve duhet të jetë, që ajo rezolutë të hidhet poshtë plotësisht.

Dhe vetë perëndimorët duhet të bien dakord me këtë refuzim total të tekstit të Martit. Sipas kësaj qasjeje globale, qëndrimet e djeshme, gjoja të unifikuara të tipit “hajde na hetoni”, prej faktorit shqiptar janë irealiste, megjithëse mund të ngjajnë si të motivuara nga dëshira që të tjerët të besojnë se “ne nuk kemi çfarë të fshehim”.  Madje, këto qëndrime, veçanërisht ndaj Tribunalit të Hagës janë dhe autolezioniste, pra vetëshkatërruese. Të pranosh Tribunalin e Hagës në Shqipëri, do të thotë të lejosh atë që kërkon Karla Del Ponte: të hapen gropa në gjithë veriun e Shqipërisë, për të gjetur varre masive. Shqipëria do të shndërrohej kështu në një qendër të mediave botërore për një kohë të gjatë, që do të ndiqnin gërmimet e këtyre varreve, të cilat s’do të zbuloheshin kurrë. Bile, sa më i vërtetë është pohimi se në Shqipëri nuk ka varre masive, aq më shumë do të zgjasin hetimet.

Ky është objektivi minimal i palës serbe, i bërë publik nëpërmjet tyre, por dhe i Karla Del Pontes, e cila tha se dëshironte të gërmonte në Shqipëri. Shqipëria, sipas tyre duhet të përfshihet në hetime, në veri të hapen gropa, dhe mediat të merren me këto varre imagjinare, e jo me ata që dihet qartë se ekzistojnë në Serbi. Ftesa për Tribunalin e Hagës, apo shtrirja e mandatit të tij në Shqipëri, duhet të bëhet eventualisht vetëm me rrugët legale, me ndryshim të rezolutës së OKB-së për funksionimin e tij dhe duke përfshirë gjithsesi autoritetet shqiptare kompetente në hetim.

Këtu mbërritëm tek një pikë tjetër. Shqipëria duhet të hetojë vetë për akuzat e Dik Martit, kjo mund të ishte një zgjidhje. Shqipëria është shtet sovran dhe s’ka pse të kalojë në vetëmbrojtje ndaj akuzave të Serbisë, të artikuluara prej një zvicerani, por të nisë hetimet vetë, duke kërkuar ndihmën e EULEX-it. Ndërsa Kosova që nuk ka sovranitet të plotë, ka policinë, gjyqësinë e gjithë Bashkimit Europian, në territorin e vet dhe ata po hetojnë. Që ata të vazhdojnë të hetojnë, nuk nevojitet kurrfarë rezolute e re.

Që faktori shqiptar të unifikojë qëndrimin me faktorin perëndimor, do të duhej më së pari të unifikohej mes vetes. Opozita e Kosovës, LDK-ja, që reagoi e fundit, do të duhet së bashku me gjithë partitë e tjera kosovare të tregojnë unitet qëndrimesh dhe t’ia bëjnë të qartë Perëndimit, se s’mund të pranojnë që rrota e historisë të kthehet mbrapsht. Edhe palët politike të Shqipërisë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, madje të gjithë faktorët njëherësh mund të gjejnë argumente, që t’i bëjnë presion faktorit perëndimor, për ta hedhur poshtë rezolutën tërësisht. Kjo do të duhet të ishte qasja e duhur, integruese e faktorit shqiptar me atë perëndimor dhe jo vetëmbrojtja: Hajde na hetoni!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama