Përveç ligjës së zgjedhjevet, që do t’i apë jetë Asemblesë Konstituente, nji nga projektet mâ me randësi, që ndodhen në rend të ditës për bisedim në sesjonin e jashtëzakonshëm të Parlamentit, âsht, pa dyshim, çashtja e koncesionit të vojit të gurit.
Ndonse mund të thohet se nuk ka mbetun as i madh, as i vogël në Shqipni, që të mos jetë interesuem për këtë çashtje, prapë unë besoj se opinioni publik nuk âsht zdritun aqë sa duhet mbi te, e se kjo çashtje nuk âsht rrahun e shkoqitun aqë sa randësija e saj e kërkon.
Ata, që, mâ tepër se të tjerët e kanë pasun për detyrë që me e thelluem si duhet ketë çashtje, janë deputetët, pse këta e kanë ditun se, heret a vonë, kanë për t’u thirrun me dhanë vendim mbi te. Due të besoj që secili prej tyne e ka kryem si duhet detyrën e vet, e nëqoftëse shumë prej sish, e unë bashkë me ta, kanë heshtun deri tash, këte e kanë bamun për mos me i sjellë pengime qeverisë e për me i lanë dorë të lirë në zhvillimin e marrveshjevet me shoqënitë, që kanë ardhun të kërkojnë shfrytëzimin e vojit të gurit të Shqipnisë. Po sot që duket se këto marrveshje janë kryem tue qenë se Këshilli i Naltë e ka përmendun edhe koncesjonin e vojit të gurit bashkë me dekretin, që thrret Parlamenti në sesjon të jashtëzakonshëm, sot do t’ishte nji faj i madh për neve nëqoftëse do të vijojmë në heshtjen tonë e nuk do të kërkojmë me i dhanë popullit lajme të plota e hollsina të mjaftueshme mbi këtë çashtje me randësi kryesore për ekonominë e financën tonë.
Në çashtje këso dore –çashtja që mund të lidhin Shtetin tonë për nji kohë rrokull pesdhjetë vjetve e që, të rregullohen mirë, mund t’i sjellin Arkës sonë nji kontribut të përvjetshëm disa miljonash –na deputetët nuk duhet të kënaqemi vetëm me të drejtat që na ep ligja, por e kemi për detyrë me kërkuem që të kuptojmë edhe mendimin e popullit e t’i konformohemi dëshirit të tij. Sa për mue, unë do t’isha i mendimit se në këtë kohë, sa Parlamenti bisedon çashtjen e vojit të gurit e koncesjone të tjera me randësi, bashkitë e odat tregtare të Shqipnisë të dërgoshin këtu në Tiranë delegatën që t’u rrishin pranë deputetëvet, t’u ndihmoshin me këshillat e veta e të drejtoshin veprimet e tyne për të mirën mâ të madhe të Shtetit e të popullit.
Qe tashti këtu, në pak fjalë, se si ka rrjedhun çashtja e koncesjonit të vojit të gurit e pika ku gjindet sot.
Në muej të Marsit të vjetit 1921 qeverija e Z. Eljas Vrionit ka pasë lidhun nji kontratë me nji degë të Shoqëniës inglize Anglo-persjane, me të cilën i jipte të drejtën kësaj Shoqënije që me bamun kërkesa e me shfrytësuem vojin e gurit të Shqipnisë. Kjo kontratë, që do të hynte në veprim mbas pëlqimit të saj nga ana e Parlamentit, bazohej mbi ekskluzivitetin e kërkesavet e të shfrytësimit e mbi monopolizimit e tregtisë së vojit të gurit në Shqipni, dy kondita aspak të fitimshme për Shtetin tonë. Shkoj shumë kohë, e as qeverija, as Parlamenti, as Shoqnija vetë nuk u interesuen fare për këtë koncesjon.
Në mbarim të muejit të Gushtit 1921 erdhën në Tiranë përfaqësuesit e Shoqënisë amerikane Sinclair, me të cilët qeverija hyni në bisedim edhe arrijti në një marrveshtje të plotë, marrëveshtje, që mbeti pa u nenshkruem nga shkaku i kondërshtimit, që njatje vonë bani Anglo-persjane tue u mbështetun në të drejtat e veta të fitueme. Njena mbas tjetrës, paraqitën kërkesa për koncesjone voj guri edhe dy Shoqëni të tjera, e para italjane dhe e dyta frange; e mâ në fund u paraqit edhe Shoqënija mâ e madhe e botës Standard Oil e New-Jorkut, e cila i parashtroi qeveris kërkesën e vet.
Nuk due të thom në bani mirë a keq qeveria, që, për pa u zgjidhun prej pengimit që kishte me Anglo-persjane, hyni në marrëveshje edhe me të tjerë; unë do të vështroj vetëm rezultatin, që ngjalli edhe në Shqipni nji farë lufte për vojin e gurit e që shtrëngoi Shoqëninë inglize me i ndryshuem e me i përmirësuem konditat e veta. Tue qenë se këto ndryshime e përmirësime nuk janë akoma shpallun zyrtarisht, nuk due të bâj sot nji krahasim ndermjet konditavet të paraqituna prej secilës Shoqni; po shtoj vetëm se, për sa dihet, ato të dy shoqëni amerikane janë sot për sot mâ të mirat. E për kondita mâ të mira unë kuptoj nji përqindëse fitimi mâ të naltë, e garanti të mjafta për sigurimin e shfrytsimit.
Këto dy pika duhet të mbajë parasysh parlamenti shqiptar në bisedim të çashtjes së vojit të gurit tue u ruejtun prej çdo farë influencash të tjera, të cilat mund të dalin të damshme si në politikë ashtu n’ekonomi. Udha, që na këshillon me mbajtun, në të dhanun të koncesjonit të vojit të gurit, organizatori i financavet Z. Hunger, âsht fare e çuditshme, aqë sa që nuk do ta kishe besuem, sikur të mos kisha e kisha kënduemun të shtypun ndë një fletore të këtushme me nënshkrimin e tij. Z. Hunger propozon që e drejta e zgjedhjes e tokës për kërkesa e shfrytësim të vojit të gurit t’i jipet Shoqënivet të ndryshme tue i rreshtuem mbas datës s’ofertavet të tyne. Këjo udhë do t’ishte e drejtë, po t’ishte se ligja e jonë të caktonte konditat mbas të cilavet duhet të jipen koncesjonet; po, kur kjo ligjë mungon, vjen vetiu se parapelqimin e ka ajo shoqëni, që parashtron konditat mâ të mira.
Ndë numër t’afërm do të kthej përsëri mbi ket subjekt e do të mundohem me dhanë shkoqitje mâ të plota tue marrë në veshtrim konditat e ndryshme t’ofertave mâ me randësi.