Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse zgjidhet presidenti para qeverisë?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse zgjidhet presidenti para qeverisë?

Procesi i krijimit të institucioneve në Kosovë është thelbësor për ecurinë e shtetit të ri në të ardhmen. Krijimi i tre institucioneve kryesore: Kuvendit, Presidentit dhe të qeverisë për herë të parë sipas Kushtetutës së re, po bën që në opinionin publik dhe në atë të specializuar kosovar, të diskutohet nëse është Presidenti ai që duhet të zgjidhet më parë, apo qeveria. Ky diskutim ama është tipik për një shtet të ri, pasi në një shtet normal, as nuk duhet të ndodhte. Pse? Në kushtetutat e shteteve prej nga ku janë marrë nenet e kushtetutës kosovare mbi zgjedhjen e Presidentit, (modeli italian, grek, shqiptar, etj), nuk ka dilema se Presidenti zgjidhet i pari. Madje, sipas këtyre kushtetutave, presidenti pasardhës do të ishte zgjidhur me kohë, sapo paraardhësi, (zoti Sejdiu) jep dorëheqjen.

 Sipas doktrinës kushtetuese, presidentët me mandate të plota, (jo U.D) të zgjedhur me shumica cilësuese të forta, janë noterët e proceseve kryesore politike në vend si shpallja e zgjedhjeve, mandatimi i kandidatëve për kryeministra, dekretimi i qeverive, madje dhe i thirrjes apo shpërndarjes së parlamenteve, momente në të cilat Presidenti kryen qartësisht një funksion politik. Në vende të caktuara, me këtë logjikë, duke dashur të lihet presidenti jashtë lojërave të pushtetit politik që lidhen për shembull, me shpërndarjen e parlamentit, nuk lejohet që kreu i shtetit i zgjedhur me shumicë të fortë (2/3 p.sh.), të shpallë zgjedhjet gjashtë muajt e fundit të mandatit (neni 88 i kushtetutës italiane). Pra, ai duhet që në atë moment të dhënë, të ketë fuqi të plotë dhe të mos mendojë se ç’do duhet të bëjë pasi të lerë detyrën.

Kjo ishte një parantezë doktrinare, për ta kontekstualizuar situatën ku gjendet Kosova, jo me optikën e Kosovës, por me optikën botërore. Ndërkohë, argumentet pse Presidenti duhet të zgjidhet para krijimit të qeverisë janë disa. Ato gjenden tek Kushtetuta, apo tek leximi tërësor i saj, së bashku me Ligjin për Presidentin dhe Rregulloren e Kuvendit. Nëse ky lexim nuk i afron qartazi, atëherë duhet kërkuar tek precedentët, d.m.th., tek historia institucionale e shtetit të Kosovës dhe në radhë të fundit tek doktrina kushtetuese, që nga ana e vet konfirmohet me shembuj të praktikës kushtetuese të republikave parlamentare në botë.

Po e nisim me Kushtetutën e Kosovës, e cila imponon zgjedhjen automatike të Presidentit pas dorëheqjes. Për pasojë, situata ku jemi nuk është në përputhje me kushtetutën. Realisht, germa kushtetuese nuk ofron qartazi një përgjigje, sepse imagjinohet që kjo situatë (pa President, pa Parlament, pa Kryeministër) nuk do duhet të verifikohej për shkak të kohëzgjatjeve të ndryshme të mandateve të Presidentit, Kuvendit, etj. Ndërkohë, Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon as rastin e dorëheqjes së presidentit, që në Kushtetutën italiane (neni 86 i saj) barazohet si situatë me vdekjen, apo pengimin e përhershëm të presidentit për të kryer detyrën. Sipas Kushtetutës italiane, zgjedhja e Presidentit të ri duhet të bëhej menjëherë pas dorëheqjes. E njëjta gjë parashikohet dhe në Kushtetutën e Shqipërisë, ku përdoret koncepti i vendit vakant (neni 90).

Kjo gjë në Kosovë nuk ndodhi dhe praktikisht ushtruesi i përkohshëm i detyrës-kryetari i Parlamentit, po e kryen këtë detyrë me të gjithë atributet, jo sipas parashikimeve kushtetuese që nuk ekzistojnë (Kushtetuta kosovare flet vetëm për pamundësi të përkohshme të Presidentit-si sëmundja, etj), madje duke kandiduar në zgjedhje. Argumenti i vetëm për funksionimin kështu të Presidencës lidhet me mungesën e ndalimeve, që U.D të bëjë saktësisht atë që bën Presidenti, pra dhe angazhime tipike presidenciale. Harrohet se këto funksione presidenciale rrjedhin prej një mandati të fortë, që sigurohet prej shumicës së cilësuar. Me këtë arsyetim, zgjedhja e Presidentit që u vonua shumë në nëntor, duhet të futet menjëherë në rendin e ditës.

Argumenti i dytë lidhet me precedentin, apo praktikën kushtetuese të derisotme në Kosovë. Megjithëse me kuadër kushtetues të ndryshëm, kur Kosovës i është dashur të zgjedhë njëherësh krerët e të gjitha institucioneve, radha e veprimeve ka qenë: Parlamenti, Presidenti dhe pastaj qeveria. Kështu ka ndodhur me Presidentin Rugova në 2001 dhe në 2004, i cili dekretoi përkatësisht Bajram Rexhepin e PDK dhe Ramush Haradinajn e AAK. Kështu ka ndodhur dhe me Presidentin Sejdiu, që zgjodhi zotin Hashim Thaçi të PDK. Po ashtu dhe Shqipëria, prej të cilës Kosova ka marrë elementë të caktuar në tekstin e saj kushtetues, ka një precedent të tillë me zgjedhjen e Presidentit Meidani, para dekretimit të qeverisë në vitin 1997.

Argumenti i tretë është i lidhur me logjikën kushtetuese. Mbrojtësit e idesë se U.D i Presidentit nuk ka pengesë të mandatojë qeverinë, nuk marrin parasysh që hartuesit e kësaj kushtetute, apo çdo kushtetute në botë, as që mund ta mendonin një situatë të tillë dhe për pasojë të shpiknin pengesa. Presidenti do duhej zgjedhur menjëherë pas dorëheqjes së zotit Sejdiu. Prej një leximi të tërësishëm të Kushtetutës, Rregullores dhe Ligjit të Presidentit, kuptohet qartë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është detyra e parë e mbledhjes së parë të Kuvendit të ri, pas vërtetimit të mandateve. Sipas nenit 95, paragrafi 1, Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër.

Kuvendi duhet të konstituohet që të vijmë tek ky hap, pra duhet të zgjidhet kryetari dhe kryesia. Pa shkuar tek situata e dekretimit të mandatarit, ajo çka mund të shohim në Parlament është pak absurde: Ushtruesi i detyrës do të duhej të rrijë në lozhën e Presidentit, do të duhet të rrijë në sallë si deputet i thjeshtë në pjesën e partisë së vet, apo ku? Nga cili vend do të duhej të mbante për shembull, mesazhin drejtuar Parlamentit, nëse do ta shihte të arsyeshëm ta mbante një mesazh? Megjithëse kjo kushtetutë nuk ka ndalime të shprehura për U.D ekzistues të Presidentit që të mandatojë kryeministrin, do të duhet të imagjinohen disa situata konkrete, që do duhej ta ndalonin. Për shembull: ç’do ndodhte nëse kryetar parlamenti do të zgjidhej dikush tjetër dhe jo ai që sot po ushtron detyrën e Presidentit prej legjislaturës së kaluar? Automatikisht, i zgjedhuri i ri do të duhet të ishte U.D. i Presidentit. A do të duhej të ishte ky i zgjedhur që ta mandatonte Presidentin, apo ai që po kryen aktualisht detyrën e Presidentit? Pra, do kemi dy U.D në një kohë kaq të shkurtër, diçka jo serioze me detyrën e lartë të Presidentit.

Ka dhe një situatë tjetër hipotetike, jo normale nëse i përmbahemi kësaj ideje. U.D i Presidentit për shembull, mund të aspironte dhe të emërohej edhe Kryeministër, apo ministër në një resor të caktuar. Ç’do të bënte ai në një rast të tillë? Do të dekretonte veten e tij në këto detyra? Ka dhe disa situata të tjera të ngatërruara, që janë produkt i hipotezës se duhet të jetë ky U. D së Presidentit që të dekretojë mandatarin për kryeministër.

Pas të gjithë këtyre argumenteve, nuk duhet të ketë dilemë për radhën e veprimeve në krijimin e institucioneve. Presidenti është noteri natyral i krijimit të qeverisë, apo i institucioneve të tjera në përgjithësi, deri dhe i institucioneve akademike në kushtetuta të caktuara. Ndaj, këto procese nuk mund të zgjidhen pa noter me mandat të plotë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama