Çela OSHEE bilanc pozitiv per here te pare ne 2015

CELA-350x197

-Në përditësim-

TIRANE, 20 Tetor/ATSH/- Administratori i OSHEE-së, Ardian Çela deklaroi sot se falë reformës së ndërmarrë nga qeveria është bërë e mundur ulja drastike e humbjeve si dhe rritja e arkëtime.

Gjatë konferencës në kuadër të aksionit 1 vjeçar të qeverisë kundër vjedhjes së energjisë, ku marrin pjesë Kryeministri Rama, Ministrat Gjiknuri dhe Tahiri, Çela tha se për herë të parë kompania nuk është barrë mbi buxhetin e shtetit.

Në fund të vitit 2014, kompania regjistroi bilanc negativ prej -38 miliard lekësh, ndërsa në fund të këtij viti kompania llogarit për herë të parë një bilanc pozitiv prej 10 milionë lekësh.

Treguesit statistikore tha ai, e dëshmojnë më qartë atë ç'ka ka ndodhur me sektorin energjitik në tërësi dhe kompaninë e shpërndarjes në veçanti.

Në 9-mujorin e vitit 2015 janë arkëtuar 500 milion dollarë. Thënë ndryshe, janë 150 milion më shumë se një vit më parë dhe 200 milion më shumë se në vitin 2013. Përqindja e arkëtimit në raport me faturimin në vitin 2013 ishte në vlerën 77.6% ndërsa këtë vit ajo arrin në 112%. Në dy vitet e fundit janë arkëtuar 99.5 miliard lekë ku 1/3 e tyre i përkasin borxheve të vjetra. Dy vjet më parë, arkëtimi i faturës korente ishte në masën 66.5% ndërsa aktualisht ai arrin në 83.3%", deklaroi Çela.

Kompania, tha ai, është treguar e vendosur edhe në drejtim të reduktimit të nivelit të humbjeve." Efekti i uljes së humbjeve në dy vitet e fundit ka kursyer 53 milion euro duke reduktuar shpenzimet për importin e energjisë. Nëse në vitin 2013 humbjet e 9-mujorit ishin 43.4%, këtë vit ato kanë zbritur në 31.1%. Muaji shtator ishte një rekord historik ndërsa humbjet u ulën në 25%", tha Çela.

Kjo qasje fleksibël e kompanisë, vijoi Çela, u krijoi mundësinë mbi 358 mijë qytetarëve të firmosin aktmarrëveshje për shlyerjen e borxheve me këste.

"Mbi 200 mijë abonentë përfituan ulje me 80% të kamatës, 129 mijë zgjodhën ta paguajnë borxhin me këste 2500 lekë/muaj ndërsa 28 mijë familjarë në skemën e ndihmës ekonomike përfituan nga këstet me 1000 lekë/muaj. Janë 200 mijë abonentë që sëbashku kanë përfituar 40 milion USD zbritje të kamatvonesave si rezultat i zbatimit të kësaj skeme lehtësuese", u shpreh ai.
Ai informoi edhe mbi skemat e tjera të ofruara nga OSHEE pak ditë më parë. Një e tillë, tha ai, është e vlefshme edhe për biznesin të cilit tanimë i reduktohet kamata me 50% nëse paguan njëherësh gjithë detyrimin. "Për familjarët, kamata reduktohet me 70% nëse e paguan direkt detyrimin dhe 50% nëse e shlyen brenda 6 muajve nga lidhja e aktmarrëveshjes", bëri të ditur Çela.

Shtimi i kontrolleve dhe verifikimeve në terren ka çuar në regjistrimin e 33 mijë kontratave të reja vetëm gjatë vitit 2015. Njerëz që konsumonin energji por deri dje nuk njiheshin fare nga sistemi.

Në drejtim të shërbimit ndaj qytetarëve, Çela theksoi se gjatë vitit 2015 janë investuar më shumë se sa u investua në 6 vite të marra së bashku. Në Tiranë po zhvillon punimet një konferencë në kuadrë të aksionit 1 vjeçar të qeverisë kundër vjedhjes së energjisë. Në konferencë marrin pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë. /a.gjonaj/ /a.g/ vijon


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama