Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vlera e çekut të ambasadorit amerikan!

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Vlera e çekut të ambasadorit amerikan!

Kur dëgjoj ambasadorin amerikan, nuk e di pse më kujtohet im atë kur kërkonte të më vinte në gjumë në vegjëli. Shtrihu në krevat më thosh - e mbaji sytë e hapur. Dhe pastaj më kërcënonte lehtë duke qeshur. - Mbaji sytë hapur dhe mos fli në asnjë mënyrë. Se mos fle ore! Pas pesë minutash natyrisht isha në gjumë… Ambasadori duhet ta ketë kuptuar mirë rëndësinë e çështjes, kur pas dozës së elefantit që i dha Berishës duke e quajtur “burrë shteti” vazhdoi me pilulën tjetër. Zgjedhjet lokale në maj dhe ato të përgjithshme më 2013! Për ata që kanë qejf të koleksionojnë historinë në mënyrë të ftohtë apo personazhet që e bëjnë atë, kemi të bëjmë me një nga ata shembujt e shkëlqyer, kur një mjeshtër me origjinë gjysmë aziatike po luan me një mentalitet, origjina e të cilit, si e të gjithë neve, mban erë të largët Turqie.

Përkundrejt dozave të mësipërme, ambasadori nuk harron atë punën e syve hapur, që nuk të lejon të flesh gjumë. Jemi me Prokuroren e Përgjithshme para se të jemi me Berishën apo Ramën! Kjo është fraza konkluduese apo terapia reale e një situate, të cilën një mendje gruaje si e Mariza Linos në 97-n nuk e përdorte dot për shkak të rrethanave. Atëkohë jo vetëm qeveria, por dhe Presidenti, ushtria dhe shërbimi informativ ishin njëngjyrëshe dhe zgjidhja e detyruar ishte e dorës së fortë, por dhe dëmet e ardhura prej saj ishin po të së njëjtës natyrë. Detyra e ambasadorit në këtë rast është më e thjeshtë se ajo e atyre viteve. Palët në ring janë ndarë qartësisht. Pyetja që buron në rastin e tanishëm duket po e thjeshtë:

Pse ambasadori i ka lëshuar në dorë një çek sigurie Berishës, i cili i garanton edhe zgjedhjet e majit dhe ato të 2013-s. Çek me kushte është apo paguhet në të gjitha rastet për prurësin? Pse loja shkoi në këtë mënyrë?

Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë, të majtë dhe të djathtë janë të ndarë në këtë çështjen tonë. Në Amerikë po ashtu. Me kë të jenë, me Ramën apo Berishën? Kjo pyetje që vlen në paraqitje vetëm për tifozë partish realisht nuk ka asnjë vlerë për borgjezët pleq të Europës.

Sipas rregullës së xhentëlmenëve, në këtë tollovi që në njëzet vitet e fundit në Shqipëri është përsëritur shpesh, duhet gjetur arbitër i paanshëm. Arbitri është gjetur tek Prokurori i Përgjithshëm, tek Presidenti dhe akoma dhe te Shërbimi informativ. Rama dhe Berisha nuk i hyjnë në punë asnjeriu dhe po të dëgjosh ambasadorin amerikan, më mirë të rrinë larg kësaj historie. Duke folur bëjnë vetëm zhurmë dhe rëndojnë problemin e tyre dhe të tjerëve.

Për amerikanët, kjo strategji e zgjedhur është fare normale. Të financosh vetëm qeverinë që mund të rezultojë e paaftë apo e falimentuar, ose opozitën kokëfortë, do të thotë të harxhosh jo vetëm llafe, por dhe pafundësi parash. Të mëdhenjtë e kësaj bote, ashtu si dhe mbreti, nuk marrin pjesë në konflikte për të harxhuar para, por vetëm për t’i fituar ato. Harxhimi i këtyre të fundit justifikohet në Afrikë apo gjëkundi tjetër më larg, ku qeveritë ndërrohen si mbreti gratë sepse nuk kanë rëndësi, por jo në Europë. Këtu mekanizmi qeverisës funksionon apo ndalon nëpërmjet elementëve më të vegjël se vetë qeveria. Mjafton prokurori, kryetari i Gjykatës së Lartë apo i Kushtetueses, etj., etj., për ta bërë të vlefshëm apo të pavlefshëm gjithë makinën e saj. Amerikanë dhe europianë janë të lumtur që më në fund ia kanë arritur këtij qëllimi që mishërohet në shprehjen “pavarësi e institucioneve”. Pra kanë gjetur instrumentin që ndalon apo bëjnë të ecë makinën e qeverisë.

Le ta shohim më nga afër këtë pohim në situatën e tanishme, për të dalë në konkluzionin e thjeshtë se vetëm torollakët apo agjitatorët e rëndomtë partiakë kërkojnë të nxjerrin përfitime të formës së drejtpërdrejtë nga fjalët e ambasadorit që përmend majin apo qershorin e vitit 2013. Duket se në aparencë kanë të drejtë, pasi në Shqipëri janë mësuar me histori që zgjasin pak e harrohen shpejt. E veç kësaj, nuk i ngjan rasti rastit për t’i thirrur kujtesës apo analizës logjike.

Vetë Berisha e pësoi mbi kurrizin e tij në një hapësirë kohe prej rreth një jave se çfarë është morsa e pamëshirshme e ambasadorit amerikan që i përmend tërë ditën e perëndisë vetëm Prokuroren e Përgjithshme.

Duke e pranuar lojën e mësipërme, Berisha, që e njeh mirë vlerën e të gënjyerit të ëmbël, ngriti komisionin hetimor si të vetmen kundërpeshë që është e ligjshme të paktën në formë ndaj presionit që vjen nga Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm dhe Shërbimi Informativ. Por çfarë fitoi nga kjo manovër?

Komisioni hetimor i iniciuar prej tij brenda një jave jo vetëm nuk arrin dot efektin e kundërpeshës, por shtoi si kontingjent të Prokurorit të Përgjithshëm faktorë të tjerë më të rëndë se ata për të cilët akuzohet, duke shpënë në hata peshën e fajit që vjen prej 21 janarit.

Kryeministri pohoi në komision, se në “Grushtin e shtetit’ kishte në pararojë dhe prapavijë, makina me kallashë, armë speciale me helm apo pa helm, etj., etj. Informacioni bazohej në policinë dhe jo Shërbimin Informativ. Akoma; me këtë dozë që çon në atë botë jo një dele por një elefant, futi në skenar edhe Presidentin, Prokuroren dhe Shërbimin Informativ. Një zot e di pse i duheshin edhe këta të fundit, pasi për të nxjerrë konkluzione për këtë lloj skenari nuk të shërben asnjë lloj ndihme e organeve të specializuar për ta ligjëruar e jo më një polici ditëzezë si e jona.

Drejtori i Policisë së Shtetit, që tashmë e ka humbur përfundimisht karrierën e tij me aktin e mosdorëzimit të Gardës, nuk e ndoqi në arsyetim për të mos rënduar akoma më shumë veten me një faj të dytë. Foli për 320 demonstrues me precedentë penalë që gjenden në çdo situatë dhe normale në një turmë qindmijëshe njerëzish.

Drejtori i Policisë e shndërroi akuzën e Berishës në akuzë politike duke folur për informacione që janë jo ato që përmendi Kryeministri. Jam i sigurt se në Europë e shohin më së pakti tashmë akuzën për “grusht shteti” vetëm si shenjë mosserioziteti politik të atij që drejton qeverinë. Më së shumti si shenjë që hedh në erë shtetin e mbetur prej goditjeve të vetë qeverisë.

Komandanti i Gardës ripohoi se urdhrat për zjarr i jep Ministria e Brendshme dhe me këtë njoftim humb apo nuk humb serveri i të dhënave për zjarr me armë në datën 21 janar, ai pohon zyrtarisht kush është shkaku i vrasjes së katër njerëzve. Komandanti i Gardës faktikisht me këtë pohim shndërron përveç vetes, edhe ministrin si kontingjent të ditëve në vijim.

Komisioni hetimor në vetvete nuk bëri gjë, veçse ndihmoi Prokuroren e Përgjithshme dhe në këtë rast nuk duhet të ketë asnjë çudi. Ashtu siç do zgjidhje që në themelin e sa është e gabuar dhe shpie në rezultate po të tilla edhe çdo formulë që respekton institucionet apo shtetin të shpie po me detyrim në morsën e këtij të fundit.

Duket një morsë që në ditët e ardhme do të shtrëngohet akoma më fort.

Dhe ja pse:

Në një qetësi të përbindshme dhe jashtë çështjes së 21 janarit, Prokuroria ka thërritur Rulin këto ditë për punën e koncesioneve të kromit. Duket e zorshme që ky i fundit të shpëtojë nga akuza, pasi vendimi i marrë prej tij që i takon vetëm Parlamentit, duket elementarisht kundër ligjit.

Gojët e liga thonë se videoja e Metës ka shkuar për ekspertizë dhe se pas aktit noterial që vërteton apo jo autenticitetin e saj, e shndërron edhe këtë të fundit në kontingjent të prokurores.

Ministri i Brendshëm, si një nga më të shkolluarit e kësaj qeverie, e di mirë se si do të rrjedhin ngjarjet dhe i fajshëm apo i pafajshëm e ka humbur përfundimisht karrierën e tij politike nëse do ta thërrasin në Prokurori për vrasjet e 21 janarit.  

Në horizont duket edhe Ministria e Integrimit dhe me këtë të fundit duket se vargu i plaçkave të palara bëhet shumë i madh. Katër ministra të akuzuar dhe po aq të vrarë janë shumë për ta mbajtur në këmbë qeverinë. E rrethuar dhe nga skandale të tjera periferike vetëm në dukje si Gërdeci, përmbytjet e Shkodrës apo ai i KESH-it që po duket në horizont, asnjë kreditor i arsyeshëm nuk do të preferonte të vinte bast apo paratë e tij për të.

Në të vërtetë duhet t’i falënderojmë europianë e amerikanë që po përpiqen të mbajnë në këmbë shtetin tonë ditëzi, që më së fundi i ka shqepur tërë llojet e portave dhe institucioneve duke i nxjerrë plaçkat e tij siç thonë të vjetrit në pazar të Korçës. Aq e vërtetë duket kjo, sa në këtë të fundit po mbërrijnë xhambazë të çdo kategorie jo vetëm nga tanët, po dhe fqinjët. Jam shkrirë gazit kur pashë në këtë pazar duke bërtitur si hoxhë i çmendur konsullin grek, që e nuhat çastin kur duhet të kërkojë hesapet e prapambetura. Ka të drejtë sepse nuk ka kohë njeri t’i fusë shqelma bythëve në hallin që na ka zënë.

Në tërë këto llogari, opozita është e fundit që duhet të merret në konsideratë. Ajo që vlen vërtet është mërmërima që vjen nga poshtë, domethënë ajo e popullit, që kur vihet në lëvizje fshin çdo tezë të diplomacisë sipas rregullës së vjetër që thekson pafuqinë e saj për shkak të vjetërimit të opsioneve. Për ta mbajtur këtë mërmërimë jashtë rrugëve të sherrit duhen para dhe jo xhonglime të ministrit të Financës, që do t’i duhet shumë më tepër letër se normalisht për të marrë vendime, të cilat në fund të fundit vetëm rrisin taksa dhe çmime që shtojnë sasinë e të pakënaqurve.

Qeveria ka rënë dhe çdo dozë elefanti që përdor ambasadori dhe europianët nuk kanë lidhje me shpëtimin e saj siç mendojnë hajdutët e veckël të saj apo të matrapazëve që vijnë vërdallë për t’i bërë qejfin. Doza e elefantit përdoret për të shpëtuar vetëm shtetin.
Duke e mbyllur këtë shkrim, ia vlen t’i kthehemi pikës së tij të nisjes. Ambasadori amerikan dhe europianët janë sjellë drejt me të gjitha palët. Ai që duhet ta kuptojë situatën më shpejt se të tjerët është apo duhet të jetë Berisha. Vetëm ai e ka në dorë zgjidhjen, por për pak, fare pak kohë.
Duket se është i vetmi favor legal që i bëjnë europianë dhe amerikanë. Çdo tentativë për t’i rrëshqitur problemit analoge me atë të komisionit hetimor, në vend që ta lirojë, vetëm e shtrëngon litarin.  

Eksperienca e tij në politikë është e mjaftueshme për ta kuptuar se nuk ka as Europë e as Amerikë që të mbajnë në këmbë një qeveri që jo vetëm duhet ta shpëtosh nga skandalet, por dhe çdo ditë e më tepër t’i japësh shumë e më shumë para për ta mbajtur në këmbë.

Në gjithë këtë histori, më i qeti natyrisht duhet të jetë shefi i opozitës, i cili në ndryshim nga situatat përcaktuese pro opozitës, por edhe të rrëmujshme të viteve ‘97 e këtej, ka mundësinë nesër të shohë një fushë të pastruar jo vetëm nga këto të fundit, por dhe nga xhambazë politikë që vijnë vërdallë për t’u ngjitur pas barkut të balenës së re si peshqit e njohur që rrojnë me këtë punë. Një arsye më shumë që duhet falënderuar ambasadori amerikan, i cili si në emisionin “Milioner” të Agron Llakajt, i ka dorëzuar një çek Berishës, duke theksuar se për t’u fituar një milionëshi, domethënë maji i sivjetshëm dhe 2013-a, janë dhe nja pesëmbëdhjetë pyetje të tjera, të cilave u duhet përgjigjur saktë, pasi kthehen e të marrin edhe paratë e fituara në fillim të lojës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama